Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/
Shqyrtimi i mëposhtëm është pjesë e një kumtimi të ndërtuar mbi dokumentacionin arkivor të konsujve të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, që gjendeshin në vitin 1912 në qendrat e tre prej katër vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Osmane, pikërisht në pragun e pavarësimit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për dosjet e nënkonsullatës britanike në Shkup të drejtuar nga Peckham, nënkonsullatës britanike në Monastir nga e cila kanë raportuar Greig dhe Morgan dhe nënkonsullatës britanike në Shkodër drejtuar nga Nikolla Suma, shkodran, të cilave u janë shtuar analizat përgjithësuese të Konsullit të Përgjithshëm Harry Lamb në Selanik. Një rëndësi të veçantë kanë sidomos raportet e zv konsullit britanik në Shkup, Peckam, mbasi Vilajeti Kosovës u bë qendra më e trazuar botës shqiptare në vitin 1912, gjegjësisht në prag të shpërthimit të luftrave ballkanike dhe pavarësimit të Shqipërisë. E ndjeva për detyrë ta botoj pjesën konkluzive të punimit tim, në kuadrin e debatit të hapur nga qarqe të caktuara politike joshqiptare dhe trysnisë së ushtruar mbi studiuesit shqiptarë në muajt e fundit, për rishkrimin, sipas orekseve politike të çastit, të historisë së Shqipërisë nën pushtimin otoman. Kjo trysni po orvatet të imponojë deri edhe vetëpërmbysje të punës së bërë për dhjetëvjeçarë nga studiuesit, të imponojë tërheqje nga puna e bërë, shmangie nga kriteret shkencore, përkulje intelektuale dhe rrumbullakosje të fakteve historike.
TRYSNIA NEO-OTOMANISTE MBI SHQIPËRINË DHE KOSOVËN E FILLIMSHEKULLIT XXI
Trysnia neo-otomaniste mbi Shqipërinë dhe Kosovën e fillimshekullit XXI vjen në një moment fort mirë të studiuar nga ata që e kanë inicuar. Shqipëria dhe Kosova aktuale janë dy shtete të dobëta politikisht, me rryma të forta paqartësie në aspektin identitar arbnor paraotoman, me probleme të rënda në respektimin e shtetit ligjor, me ecje të ngadalshme, dikund edhe të prapësueme, në procesin integrues europian dhe me mungesë përkrahje në totalitet nga tërësia e vendeve të Bashkimit Europian. Kësisoj ajo përpjekje mund të konsiderohet shumë e rrezikshme dhe përçarëse për bashkësinë e qytetarëve të lirë shqiptarë të dekadës së dytë të shekullit XXI, të cilët deri tani e kishin në çështje të zgjidhur teorike, vlerësimin mbi trashëgimin osman në trojet e tyre.
Shqyrtimi i kujdesshëm i mbi 900 faqeve dokumentacion, të dy dosjeve të vitit 1912 më ka mundësuar të rikrijoj një tablo të plotë të ngjarjeve që historiografia i konsideron si kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, parë në këndvështrimin e raportuesve britanikë. Dokumentacioni të jep mundësinë të vlerësohet kronologjia e ngjarjeve, niveli i përhapjes së lëvizjes kryengritëse nacionale në Shqipëri, intensiteti i veprimtarisë kryengritëse në të gjitha krahinat shqiptare, rrjedhat e verteta të ngjarjeve në vilajetet shqiptare në vitin 1912, programet politike, situata në ushtrinë turke, gjendja kulturore, niveli i perceptimit politik i shoqërisë shqiptare dhe orientimet politike të krahinave të ndryshme shqiptare në linjat përparimtare apo regresiste shqiptare, impostimet politike të shtresave të ndryshme dhe krahinave të ndryshme të shoqërisë shqiptare në orientimet e jetës së brendshme të Perandorisë Osmane dhe niveli i tronditjes së solli kryengritja mbi shoqërinë politike otomane të kohës.
KRYENGRITJA NË VILAJETIN E KOSOVËS SI PJESË PËRMBYLLËSE E REVOLUCIONIT NACIONAL SHQIPTAR
Së pari, më duhet të saktësoj, se kryengritja e vitit 1912, e filluar në Vilajetin e Kosovës, ka qenë pjesa përmbyllëse e Revolucionit Nacional Shqiptar të viteve 1910-1912. Ajo kryengritje është kulmimi i tretë i rizgjimit më të rëndësishëm të popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, rizgjim i cili ka ndodhur në rrethanat e presionit të thellë shtypës dhe otomanizues të qeverisë së Turqve të Rinj mbi kombin shqiptar, shtypjes së thellë ekonomike mbi popullsinë dhe pasqyrimit të procesit dekompozues të ushtrisë otomane dhe sistemit të arrnuar politik të këtij shteti në vdekje e sipër.
Së dyti, një nxitje të rëndësishme për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës kanë luajtur pjesmarrja e disa prej anëtarëve më të rëndësishëm të parisë krahinore në jetën politike turke dhe bashkëveprimi me opozitën Ententiste kundër qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Duhet të saktësohet, se paria e vilajetit njëlloj si paritë e vilajeteve të tjera, i përkiste formimeve të ndryshme politike. Anëtarët e saj kanë pasur vizione jo unitare mbi të ardhmen e vilajeteve shqiptare në Perandori dhe në Ballkan dhe kësisoj janë paraqitur me programe jo plotësisht unitare në përfaqësimin e tyre pranë autoriteteve osmane. Grupet shqiptare të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup përshkruhen në këtë mënyrë nga diplomati britanik, përsa i perket orientimeve politike. Ai dallon tri grupime politike brenda levizjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit: 1. Grupi i parë ishte ai opozitar Ententist (dhe përfaqësohej nga Hasan Prishtina, i cili arriti të fitonte objektivin e vet kryesor, rënien e qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim” dhe kërkonte më pas diçka më shumë se garanci, që Shqipëria nuk do të trajtohej në të ardhmen ashtu sikurse kishte qenë trajtuar në të shkuarën. 13 pikat e kërkuara në programin e përpiliuar nga ai pasqyrojnë në një farë mënyre politikën e këtij grupimi. 2 Grupimi politik Autonomist i përfaqësuar nga Riza Beu (Kryeziu). Kjo parti synonte si hap të fundit, në qoftë se jo autonominë e menjëhereshme, një Guvernator të Përgjithshëm të zgjedhur. 3 Partia Konservatore e përfaqësuar nga Isa Boletini, përfaqësonte fiset malore dhe qëllim i tyre ishte ruajtja e shoqërisë tradicionale, organizuar dhe ruajtur nga zakonet tradicionale të krahinës së tyre, në të cilën ata ishin mësuar të sundonin. (PRO.FO.195 2407. doc.no.67, faqe 256-257, Peckham to Lamb, Uscub, August 12, 1912.)
ZHVILLIMET POLITIKE USHTARAKE TË KRYENGRITJES SHQIPTARE NË VILAJETIN E SHKUPIT
Së katërti, zhvillimet politike ushtarake të kryengritjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit më 1912, i janë bashkëngjitur ç’organizimit të përgjithshëm ushtarak, rebelimeve të herëpasherëshme të ushtrisë otomane në vilajetet e banuara nga shqiptarët. Ky ç’organizim vërtet është përshpejtuar nga vala e papërballueshme dhe masive e kryengritjes në krahinë, por nga ana tjetër, bashkëshoqërimi i kryengritjes me këtë rebelim të ushtrisë si dhe me veprimtarinë e partisë opozitare turke, ka kornizuar shpesh herë ligjërimin patriotik shqiptar, ka moderuar objektivin e pastër antiosman dhe karakterin laik e iluminist përbashkues të të gjithë segmenteve përbërëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar në këtë mënyrë një qasje më të prapësueme se programi politik, tehu i qartë antiosman i kryengritësve të Malësisë së Madhe të vitit 1911, programi i Memorandumit të Greçës dhe nga aktiviteti albanianist i qarqeve shqiptare me formim të europianizuem nën ndikimin dhe mbështetjen e fuqishme edhe financiare të Austrisë, mbrojtësës së vetme madhore të popullit shqiptar.
Së pesti, progamet politike të kryengritjes së vitit 1912 kanë një bazament themelor të përbashkët dhe diferencohen në pikat e tyre kulmore varësisht vendit ku janë prodhuar, ku janë rishkruar, varësisht aspiratave të individëve udhëheqës së krahinave respektive. Dokumentacioni që kemi pasur në dispozicion na mundësoi të dallojmë shkrime programesh politike, vetëm në muajin gusht 1912, një në Vilajetin e Shkupit, një në Shqipërinë e Jugut dhe një në Shkodër. Të tri këto manifeste pretendojnë të jenë pjesë e një lëvizjeje, por ata dallojnë në pikën goditëse të procesit shkëputës nga Perandoria Osmane. Gjithsesi, ndikimi i klasës së otomanizuar dhe turkomane ka qenë një faktor i rëndësishëm frenues që ka përkulur tehun e qartë kombëtarist, albanianist, të unifikuar e mirëfilli separatist të kryengritjes shqiptare të vitit 1912 dhe kjo gjë vihet re krejtësisht qartë sidomos në rrjedhat e ngjarjeve Vilajetin e Shkupit më 1912. Lëvizja e Vilajetit të Shkupit i bashkëngjitej programit më të përparuar politik të Malësisë së Madhe, krahinë e cila, pikërisht në këtë kohë, siç duket serish me nxitjen edhe të Ismail Qemalit, ka avancuar një memorandum me kërkesat e mëposhtme: 1.përkufizimin e kufijve politikë të Shqipërisë; 2.njohjen e flamurit shqiptar; 3.emërimin e një guvernatori të përgjithshëm për të gjithë Shqipërinë, të zgjedhur nga fisnikëria e vjetër shqiptare; 4.Heqjen nga Shqipëria të të gjithë zyrtarëve që u përkisnin racave të tjera dhe emërimin e shqiptarëve në vend të tyre; 5.pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e cila do të duhej të mësohej me germa latine; 6. Pranimi i të gjitha këtyre kërkesave duhej të garantohej prej Fuqive të Mëdha (PRO.FO.195.2406 Inclosure No.1, in Consul-General Lamb’s dispatch No.67 of 22 May, 1912, Translation of letter in “Yeni Asr” of the same date from a correspondent at Uscub.) Me datën 7 gusht 1912 Hasan Prishtina, Mehmet Pashë Tetova, Riza Kryeziu, Isa Boletini dhe Jahja Aga paraqitën një Mazbatë me kërkesa si më poshtë vijon: Albabeti kombëtar me germa latine të përdorej për gjuhën shqipe në katër vilajetet shqiptare; Një Lice duhej të ndertohej për çdo sanxhak të vilajeteve shqiptare; Gjuha amtare e nxënësve duhej të ishte gjuhë e arsimimit në të gjitha shkollat fillore; Me perjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, shqiptarët duhej ta kryenin shërbimin ushtarak në Turqinë Europiane; Qeveria duhej t’i pajiste banorët e krahinave kufitare me armë; Zyrtarët qeveritare duhej të dinin gjuhën shqipe dhe të njihnin zakonet krahinore; Një amnisti e përgjithshme dhe e pakushtëzuar për të gjitha veprat penale që nga fillimi i kryengritjes; Nxjerrja para gjykimit parlamentar (Impeachment) i kabinetit të Said Pashës; Rrugët dhe hekurudhat të ndërtoheshin sa më shpejt që të ishte e mundshme; Ligji zakonor shqiptar të aplikohej në disa krahina dhe lokalitete; Të formoheshin nahije të reja; të fillohej shfrytëzimi i minierave dhe pasurive pyjore; dhe reduktimi i taksës se deles (Aghnan) (PRO.FO.195.2407, doc.no 65, faqe 214, Peckham to Lamb, Uscub 8 August 1912). Ndërkaq, në Memorandumin e shfaqur në Monastir formulohej edhe kërkesa për një guvernator të përgjithshëm europian, në memorandumin e Shqipërisë së Jugut (Sinjë) kërkohej caktimi i një Inspektori të Përgjithshëm për një përiudhë të përcaktuar (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089 dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19,. August 1912), kurse Memorandumi i shfaqur në Shkodër në disa aspekte shkonte shumë përtej dokumentit të Sinjës, duke përcaktuar krijimin e një Asambleje Nacionale Shqiptare, të pavarur nga Parlamenti i Stambollit, i cili do të kontrollonte financat e Shqipërisë dhe forcat e veta territoriale. (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089, dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19 August, 1912.)
SJELLJA E AUTORITETEVE OSMANE NË VILAJETIN E KOSOVËS
Së gjashti, sjellja e autoriteteve osmane në Vilajetin e Kosovës, ndaj shqiptarëve edhe të moderuar pjesmarrës në lëvizje, ka qenë e ashpër, edhe përkunder kodeve të së drejtës zakonore shqiptare. Rasti më flagrant, që ndodhte jo në fillimet të pushtimit barbar pesë shekullor, por në muajt e fundit të agonisë osmane në Shqipëri, ka qenë transferimi, dmth internimi dhe mbajtja nën mbikqyrje si pengje, e grave dhe familjeve të disa prej liderve të kryengritjes shqiptare të Kosovës, të transferuar në Shkup, të cilin dokumentacioni britanik na lejon ta ridimensionojmë dhe faktojmë duke përcaktuar shumë qartë, se sjellja e qeverisë osmane në Shqipëri ishte në konstanten e vet antishqiptare, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit edhe pas pesë shekujsh barbarizëm, çkombëtarizim dhe përkulje identitare iliro-arbnore. Ky ka qenë një prej veprimeve më të rënda që ka shokuar opinionin publik në Kosovë. Në këndvështrimin e diplomatit britanik zv.konsullit Peckham, ky veprim përbënte provokimin më të rëndë për nxitjen e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare në Kosovë (PRO.FO.195.2407, doc no. 49, faqe 5, Uscub, July 9, 1912).
Së shtati, punimi sjell një panoramë të plotë të zhvillimeve ushtarake në terren. Mbi të gjitha dokumentacioni mundëson të saktësohet, se ajo çfarë është konsideruar në historiografinë zyrtare shqiptare si pushtim i qyteteve të vilajetit, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, ka qenë më së shumti një invadim popullor shqiptar, kryesisht i armatosur, per shkak të mosreagimit të vërtetë ushtarak të ushtrisë turke në kushtet e zgjedhjes se qasjes mosreaguese nga ana e autoriteteve qeveritare qendrore osmane dhe dezintegrimit të njësive ushtarake. Kjo zgjedhje politike e Stambollit ka ardhur për shkak të intensitetit të veprimeve kryengritëse, presionit të gjërë popullor shqiptar kundër pushtimit dhe procesit dezertues në ushtrinë turke, në kushtet e rritjes së ndikimit të opozitës politike në radhët e ushtrisë.
SJELLJA ZYRTARE E STAMBOLLIT NDAJ SHQIPËRISË DHE POPULLIT SHQIPTAR
Në fund fare duhet të theksojmë se sjellja zyrtare e Stambollit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar edhe në momentet e fundit të agonisë së autoritetit shtetëror otoman në trevat tona, për shkak të goditjes rrënjësore të kryengritjeve 1910-1912, ka vazhduar te jetë e njejtë: një politikë e pasinqertë, dredharake, përherë brutale dhe kriminale, regresive dhe frenuese në aspektin e emancipimit arsimor dhe kulturor, shtypëse në aspektin e lirisë në përgjithësi. Kjo politikë dhe ky veprim ushtarak e la territorin e katër vilajeteve në prag të fillimit të luftrave ballkanike, në një gjendje të mjeruar në pikëpamje të kohezionit material, të papërgatitur në pikpamje të organizimit politik dhe administrativ, dhe krejtësisht e “gatshme” për të qenë një prehë e pambrojtur para stuhisë së shfrenuar të qarqeve shoviniste ballkanike. Kjo situatë rezultoi fatale në përiudhën vijuese, veçanërisht për hapësirat skajore të trojeve të banuara nga shqiptarët, në të cilat, goditja e ashpër ushtarake e ushtrive ballkanike, e gjeti popullsinë në një situatë post-traumatike dhe përgjithësisht të paorganizueme në masën e duhur për të përballuar intensitetin e makinerive ushtarake të shovinistëve fqinjë. Në pikëpamje të përballimit politik të agresionit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në fund të vitit 1912 dhe fillim të 1913, Shqipëria, ndonëse e identifikuar territorialisht në mendjen e lidershipit rilindas shqiptar, ka qenë e paidentifikueme administrativisht dhe politikisht nga kanceleritë e fuqive, që patën në dorë fatin e të ardhmen e këtij vendi. Kjo sepse presioni shtypës i shtetit osman mbi shqiptarët, mungesa e tolerancës minimale politike për të pranuar programin autonomist për riorganizimin e katër vilajeteve ku shqiptarët jetonin në shumicë, mungesa e tolerancës kulturore edhe në mësimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e sistemin arsimor shqiptar, nuk u mundësoi shqiptarëve, qoftë edhe në rrjedhën e vitit 1912, të identifikoheshin administrativisht dhe politikisht nën një njësi të vetme territoriale brenda perandorisë, gjë që do ta kishte lehtësuar veprimin politik të fuqisë së vetme mbrojtësë të Shqipërisë, Perandorisë Austro-Hungareze, në diskutimet diplomatike të kohës, respektivisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Ballplatz-i u gjend i vetëm në mbrojtje të kombit shqiptar.
E gjithë kjo na nxjerr sërish në përfundimin se kasta drejtuese otomane e Kostandinopojës, operoi mbi popullin shqiptar dhe tokat shqiptare, deri në momentin e fundit të agonisë së sundimit të saj në trevat tona, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit, me mentalitetin, mjetet dhe metodat e pushtuesit. Faktet për këtë sjellje gjenden me shumicë, para së gjithash në arkivat otomane, të cilat rezultojnë të jenë të studiuara në mënyrë të papërshtatshme dhe aspak shterruese. Edhe sikur sot dikush apriori të kërkojë të ndryshojë thelbin e pushtimit otoman në Shqipëri, do të duhet të kujtojë që brezat e ardhshëm do të jenë të lirë dhe plotësisht të çliruar nga vargonjtë e presioneve politike, të gërmojnë me kompetencë arkiven e pamasë otomane për Shqipërinë dhe dokumentacionin po aq të gjërë të kancelerive të fuqive të mëdha për periudhën e pushtimit otoman në këtë vend.