Nga Fadil LUSHI/
Vite me radhë në gazetat tona të përditshme opinionistët “hedhin” shpesh pikëpamje a vështrime që llafosin a lakojnë vaki të ndryshme. Kur t’i lexosh mes rreshtash, të krijojnë përshtypjen kinse janë shkruar me stilin e mendimtarit të madh shqiptar, gjegjësisht “me atë fjalorin cinik dhe mosbesues konician”(!?). Disa prej tyre me kësi “shkarravinash” mëtojnë ashtu padrejtësisht të vihen në nivelin intelektual të Faikut, madje edhe kur janë të ndërgjegjshëm për pamundësinë, ata bëjnë përpjekje, pa marrë parasysh kaçikun e vet, që në shkrimet e tyre të përçojnë mesazhe ashtu “identike” si të Konicës. Disa prej këtyre shkrimeve “thuren” me qëllim që të na “çarmatosin” nga ai “tarafllëk” yni (politik) kolektiv, disa sikur duan ashtu me “zor” ta ushqejnë e ta mbajnë gjallë atë kujtesën tonë pamore dhe dëgjimore edhe ashtu të brishtë…, ka edhe shkrime të tilla që kanë në “shënjestër” “kotësitë dhe iluzionet” tona të trashëguara…, pastaj ka shkrime, opinione a vështrime që ndjellin pesimizëm, që ndjellin trishtime, që ndjellin mërzi dhe gjumë…, ka vështrime që asnjëherë nuk shkojnë përtej “veshit të shurdhër të lexuesit, sidomos të atij që i ka punët në “terezi”, shkrime që nuk shkojnë në vesh të “miletit” e aq më pak në vesh të lexuesit serioz…, ka edhe të tilla vështrime a opinione që janë pa “bojë”, ca të tjera të stisura a të sajuara me atë gjuhën e zymtë e të zbehtë dhe me “zërin e ftohtë”. Marrë në përgjithësi, këto vështrime ta rikujtojnë atë punën e mëllenjës me ngjyrë të bardhë, e cila kur s’ka “për të bërë punë tjetër”, vend e pa vend e lëshon glasën dhe mandej shkel mbi të. Ndërtohen edhe opinione të mirëfillta, të cilat kanë për kryefjalë njerëzit me dilema nga më të ndryshmet, me dilema në identitet, me “dilema gjinore”, me “dilema hamletiane”, me dilema politike etj., ndërkaq opinionet që “hartohen” aty për aty, kanë kryetemë “urrejtjen e argatëve injorantë të politikës ditore”, si dhe “kryeplakun dhe klerin e fshatit të harruar“, të cilëve dikur moti, në burgjet famëkeqe, ua kishin hequr ca dërrasa(!?).
Neve nuk na “takon të dimë” se çka ndodh me shkrimet që u ka “dalë kallaji”, neve nuk na intereson fakti se pse ato editoriale “duhej të dalin domosdoshmërisht” nga sirtarët e partive politike a edhe të pushtetarëve, neve nuk na “duhet të dimë” se nga dalin analizat dhe vështrimet, sidomos ato të cilat vakitë dhe meseletë i shtrembërojnë deri në atë “derexhe”, saqë “ta çojnë pordhën në zemër(!?)”, ta kallin neverinë dhe të detyrojnë të dyshosh në moralin e atij “shkarravitësi”, i cili asnjëherë nuk mban përgjegjësi për atë që shkruan. Tekefundit, opinionet, analizat, vështrimet, editorialet etj. përherë kanë qenë pjellë e politikës ditore respektivisht asaj aktuale…, të asaj politike që ka ngatërruar drejtimin, asaj politike grabitqare, e politikës së grushtit të hekurt…, e politikës së kulaçit dhe të kërbaçit që bëhet herë me premtime të bukura herë me kërcënime!?…, të ca politikanëve “axhami” që “sundojnë” këtu në nënqiellin e Gadishullit Ilirik dhe përreth tij, opinione që dalin nga mexhlise provinciale ku kryefjala a kryeshtylla e tyre është politikë mëhallësh, politikë “kalamajsh”, politikë çajtoresh katundi e të tjera, politikë e dalë nga njerëz provincialistë të cilët në të “u futën pa ftesë e pa leje”, pa merita, pa përgatitje paraprake e pa taban…, njerëz që morën vendin e njerëzve të merituar, njerëzve të cilëve ashtu padrejtësisht iu nëpërkëmb dinjiteti, njerëzve që iu nëpërkëmb trashëgimia familjare, njerëzve që iu nëpërkëmb e drejta e të qenit i barabartë me të tjerët e tillë si ata…, njerëz që iu nëpërkëmb e drejta e të menduarit ndryshe…, njeriun që e mallkuan me atë thënien e poshtër dhe johuman: “të rëntë damllaja e të vdektë plaka(!?)”…, njeriun, të cilit dikur i kishin thënë, “mblidh mendjen a fiqirin dhe ik nga këtu dhe mos na e prish rehatinë…, nëse nuk e bën këtë, atëherë do të duhet të heqësh dorë nga nacionalizmi yt i fëlliqur, do të braktisësh vendin a vatanin, ose do të ndërrosh mbiemrin që ka lënë nishan në jetën e familjes dhe të fisit për të keq”(!?).
Që ky vështrim yni të mos futet në “strajcën e shkrimeve të sajuara”, do bëjmë çmos që në fillim ta pezullojmë “tarafllëkun” tonë, gjegjësisht do të përjashtojmë çdo anim qoftë dedikuar opozitës a pushtetarëve. Ne në vijim të këtij vështrimi do të shkruajmë vetëm për atë që po ndodh këtejpari në “kazinotë politike” të Gadishullit Ilirik, qoftë në Tiranë, në Prishtinë a në Shkup. Ajo ç’po ndodh me “zaret politike” në Tiranë, çuditërisht do të bëjë vaki edhe në dy qendrat e tjera shqiptare. E përbashkëta e tyre është e lidhur ngushtë me grumbullimin e aktivistëve të partive politike opozitare. Se ato do t’i “emërtosh” si manifestime paqësore e dinjitoze, se do t’i quash mitingje apo tubime, është çështje e “shijes së fjalorit politik të gjithsecilit”(!?). Një gjë është e vërtetë, ato tubime, mitingje pothuaj edhe manifestime, në instancë të fundit, mbeten vetëm “blof-mitingje, blof-tubime apo edhe makijaveliste”, ku opozita “e përgjumur” politike me atë “komunikimin e saj ungjillor” kërkon me çdo kusht “shporrjen e pushtetit aktual dhe bashkë me të edhe shkuljen dhe sikterisjen e së keqes së trashur”…, “sikterisjen” e politikanëve të cilët për “një çerekshekull, lëre që nuk bënë gjë tjetër, por edhe shkatërruan e grabitën gjithçka që ishte ndërtuar e ngritur prej djersës së popullit…,”, politikanë që për një çerekshekull premtuan, gënjyen dhe u tallën me votën deliberative të votuesit, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin shitës të përrallave politike, të përrallave për fëmijë, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin dëshmitarë të heshtur të korrupsionit, politikanë të cilët për një çerekshekull “aminuan” punët e pista të aparatit shtetëror të korruptuar, politikanë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë mëtojnë me çdo kusht ta (ri)marrin pushtetin (e ko-rruptuar) dhe po këta politikanë “çuditërisht harrojnë”(!?) ta pranojnë të vërtetën se vetë ata ishin krijues “të së keqes të trashur”.
Sot, të heshtësh a të mos heshtësh, kjo (s)është çështja, të shkruash a të mos shkruash me a pa “tamam”, askujt nuk i plas fare, të ulërish a të mos ulërish, është njësoj sikur ta pranosh atë hilen a zullumin që ta kanë bërë, të dërdëllisësh a të mos dërdëllisësh, nuk çon peshë, sepse asnjeri nuk të dëgjon dhe mbase edhe nuk ta fut…, paçka se ne ndërtuam një shkrim a vështrim me moral të dyfishtë, kur kjo askujt nuk i hyn në punë, sidomos sot kur gjithsecili prej nesh është “dalldisur me dertet e veta”. Paragrafi i fundit i kësaj “shkarra-vine” ma kujtoj atë çudinë e mbretëreshës së Danimarkës, njëqind vjet më parë, kur i kishin thënë se njerëzia (populli) kishte dalë në demonstratë dhe kërkonte bukë, ishte përgjigjur e habitur: “Duan bukë!? Po pse nuk hanë biskota”(?!). Se kryeministri Isë (në Prishtinë), se kryeministri Nikollë (në Shkup) dhe se kryeparlametari Ilir (në Tiranë) ç’u thanë protestuesve, unë nuk dua të paragjykoj…, dhe se cili ishte morali i mesazhit të shkrimit tonë, as që e mora vesh(!?). Mua më mbetet që njëherë e përgjithmonë “ta braktis” të vërtetën lakuriqe. Dikur moti, im at më thoshte: “Bajgës hidhi sheqer sa të duash, ajo bajgë do të ngelet”.