Nga Andon Dede, Nju York/
Fundjava e kaluar për amerikanët apo dhe shumë më gjerë, qe e ngarkuar me disa ngjarje tragjike që tronditën opinionin publik: pati dy vetë-vrasje: e para qe stilistja amerikane Kate Spade, e cila ndërtoi një perandori të modës me markën e saj, që u gjet e vetëvarur në apartamentin e vet në Nju Jork dhe, i dyti, Anthony Bourdain, kuzhinieri i famshëm e që më pas, u bë një nga personat më popullorë të Televizionit Amerikan, që u gjet gjithashtu i vetëvarur në një dhomë hoteli në Francë, ku ndodhej për të realizuar një nga episodet e radhës të emisionit të njohur të tij “Pjesët e panjohura”,( “Parts Unknown”). Keqardhja e shprehur për të dy qe jashtzakonisht e madhe, por unë do të fokusohem tek i dyti, për të vetmen arsye se kam qënë shumë më familjar me të, duke ndjekur me kënaqësinë më të madhe, gati çdo emision të tij, si dikur me “No reservation”, tek Travel Chanel, ashtu dhe më pas tek CNN, me “Parts Unknown”. Ai qe bërë gati pjestar i familjes tonë, si për kureshtjen që na shuante për të ushqyerit në vende të ndryshme të Botës, ashtu dhe për mënyrën e komunikimit, si i shtjellonte temat që trajtonte në çdo skaj të rruzullit të Botës. Me kalimin tek CNN, ai e zgjeroi fokusin, duke mos u ndalur vetëm tek ushqimi por dhe tek problemet sociale-ekonomike e politike të vendit ku shkonte. Qe aq komunikues apo dhe me një humor të këndshëm sa na qe imponuar si simbol i shijimit të jetës. Rrallë të gjesh një të dytë që të mos ketë lënë vend pa vajtur dhe kudo të gjejë gjuhën e duhur, si me krerët e shtetit e bisnesmenët e fuqishëm ashtu dhe me njerëzit më të zakonshëm. Pa e tepëruar mund të them se tek ndiqja telereportazhet e tij më dukej dhe mua se isha ulur në tavolinë me të e po kthenim nga një gotë. Ai kishte arritur ta zhdukte distancën e shikuesit me ekranin, gjë që do ta ëndërronte gjithsekush që punon në Television. Ndaj, për këdo tjetër mund të më shkonte mendja se një ditë edhe mund të largohej nga kjo Botë, por për atë kurrë. Nëna e vet, Gladys Bourdain, e cila ka qënë për një kohë të gjatë redaktore në NYT, tha se “ajo nuk kishte vënë re asnjë shenjë që të tregonte se djali i saj mund të kishte menduar për vetëvrasje. Ai ishte absolutisht personi i fundit në botë që do të kisha menduar ndonjëherë se do të bënte diçka të tillë”,- tha ajo. Ishte kjo arsyeja që kur hapa televizorin të prëmten, më 8 qershor, sikur nuk doja t’iu besoja syve. Më pas vura re se nuk isha as i pari e as i fundit: të gjithë u shtangën nga ajo që kishte ndodhur. Vdekja e tij u bë lajm i parë në të gjitha kanalet televizive. Për të u prononcuan dhe Obama e Trumpi. Njerëzit shkonin e vendosnin tufa me lule në “Brasserie Les Halles”, një lloj i veçantë restoranti francez, ku ai kishte filluar së pari aktivitetin e tij si kuzhinier. Nuk mu durua dhe menjëherë shkova dhe vetë atje, në Park Aveny me 28 strit. Para lokalit, që ishte mbyllur me kohë e po rikonstruktohej ndofta për ndonjë destinacion tjetër, qenë grumbulluar shumë njerëz, të moshave e kombësive të ndryshme. Në të dy anët e hyrjes qenë vendsour tërë ato afishe, shumica e të cilave të shkruara me dorë. Emërues i përbashkët i tyre qe dhimbja e thellë që iu kishte shkaktuar vetëvrasja e tij. Fjalë të thjeshta, të dala prej zemre. Pa dashur të zgjatem, ndonëse edhe do e vlente, nuk mund të rri pa cituar disa prej tyre. “Ju më nxitët mua të merrem me gatimin dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës…”- shkruante njeri. “Ju ngjallët tek unë dëshirën për të udhëtuar, për të njohur popuj e vende të tjera”,- theksonte një tjetër. “Ju kishit një zemë të madhe dhe mendonit për të varfërit e hallexhinjtë, kudo që shkonit”- vinte në dukje një i tretë e kështu me radhë. Si pa u ndjerë kalova me leximn e tyre rreth një orë e ca. Akoma dhe tani që po shkruaj këto radhë, sikur nuk më besohet se Borduain nuk jeton më.
Sapo hapa kompjuterin, për t’u njohur me të rejat e fundit, shoh se lajmet për të pasonin njeri tjetrin. Por, më tërhoqi vëmendjen edhe diçka tjetër, po aq tronditëse sa vetëvrasja e Borduainit: një deklaratë e shkurtër e autorit dhe analistit të njohur politik Charles Krauthammer, fitues i çmimit “Pulitzer”, emër ky tepër i njohur për mua, qoftë si kolumnist në disa gazeta prestigjioze ashtu dhe si komentator, sidomos tek Fox Njuz. Para disa vjetësh ai botoi një përmbledhje me shkrime publicistike, “Things that Matter”, (“Çështje që vlejnë”), ku kishte dhe një artikull për zgjedhjet qesharake që bëheshin tek ne, në kohën e Diktaturës, me titull: ”The Tirana Index”. Kjo më shtyu të botoj edhe një shkrim, posaçërisht për këtë libër, që ndonjë kureshtar mund ta lexojë me titullin “Treguesi Tirana”.
Ç’është e vërteta, edhe mua më kishte bërë përshtypje mungesa e tij, vitin e fundit, tek komentet e “Fox”-it. Dhe ja cili paskej qënë shkaku që më tronditi: përmes deklaratës së tij të shkurtër, ai informoi publikun se i ka ngelur për të jetuar vetëm një javë(!). ”Unë kam heshtur këto dhjetë muajt e fundit, ndryshe nga sa më keni njohur, – shkruan ai. – Mendova se heshtjes së shpejti do t’i vinte fundi, por detyrohem t’ju them tani se fati ka vendosur një kurs të ndryshëm për mua. Në gusht të vitit të kaluar unë bëra një operacion për të më hequr një tumor. Ky operacion mendohej se do të ishte i suksesshëm por, në të kundërtën, shkaktoi një përkeqësim të gjenndjes time shëndetësore: testet e fundit kanë zbuluar se kanceri më është kthyer, madje në mënyrë agresive dhe po përhapet me shpejtësi. Mjekët e mi më thonë se më kanë mbetur vetëm pak javë për të jetuar. Ky është vendimi përfundimtar. Lufta ime ka mbaruar… Së fundi, falënderoj kolegët e mi, lexuesit e mi dhe shikuesit e mi, të cilët e kanë bërë karrierën time të mundshme dhe kanë patur pasoja për punën time gjatë tërë jetës. Unë besoj se ndjekja e të vërtetës dhe ideve të drejta, nëpërmjet debatit të ndershëm dhe argumentit rigoroz, është një ndërmarrje fisnike. Jam mirënjohës që kam luajtur një rol sado të vogël në bisedat që kanë ndihmuar në udhëheqjen e fatit të këtij vendi të jashtëzakonshëm. E lë këtë jetë pa keqardhje. Ishte një jetë e mrekullueshme dhe e plotë, me dashuritë e mëdha dhe përpjekjet po aq të mëdha që e bëjnë të vlefshme për të jetuar. Unë jam i trishtuar që po largohem, por ju bëj me dije se e kam jetuar jetën ashtu siç e pata menduar”.
Një fund tragjik, siç ka qënë pothuajse e gjithë jeta e tij, ndonëse ai ka triumfuar mbi të, përmes një vullneti të çeliktë: nga një djalë i shkathët e që merrej me sport, pas një aksidenti në shkollë, ai u paralizua dhe përfundoi në karrige lëvizëse. Përsëri nuk u dorëzua: përfundoi shkollën dhe u bë më pas një nga gazetarët dhe analistët më të njohur.
Bourdaini na la dhe Krauthammeri po na ikën, dy lajme tragjike, njeri më tronditës se tjetri. Ata mund ta vazhdonin edhe më tej bashkëbisedimin me dashamirësit e tyre të shumtë, por jeta u tregua e pamëshirëshme, duke i marrë në një moshë relativisht të re. Mesazhi i përbashkët i këtyre dy njoftimeve, edhe pse bëhet fjalë për vdekje, është thirrja për ta gëzuar jetën, madje jo vetëm për vete por, me mundësitë që ke, të kontibuosh dhe për lumturinë e të tjerëve. E keqja është se me këto mesazhe ne vetëdijësohemi zakonisht tepër vonë, dhe e kalojmë jetën sikur do të jetonim qindra vjet.
Nju York, 10 qershor 2018.