• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njeri na la, tjetri po na ikën

June 11, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Fundjava e kaluar për amerikanët apo dhe shumë më gjerë, qe e ngarkuar me disa ngjarje tragjike që tronditën opinionin publik: pati dy vetë-vrasje: e para qe stilistja amerikane Kate Spade, e cila ndërtoi një perandori të modës me markën e saj, që u gjet e vetëvarur në apartamentin e vet në Nju Jork dhe, i dyti, Anthony Bourdain, kuzhinieri i famshëm e që më pas, u bë një nga personat më popullorë të Televizionit Amerikan, që u gjet gjithashtu i vetëvarur në një dhomë hoteli në Francë, ku ndodhej për të realizuar një nga episodet e radhës të emisionit të njohur të tij “Pjesët e panjohura”,( “Parts Unknown”). Keqardhja e shprehur për të dy qe jashtzakonisht e madhe, por unë do të fokusohem tek i dyti, për të vetmen arsye se kam qënë shumë më familjar me të, duke ndjekur me kënaqësinë më të madhe, gati çdo emision të tij, si dikur me “No reservation”, tek Travel Chanel, ashtu dhe më pas tek CNN, me “Parts Unknown”. Ai qe bërë gati pjestar i familjes tonë, si për kureshtjen që na shuante për të ushqyerit në vende të ndryshme të Botës, ashtu dhe për mënyrën e komunikimit, si i shtjellonte temat që trajtonte në çdo skaj të rruzullit të Botës. Me kalimin tek CNN, ai e zgjeroi fokusin, duke mos u ndalur vetëm tek ushqimi por dhe tek problemet sociale-ekonomike e politike të vendit ku shkonte. Qe aq komunikues apo dhe me një humor të këndshëm sa na qe imponuar si simbol i shijimit të jetës. Rrallë të gjesh një të dytë që të mos ketë lënë vend pa vajtur dhe kudo të gjejë gjuhën e duhur, si me krerët e shtetit e bisnesmenët e fuqishëm ashtu dhe me njerëzit më të zakonshëm. Pa e tepëruar mund të them se tek ndiqja telereportazhet e tij më dukej dhe mua se isha ulur në tavolinë me të e po kthenim nga një gotë. Ai kishte arritur ta zhdukte distancën e shikuesit me ekranin, gjë që do ta ëndërronte gjithsekush që punon në Television. Ndaj, për këdo tjetër mund të më shkonte mendja se një ditë edhe mund të largohej nga kjo Botë, por për atë kurrë. Nëna e vet, Gladys Bourdain, e cila ka qënë për një kohë të gjatë redaktore në NYT,  tha se “ajo nuk kishte vënë re asnjë shenjë që të tregonte se djali i saj mund të kishte menduar për vetëvrasje. Ai ishte absolutisht personi i fundit në botë që do të kisha menduar ndonjëherë se do të bënte diçka të tillë”,- tha ajo. Ishte kjo arsyeja që kur hapa televizorin të prëmten, më 8 qershor, sikur nuk doja t’iu besoja syve. Më pas vura re se nuk isha as i pari e as i fundit: të gjithë u shtangën nga ajo që kishte ndodhur. Vdekja e tij u bë lajm i parë në të gjitha kanalet televizive. Për të u prononcuan dhe Obama e Trumpi. Njerëzit shkonin e vendosnin tufa me lule në “Brasserie Les Halles”, një lloj i veçantë restoranti francez, ku ai kishte filluar së pari aktivitetin e tij si kuzhinier. Nuk  mu durua dhe menjëherë shkova dhe vetë atje, në Park Aveny me 28 strit. Para lokalit, që ishte mbyllur me kohë e po rikonstruktohej ndofta për ndonjë destinacion tjetër, qenë grumbulluar shumë njerëz, të moshave e kombësive të ndryshme. Në të dy anët e hyrjes qenë vendsour tërë ato afishe, shumica e të cilave të shkruara me dorë. Emërues i përbashkët i tyre qe dhimbja e thellë që iu kishte shkaktuar vetëvrasja e tij. Fjalë të thjeshta, të dala prej zemre. Pa dashur të zgjatem, ndonëse edhe do e vlente, nuk mund të rri pa cituar disa prej tyre. “Ju më nxitët mua të merrem me gatimin dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës…”- shkruante njeri. “Ju ngjallët tek unë dëshirën për të udhëtuar, për të njohur popuj e vende të tjera”,- theksonte një tjetër. “Ju kishit një zemë të madhe dhe mendonit për të varfërit e hallexhinjtë, kudo që shkonit”- vinte në dukje një i tretë e kështu me radhë. Si pa u ndjerë kalova me leximn e tyre rreth një orë e ca. Akoma dhe tani që po shkruaj këto radhë, sikur nuk më besohet se Borduain nuk jeton më.

Sapo hapa kompjuterin, për t’u njohur me të rejat e fundit, shoh se lajmet për të pasonin njeri tjetrin. Por, më tërhoqi vëmendjen edhe diçka tjetër, po aq tronditëse sa vetëvrasja e Borduainit: një deklaratë e shkurtër e autorit dhe analistit të njohur politik Charles Krauthammer, fitues i çmimit “Pulitzer”, emër ky tepër i njohur për mua, qoftë si kolumnist në disa gazeta prestigjioze ashtu dhe si komentator, sidomos tek Fox Njuz. Para disa vjetësh ai botoi një përmbledhje me shkrime publicistike, “Things that Matter”, (“Çështje që vlejnë”), ku kishte dhe një artikull për zgjedhjet qesharake që bëheshin tek ne, në kohën e Diktaturës, me titull: ”The Tirana Index”. Kjo më shtyu të botoj edhe një shkrim, posaçërisht për këtë libër, që ndonjë kureshtar mund ta lexojë me titullin “Treguesi Tirana”.

Ç’është e vërteta, edhe mua më kishte bërë përshtypje mungesa e tij, vitin e fundit, tek komentet e “Fox”-it. Dhe ja cili paskej qënë shkaku që më tronditi: përmes deklaratës së tij të shkurtër, ai informoi publikun se i ka ngelur për të jetuar vetëm një javë(!). ”Unë kam heshtur këto dhjetë muajt e fundit, ndryshe nga sa më keni njohur, – shkruan ai. – Mendova se heshtjes së shpejti do t’i vinte fundi, por detyrohem t’ju them tani se fati ka vendosur një kurs të ndryshëm për mua. Në gusht të vitit të kaluar unë bëra një operacion për të më hequr një tumor. Ky operacion mendohej se do të ishte i suksesshëm por, në të kundërtën, shkaktoi një përkeqësim të gjenndjes time shëndetësore: testet e fundit kanë zbuluar se kanceri më është kthyer, madje në mënyrë agresive dhe po përhapet me shpejtësi. Mjekët e mi më thonë se më kanë mbetur vetëm pak javë për të jetuar. Ky është vendimi përfundimtar. Lufta ime ka mbaruar… Së fundi, falënderoj kolegët e mi, lexuesit e mi dhe shikuesit e mi, të cilët e kanë bërë karrierën time të mundshme dhe kanë patur pasoja për punën time gjatë tërë jetës. Unë besoj se ndjekja e të vërtetës dhe ideve të drejta, nëpërmjet debatit të ndershëm dhe argumentit rigoroz, është një ndërmarrje fisnike. Jam mirënjohës që kam luajtur një rol sado të vogël në bisedat që kanë ndihmuar në udhëheqjen e fatit të këtij vendi të jashtëzakonshëm. E lë këtë jetë pa keqardhje. Ishte një jetë e mrekullueshme dhe e plotë, me dashuritë e mëdha dhe përpjekjet po aq të mëdha që e bëjnë të vlefshme për të jetuar. Unë jam i trishtuar që po largohem, por ju bëj me dije se e kam jetuar jetën ashtu siç e pata menduar”.

Një fund tragjik, siç ka qënë pothuajse e gjithë jeta e tij, ndonëse ai ka triumfuar mbi të, përmes një vullneti të çeliktë: nga një djalë i shkathët e që merrej me sport, pas një aksidenti në shkollë, ai u paralizua dhe përfundoi në karrige lëvizëse. Përsëri nuk u dorëzua: përfundoi shkollën dhe u bë më pas një nga gazetarët dhe analistët më të njohur.

Bourdaini na la dhe Krauthammeri po na ikën, dy lajme tragjike, njeri më tronditës se tjetri. Ata mund ta vazhdonin edhe më tej bashkëbisedimin me dashamirësit e tyre të shumtë, por jeta u tregua e pamëshirëshme, duke i marrë në një moshë relativisht të re. Mesazhi i përbashkët i këtyre dy njoftimeve, edhe pse bëhet fjalë për vdekje, është thirrja për ta gëzuar jetën, madje jo vetëm për vete por, me mundësitë që ke, të kontibuosh dhe për lumturinë e të tjerëve. E keqja është se me këto mesazhe ne vetëdijësohemi zakonisht tepër vonë, dhe e kalojmë jetën sikur do të jetonim qindra vjet.

Nju York, 10 qershor 2018.

Filed Under: ESSE Tagged With: And on Dede, Njeri na la, tjetri po na ikën

Çadra/Ombrella e turpit

May 18, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Prej kohësh më kishte bërë përshtypje një fakt apo dukuri fare e rëndomtë: shihja kryqeveritarët shqiptarë, apo dhe politikanë të tjerë të rangjeve të larta, në ceremonira të ndryshme, apo edhe thjesht kur dilnin nga zyrat apo Kuvendi dhe, po të ishte duke rënë shi, dikush ua mbante çadrën/ombrellën.( i përdor të dy sinonimet që të mos ngatërrohet me çadrat e protestës). Më dukej një ritual shumë i shëmtuar, si diçka që nuk shkonte e më linte një shije të keqe: tamam anadollakë, thosha me vete, edhe një veprim kaq të thjeshtë, personal, e duan nga të tjerët?! Po kur ndryshuan kaq shpejt këta zotërinj apo shokë, kur vetëm pak kohë më parë, ishin njerëz fare të zakonshëm, si ne të gjithë?! Unë, edhe më parë, e kisha vënë re tjetërsimin që pësojnë njerëzit kur bëhen me pushtet: atyre iu dukej se, me që po i ngrejnë në pozitë, nuk janë më si më parë, por iu ka ndryshuar edhe truri, janë bërë më të mënçur e, për pasojë, nuk janë më ata që ishin por të tjerë, të një rangu më të lartë. Dhe e shihja këtë ndryshim në çdo veprim të tyre. Kush nuk e ka përjetuar një dukuri të tillë mund të mos më besojë kur t’iu them se ata dhe një “Mirëmëngjez!”, nuk ta jepnin më si më parë. Por, të kthehemi tek tema e çadrës.

Edhe pse e vlerësoja si një gjë që stononte, madje të shëmtuar, nguroja të shkruaja diçka, nga droja se dikush mund të më thoshte: “Ama dhe ti me se po merresh?! Punë çadre…A e vlen, kur ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme…”. M’u kujtua, me këtë rast, thënia e një burri të mënçur se “në gjërat/veprimet e vogla të njerëzve mund të zbulosh tipare të rëndësishme të karakterit të tyre”.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Dashje apo pa dashje, në kronikat televizive, pata rastin të shihja shpesh edhe presidentët e poltikanë të tjerë të rëndësishëm, që në kohë me shi, hapnin çadrat për të mos u lagur. Disa herë kam parë Klintonin, Obamën e së fundi dhe presidentin miliarder, Trumpin. Përsëri mu ngacmua tema e vjetër, por siç na ndodh shpesh, prapë e lashë.

Pak ditë më parë, ndoqa në Televizion tek emisioni provokativ i K. Myftarit: “Ju flet Moska”, pikërisht këtë temë. Më në fund mu mbush mendja që të shkruaj dhe unë këto rreshta. Autori i emisionit nuk ndalej vetëm tek kjo dukuri por e ngulte bisturinë edhe më tej: se në ceremonira të tilla përkujtimore, si ajo që paraqiti ai tek Varrezat e Dëshmorëve, as nuk vihet fare me çadër, siç na e ilustroi dhe me një ceremoni të tillë në Francë. Për më tepër që ne kemi dhe vetë një “traditë” të tillë: më kujtohet që në manifëstimet apo parakalimet e 1 Majit, kur binte shi dhe i afroheshin tribunës, nuk na lejonin të mbanim çadra. Lageshim e shpesh, uji na hynte deri në palcë, por kjo mbase nuk lidhet me temën që nisëm. Mirëpo, ja që kujtesa nuk më lë rehat se, siç thashë, autori Myftaraj ndalej dhe në detaje të tjera domethënëse: se çadër-mbajtësi qe një goxha intelektual dhe i biri i një prej përkthyesve më të spikatur, sidomos nga Gjermanishtja. Kjo bëri që të më vërshojnë në mendje tërë ato përjetime nga Diktatura dhe konkretisht nga Lufta e Klasave, dukuria më e tmerrshme e atyre viteve. Shumë nga të ashtuquajturit reaksionarë, edhe pse njerëz të ndershëm e me kulturë, shumë syresh me universitete perëndimore e zotërues të disa gjuhëve të huaja, detyroheshin të bënin punë krahu. Shefat apo bosat e tyre, po të shprehemi me teriminologjinë e kohës, as që mund të krahasoheshin me ata, për nga formimi intelektual e kulturor. Por ja që atyre duhet t’iu shërbenin intektualë me formim perëndimor e shpesh herë, siç kam qënë vetë dëshmitar, edhe njohës e ushtrues të muzikës apo arteve të tjera. Më dhimbseshin mu në shpirt, por as që guxoja të shprehesha publikisht. Me ndryshimin e sistemit, menduam se dukuri të tilla, që stonojnë e të kujtojnë të kaluarën e largët anadollake, do të merrnin fund, por ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kush i manifeston këto “spektakle”, duke u krekosur? Të ashtuquajturit “intelektualë” apo dhe “modernë”, siç përpiqen ta shesin veten, paçka se si zor t’ua pranojë njeri një status të tillë.

Edhe nga ky shembull i vogël del mesazhi aktual: se sa larg jemi Europës ku po përpiqemi të shkojmë, sa haraç të madh na duhet të paguajmë në çdo drejtim.

Nju York, 17 maj 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Cadra, Ombrella e turpit

Kërcënimet e një spurdhjaku

November 1, 2017 by dgreca

1 Andon Dedenga Andon Dede, Nju York/

Për shqetësimet që i ka krijuar botës mbarë e sidomos SHBA-së, Japonisë, Koresë së Jugut, Kinës e Rusisë, Koreja e Veriut, përmes kërcënimieve me armë bërthamore apo dhe provave të vazhdueshme të raketave, si për të acaruar nervat e tyre, lideri suprem i atij vendi, të ngjall sa të qeshura aq edhe zemërim e urrejtje. Nuk ka ngelur politikan e analist i problemeve ndërkombëtare pa folur e shkruar për këtë. Duke qënë kështu, çdo koment do të qe i tepërt. I vetëdijshëm për sa më sipër, po përpiqem ta shoh problemin në një këndvështrim tjetër.

Sa herë që e shoh në ekranet e televizionit të ashtuquajturin “udhëheqës suprem”, më duket se parcaktimin më të saktë për të e kemi në gjuhën shqipe me fjalën spurdhjak. Nisur nga mendimi se lexuesi edhe mund të mos e dijë këtë fjalë, jo aq shpesh e përdorur, po e sqaroj që në fillim kuptimin e saj. Me këtë term quhen harabelat, trumcakët apo dhe çdo zog i vogël, në përgjithësi. Por unë, si shumë të tjerë, mund të mos e kisha në fondin tim aktiv këtë fjalë, nëse nuk do të kujtoja fëmijërinë, kur kjo fjalë përdorej në kuptimin e mbartur, figurativ të saj, si një fëmijë i vogël, pa vlerë e pa përvojë, kalama, mistrec. Kështu na thoshin më të vjetrit kur ne bënim ndonjë gjë prej kalamani apo mistreci, si për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, pa pasur të drejtë, madje edhe duke i shqetësuar ata. “Ik mor spurdhjak!”, “U bë dhe ai spurdhjaku të flasë kështu?!”, “Do na mësojë ai spurdhjak…” dëgjonim ta na thuhej prej tyre e të tjera  shprehje si këto.

Për ta bërë sa më të përligjur krahasimin, më duhet t’i lë pak shteg fantazisë. Po qe se do të vinte një jashtë-tokësor e do të njihej me përplasjen për të cilën po flasim, pra, me shqetësimet që i ka shkaktuar botës mbarë ky diktatoruc, pyetja e parë e jashtë-tokësorit do ta qe: “Kush është ky dhe, sidomos, ç’përfaqson?”. Kur të dëgjonte përgjigjen se ai është “lideri suprem” i një vendi relativisht të vogël e të papërfillshëm në arenën ndërkombëtare, populli i të cilit, në shumicën e vet, ka vuajtur e vazhdon të vuajë deri edhe për bukën e gojës, jashtë-tokësori do të befasohej e nuk do t’iu besonte pohimeve të tjetrit. “Të qe fjala për SHBA-në, Kinën, Rusinë, Gjermaninë apo dhe çdo shtet tjetër me potenciale të spikatura ekonomike e ushtarake, edhe mund ta pranoja, por për sa dëgjova, sikur s’ma mbushni dot mendjen…”.

Nuk besoj se dikush mund ta vërë në dyshim mesazhin realist që mbart episodi i mësipërm, edhe pse i stisur prej meje. Me këtë unë absolutisht nuk mohoj potencialin ushtarak që zotëron shteti koreano-verior, siç është vënë në dukje nga shumë analistë e politikologë. Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh të vërtetën e hidhur se Koresë së Veriut, si gjithë diktaturavet të tjera, shumicën e buxhetit ia gëlltit armatimi, për më tepër kur bëhet fjalë për atë bërthamor. Por, sidoqoftë, sado i madh qoftë ai, as që ka të krahasuar me ato të superfuqive. Po atëhere si duhet kuptuar ky shqetësim i madh që ka ngjallur me kërcënimet e tij diktatoruci koreanoverior?

Për ta përligjur këtë shqetësim, sipas optikës time, pa e banalizuar problemin, më duhet të kaloj në një krahasim tjetër. Parafytyroni një fëmijë të vogël, pra një spurdhjak, që ka arritur të gjejë një armë dhe me të në dorë, del në rrugë e kërcënon kalimtarët. Duke qënë fëmijë, rreziku është edhe më i madh, nga që mund ta shkrepë armën e rrezikëshme, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat. E vetmja zgjidhje për të shmangur rrezikun e mundshëm është nxjerrja jashtë loje e kalamanit: ose duke ia hequr me marifet armën nga duart, ose duke e bllokuar atë me çdo rrugë tjetër, për të mos kaluar në masa ekstreme, nëse rreziku bëhet konkret, pra, për ta asgjësuar vetë atë, para se ai të vrasë të tjerët. ( Në parantezë, i kujtoj lexuesit, se jo vetëm këtu në Amerikë, por dhe gjetkë, kjo zgjidhje ekstreme, shpesh e vonuar, ka qënë e vetmja).

Nuk ka nevojë të jesh ushtarak, politikan apo analist që të pranosh se për SHBA-në, nuk ka gjë më të lehtë se sa të largojë çdo shqetësim thjesht duke e asgjësuar atë që po kërcënon, siç e pohoi fare qartë, pa dorashka, vetë presidenti Tramp. Por, po kaq e qartë dhe e thjeshtë për ta kuptuar është dhe përgjigja se përse SHBA nuk e ndërmarin një veprim të tillë. Mjafton t’i kujtoj lexuesit se me sa lehtësi u përmbysën diktatorë të tillë si Sadami e Gedafi për të mos pasur as dyshimin më të vogël për gjithë së më sipër. Por, siç është thënë edhe para përmbysjeve të tyre, problemi ka qënë e mbetet jo lufta por pas-lufta, temë kjo që del jashtë kufijve të këtij shkrimi.

Po qe se do ta vazhdojmë krahasimin e mësipërm, me  spurdhjakun e armatosur, që pa asnjë arsye kërcënon të tjerët e pafajshëm, edhe Koreja e Veriut, përmes “liderit të vetëshpallur suprem”, kërcënon e shqetëson botën, pa qënë i kërcënuar nga asnjë shtet tjetër, e aq më pak nga ata që kërkon të sulmojë. Kemi të bëjmë thjesht me çmëndurinë e një psikopati që erdhi në fuqi me mënyrën më të paligjshme, kur kemi parasysh se ai shtet nuk është as mbretëri që ta ketë sadopak të përligjur trashëgiminë e fronit. As që bëhet fjalë për të ashtuquajturin sistem komunist, siç pretendon ai.

Me që dolëm tek ky shteg, dua të bëj disa përsiatje të tjera, që janë dhe arsyet kryesore të këtyre radhëve. Ne shqiptarëve teatri i sotëm politik koreano-verior na kujton edhe diçka tjetër, dikataturën që lamë pas. Për hir të së vërtetës, “Enveri ynë” nuk arrinte në të tilla marrëzi groteske si Kim-at koreanë por, në shumë dukuri të tjera përngjasonte ma ta. Brezit tim i kujtohet i famshmi sllogan i tij: “Nëse armiqtë, përfshi dhe superfuqitë, na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit…”. Bunkerizimi i gjithë vendit qe një marrëzi tjetër e tij, alla-Kim, paçka se të gjithë ishim absolutisht të bindur se ne nuk kërcënoheshim nga asnjë agresion, aq më pak nga ndonjë sulm bërthamor.

Për të mos u zgjatur, dua të shtoj dhe diçka. Tek shoh “liderin suprem”, lakejtë civilë e ushtarakë që e ndjekin dhe sidomos turmat që duartrokasin e bërtasin, më dalin para syve, si të gjalla të tilla skena që i përjetuam në heshtje për afro gjysmë shekulli. Me kohë ne e kuptuam të vërtetën, u zhgënjyem keqas por s’kishim se ç’të bënim. Në shpëlarjen e truve tona, si popull, ndihmonte dhe mungesa e informacionit, sidomos ne që ishim të izoluar deri në ekstrem. Dhe pyes veten: ”Po sot, në këtë kohë që e ke vështirë në mos edhe të pamundur ta mbash një popull nën sundim me metoda të tilla, kur mjetet e kumunikimit dhe informimit masiv nuk ka burrë nëne që t’i ndalojë, si ka mundësi që ai popull të durojë një diktatoruc të atillë qesharak?! Unë e di se ai, si çdo diktator tjetër, zotëron një aparat të tmerrshëm shtypës për t’ua mbyllur gojën turmave. Por prapë pyes veten: a thua se nuk ka në atë vend intelektualë apo dhe të rinj të shkolluar që mund ta ndërgjegjësonin, pak e nga pak, masën e gjerë, për të ngritur krye kundër diktaturës, siç ndodhi këtej nga anët tona?! Kam mendimin se shumë shpejt do të ndodhë dhe atje përmbysja e madhe dhe ato turma që i kemi parë duke duartrokitur e brohoritur për “liderin suprem”, do ta bëjnë këtë për të kundërtën: për lirinë e demokracinë e munguar. Është vetëm çështje kohe!

Nju York, 31 tetor 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, e një spurdhjaku, KERCENIMET

Edhe pse topi është i rrumbullakët…

October 10, 2017 by dgreca

1 andon dede

nga Andon Dede, Nju York/2 Shqiperi -ItaliPërsiatje pas ndeshjeve/

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, në mos gabohem me Gjermaninë, në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, u ndodha rastësisht në një kafene afër stadiumit “Qemal Stafa”. Pranë nesh ishte dhe një figurë e njohur në futbollin shqiptar, Besim Q., që në atë kohë punonte në mirëmbajtjen e stadiumit. Më është fiksuar në mendje ai sidomos tek vadiste fushën e blertë me një zorrë uji të fuqishme. Por, të kthehemi tek episodi i kafes që nisa. Besimin e njihnin të gjithë dhe, tek po diskutonin për ndeshjen e ardhëshme, dikush e pyeti se si e parashikonte ai rezultatin. Pyetja e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe si me sustë kthyen kryet tek ai. Besimi e ndjeu këtë interesim por nuk reagoi menjëherë. Gjerbi edhe një herë kafen, la filxhanin në vend dhe tërë qetësi tha duke luajtur kokën si të thoshte diçka befasuese e të rëndësishme: “Vallahi, topi është i rrumbullakët…”. Të gjithë lëshuan një si psherëtimë të lehtë pakënaqësie, me që ai, ndryshe nga ç’prisnim, pohoi diçka që dihej qysh kur ka lindur futbolli.

Mu kujtua ky episod këto ditë kur përjetuam humbjen me Spanjën, ndonëse dihet se kush është Spanja; veç kësaj, ajo na kishte mundur edhe në fushën tonë. Deklaratat pompoze të trajnerit e të shefave të tjerë të Federatës, për një lojë dinjitoze, u shumëzuan me zero kur kemi parasysh se si u realizuan golat, vetëm në 25 minutat e para dhe si e menaxhoi, pa shumë vështirësi, kohën tjetër të lojës trajneri spanjoll për të mos harxhuar energji kot. (Mos harroni se dhe Sërbia na i bëri dy golat e fitores së saj në Elbasan pasi kishte mbaruar koha e rregullt, në tre minutat shtesë). Nuk më pëlqeu deklarata e trajnerit pas ndeshjes, se dhe Italia ka ngrënë tre gola, po nga Spanja, edhe pse e vërtetë. Ai duhet të qe më modest, më realist e më kritik në pohimet e veta se, tek e fundit, humbja mban kryesisht autorësinë e tij. Megjithatë, pohimi i tij më kujtoi prapë Besimin e kafenesë: ”Topi është i rrumbullkaët e nuk duhet të habitemi nga asnjë rezultat”. Qetësia ime u rivendos deri diku vetëm kur pashë ndeshjen Turqi-Islandë, ku këta të fundit fituan bindshëm po 3 me 0, edhe pse ndeshja u luajt në fushën e fqinjëve tanë. Heshtja si në funeral e spektatorëve e shprehte më tepër se çdo gjë tjetër përjetimin e turqve që u rrahën keqas në fushën e vet, nga një ekip që përfaqësonte një popullsi qindra herë më të vogël se ajo e tyrja. Ja pra që vërtet topi, si i rrumbullkët që është, mund të na befasojë me rezultatet e ndeshjeve. Jo vetëm kaq, por duhet pranuar se mund të ndodhë edhe më keq nga ç’ngjau me ne. Unë nuk e mbaj veten as për tifoz të thekur e aq më pak për specialist të futbollit, por kaq gjë mund ta them pa drojtje: rezultati në Spanjë mund të kishte qënë shumë më i thellë sikur trajnerit të mos i mjaftonin ata tre gola.

Kam dëgjuar të tjerë tifozë që thonë se ne mund të kishim pretendime edhe për të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës. Unë i kam kundërshtuar, me argumenta jashtë-sportivë: kaq e kemi hapin! Vërtet se Islanda që zumë në gojë më sipër është një vend i vogël por a e keni parasysh nivelin e saj në të gjithë treguesit? “E ke gabim, – ma ktheu njeri. – Kështu skeptikë si ty kishte dhe për Europianin, por ja që shkuam…”. “Zuri qeni një lepur…” – ia prita unë dhe shtova më tej, – Po të mos na e kishin dhënë në tavolinë fitoren me Sërbinë, si zor të kishim marrë pjesë edhe në të…Mbase duhet t’i jemi mirënjohës Ballist Morinës për këtë?!” – e mbylla diskutimin si me shaka. Bashkë me të po i jap fund dhe këtyre radhëve duke iu kthyer edhe një herë fjalëve të Besimit në kafene: edhe pse topi është i rrumbullkët apo pikërisht për këtë, duhet luftuar e shpresuar, pavarësisht se kë kemi përballë. A nuk e përligj këtë aksiomë edhe ndeshja e fundit me Italinë: pavarësisht humbjes, askush nuk mund ta mohojë se çunat tanë dhanë maksimumin e mundshëm dhe meritonin më shumë.

Nju York, 10 tetor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: And on Dede, Edhe pse topi, është i rrumbullakët…

Një majët tona

May 1, 2017 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Sikur nuk më besohet që, qysh nga përmbysja e Diktaturës kaloi një çerek shekulli. Ata që u lindën atë dhjetor të ’90-s, jane tashmë 27 vjeç. Kur i kujtoj ato ngjarje, të para-pluralizmit, aq fort janë ruajtur në kujtesë, sa më duket sikur kanë ndodhur dje. Jam gati t’i riprodhoj me hollësitë më të vogla. Kjo, jo aq për meritë të kujtesës sime se sa për të veçantën që patën ato dhe për ndikimin që ushtruan në ngjizjen e personalitetit tonë.

Rri e mendoj për të lindurit e pas-Diktaturës…Madje, një pjesë të tyre tashmë as që mund t’i quash më të rinj. I kam zili ata që po i gëzohen një sistemi krejt tjetër, edhe pse akoma jo plotësisht i lirë e demokratik, siç pandehëm në ato ditë të paharruara, përderisa nuk ke të siguruar minimumin e të ardhmes tënde por rron me frikën se ç’do të sjellë e nesërmja. Sidoqoftë, të paktën ata kanë shpëtuar nga shumë telashe apo dhe marrëzira që kemi përjetuar ne që lindëm në ato vite kur po hidhte shtat Diktatura. Ka aq shumë për të treguar, sa që s’do  të mjaftonin vëllime të tëra apo, parë ndryshe, kishte aq shmë marrëzira e budallallëqe sa që s’di se kë të tregosh më parë. Me që është një maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, le të merremi me atë kësaj radhe.

Eh, ç‘kemi hequr ne të gjorët sa herë që vinte kjo datë e shënuar, qoftë kur ishim të vegjël apo dhe më pas kur u rritëm e nisëm punën! Duhet të grumbulloheshim shumë orë përpara diku. Prit e prit atje deri në stërmundim, sa të na jepej njoftimi për të lëvizur. Se a e dini ç’ndodhte? Nëse manifestimi ishte planifikuar për në orën dhjetë, komiteti i partisë së Tiranës, udhëzonte komitetet e partisë së rajoneve që të fillonte grumbullimi i njerëzve të paktën një orë përpara. Komitetet e rajoneve, për të qënë të sigurt, porositnin organizatat bazë të ndërmarrjeve, shkollave apo dhe lagjeve që të nisnin përgatitjet edhe një orë më herët. Por, marrëzia e asaj dite nuk mbaronte as këtu: sekretarët e organizatave, që mos të kishin telashe me vonesa apo mungesa të mundëshme, i porosisnin punojësit, nxënësit apo banorët e lagjeve që të grumbulloheshin edhe një orë më herët. Kjo nuk është fantazi, por një përjetim personal, qoftë si nxënës, student apo punonjës. Pra, të gjorët njerëz duhet të zgjoheshin e shumta në gjashtë të mëngjezit për të qënë në rregull me paraqitjen për manifestim.

Mbasi grumbulloheshim tek vendi i caktuar, fillonin orët e pritjes, deri sa të na vinte radha për të ecur drejt tribunës. Qe e tmerrshme, mund të prisje një apo dhe dy-tre orë, varej nga vendi ku banoje dhe ku ishte pika e takimit. Ndërkohë, nga gjithë kjo, kishe filluar të ndjeheshe i lodhur. Kur e them unë këtë që, në ato vite, isha relativisht i ri, mendo për veteranët e të moshuarit e lagjeve se ç’hiqnin. E si të mos mjaftonte tërë kjo, duhet të tregoheshe sa më në formë e i qeshur, i gëzuar, entusiast e të brohorisje me sa fuqi kishe për Partinë e Punës dhe shokun Enver, për ditët e lumtura që po përjetonim, paçka se mezi ngopnim barkun me bukë, se dyqanet ishin bosh e se çdo gjë qe e racionuar e me lista. Ngurimi më i vogël për t’i kryer tërë këto, mund të të hapte aq shumë telashe në mos dhe mund të shërbente si zanafilla e ndonjë procesi apo dosjeje, siç edhe ka ndodhur në jo pak raste. Kuptohet që vështirësitë shumëfishoheshin po të qe mot i keq e me shi, siç edhe më ka rastisur mua disa herë.

Nga pritja e gjatë dhe lodhja deri në stërmundim, ndodhte që të prishej komplet shfaqja. Jo vetëm që njerëzit dukeshin të raskapitur e shpirt-plasur por prisheshin radhitjet, krijoheshin hapësira boshe që e kthenin parakalimin në një lëvizje grupesh të pa organizuara. Autoritetet e qytetit i zinte frika e ndëshkimit. Më kujtohet një vit që zbriti nga tribuna vetë sekretari i parë dhe antari i Byrosë, Manush Myftiu dhe tepër i egërsuar na bënte thirrje që të shpejtonim e të kapnim ata që kishim përpara e që na kishin lënë pas.  

Manifestuesit, përgjithësisht, mund të klasifikoheshin në disa kategori. Kishte të sinqertë që i gëzoheshin me të vërtetë ballafaqimit me udhëheqësin e shquar të popullit dhe mezi e prisnin një ditë të tillë. Nuk e tepëroj po të them se ata duartrokisnin e brohorisnin sa lodheshin e këputeshin, iu skuqeshin duart nga përplasja dhe do iu duheshin disa ditë që të merrnin veten. Ma merr mendja se një fakt i tillë mund t’iu duket i ekzagjeruar disave, por unë kam njohur disa syresh. Kush nuk beson, le të rrëmojë në kronikat e filmuara dhe do të bindet. Të tjerë e kishin bezdi e shkonin në to vetëm që të mos kishin pasoja. Një grup tjetër nuk e fshihnin se jo vetëm që nuk donin të shkonin por edhe e urrenin një manifestim të tillë, pra as që donin t’ia shihnin surratin atij që na kishte katandisur në atë derexhe. Unë kam njohur nga të gjitha këto grupe, tjetër punë se nga vigjilenca e sigurimsave nuk guxonim të prononcoheshim krejtësisht me njeri tjetrin. Për hir të së vërtetës duhet të pranoj se kishte kalime nga njeri grup në tjetrin, siç kishte ndodhur dhe me mua vetë. Pse ta fsheh: kur ishim të vegjël, e quanim si ëndërr që të shihnim direkt xhaxhi Enverin. Por, me kalimin e viteve kalova në grupin e dytë apo dhe në të tretin fare.

Ja disa episode që më kanë ngelur në mendje nga ato “ditë entusiaste”.

Njerin nga këta një-maje, kur isha nxënës në Politeknikum, e kalova me inxhinierin e njohur e të nderuar Andrea Xeka, që  kishte studjuar në Francë e, logjika ma thotë se do ta ketë njohur dhe direkt të madhin e vendit para të cilit tani i duhej të parakalonte. Por, fati i tyre qe krejt i ndryshëm: ndërsa xhaxhi Enver po i gëzohej pozicionit të numurit një të shtetit, inxhinieri i nderuar, vetëm pak vite pas Luftës, u fut në burg si kundërshtar i regjimit, në mos gabohem me Grupin e Deputetëve. Pasi u lirua, e sollën në Politeknikum e na jepte disa lëndë që lidheshin me minierat. Leksionet e tij qenë, pa asnjë diskutim, nga më interesantet se i pasuronte me shifra e fakte që dilnin dhe jashtë temës. Unë për të ruaj respektin më të madh. Por, të kthehemi tek një maji i atij viti. Binte shi, disa herë me gjyma. Ne s’kishim as çadra, por rraseshim diku apo dhe nën ombrellën e inxhinierit që tregohej aq i dashur me të gjithë. Më në fund na erdhi radha për të parakaluar. Ne ngrinim flamurkat apo banderolat që na kishin dhënë. Por më është fiksuar në mendje portreti i inxhinierit të nderuar kur kaluam para tribunës. Nuk e fshihte mllefin që ndjente, sado që u përpoq të tregohej korrekt. Ndryshe nga të tjerët, hodhi një vështrim nga tribuna, sa për të bërë borxhin dhe vazhdoi ashtu i qetë e fytyrë-vrenjtur. Mbase kjo do kishte kaluar pa u regjistruar në mendjen time, sikur “vigjilentët” e vegjël, që ishin rekrutuar që në atë moshë, informuan se “profesor Andrea” nuk kishte brohoritur e nuk qe treguar entusiast”. Na thirrën dhe ne të tjerëve e na pyetën si me marifet. Unë pohova atë që kisha përjetuar, se kishim kaluar shumë mirë e inxhinieri na kishte mbrojtur nga shiu e na kishte mbajtur me biseda interesante për të mos u mërzitur gjatë pritjes. Kur e mora vesh se përse po na pyesnin, ndjeva neveri për ata që merreshin me këtë punë por sidomos për “vigjilentët” e klasës, informatorët e ardhshëm.

Kur isha në Universitet, kishim mes nesh dhe studentë kinezë. Edhe ata mezi prisnin Një Majin që të shihnin “luanin e Europës”, siç e quanin udhëheqësin tonë, pas Maos, që i jepnin vendin e “luanit të Azisë”. Besoj se moshatarët e mij nuk e kanë harruar këngën e njohur se “dy luanë ka sot bota, një Asia e një Europa”. Tek unë kishte filluar procesi i distancimit, pra kalimi nga grupi i parë në të dytin: manifestimet më bezdisnin. Me që e kisha rregulluar me kujdestaren e klasës dhe sekretarin e rinisë, që të mos më vinin mungesë, vendosa të mos shkoja. Atë ditë, pra, më një maj, kur të gjithë po përgatiteshin si për festë, me ato që kishin, unë vazhdoja të pushoja për qefin tim. Kur Kuoja, studenti kinez, vuri re se nuk po përgatitesha si të tjerët, më pyeti i habitur: “Pse nuk po çohesh e të bëhesh gati?”. “Unë nuk do vij…” – i thashë. Ai u tmerrua e nuk po iu besonte syve. “Ti nuk do vish në manifestim?” – përsëriti ai, nga që i dukej e pabesueshme”. Dhe nuk shkova, siç bëra shumë herë edhe në vitet në vazhdim, duke iu shmangur me kujdes pasojave të mundëshme.

Manifestime e parada ka pasur e ka kudo në Botë, edhe këtu në Nju York, nga më të ndryshmet, por ato nuk kanë asgjë të përbashkët me “një majet” tona, siç u përpoqa ta shtjelloj më sipër. Këto radhë nuk i shkruajta thjesht për të kënaqur një kuriozitet, por se marrëzira si ato gjallojnë akoma, jo vetëm në Korenë e Veriut por edhe gjetkë. Duartrokitës e brohoritës entusiastë, që ngjiren nëpër mitingje, për t’iu bërë qefin shefave partiakë, gjen me bollëk edhe tek ne. Ndjehem keq kur i shoh e i dëgjoj dhe më kap trishtimi kur mendoj se ata që iu gëzohen këtyre marrëzive të turmave kanë në dorë fatet e vendit.

Nju York, 30 prill 2017.

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Një majët tona

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT