• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kërcënimet e një spurdhjaku

November 1, 2017 by dgreca

1 Andon Dedenga Andon Dede, Nju York/

Për shqetësimet që i ka krijuar botës mbarë e sidomos SHBA-së, Japonisë, Koresë së Jugut, Kinës e Rusisë, Koreja e Veriut, përmes kërcënimieve me armë bërthamore apo dhe provave të vazhdueshme të raketave, si për të acaruar nervat e tyre, lideri suprem i atij vendi, të ngjall sa të qeshura aq edhe zemërim e urrejtje. Nuk ka ngelur politikan e analist i problemeve ndërkombëtare pa folur e shkruar për këtë. Duke qënë kështu, çdo koment do të qe i tepërt. I vetëdijshëm për sa më sipër, po përpiqem ta shoh problemin në një këndvështrim tjetër.

Sa herë që e shoh në ekranet e televizionit të ashtuquajturin “udhëheqës suprem”, më duket se parcaktimin më të saktë për të e kemi në gjuhën shqipe me fjalën spurdhjak. Nisur nga mendimi se lexuesi edhe mund të mos e dijë këtë fjalë, jo aq shpesh e përdorur, po e sqaroj që në fillim kuptimin e saj. Me këtë term quhen harabelat, trumcakët apo dhe çdo zog i vogël, në përgjithësi. Por unë, si shumë të tjerë, mund të mos e kisha në fondin tim aktiv këtë fjalë, nëse nuk do të kujtoja fëmijërinë, kur kjo fjalë përdorej në kuptimin e mbartur, figurativ të saj, si një fëmijë i vogël, pa vlerë e pa përvojë, kalama, mistrec. Kështu na thoshin më të vjetrit kur ne bënim ndonjë gjë prej kalamani apo mistreci, si për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, pa pasur të drejtë, madje edhe duke i shqetësuar ata. “Ik mor spurdhjak!”, “U bë dhe ai spurdhjaku të flasë kështu?!”, “Do na mësojë ai spurdhjak…” dëgjonim ta na thuhej prej tyre e të tjera  shprehje si këto.

Për ta bërë sa më të përligjur krahasimin, më duhet t’i lë pak shteg fantazisë. Po qe se do të vinte një jashtë-tokësor e do të njihej me përplasjen për të cilën po flasim, pra, me shqetësimet që i ka shkaktuar botës mbarë ky diktatoruc, pyetja e parë e jashtë-tokësorit do ta qe: “Kush është ky dhe, sidomos, ç’përfaqson?”. Kur të dëgjonte përgjigjen se ai është “lideri suprem” i një vendi relativisht të vogël e të papërfillshëm në arenën ndërkombëtare, populli i të cilit, në shumicën e vet, ka vuajtur e vazhdon të vuajë deri edhe për bukën e gojës, jashtë-tokësori do të befasohej e nuk do t’iu besonte pohimeve të tjetrit. “Të qe fjala për SHBA-në, Kinën, Rusinë, Gjermaninë apo dhe çdo shtet tjetër me potenciale të spikatura ekonomike e ushtarake, edhe mund ta pranoja, por për sa dëgjova, sikur s’ma mbushni dot mendjen…”.

Nuk besoj se dikush mund ta vërë në dyshim mesazhin realist që mbart episodi i mësipërm, edhe pse i stisur prej meje. Me këtë unë absolutisht nuk mohoj potencialin ushtarak që zotëron shteti koreano-verior, siç është vënë në dukje nga shumë analistë e politikologë. Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh të vërtetën e hidhur se Koresë së Veriut, si gjithë diktaturavet të tjera, shumicën e buxhetit ia gëlltit armatimi, për më tepër kur bëhet fjalë për atë bërthamor. Por, sidoqoftë, sado i madh qoftë ai, as që ka të krahasuar me ato të superfuqive. Po atëhere si duhet kuptuar ky shqetësim i madh që ka ngjallur me kërcënimet e tij diktatoruci koreanoverior?

Për ta përligjur këtë shqetësim, sipas optikës time, pa e banalizuar problemin, më duhet të kaloj në një krahasim tjetër. Parafytyroni një fëmijë të vogël, pra një spurdhjak, që ka arritur të gjejë një armë dhe me të në dorë, del në rrugë e kërcënon kalimtarët. Duke qënë fëmijë, rreziku është edhe më i madh, nga që mund ta shkrepë armën e rrezikëshme, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat. E vetmja zgjidhje për të shmangur rrezikun e mundshëm është nxjerrja jashtë loje e kalamanit: ose duke ia hequr me marifet armën nga duart, ose duke e bllokuar atë me çdo rrugë tjetër, për të mos kaluar në masa ekstreme, nëse rreziku bëhet konkret, pra, për ta asgjësuar vetë atë, para se ai të vrasë të tjerët. ( Në parantezë, i kujtoj lexuesit, se jo vetëm këtu në Amerikë, por dhe gjetkë, kjo zgjidhje ekstreme, shpesh e vonuar, ka qënë e vetmja).

Nuk ka nevojë të jesh ushtarak, politikan apo analist që të pranosh se për SHBA-në, nuk ka gjë më të lehtë se sa të largojë çdo shqetësim thjesht duke e asgjësuar atë që po kërcënon, siç e pohoi fare qartë, pa dorashka, vetë presidenti Tramp. Por, po kaq e qartë dhe e thjeshtë për ta kuptuar është dhe përgjigja se përse SHBA nuk e ndërmarin një veprim të tillë. Mjafton t’i kujtoj lexuesit se me sa lehtësi u përmbysën diktatorë të tillë si Sadami e Gedafi për të mos pasur as dyshimin më të vogël për gjithë së më sipër. Por, siç është thënë edhe para përmbysjeve të tyre, problemi ka qënë e mbetet jo lufta por pas-lufta, temë kjo që del jashtë kufijve të këtij shkrimi.

Po qe se do ta vazhdojmë krahasimin e mësipërm, me  spurdhjakun e armatosur, që pa asnjë arsye kërcënon të tjerët e pafajshëm, edhe Koreja e Veriut, përmes “liderit të vetëshpallur suprem”, kërcënon e shqetëson botën, pa qënë i kërcënuar nga asnjë shtet tjetër, e aq më pak nga ata që kërkon të sulmojë. Kemi të bëjmë thjesht me çmëndurinë e një psikopati që erdhi në fuqi me mënyrën më të paligjshme, kur kemi parasysh se ai shtet nuk është as mbretëri që ta ketë sadopak të përligjur trashëgiminë e fronit. As që bëhet fjalë për të ashtuquajturin sistem komunist, siç pretendon ai.

Me që dolëm tek ky shteg, dua të bëj disa përsiatje të tjera, që janë dhe arsyet kryesore të këtyre radhëve. Ne shqiptarëve teatri i sotëm politik koreano-verior na kujton edhe diçka tjetër, dikataturën që lamë pas. Për hir të së vërtetës, “Enveri ynë” nuk arrinte në të tilla marrëzi groteske si Kim-at koreanë por, në shumë dukuri të tjera përngjasonte ma ta. Brezit tim i kujtohet i famshmi sllogan i tij: “Nëse armiqtë, përfshi dhe superfuqitë, na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit…”. Bunkerizimi i gjithë vendit qe një marrëzi tjetër e tij, alla-Kim, paçka se të gjithë ishim absolutisht të bindur se ne nuk kërcënoheshim nga asnjë agresion, aq më pak nga ndonjë sulm bërthamor.

Për të mos u zgjatur, dua të shtoj dhe diçka. Tek shoh “liderin suprem”, lakejtë civilë e ushtarakë që e ndjekin dhe sidomos turmat që duartrokasin e bërtasin, më dalin para syve, si të gjalla të tilla skena që i përjetuam në heshtje për afro gjysmë shekulli. Me kohë ne e kuptuam të vërtetën, u zhgënjyem keqas por s’kishim se ç’të bënim. Në shpëlarjen e truve tona, si popull, ndihmonte dhe mungesa e informacionit, sidomos ne që ishim të izoluar deri në ekstrem. Dhe pyes veten: ”Po sot, në këtë kohë që e ke vështirë në mos edhe të pamundur ta mbash një popull nën sundim me metoda të tilla, kur mjetet e kumunikimit dhe informimit masiv nuk ka burrë nëne që t’i ndalojë, si ka mundësi që ai popull të durojë një diktatoruc të atillë qesharak?! Unë e di se ai, si çdo diktator tjetër, zotëron një aparat të tmerrshëm shtypës për t’ua mbyllur gojën turmave. Por prapë pyes veten: a thua se nuk ka në atë vend intelektualë apo dhe të rinj të shkolluar që mund ta ndërgjegjësonin, pak e nga pak, masën e gjerë, për të ngritur krye kundër diktaturës, siç ndodhi këtej nga anët tona?! Kam mendimin se shumë shpejt do të ndodhë dhe atje përmbysja e madhe dhe ato turma që i kemi parë duke duartrokitur e brohoritur për “liderin suprem”, do ta bëjnë këtë për të kundërtën: për lirinë e demokracinë e munguar. Është vetëm çështje kohe!

Nju York, 31 tetor 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, e një spurdhjaku, KERCENIMET

KERCENIMET E MINISTRIT TE JASHTEM GREK KOTZIAS

October 18, 2016 by dgreca

Kotzias kërcënon Shqipërinë nën ndikimin e këshilltarit të Putinit/

1-kotziasNe Foto:FOTO:1.Nikos Kotzias me Aleksander Dugin, 2013/

Nga Arben LLALLA/

Gjuha kërcënuese që ka përdorur në deklaratën e fundit ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, sipas të cilit Greqia ka dhjetëfish ushtrinë më të fortë, ekonominë, armët e kështu me radhë, nuk i shkon përshtat një ministri të BE-së. Një ministër e Europës nuk mund të kërcënojë aleatin e tij, anëtar të NATO-s.

Retorika e Kotzias (Koxhas) nuk është e rastësishme, ai prej disa vitesh, para se të bëhej ministër i jashtëm i Greqisë, merrte leksione diplomatike nga këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandër Dugini. Disa herë kam shkruar në media për lidhjet e ngushta të Nikos Kotzias me partinë Fronti Nacionalist Bolshevik në Rusi. Gjatë periudhës që Nikos Koxhas drejton Ministrinë e Jashtme të Greqisë ai ka bërë takime të shpeshta me vendet, të cilat njihen si pro ruse dhe antiamerikane apo antieuropiane.

Nikos Koxhas është njeriu që krijoi lidhet e ngushta të kryeministrit Aleksi Cipras me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin. Në Prill të 2013, Nikos Koxhas ftoi në Greqi për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin në Pireut, Aleksandër Dugin, ideator i partisë Fronti Nacionalist Bolshevik. Kotzias e shoqëroi për disa ditë në Greqi Duginin dhe i siguroi atij një takim me drejtuesit e lartë të nazistëve të Agimit të Artë. Aleksandër Dugin është këshilltar i Putinit dhe i ka sugjeruar që Rusia sa më shpejtë të pushtojë Gjeorgjinë e Ukrainën duke i rithemeluar Perandorinë Ruse. Një tjetër këshillë ekstremiste që Dugin i tha Putinit ishte heqja e shtetësinë ruse për të gjithë liderët opozitarë dhe disidentët.

Sulmet e disahershme ndaj PDIU-së prej Nikos Koxhas nuk janë të rastësishme. Këto sulme të shprehura nëpër mediat greke vijnë si pasojë e presioneve të BE dhe SHBA për zgjidhjen sa më parë të Çështjes Çame. Vitet e fundit PDIU është bërë zëri i vetëm i fuqishëm për politikat kombëtare në Ballkan dhe kuptohet që sllavët e grekët nuk u pëlqen që në Shqipëri të ekzistojë një parti mbarëkombëtare, e cila vlerëson se shqiptarët duhet të shohin nga perëndimi, SHBA dhe BE.

Dalja në skenë e paketës së problemeve që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të paraqitur nga ministri Ditmir Bushati tek Komisioneri Hahn i ka hapur shumë telashe Nikos Kotzias. Kjo gjë ka bërë që kryediplomati grek, Nikos Kotzias të shprehet me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënuese ndaj Shqipërisë, gjuhë që është jashtë protokollit diplomatik.

Kryeministri Aleksis Tsipras është nën presion të vazhdueshëm për shkarkimin e Kotzias, si nga partia e tij, ashtu edhe nga aleati qeveritar Panos Kamenos i ANEL.

Për deklaratat kërcënuese për ushtrinë e fortë që ka Greqia përballë Shqipërisë, Nikos Kotzias duhet të ketë parasysh faktin se ne jemi dy vende fqinje, anëtare të NATO-s, ku kemi rreth 30 mijë martesa të përziera vetëm këto 20 viteve të fundit pa folur për ato me pakicën greke në Shqipëri. Ne jetojmë në shekullin XXI, ku demografia në Ballkan tregon se shqiptarët janë një komb në rritje dhe jo në rënie siç është Greqia.

Historia na thotë se kur shqiptarët nisën kryengritje e 1821, ata ishin një grusht i vogël përpara gjithë asaj perandoria osmane. Koha tregoi atë që sot Nikos Kotzias ka kombësi ortodokse greke, se përndryshe mos të ishin shqiptarët nga Morea, Nafplio e Çamëria, Kotzias dhe shumë Koxhas të tjerë do ishin sot qytetarë të denjë myslimanë të Turqisë.

Në përfundim të fjalës së tij kërcënuese Nikos Kotzias lëshon një thirrje: “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”.

Ky është një tjetër kërcënim që rrëfen se Greqia po planifikon bllokimin e procesit integrues për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Natyrisht që duhet të çelen bisedimet shqiptaro-greke për çështjet e pazgjidhura, por si të barabartë, pa eufori dhe folklorin kërcënues. Shqipëria i ka letrat e hapura duke patur primare zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, çështjen e pronave të shqiptarëve nga Thraka e deri në Çamëri. Për këtë duhet zbatuar Marrëveshja e Lozanës për minoritetin shqiptar që ekziston ende në Greqi. Kështu mund të krijohet besimi tek njeri-tjetri dhe grekët të çlirohen nga ankthet. Vetëm në këtë mënyrë grekët dhe shqiptarët mund ta shohin njëri-tjetrin në sy, pa drojë, inate, mllefe duke mos ngritur barriera e kurthe.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara. Këto po do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt.

Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë mes dy popujve.

Nuk e dimë se çfarë të papriturash na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MINISTRIT TE JASHTEM GREK, KERCENIMET, Kotzias

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT