– Kryeparlamentarja Osmani: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani, njohje e sakrificës së popullit të Kosovës/
Kryeministri Kurti priti në takim delegatin apostolik për Kosovë, imzot Jean-Marie Speich/
Imzot Jean Marie – Speich, delegat apostolik për Kosovë: raportet e mira me Kosovën tregojnë kujdesin që papa dhe Selia e Shenjtë kanë treguar në vazhdimësi ndaj popullit të Kosovës/
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, i kërkoi sot imzot Jean Marie – Speich, delegat apostolik për Kosovë, që t’ia përcjellë papatit mesazhin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të saj që ta konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.
“Njohja e pavarësisë së vendit tonë jo vetëm do t’i ngritte në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona edhe ashtu të shkëlqyera, por do të ishte edhe njohje e sakrificës së popullit të Kosovës për liri”, tha dr. Osmani.
Ajo shprehu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Republikës që ta vazhdojnë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë.
Në anën tjetër, imzot Jean Marie – Speich, shprehu kënaqësinë e tij për zgjedhjen e znj. Osmani në krye të Kuvendit të Kosovës dhe nënvizoi përkushtimin e tij dhe të Selisë së Shenjtë për ta thelluar edhe më tutje bashkëpunimin me popullin e Kosovës dhe me institucionet e vendit.
Sipas tij, raportet e mira me Kosovën tregojnë kujdesin që papa dhe Selia e Shenjtë kanë treguar në vazhdimësi ndaj popullit të Kosovës. Sipas tij, pavarësisht faktit se mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë ende nuk janë vendosur raporte formale diplomatike, ekziston një gatishmëri e madhe që bashkëpunimi të zhvillohet në më shumë fusha, veçanërisht në edukimin e mirëfilltë të rinisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti priti në takim delegatin apostolik për Kosovë, imzot Jean-Marie Speich
Prishtinë, 25 shkurt 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Nuncin apostolik në Slloveni dhe me delegim në Kosovë, imzot Jean-Marie Speich. Takimi ishte shumë i ngrohtë dhe përshkoi shumë tema lokale dhe botërore.
Biseda mbi temat nisi me urimin për qeverisjen si dhe me faktin se vështirësitë janë të mëdha, aq sa janë dhe të larta pritshmëritë. Ndjenjat e njerëzve, sinqeriteti dhe entuziazmi i pas zgjedhjeve nuk duhen zhgënjyer. Kryeministri Kurti bëri një paraqitje të shpejtë të gjendjes së Kosovës si dhe synimeve qeverisëse. Jeta e mirë e njerëzve përcaktohet nga drejtësia dhe punësimi, arsimi dhe prodhimi, këta janë faktorët e një gjenerimi të ri të shpresës.
Imzot Speich e vendosi theksin në realizimin e pritshmërive. Sot më shumë se kurrë, sipas tij, ky realizim ndihmon në rikthimin e vizionit shpirtëror të njeriut, vizioni më i duhur për të tejkaluar sjelljet e ngushta, ekstremizmat, rreziqet që i kanosen natyrës, dhe që prihen nga interesa të verbër materialë. E vërteta i bashkon njerëzit dhe i bën më të qartë në lidhje me dallimet dhe të drejtat.