
Fitim Zekthi/
Ne kemi një klasë politike e cila nuk mund të pranojë të hetohet dhe të gjykohet. Është e ngulitur në qenien e kësaj klase ideja se ajo mund të bëjë ç’të dojë, se gjykata dhe prokuroria janë vetëm në shërbim të saj. Gjykata dhe prokuroria ekzistojnë vetëm për të hetuar dhe gjykuar popullin, njerëzit e zakonshëm, hallexhinjtë. Është një mendësi që vjen nga komunizmi, që vjen nga forma shumë të ulëta dhe kriminale të mendimit politik.
Që nga Aristoteli e deri te Carl Schmitt, që nga besimet e mëdha te kultura të ndryshme, nga judaizmi te krishterimi e deri te islami, politika mendohet si veprim brenda një rendi normativ. Grekët e quanin nomos.
Kur një grup nuk e pranon të drejtën, atëherë ai nuk lufton vetëm ligjet dhe normat konkrete, por edhe parimin që konfliktet zgjidhen përmes rregullit dhe jo forcës.
Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është thjesht një luftë e ulët dhe e poshtër e atyre që janë habitur e tronditur që prokuroria apo gjykata mund t’i hetojnë apo t’i dënojnë. Kjo vihet re, teksa deri dje prokuroria dhe gjykata ishin të mira vetëm nëse nuk i preknin ata. Po u prekën ata, atëherë gjykata dhe prokuroria duhen ndryshuar, ligjet duhen ndryshuar, nomos-i duhet ndryshuar.
Është një konvulsion i brendshëm dhe i thellë i një klase politike të ulët që nuk pranon kurrë të jetë subjekt i së drejtës, një lloj si ajo komuniste.