Nga PAOLO VALENTINO-PERKTHEU EUGJEN MERLIKA/Historia vërshon në krizën me Rusinë, të shkaktuar nga rasti Navalny. Por këtë rradhë është rrahje mendimesh në fushën perëndimore. Qeveria e Ukrainës ka sulmuar ashpër presidentin e Republikës federale Frank – Walter Steinmeier. Objekt i kundërshtisë është Nord Stream 2, gaz-sjellësi ruso – gjerman në rrugë përfundimi nën Detin Balltik, që SHBA dhe shumica e Vëndeve të BE duan t’a ndalojnë si hakmarrje kundër Kremlinit, por që Berlini nuk ka ndërmënd t’a braktisë duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një vepër ekonomike të ndarë nga tema e të drejtave njerëzore.
Simbas Steinmeier-it, një nga arsyet për të cilat Nord Stream 2 duhet përfunduar është edhe borxhi historik i Gjermanisë kundrejt Rusisë, për shkak të mizorive të kryera nga nazistët gjatë luftës së Dytë botërore: “Më 22 qershor do të jetë përvjetori i 80 i mësymjes gjermane ndaj BRSS, që i kushtoi atij Vendi më shumë se 20 milionë të vdekur. Kjo nuk përligj asnjë veprim të keq politik të kryer sot në Rusi, por ne nuk duhet të humbasim kurrë nga vështrimi kuadrin e historisë”.
Fjalët e Steinmeier-it janë pritur me tërbim në Kiev, që me hyrjen në veprim të gaz-sjellësit, mund të humbasë deri në 1,5 miliard euro në vit nga “taksat e kalimit” që arkëton sot nga tubat ruse që përshkojnë truallin e tij. “Habi dhe zëmërim” ka shprehur ambasadori ukrainas në Berlin, simbas të cilit Nord Stream 2 është një projekt gjeopolitik i Putinit dhe “është cinike të nxirren në bisedë krimet naziste dhe t’i vishen viktimat vetëm Rusisë”.
Në të vërtetë, Steinmeier-i ka folur vetëm për viktimat e BRSS, në të cilin Ukraina ishte njëra nga republikat. Tashmë që Kievi të jetë kundër Nord Stream 2 është e kuptueshme dhe e ligjësueshme, edhe se Angela Merkel ka vepruar në mënyrë që Moska të japë siguri për furnizimet. Por nuk ka dyshim që motivacioni i presidentit gjerman është i fuqishëm e po aq i ligjëruar.
“Corriere della Sera”, 12 shkurt 2021 Përktheu Eugjen Merlika