
Nga BEPPE SEVERGNINI
Anne Applebaum përgjigjet në agim nga shtëpia e re në Washington DC, qyteti ku ka lindur. Ka jetuar gjatë në Londër e në Poloni, ku ka njohur bashkëshortin Radek Sikorski, ish ministër i Mbrojtjes e i Punëve të jashtëme, tani europarlamentar. Anne është një nga komentueset më të dëgjuara mbi çështjet ruse e sovjetike, njeh me themel Evropën lindore, në veçanti Ukrainën. Sot është staff writer në The Atlantic, felow i Agora Institute në John Hopkins University dhe autore e “Perëndimi I demokracisë. Dështimi I politikës dhe joshja e autoritarizmit”. Në vitin 2004 ka fituar çmimin Pulitzer me “Gulag. Histori e kampeve të internimeve sovjetike”. Jemi njohur në Varshavë më 1989. Që atëherë jemi takuar në shumë pjesë të botës : në Londër, në Moskë, në Poloni, në SHBA, n’Itali. “Takimet e mija fillojnë mbas dy orësh” thotë në telefon. “Pra jam në dispozicion të Corrieres”.
Kishe arsye mbi Vladimir Putinin. Shumë prej nesh duke të lexuar e duke të dëgjuar, kanë menduar se je tepër johenike.
“Sepse e keni gjykuar Vladimir Putinin duke përdorur kriteret tona. Gabim. Ai nuk funksionon si neve”.
Ukraina është gati sa dy herë Italia dhe ka pothuaj popullsinë e Spanjës. Edhe nëse do t’a pushtonte ushtarakisht, si do të mund t’a nënështronte e t’a kontrollonte?
“Me një përkim të dhunës skajore e të llogarisë. Është shumë shpejt të kuptohet skenari. Është gjithshka e mudëshme, edhe që Putini të rrethojë Kievin e të thotë: nëse nuk më lini gjysmën e Ukrainës shkatërroj qytetin. Por edhe gjysma e Ukrainës do t’ishte e vështirë të kontrollohej, sigurisht. Mos të harrojmë se po flasim per nje njeri që mund të ketë vrarë një milion njerëz në Çeçeni dhe dhjetra mijra në Siri, ku forcat ruse bombardonin edhe spitalet. Frika është se Putini mund të përdorë kaq shumë mizori sa të fshijë çfarëdo qëndrese, siç ka bërë Stalini në vitet 30. Por ai pothuajse nuk e njeh Ukrainën, nuk i frekuenton ukrainasit, ndoshta mendon se nuk do të luftojnë. Mund të zbulojë se e ka gabim”.
Përse Ukraina është bërë ankthi i Putinit?
Ukraina është një demokraci, e kjo është për të një rrezik. Putini është i tmerruar nga ideja se në Moskë mund të përsëritet ajo që ka ndodhur në Kiev më 2004. E quan një kërcënim vetiak.
Pastaj është leximi i tij historik: alarmues.
“Ideja që Ukraina nuk është një komb i vërtetë, që është shpikur nga Lenini, është vërtetë e çuditëshme. Nuk kam dëgjuar kurrë një gjë të tillë.
Putini sot a është një njeri i qëndrueshëm mendërisht?
“Kam menduar gjithmonë se Putini do t’ishte i arsyeshëm në mënyrën e vet. Nuk ka patur rreziqe të mëdha, në fund të fundit. Ishte brutal por nuk është hedhur kurrë në sfida që nuk mund t’i fitonte Sot është ndryshe. Mësymja duket një kumar. Tre daljet e fundit në këtë javë ishin vërtetë një çmenduri.
Çfarë i ka ndodhur?
“Nuk e di. Duket i ankthshëm e plot urrejtje. Duket se ka hyrë në një fazë të re. Nuk e di nga se ka frikë, nga vdekja apo nga humbja e pushtetit. Sigurisht ka jetuar i vetmuar për dy vite, për shkak të pandemisë. Kush do t’a takonte duhej të qëndronte në karantinë për dy javë. Pyes veten se çfarë ka bërë, çfarë ka lexuar e ka parë në gjithë atë kohë i vetëm. Sot duket një njeri i sëmurë, i trazuar”.
Po njerëzit që, në sajë të tij, kanë grumbulluar pasuri e privilegje? Jetojnë në panik këto ditë.
“Mund të mendojnë se do t’ia hedhin edhe këtë herë. Kur u kemi vënë sanksione kanë arritur t’u bëjnë bisht. Kanë shpërngulur para e pasuri grave dhe personave të shtënë, kanë marrë pashaporta të Vëndeve të tjerë. Por ke të drejtë, ky është një tjetër mister: elita ruse, 500 vetët që kontrollojnë pothuajse gjithshka, e miratojnë këtë luftë? E vështirë të besohet. Por për oligarkët koha e megajahteve, e hoteleve të mëdhenj e të vilave në Cap Ferrat mund të ketë mbaruar.
A mendon se putinianët – atje n’Amerikë dhe këtu n’Evropë – do të vazhdojnë t’a mbështesin Putinin?
Disa grupe kanë lidhje financiare me Rusinë, ose miq që bëjnë allishverishe atje. Por ka edhe njerëz – në politikë, në media – që e adhurojnë pa të keq Putinin. Admirojnë faktin që i thyen rregullat. Që nuk respekton demokracinë, gjykatat, mjetet e informimit. Që është një autokrat. A do të vazhdojnë t’a adhurojnë? Varet nga kundërveprimi i opinionit publik.
Cili ka qënë gabimi m’i madh i Perëndimit demokratik?
“ Të mos kuptuarit se çfarë njeriu ishte Putini. Kemi besuar se kemi lënë mbas krahëve shekullin e njëzetë. Kemi menduar se nuk do të kishte më, së paku n’Evropë drejtues t’aftë të kryejnë mizori masash për t’arritur qëllimet e tyre. Kemi menduar se bota e jonë e bazuar mbi rregulla ishte e vërtetë, e respektuar, e kuptuar prej të gjithëve. Jemi gënjyer se Putini mendonte si neve. Por ai nuk mendon si neve, ai nuk është si neve. Drejtues të ndryshëm politikë në mirëbesim – të pakorruptuar prej tij, them – kanë menduar se Putini hynte në kompasin tonë moral. Nuk është kështu. Nuk ka qënë kurrë kështu.
Çfarë duhet të bëjë, simbas teje Perëndimi?
“Duhet të rishikojë strategjinë kundret Rusisë. Tërësisht. Nuk mund të kufizohemi në kundërveprimin e asaj që bën Putini, si në dhjetë vitet e fundit. Të gjindet mënyra për t’u folur rusëve. Të punojmë në mediat ruse. Të mbështesim opozitën në Rusi. Duhet të kuptojmë se cili nga oligarkët e nga ata që janë në rrethin përqark Putinit është i pakënaqur apo i trëmbur”.
Nga pikpamja ushtarake?
“NATO-ja duhet t’a rimendojë gjithshka: bazat, pozitat, ushtrimet. Sepse mund t’i takojë Polonisë dhe Gjermanisë”.
A nuk po e tepron?
“Nuk po i them këto gjëra qetësisht dhe as me qejf. Kujtoj një fjali të ministrit të jashtëm rus Lavrov në konferencën e Mynihut të Bavarisë mbi sigurinë, shtatë a tetë vite më parë: “Ju e dini, apo jo, që ribashkimi i Gjermanisë është i kundraligjshëm?” Gjermanët pranë shpërthyen në të qeshura të mëdha. Por Putini ka jetuar gjatë në Berlin. Rusët atë qytet e kanë pasur njëherë, përse mos të dëshironin t’a kishin përsëri? Sigurisht ushtria e Ukrainës mund t’a ndalojë mësymjen e kështu gjithshka mund të ndryshojë. Por aspiratat e Putinit janë të pafund. Mos t’a harrojmë kurrë.”
“Corriere della Sera”, 25 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika