Alma Liço/
Nxitur nga libri titulluar “Lulja e diellit” i Simon Wiesenthalit, hebreut të mbijetuar në kampin e Auschwitzit, mbështetur edhe në disa përkufizime/prononcime personalitetesh botërore, specialiste të kësaj fushe bërë në këtë libër, vite më parë jam përpjekur modestisht në një shkrim timin të trajtoj temën aq shumë të diskutuar “Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes”.
Sot e kësaj dite flitet e komentohet dendur për faljen, si një proces purifikimi dhe ringjalljeje, si një qëndrim fisnik që më së shumti garanton paqen sociale dhe paqëton shpirtin e viktimave!!!
…Por pak kush kujtohet të përmendë se nuk mund të ketë falje për individë apo grup individësh që jo vetëm nuk denjojnë të kërkojnë falje për bëmat e tyre, por përkundrazi, nuk shprehin asnjë grimë pendese për padrejtësitë dhe krimet që kanë kryer. Madje me të njëjtin zell vijojnë trajtimin mizor ndaj viktimave të dikurshme, sigurisht aq sa u mundësojnë kushtet dhe aktualiteti në të cilin jetojmë. Institucionalisht, ata ende shpërblehen e dekorohen për zellin e tyre diabolik!
Do të shtoja se falja, nëse një dite do të bëhet e mundur, duhet të jepet vetëm për gabimet. Aspak për krimet, me viktima mijra të vrarë, burgosur e internuar të pafajshëm.
Eshtë shumë e gabuar, sipas meje, të konsiderohet “hakmarrje” bërja e drejtësisë, ashtu sic përpiqen rëndom ta etiketojnë autorët e masakrave dhe të tragjedive që shkaktoi regjimit komunist. Krimet nuk mund dhe nuk duhet të amnistohen, aq më pak të falen. Ato duhen gjykuar dhe dënuar në përputhje me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar të ratifikuar, sic u veprua me krimin nazist. Por vullneti politik në Shqipëri për dënimin e krimeve të këtyre përmasave, për fat të keq nuk ekziston.
(Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, tashmë prej nëntë vitesh në pushtet, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Për fat të keq, pothuajse asnjë prej 17 pikave te saj pikave të renditura nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shume se 16 vjet nga miratimi i saj).
Gjithashtu, me gjendjen korruptive dhe të kapur në të cilën ndodhen institucionet e drejtësisë, ky proces bëhet akoma më i pamundur.
Pasojë evidente që e jetojmë dhe vuajmë sot e kësaj dite është mbajtja gjallë e pandëshkueshmërisë dhe frymës përçarëse e armiqsore ndërmjet shqiptarëve.
Deri kur?