Alma Liço/
Votojmë një herë në katër vjet?
Aspak. Testohemi …“votojmë” çdo ditë!
Testohemi…teksa shpërfillemi kur na përçudnojnë qytetin. Papërgjegjshmërisht qëndrojmë ulur kafeneve pa as më të voglin reagim.
Testohemi…teksa vidhemi përdhunisht, ndërkohë që heshtim dhe ankohemi sikur reagimi është përgjegjësi e gjithkujt tjetër, jashtë nesh.
Testohemi…teksa për interesa “publike” grabitet e tjetërsohet prona private dhe ne heshtim.
Testohemi…teksa ndjekim e duartrokasim pseudo-arritjet dhe pseudo-inagurimët që na sërviren me shumicë.
Testohemi…kur kënaqemi ndërsa promovohen modelet më të pavlera dhe parazite të shoqërisë.
Testohemi…teksa blejmë në shuma marramendëse ujin e ndotur që mbërrin me orar të reduktuar në rubinetet tona, apo ushqimet e pakontrolluara me data skadencash të falsifikuara.
Testohemi…teksa bëhemi pjesë e spektakleve më qesharake dhe tallëse të grumbullimeve elektorale apo të çdo natyre tjetër. (me role klounësh).
Testohemi…teksa gajasemi me batuta e premtime tallëse, që na nëpërkëmbin dinjitetin.
Testohemi…teksa për lëmosha mjerane shesim votën.
Testohemi…teksa paguajmë për shërbime të cilat nuk i përfitojmë kurrë.
Testohemi…ndërsa përcjellim me dhembje fëmijët rrugëve të botës, pa më të voglin rebelim.
…Sa të lehtë e kanë “përfaqësuesit” tanë kur kërkojnë t´i votojmë. Na kane testuar dhe matur pulsin pothuajse çdo dite. Kësisoj votimi dhe rezultatet e tij shndërrohen në një formalitet të paracaktuar, lehtësisht të lexueshëm!
Asgjë nuk mund të ndryshojë e përmirësohet pa ndryshuar NE!