Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Anton Çeta kur ka marrë në analizë Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ka dashtë me i karakterizu shqiptarët si gen e komb, ka ardhur në konkluzionin se përcaktorët themelorë të fondamentit kombëtar për mbijetesë kanë qenë burrnia, ndera, besa dhe mikpritja.
Sot është zor të gjesh shqiptarë që t’i kenë këto veti. Ka humbur burrnia, ndera dhe prej saj shqiptaria po rrezikon themelin që i siguroi milenarët. Shqiptari ka humbur vlerat kombëtare dhe është bërë një sharllatan i pacipë që rend pas fitimeve duke e shitur burrninë, besën, mikun dhe mikpritjen për para.
Ndërsa krenohemi se gjatë Holokaustit ishim të vetmit që ia ruajtëm nderin Europës sepse i mikritëm me besë hebrejtë, sot për turpin tonë kombëtar, do të kishte maskarenj që do t’i kishte shitur.
Dhe prandaj na vjen turp me qenë shqiptar.
Sepse i shkelëm në besë dhe i vramë çiftin e të rinjve çekë, që kishin zgjedhur vendin tonë me bukuri përrallore për të kaluar pushimet.
Ata kur do të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Çeki, do të tregonin për detin e bukur në plazhin e Rrjollit, për Malsinë e Shkodrës, Vermoshin e Dukagjinin epik, por sidomos do t’u flisnin për mikpritjen legjendare shqiptare, që nga legjendë është kthyer në farsë . Michael dhe Anna do t’u tregonin miqve për magjinë e natyrës shqiptare dhe sidmos për bujarinë shqiptare që i pret miqtë me bukë e kripë por me zemër në dorë. Ndërsa tani lajmi i vrasjes së tyre e ka kthyer gjithçka përmbys. Shqipëria nuk është më e bukur derisa miqtë i vret me bukë në gojë. Ku ka ma keq se kaq. Ku ka degradim ma të madh se kaq.
Ah sa turp me qenë shqiptar!
Çifti çek, Michael dhe Anna i kishte thyer tabutë që thuhen për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Ata e kishin idealizuar Shqipërinë, e cila në fakt i ka të gjitha të mirat e botës. Shqipëria është një vend me burime të pashterëshme parajsore, ka liqej, ka lumenj, ka Alpe, ka dete, ka 300 ditë diellore në vit, dikur ka patur edhe shqiptarë !– E për këtë do të duhej të ishte destinacioni i parë për Europën. Në fakt është një destinacion i hequr nga harta e turizmit për europianët. Shtetet e tyre u thonë qytetarëve europianë, kujdes mos shkoni në Shqipëri, sepse atje jeta që e ka krijuar Zoti s’ka vlerë, e koka të ikën për një grusht eurosh.
Sipas World Tourism Organization, Italinë e vizitojnë në vit rreth 50 milionë turistë, Turqinë rreth 40 milionë, ndërsa Greqinë 22 milionë. Shqipëria s’ka statistika, sepse s’ka turizëm. Në Shqipëri mund të bujtnin të paktën 11 milionë turistë, me një kosto të paktën prej 7 miliardësh Euro në vit, sepse të ardhurat nga turizmi elitar e me kosto të ulët për Turqinë janë 40 miliardë Euro. Europa nuk e pranon Turqinë në BE, por Turqinë e ka si detinacion turistik për shtetasit e Europës. Ndërsa Shqipëria s’është askund ! Vetëm në statistikat për korrupsion arrin vendin e parë. Dhe për qytetarët e saj më të palumturit e Europës, të cilët rrinë indiferentë përpara kësaj katrahure!
Tani që Greqia është në krizë dhe kur me qindra mijra turistë në ditë anullojnë pushimet e tyre në Greqi, Shqipëria do të duhej të ishte destinacioni i tyre i ri dhe më i bukur. Sepse Shqipëria ka mirëpritur dhe mikpritur në prejhistori, ndërsa tani është kthyer në një destinacion të frikshëm, ku miqtë dhe dashamirët i vret.
Ah sa turp me qenë shqiptar.
Nëse del ndonjë kriziter të më bëjë moral, ose të më kërcënojë, sepse këtu ka degraduar burrnia shqiptare, unë s’do të ndalem dhe do të them prapë ah sa turp me qenë shqiptar !
Dhe kështu do të jetë deri kur shqiptarët dhe shteti amë t’i kthehet gjenezës, thelbit, ashtu si e ka krijuar Zoti, sepse vetëm duke iu rikthyer atyre vetive të ndritura që shkruhen në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kushtetutës të parë të kombit, veti që i nxjerr në pah një burrë i pashoq si Anton Çeta, ne do të na kthehet krenaria kombëtare. Sepse ne dikur jemi krenuar ! Jemi krenuar për burrni e nder, për fjalë, për besë e mikpritje, kur shqiptari e jepte edhe jetën e vet për të mbrojtur Mikun. Ndërsa tani krenaria jonë është vrarë kur shqiptari e vret Mikun, kur shqiptari i vret dy miq të shqiptarëve, siç ishin çifti i dashuruar Michal Svatos dhe Anna Kosinova, që si dy idealistë të marrë besonin se shqiptarët e kanë të shenjtë kultin e Mikut, të besës e të mikpritjes!
Oh sa turp me qenë shqiptar!
Ndërsa sa për shtetin shqiptar, as që bëhet fjalë, ai është cinik dhe mjeran dhe për pushtet vazhdon e shet nder e vlerë ! Prej këtu ka nisur degradimi!