Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi këtë të enjte se, shërbimet sekrete amerikane dhe zyrtarët e antiterrorizmit nuk kanë marrë ndonjë informacion specifik, të besueshëm, që sugjeron rrezikun e ndonjë sulmi terrorist kundër SHBA-ve. Megjithatë, ai ka thënë se amerikanët duhet të jenë vigjilentë gjatë sezonit të festave të fundvitit. “Nuk duhet të biem prè e frikës, apo të ndërrojmë mënyrën tonë të jetesës”, tha Obama gjatë një fjalimi përpara punonjësve të Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit. “Ne nuk duhet të terrorizohemi. Kemi triumfuar mbi kërcënime shumë herë më të mëdha sesa ky, ndaj dhe do të triumfojmë sërish”. Obama foli pasi ishte njoftuar nga stafi i tij për sigurinë kombëtare mbi nivelin aktual të kërcënimit, mbi përpjekjet për të luftuar grupet ekstremiste dhe propagandën jashtë vendit, si dhe hapat për të forcuar mbikëqyrjen e njerëzve që hyjnë në SHBA me viza. Ky është i dyti informim, që Shtëpia e Bardhë ka nënvizuar gjatë kësaj jave, teksa Presidenti Obama po përpiqet të sigurojë publikun, pas ngjarjeve që ndodhën në San Bernardino të Kalifornisë. Presidenti vizitoi gjithashtu Pentagonin gjatë së hënës për një përditësim të fundit mbi luftën e udhëhequr nga SHBA-të kundër grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Të enjten, Obama theksoi se ishte informuar mbi programin e vizave “K-1”, të cilën shfrytëzuan agresorët e San Bernardinos për të shkelur në tokën amerikane në korrik të vitit 2014. Tashfeen Malik mësohet të ketë kaluar kontrollet mbi formimin e saj si dhe intervistat e drejtpërdrejta, e megjithatë, kreu i FBI-së James Comey i ka thënë presidentit se, zyrtarët mendojnë që ajo ka qenë e radikalizuar përpara se të mbërrinte në SHBA. Malik dhe bashkëshorti i saj, Syed Farook i premtuan besnikëri njërit prej krerëve të Shtetit Islamik në Facebook, duke postuar në momentin që ndodhën edhe të shtënat me pasoja vdekjeprurëse. Obama tha se kërcënimi i terrorizmit është zhvilluar dhe tashmë përfshin edhe grupe më të vogla apo individë, duke e bërë kapjen e tyre shumë më të vështirë. Megjithatë, SHBA-të kanë ndryshuar dhe kanë perfeksionuar vazhdimisht “lojën e tyre” për të qenë në të njëjtën linjë me kërcënimet. Ai tha se Amerika është fokusuar në 3 fusha: të përndjekë terroristët jashtë vendit; të punojë për të parandaluar futjen e tyre në vend; si dhe të përforcojë marrëdhëniet mes autoriteteve ligjzbatuese, komuniteteve lokale dhe sektorit teknologjik për të parandaluar sulmet në vend. Por, “ne duhet të mbetemi vigjilentë”, përfundoi ai.