Ilir Levonja-Florida/
Dje në mbrëmje, ndërsa shfletoja faqet e The Daily Caller (Të rejat nga dita) në internet. Erdhi si lajmi më i fundit deklarata e presidentit Obama, në lidhje me pozitat e Shteteve të Bashkuara midis vendeve të tjera në botë. Përfshi këtu jo vetëm ato me potencial ekonomik dhe ushtarak. Por edhe të vegjlit, që ndahen në miq dhe partnerë, etj.
Midis të tjerave ai ngriti si trofe, fundin e luftës në Irak dhe Afganistan. Lidhjet e saposhme me Kubën e vëllezërve Kastro. Si dhe fundin e ankthit të armatimit bërthamor me Iranin. Fjalë për fjalë Obama tha: ”Nën qeverisjen time Amerika u bë vëndi më i respektuar në botë”.
Titulli i parë që u përhap qe, këputja president. Çfarëdo që të thuash ne të besojmë. Një ironi e hidhët. Mbasandaj me mijra komente. Njerëzit ishin të indinjuar. I tërhiqnin veshin. Komentet shoheshin vrullshëm. Shifra rritej, rende. Pjesa më e madhe quanin jo vetëm politikan të dështuar, por edhe aktor komik i dështuar.
Megjithatë kur vjen momenti final, këta njerëz votojnë të qetë. Këta burra shteti ndërrohen plot respekt. Vendi mban frymën. I respekton.
1)Nuk kam një njohje të thellë për sa Obama premtoi dhe sa arriti. Por nga kontaktet me njerëzit, ndiej efektin e një zhgënjimi të madh në raport me ardhjen në pushtet të tij. Ato vite djali nga Hau’ai, u bë një lloj simboli i njeriut që do bënte realitet Eldoradon e Perëndimit. Sidomos në politikat sociale, përkrahja dhe siguracionet shëndetësore etj. Kjo sapo ka filluar të aplikohet. I bie plot 6 vjet më pas nga fushata e dimrit të 2009-ës.
Por ai qe dhe një risi, madje një ëndërr e njerëzve me ngjyrë për të patur një president nga soji i tyre.
Atë kohë vendi vinte si i demoralizuar nga kriza ekonomike e 2008-ës. Kështu në atë dimër vërtet të ftohtë, ai u bë një mesie. Dhe disa politika sociale, apo edhe ekonomike dhanë efektet e duhura. Si lëvrimi i kreditimit duke simuluar blerësit, në marrëdhënie me bankat.
Por ashtu si në mjeksi, efekti anësor i ilaçeve, edhe këto reforma kanë sjellë disa pasoja. Më e përfolura, stimulimi kartave ushqimore tek njerëzit me të ardhura të pakta. Ku pjesa dërmuese e tyre përbëhen nga njerëz që nuk duan të punojnë. Nga femra, qofshin me ngjyrë apo pa ngjyrë, që krijojnë familje me shumë fëmijë dhe baballarë të ndryshëm. Kjo për të përfitur. Të drejta studimi, qera të ulëta dhe kujdestari etj. Gjen me shumicë gjyshe tridhjetë e pesë vjeçare. Dhe njëzetë vjeçare me dy fëmijë apo tre fëmijë. Vetëm për të përfituar nga këto të ardhura nga ndihma sociale. Ku sipas shumë njerëzve, konsiderohet si degradimit i vatrës familjare amerikane. Shpesh plot nga të njohurit, tregojnë raste kur mblidhen në ndonjë event familjar, babai i motrës së madhe, babai djalit dhe burri i radhës. Madje, ky i djalit të lidhet me shoqen e vajzës së babait tjetër.
Shkurt, Obama me politikat e tij, nuk i parandaloi. Por i simuloi.
2)Për sa i përket politikës së jashtme, mbarimit të luftës në Irak apo Afganistan. Lidhjet me Kubën. Ka akoma më shumë indinjatë.
E para, për faktin se disa mendojnë se tërheqja nga lindja e mesme, nuk dha rezultatin e pritshëm. Sot Iraku është një shtet i pastabilizuar. I paftë të qeveriset. Po ashtu Afganistani. Lindi konflikti sirian, pranvera arabe apo dhe së fundi Isis.
Pra mbarimi i luftës, që në fakt ishte tërheqja e trupave nga andej, nuk solli pritshmërinë e duhur.
E dyta. Kina sapo i tregoi forcën në detet rreth saj. Me Moskën marrëdhëniet janë të ngrira për efekt të ndërhyrjes në influencën ruse. Konflikti i Ukrainës. Strehimi që i dha Eduard Snouden-it. Njeriut që nxorri të dhënat kompjuterike etj.
Kuba nuk është asgjë tjetër veç një legjitim për ata kubanezë që jetojnë këtu,të privuar nga regjimi komunist. Një lëshim i Guantanamos. Apo hapja e portave nga Raul Kastro do të shtojë prurjet e refugjatëve. Kubës i ka vajtur atje ku nuk mban më.
Madje shumë e konsiderojnë si një lëvizje të padobishme edhe për faktin se duket sikur po ndihmojnë vëllezërit Kastro, nga një largim i butë prej pushtetit.
Si përmbledhje e të gjithë kësaj vërshime komentesh e ironish të hidhta. Eshtë retorika e Obamës ajo që nuk u pëlqen njerëzve. Për ta realiteti nuk është ai që thotë Presidenti.
Ndjesia njerëzore nuk është ajo. Amerikanët ndihen të zhgënjyer. Dhe kanë filluar të thërrasin bufon. Butaforik. Qënie e komanduar skenike. Jo mesia me ngjyrë që i ngriti më këmbë.
Pra ata, nuk ndihen të respektuar. Për rrjedhojë as Amerika.
3)Si shqiptar mua gjithmonë më vete mëndja në vendin tim. Bëj krahasime. Përfytyroj. Madje i frymëzuar nga një kalim pushteti. Nga një debat televiziv, nga mënyra se si bëhet fushata. Si flasin kundërshtarët me njëri-tjetrin. Hidhem ëndërrues edhe në vendin tim. U kam shkruar personalisht edhe pushtetarëve aty se si të ndërrojnë pushtetin. I shkruajta Berishës që të priste Ramën tek dera e Kryeministrisë. Pasi gjykoja, gjykoj edhe sot se ai vend ka nevojë tashmë për një risi në politikë bërje. Po gjithmonë mbeta naivi. Ai që nuk e kupton se çfarë është komunikimi ndër kundërshtarë në politikë.
Madje nuk shoh as reagime të tipit Daily Caller. Ku njerëzit t’i kujtojnë politikanëve se ku dallon retorika nga realiteti. Nga jeta e tyre. Por aty ka vetëm thirrje e lavdi. Rroftë, pa pushim. Rroftë përjetësisht. Ka manovra se si të marrim edhe Lefterinë e të japim Blushin. Si të përplasim dy kuksianë demokratë, për një kryqëzim në dalje të Tiranës.
Nxjerrja nga arkivat e ndonjë fotoje me një të burgosur. Kilet e Nanos në tragetin e liqenit të Fierzës.
Në ato pak sekuenca vizive fushate. Dominon retorika e ndërsimit të turmës me turmën. Marrja nëpër gojë e kundërshtarit, me mllefin e shpirtit, jo planet konkrete. Se si të dali nga depresioni vendi i ”lulëzuar” i Edi Ramës. Një retorikë e tillë si ajo e ditës së diel në Vlorë. Përpara…, një grupi simpatizantëve, jo popullit. Kuvajti, do na japi miliarda. Dhe ky djali këtu, di si t’i kollondrisi.
Po frymëzojmë një popull me ndjesinë e pritjes. Për para kredish, para të dhuruara. Me pritjen e një shiu parash nga qielli. Por më e keqja, me pasionin për të shpërfytyruar njëri-tjetrin. Të bindur se kështu bëjmë reforma.