Edi Rama ka përfunduar vizitën në Shtetet e Bashkuara me takimin me zv.presidentin Baiden dhe Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Obama ka thyer protokollin dhe ka marrë kryeministrin shqiptar në Zyrën Ovale.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë i kryeministrit Edi Rama dhe delegacionit që e shoqëron është fundi i një vizite historike jo thjesht për faktin se bëhet në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe në fund të një serie takimesh të rëndësishme që kreu i ekzekutivit pati në Nju Jork dhe në Uashington.
Sigurisht që axhenda ka qenë e rëndësishme në takimin me zv.Presidentin Joe Biden për katër minuta dhe më pas për 40 minuta të tjerë me Presidentin Barack Obama.
Çështjet e sigurisë, për shkak se Shqipëria shikohet si një investim strategjik i Shteteve të Bashkuara, por edhe çështje konkrete si reforma në drejtësi, Byroja Kombëtare, Samiti i NATO-s në korrik në Varshavë, kriza e refugjatëve për të cilën Edi Rama ka pasur një qëndrim deri diku kontraversial, por padyshim edhe çështje të tjera të rëndësishme siç janë investimet e mëdh a strategjike amerikane si TAP-i dhe çështje të tjera.
Kjo vizitë vjen edhe në një moment kur së paku Donald Trump po fiton mbështetjen e republikanëve dhe Edi Rama, vetëm 24 orë më parë këtu në CNN, e bëri të qartë që ky do të ishte një investim i gabuar i shtetasve amerikanë.
Rama takim me Obamën dhe Biden: Vlerësohet mësimi i fesë në shkollë
Shqipëria është duke marrë gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm në rajon dhe kjo shihet me pozitivitet nga partnerët ndërkombëtar.
Këtë tha Kryeministri Edi Rama në përfundim të takimit me Presidentin Obama dhe Zv/Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, takim i cili zgjati rreth 50 minuta.
Kryeministri u shpreh për VOA se takimi zgjati më shumë se çfarë ishte parashikuar.
“Fjalët ishin të mira për vendin tonë. Shqipëria po merr një rol të rëndësishëm në rajon dhe dinamika e politikës së jashtme ka sjellë një këndvështrim të ri të partnerëve karshi nesh”, theksoi Rama.
Ai bëri të ditur se Shtëpia e Bardhë e ka pritur mirë implementimin e mësimit të fesë në shkollë.
“Bashkëjetesa fetare duhet promovuar. Ajo është thelb i një shoqërie moderne. Presidenti u interesua me shumë dëshirë dhe me entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për ti dhënë të rinjve, instrumentin e domosdoshëm për të mos rënë pre e propagandës esktremiste. Qendra rajonale kundër ekstremizmit do të ngrihet dhe ka marrë mbështetjen Amerikane dhe të USAID. Nuk është program që prek vetëm shkollat por ajo prek të gjitha sferat e jetës për të promovuar bashkëjetesën fetare”, tha Rama.
Ai shtoi se këtë bashkëjetesë fetare që ka vendi ynë, të rinjtë nuk duhet ta marrin si të mirëqënë, por duhet të “luftojnë” për ta mbajtur.
Duke folur për reformën në drejtësi, kryeministri Rama u shpreh se ajo duhet të ishte miratuar. “Praktikisht ajo është gati. Nuk dua të flas për opozitën në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, por kjo puna e mos votimit është pjesë e simulimeve që po bënë opozita.
Ka pasur shumë simulime, si ato të njerëzve kur nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport falso për të penguar proçesin. Sidoqotë reforma do të kalojë dhe jam besimplotë, që cila do pal ka kuptuar thelbin, se kush identifikohet si thelbi reformës dhe rëndësia që ajo ka për vendin”, vijoi Rama.
Kryeministri vendit, gjithashtu njoftoi se Zv/Presidenti Amerikan Biden do të pres në një vizitë zyrtare Presidentin e ri të Kosovës, Hashim Thaçin, teksa në lidhje me vizitën e tij në SHBA, Rama bëri të ditur se takimi i radhës ishte me drejtues të FBI-së, në kuadër të bashkëpunimit me këtë institucion. “Do të ketë një marrëveshje bashkëpunimi me FBI-në. Kjo do të jetë një ndihmë e rëndësishme për të marrë në aspektin hetimor”, vlerësoi Kryeministri vendit./ATSH