Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së; eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA; për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë; për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë/
-Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett: Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend/
PRISHTINË, 31 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ndau mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë, si vlerësim për kompanitë që në mënyrë aktive kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, tha se njëra ndër detyrat e cilitdo Ambasador Amerikan është të ndihmojë bizneset amerikane që të zgjerohen anembanë globit dhe kjo është kruciale për SHBA-në sepse krijon vende të punës dhe prosperitet në shtëpi, ofron produkte cilësore në treg, si dhe siguron rritje të qëndrueshme. Ambasadori Kosnett tha se Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend.
Më tej, në fjalimin e tij, Ambasadori Kosnett tha: “Për momentin, rritja sillet rreth 4%. Kjo mund të tingëllojë mbresëlënëse, mirëpo Kosova prodhon për kokë banori vetëm rreth një të dhjetën e mesatares së Evropës. Kjo do të thotë se për të arritur trendin e rritjes në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 8% në vit për 30 vitet e ardhshme. Kosovës i nevojitet një ekspansion i sektorit privat për të realizuar këtë synim, ndërsa qeveria duhet të jetë më serioze në mbështetjen e sektorit privat. Është e rëndësishme që, pavarësisht formës së qeverisë së ardhshme, ajo duhet të jetë e përkushtuar për veprime konkrete për rritjen e fleksibilitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat të Kosovës. Që bizneset të mund të mbijetojnë, Qeveria duhet të zvogëlojë korrupsionin dhe të promovojë standardet profesionale në qeveri, biznes dhe edukim.”
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi pozitivisht për Kosovën rritjen e pranisë së brendeve dhe kompanive amerikane në Kosovë, gjë për të cilën Oda Amerikane angazhohet në vazhdimësi.
“Jemi mbledhur për të dhënë mirënjohje kompanive anëtare të Odës Amerikane, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe për kontributin e tyre në rritjen ekonomike të vendit, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të punës, dhe mbi të gjitha për ofrimin e shpresës për njerëzit e këtij vendi,” tha Zeka.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie në fusha të ndryshme, mirëpo marrëdhëniet ekonomike janë më të mirat dhe më të fuqishmet. Prandaj, Ibrahimi shtoi se misioni i Odës Amerikane për këtë vit dhe vitet e tjera mbetet fuqizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe bizneset janë ato të cilat e bëjnë këtë të mundur.
Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së (Elkos, Fluidi, Allmakes Global Services, Meridian Corporation dhe Delfin Ltd); eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA (Stonecastle Vineyards & Winery, Devolli Corporation dhe Kosbit); për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë (Coca Cola HBC, Microsoft, Cisco, Contour Global, Gjirafa inc., Grant Thornton, Deloitte, Ingram Micro, Sutherland, Fingermarket, Finca, Prosperoware, KAN – Kentucky Fried Chicken, Balkan Foods – Burger King, American Hospital, Brovina – Hertz, Auto trade – Avis, Ford Kosova Motors, KCC – TNT & Fedex, Teknoxgroup – Caterpillar, Unioni Financiar – Western Union, Vllesa Co – RIA, Capital – RIA, Art House – Xerox, Komtel – General Electrics dhe Melita & partners – Intuit); si dhe krejt në fund për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë (Kosovo American Education Fund, R.I.T. Kosovo, American School of Kosova.)/b.j/