“A jemi gati për MSA?”/
PRISHTINË, 10 Nëntor 2015-B.Jashari/ Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor në Strasburg mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës është me përfitime të shumta për ekonominë e vendit, por nevojitet angazhim më i madh i institucioneve kosovare për zbatimin e mirëfilltë të saj, u theksua sot në një konferencë në Prishtinë.
“MSA mund t’i sjellë përfitime të shumta bizneseve dhe ekonomisë kosovare, por megjithatë shteti i Kosovës mund të mos jetë i gatshëm plotësisht për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje. Që zbatimi i plotë të ndodhë është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë i institucioneve publike dhe sektorit privat me qëllim të përshpejtimit të reformave ligjore dhe institucionale në përputhje me kërkesat që dalin nga MSA dhe kërkesat e tjera në rrugën e integrimit evropian të Kosovës”, janë konkluzionet e konferencës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titull “A jemi gati për MSA?”.
Në konferencë diskutimet u zhvilluan në tre panele për temat: “Pronësia Intelektuale dhe Industriale”, “Prokurimi Publik dhe Konkurrenca”, si dhe “Tregtia”.
Në diskutime u shpreh shqetësim lidhur me kapacitetet e kufizuara njerëzore që pamundësojnë zbatimin e duhur të legjislacionit në fuqi në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe industriale, por edhe për vonesën në funksionalizimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si një trup jashtëzakonisht i rëndësishëm në garantimin e zbatimit të plotë të konkurrencës së drejtë në vend.
Një konkluzion i përgjithshëm i konferencës është se, për përmirësim të fushave në të cilat momentalisht bizneset përballen me shumë probleme, është më se e domosdoshme rritja e efikasitetit të gjyqësorit kosovar.
Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, i publikuar sot, ka vlerësuar tre të arritura kryesore, mes të cilave është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.