ARTISTJA, SHKRIMTARJA ODETA XHEKA FLET PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI
Piktorja Odeta Xheka rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, procesin e të krijuarit si edukim përmes shkrimit dhe pikturës. Me artisten Odeta Xheka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI
Krijoj e ripunoj punë në një përpjekje vargan të gjatë me veten ndër vite për të mos humbur atë vetinë speciale të të perceptuarit të botës si një vend ku arti është domosdoshmëri e artisti është i mbrojtur nga cinicizmi neoliberal. E megjithatë, nëse dikush do të më pyes se ç’më nxit që të mbaj gjallë vrullin e krijimit ne formën që kam zgjedhur, përgjigja s’është e vështirë për t’u gjetur. Së pari, është fakti që dashur pa dashur, herë shpeshtazi e herë pas një periudhe të gjatë monotonie krijuese, e gjej veten duke krijuar forma të reja e ngjyrime të brishta që më shumë se çdo formë tjetër i japin zë gëzimeve, shqetësime, mërzive, dëshpërimeve të mia. Së dyti, sado të ndryshme të jenë punët, përsëri është një element i brendshëm unik që i lidh të gjitha këto pune e i bën të afta të formojnë një sistem të mirëfilltë komunikimi. E së treti, ngjyra është ajo ç’ka depërton gjithçka, zhbiron detajet më të vogla e pushton hapësirat më të mëdha – ngjyrimi i jep jetë mendimit, si në kuptimin figurativ ashtu edhe atë parësor. Për vetë faktin që arti im është e përditshmja ime, vetvetiu çdo punë shëmbëllen njëfarëlloj stadin tim momental. Rrjedhimisht, ajo çka synoj, së paku në fazën e tanishme të krijimtarisë, është krijimi i një marrëdhënie të pastër (flawless) midis lehtësisë fluturake të mundanes e peshës së hekurt të eternes. Qartazi, koha, eksperiencat private e profesionale, realiteti i dyzuar që jetoj, pështjellimi i kulturave ndërkontinentale etj, në të njëjtën masë që më mbërthejnë e më shtrëngojnë në darrën e përditshmërisë prozaike po aq më shërbejnë edhe si burime shtojcë për të eksploruar ndjesi intime. Kujdes, kur flas për bërthamën emotive të realitetit, kulmin e ngrehinës sime artistike, nuk duhet nënkuptuar një nocion romantik i dalëkohe por një orvatje themeltare për të krijuar njw urë-lidhje midis mundanes fluturake e së përjetshmes peshërëndë.
CILËT ARTISTE APO RRYMA ARTISTIKE PËRFSHIN NDËR INFLUENCAT KRYESORE?
Ndërkohë që artistët kontemporanë si Julie Mehretu, Sheila Hicks, William Kentridge, Gunther Forg, Albert Oehlen, Cecily Brown dhe Adrian Ghenie influencojnë drejpërdrejtë konceptin tim mbi artin, punët e mia kanë të tjera pika referimi: Henry Matisse është “i pranishëm” nëpërmjet balancimit të nuancave ngjyrore brenda llojit, Jay DeFeo nëpërmjet ashpërsisë së materialeve të përzgjedhur, Jean-Baptiste-Simeon Chardin nëpërmjet të konceptuarit të punës si nje sistem i mbyllur referimi -a world of infinite durability- ç’ka e bën edhe më të natyrshme sintezën e kanavacës në arenën ku bota e jashtme puqet me të brëndshmen, intimen, emocionalen nën ndikimin e Edward Hopper në mënyrë që më së fundmi të mbërrij, frymëzuar nga Joseph Cornell, në të tërën (punën e përfunduar) që mirëpret çdo grimcë associacioni poetik.
Ndoshta kundër rrymes, por në një moment artistik (post modern) kur psiko-analiza e analiza sociale janë mënyra më e sigurt për të interpretuar artin e sotëm, une insistoj që arti im të mtoj bukurinë; jo bukurinë ideale të papërkufizueshme, por atë bukuri të qashtër e të gjithëgjendshme që Lui Aragon e kthen në poezi:
Ai, që në Zotin besonte
E ky, që na ishte pafe
Secili të bukrën e donte
Q’ robinë e ushtare qe.
Me fjalë të tjera, nëse detyra ime si artiste nuk është krijimi i së bukurës e domosdoshmëria e përcimit të së vërtetës emocionale, atëherë ç’vlerë ka të qenët artiste? Më pëlqen ta sqaroj më tej këtë qëndrim nëpërmjet fjalëve të Ragnar Kjartasson (performance artist islandez): “… vepra e artit bëhet skena në të cilën instikti i hershëm i hunter-gatherer mbizotëron… ngjyrat, kompozimi, kujtimet, përjetimet sheshohen në mendje e shpirt në mënyrë të tillë që çdo refleksion a meditim merr trajtë përmes imazhit artistik që mton një eksperiencë estetike të mirefilltë”. Gjithçka tjetër është politikë ose teater. E artisti nuk është kameleon politike, aq më pak aktor me shumë petka. Përkundrazi!
VEPRA, SUBJEKTI, KONCEPTI, MESAZHI
Për të ndjerë një lidhje të ngushtë me kanavacen unë ngutem ta kthej atë në një pjesë integrale të veprës së përfunduar duke ndërkallur materiale jo domosdoshmërisht “artistike” por të tillë që i shtojnë një dimension të rëndësishëm balancës së arritur permes ngjyrave. Qëllimi im është që të kthej kanavacën në një objekt-bizhu të aftë të zbuloj bukurinë sensuale edhe mes prozaizmit. I manipuloj punët në kërkim të një lidhjeje të menjëhershme me audiencë, në të njëjtën kohë që eksploroj përdorimin e mediumeve të ndryshme e aftesinë e secilit element artistik për të bashkë ekzistuar. Ndërkohë që krijoj, koncepti është primar por jo në kurriz të ngjyrave (prej ku buron poetika e gjithë krijimtarisë) dhe materialeve/medium (prej ku buron veçoria specifike e secilës punë). Kjo zgjedhje stilistikore shpesh edhe me të padrejtë përkthehet vetëm në “vlerë estetike”. www.odetaxhekavisuals.com. Në këtë këndvështrim, punët e mia janë “veç të bukura” ose, thënë ndryshe, jo mjaftueshëm të angazhuara apo kritikë ndaj sistemit. Kjo s’është e rastësishme. Siç e kam thënë edhe tjetërkund, artisti nuk është politikan e nuk bën teater. Pretendimet për social redemption apo rilindje (një term që në gjuhën shqipe vitet e fundit vjen i ngarkuar me një mori reagimesh pro e kundër) nuk janë një vlerë e shtuar nëse jane shtegu i vetëm për të kuptuar e vlerësuar një vepër arti. Në këtë kuptim, qëndrimi im mbështetet (teorikisht) nga Michael Fried, kritik arti i cili ngurron ta karakterizoj artin (veprën) si një event. Sipas tij, nëse kjo ndodh në sytë e artdashësve, vepra nuk përfaqson më një krijim artistikë të mëvetshëm por shndërrohet në emblemën e një konteksti specifik kulturor/social, gjë që automatikisht e vendos atë në raport të drejtpërdrejtë me kushtet socio-historike ku e kur është krijuar e në raport tangencial, për të mos thënë të munguar, me vlerat artistike që janë vetë bërthama e aktit krijues.
ÇFARË DO TË THOTË TË EDUKOSH PËRMES ARTIT?
Nuk jam partizane e idesë se një ndër detyrat kryesore të artit është edukimi i masave (apo edhe i individit). Sigurisht që një vepër arti përmes stilit, medium-it dhe artistit flet edhe për kohën e kushtet kur është krijuar por thënë me një rresht (shkëputur nga libri Optic Nerve): “Arti gëlon mes asaj ç’ka është estetikisht e pëlqyeshme e asaj ç’ka mbërthen imagjinatën”, jo ndër udhëkryqe rrugësh qartërsisht të përkufizuara. Aftësia (e vetmja që i perket tërësisht botës së krjuesit) për të hapur shtigje të reja imagjinate është ajo ç’ka e veçon dhe ndoshta e bën të përjetshëm artin.
PËRMES ARTIT DHE LIBRIT TUAJ PËR FËMIJE, SA IA KENI ARRITUR TË ZHVILLONI AFTËSITË KRIJUESE DHE ZHVILLUESE TE FËMIJËT?
Librat për fëmijë duhet të ofrojnë një përshkrim të vërtetë të realitetit edhe pse kjo gjini përgjithsisht promovon një botëkuptim pozitiv e të thjeshtësuar të jetës. Here Comes Ingo është përpjekja ime e ndershme (parimore) si artiste e si prind i dy fëmijeve tu jap lexuesve të vegjël një sërë “veglash” që do t’u shërbejnë në të ardhmen për të luftuar mungesën e tolerancës që vjen nga mosnjohja e asaj ç’ka shfaqet ndryshe. Nga faqja në faqe, fëmijët priten të mos hutohen a frikësohen nga ajo që fillimisht shfaqet si një situatë e papritur (një peshkaqen që ha cupcakes) apo e panjohur (një ujk me ngjyrat e ylberit mbi kurrizin e të cilit ka mëshuar një ushtri milingonash). Përkundrazi, nën shembullin e Ingo, macaw/papagalli protagonist, ata inkurajohen të mbështeten në aftesitë e tyre zhbiruese për tu familiarizuar në fund me atë ç’ka në fillim ishte e huaj, në mënyrë që të bëjnë të tyren një mendësi tolerante të bazuar në mirësi. Po kaq me rëndësi, aventurat e Ingos jo vetëm i ftojnë fëmijët të arrijnë në përfundime vetjake se çfarë po ndodh nga ilustrimi në ilustrim, ç’po mendojnë, ndjejnë, perjetojnë a rrezikojnë personazhet por edhe të bëhen bashkëautorë e bashkë ilustrues duke shkruar, vizatuar, ngjyrosur drejt e në faqet e librit. Një ndër mënyrat më të mira per tu mësuar fëmijëve ndjeshmëri/empati e tolerancë është tu lihet dorë e lirë të shfaqin botën e tyre të brendshme pa frikë e ndrojtje. Fëmijë, prindër, gjysher dhe dado janë të mirëpritur ta bëjnë librin pjesë të lojërave të tyre kur kalojnë kohë së bashku duke treguar e ritreguar historinë e Ingos, çdo herë në një formë të re. Mëse i përshtatshëm për femijë të moshës parashkollore e fillore (grupmosha 4-8 vjec), ky liber është i duhuri edhe për mësueset e kopshtit e klasës së parë e të dytë të cilat janë vazhdimisht në kërkim të metodës ideale për të shtjelluar sekretet e comprehension (shihe këtë ilustrim – çfarë po ndodh?), predicting (çfarë mendon se do të ndodh më pas?), inferring (përse mendon kështu?), reasoning (c’mendon se ndodhi?) dhe sequencing (çfarë ndodh në fillim? Po më pas? Në fund?). Libri plotësohet me një seri nursery art prints me të cilat ndan jo vetëm personazhet por edhe gjallërinë e ngjyrave që i fton të vegjlit t’i japin krahë imagjinatës.
ANGAZHIMET PROFESIONALE TË ARTISTES XHEKA
Kam ideuar e drejtuar një workshop përjavorë pranë Il Centro, FIAO ku pjesëmarrësit familjarizohen me elementë të visual literacy në përputhje me National Core Standards dhe angazhohen me eksperienca krijuese open-ended duke përdorur librin Here Comes Ingo si shkëndijën fillestare. Gjithashtu, mirëmbaj blogun Have Child, Need Art ku shkruaj për influencën e artit përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme. Disi në mënyrë më sporadike, por jo të lënë pas dore, botoj edhe shkrime (Literary Mama Magazine, Mutha Magazine, The TodayShow Parenting, etj) mbi shumë dimensionalitetin e mëmësisë. Kurdo mundem, nëpërmjet artit tim jam e pranishme edhe në përpjekjet për të grumbulluar fonde të organizatave të tilla si ArtWorks, The Naomi Cohain Foundation, ArtAccess Brooklyn Art Council, Federation of Italian American Organizations, dhe Albanian American Women Organization.