Nga Kristaq BALLI
Gjatë dekadave të para të shek. XX tabloja e jetës shoqërore e veçanërisht asaj kulturore e artistike në Korçë, si rrallë në ndonjë trevë tjetër shqiptare, karakterizohej nga tipare zhvillimi, emancipimi e përparimi dinamik. Korça e shkollave shqipe e të huaja, prania e disa forcave ushtarake të instaluara aty në kuadrin e përfundimit të Luftës I Botërore (franceze, austriake, greke), veprimtaria e një elite biznesmenësh e intelektualësh të rinj të studiuar, të kulturuar e të kultivuar në emgracion (Rumani, Bullgari, Greqi, Egjipt e SHBA) që sillnin, krahas të tjerash, edhe reflekset progresive të një jete shpirtërore më të avancuar, por edhe terreni e mjedisi ”pjellor” urban e qytetar që e pranonte, e asimilonte dhe e reflektonte sakaq këtë farë mbrodhësie e kishin shndrruar atë në një qendër kulturore “kozmopolite” për kohën.
Në këtë kontekst ardhja e Bandës Vatra, në pranverën e vitit 1920 dhe themelimi i Shoqërisë së Arteve të Bukura në Korçë në fund të këtij viti, konotacioni i të cilave ishte tërësisht patriotik e kulturor i dha edhe një impuls më të fortë e më masiv përhapjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në këto lëvizje kulturore e artistike gjithëpërfshirëse e pa dallim besimi fetar, gjinie, apo ideje që, bashkë me rrezatimin e një atmosfere të gjallë e të larmishme shpirtërore e qytetare induktonin edhe ndjenja patriotizmi kombëtar. S’ka dyshim se promotor dhe prijës i këtyre organizimeve kulturore e artistike që përfshinin kryesisht muzikën, teatrin e ngjarjet festive me karakter atdhetar e qytetar u bë Thoma Nassi, muzikanti i parë profesionist shqiptar, një autoritet epror muzikor, organizuesi dhe drejtuesi i formacioneve të shumta orkestrore e korale në SHBA dhe Shqipëri (midis të tjerash edhe i Bandës Kombëtare Vatra), kompozitori dhe përpunuesi i këngëve lirike, patriotike, këngëve karakteristike korçare, serenatave e folkut (shpesh anonim) me një kumbim e ngjyrim autokton, teoricieni, muzikologu, eruditi dhe profesori kontemporan, prurësi, interpretuesi dhe pomovuesi i parë i muzikës klasike të huaj elitare në Shqipëri, i ballove, ekskursioneve dhe festivaleve, krijuesi dhe drejtuesi i shkollave e kulturës muzikore, regjistruesi diskografik i këngëve dhe melodive shqiptare, drejtuesi i parë i Shoqërisë së Arteve të Bukura që u bë organizata gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës qytetare në Korçë, etj., pra personaliteti më emblematik muzikor e pikë reference në Historinë e Muzikës Shqiptare (Shih: Eno Koço: “Kënga lirike qytetare Shqiptare në vitet 30”, 2002 “Korçare Distinctive Songs”, Kristaq Balli: “Thoma Nassi-Portreti mediatik”, 2006, Pandi Bello:”Lëvizja muzikore në Korçë në fund të shek XIX deri në çlrimin e vendit”, 1987, Zhuliana Jorganxhi:”Kur shpirti këndon, Gaqo Jorganxhi”, 2005, Kristaq Ll. Jorgji: “Veprimtaria atdhetare dhe muzikore e Thoma Nassit”, 2000, “Banda Kombëtare Vatra”, 1995, Youry Arbatsky: “The music in Albania” 1939, Fori Spiro Tërpini: Korça vatër e artit dhe kulturës shqiptare”, 2002, Vasil Ballauri: “Një dritare e Historisë së muzikës së Korçës”, 2002, Edith Durham: “The Burden of Balkans”, 1905, Taqi Dhimitër Fundo: “Disa shënime dhe kujtime mbi muzikën në Korçë”, gazetat “Shqiptari i Amerikës”, “Gazet’ e Korçës”, “Koha”, “Iliria”, “Jet’ e Re”, “Zëri i Korçës”, “Mbleta”, ”Gazeta Shqiptare”, 1935, “Shkëndija”, “Bota”, “Drita”, “Dielli”, “Shekulli i Ri”, etj.,etj….).
Por, sigurisht, prestigji dhe gjurmët e pashlyeshme që Thoma Nassi la në truallin e kulturës muzikore shqiptare nuk do të ishin aq të thella e të qëndrueshme, në se ai do të kishte punuar e krijuar në një mjedis e atmosferë shterpë, vakum, pa një terren të parapërgatitur, pa një kulturë e traditë të kultivuar paraprakisht, ndonëse shpesh diletante e folklorike dhe, sidomos, pa bashkëpunëtorët e tij po aq të aftë, të talenutar e të pasionuar, atdhetarë, organizues e artistë të mëdhenj (të cilëve ai shpesh ia u dedikon edhe kënaqësinë e suksesit, masivitetit dhe atmosferës elktrizuese kulturore në Korçë), si Sotir Papahristo, Sokrat e Vangjush Mio, Kristaq Mitace, Mihal Ciko, Sotir Sugari, Vasil Antoniu, madje edhe profesorët francezë të Liceut si Rolandi, apo çifti Leglizi dhe më në fund të asaj aradhe të madhe të rinjsh të pasionuar pas artit kryesisht atij muzikor, insrumentistë, këngëtarë, aktorë që, më shumë se talentin e mjeshtërinë, kishin dëshirën e pasionin për t’u aktivizuar, për t’u kulturuar, për të krijuar e mbajtur gjallë një atmosferë tradicionale kulturore të vijueshme, por edhe me një kumbim të hapur patriotik. Pra, në pranverën e vitit 1920 Thoma Nassi me Bandën Vatra, të inkuadruar në grupin e vullnetarëve të Federatës Panshqiptare “Vatra”, në ndihmë të kauzës për çlirimin e trojeve shqiptare nga të huajt mbërritën nga SHBA (Boston) në atdhe. Në atë kohë Th. Nassi, 28 vjeç, i diplomuar në Konservatorin e New England, Boston, i sapoliruar nga ushtria amerikane (ku shërbeu si instrumentist e dirigjent), ishte i martuar (më 1918) dhe kishte një djalë, Albertin disa muajsh si dhe prisnin lindjen e një fëmije tjetër pas disa muajsh. Kjo ishte situata shumë delikate dhe e vështirë familjare e tij para vendimit për të ardhur, apo jo në Shqipëri. Por dilemën e vendimit të tij që do të shënonte njëheresh edhe fillimin e një faze të ndritur e përcaktuese të jetës artistike, ai e shpjegon vetë në “Ligjëratën në Organizatën e studentëve shqiptaro-amerikanë të Universitetit të Harwardit, në vitin 1960”, ku shprehet: “…nuk do të ishte normale që ta lija bashkëshorten time shumë të re në këtë situatë, por, meqë banda nuk mund të shkonte pa një drejtues – dhe unë isha i vetmi njeri i përshtatshëm – pëfundimisht vendosa të marr pjesë”. Në Tetor 1920 ndërsa Th. Nassi jetonte e punonte tashmë në Korçë, në SHBA i lindi fëmija i dytë, kësaj here një vajzë, Madalena. Një vendim tjetër po aq i rëndë e i vështirë për gruan e fëmijët e tij motakë, pra për t’i tërhequr edhe ata në Korçë do ta afektonte e ngrohte vatrën e familjes. Ai do të kishte pranë fëmijët dhe bashkëshoren e tij të re 18 vjeçare. Si dukej ëndërronte dhe kishte parashikuar një qëndrim e veprimtari të gjatë në qytetin e tij. Prania e saj do të ishte për të mikja, kolegja, partnerja dhe bashkëpunëtorja më e afërt e të gjitha projekteve të tij muzikore, ajo që do t’i jepte shkëlqimin, kumbimin e aromën e brishtë femërore muzikës e mentalitetit të ri social në qytet. Ajo quhej Olympia Nassi (Olimbia Berishi Tsika Nassi, 1902-1999), e lindur, ashtu si edhe Thoma Nassi, në Dardhë të Korçës dhe e emigruar në rrethinat e Bostonit, SHBA më 1916. Me prirje e vesh muzikor të lindur, ajo mori mësime fillimsht nga Thoma Nassi e më tej në një shkollë muzikore në Brocton,Mass, ku mësoi pianon dhe kitarën. Gjithashtu, këndonte shumë bukur. Shoqërimi me Thoma Nassin kishte qenë tundues e përcaktues i jetës së tyre. Shigjetat e praruara të erosit kishin shenjuar në të njëjtën fole. Përfundimisht, më 1918, kur Olimpia ishte 16 vjeç, ata u lidhën me bekim përjetë. Pas dy vitesh, pra më 1920 kishin lindur dy fëmijë, Albertin dhe Madalenën. Dokumentet dhe shtypi shqiptar i asaj kohe dëshmojnë se në vitin 1921 Olimpia ndodhej në Korçë dhe se dëshira për të qenë pranë bashkëshortit e kishte shtyrë të merrte udhëtimin e gjatë sakrifikues për aty me dy foshnjat e saj. Por, pse jo edhe ambicjet muzikore të saj në qytetin ku akoma vajzat dhe gratë ende nuk ishin plotësisht aktive në jetën sociale të komunitetit (sidomos atij musliman), mund të kishin një kontekst më të drejtpërdrejtë inspirues dhe solidar në dëshirën e tyre për ta bërë më të larmishme, më entusiaste e më emancipuese atmosferën shoqërore e kulturore në Korçë. Shumë shpejt Olimpia u bë e para femër që theu akullin e privacionit dhe botkuptimit të vjetër shoqëror, duke luajtur për publikun në disa instrumente, në koncertet, programet muzikore dhe ballot e bashkisë, duke u bërë shembulli i parë i promovimit publik, madje edhe solo të një femre në një formacion orkestral zyrtar. Kështu megjithse Shoqëria e Arteve nuk kishte piano të sajën, çifti Nassi, shumë shpejt mori me qira një të tillë enkas për Olimpian. Dhe për këtë, në librin e tij “Korça Vatër e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, F. S. Tërpini kujton se “Më 11 Maj 1921…z. Thoma Nassi me flaut, i shoqëruar me piano nga zonja Nassi luajtën disa pjesë të veçanta muzikore, ku të gjithë i pritën me duartrokitje të forta.” (2002, f.17). Menjëherë pas Festivalit Artistik të organizuar prej prof. Nassit në Qershor 1921 gazeta “Koha” e Korçës(18 Qershor 1921) ekzaltohet me krenari: “Por ajo që i dha lartësinë e duhur këtij festivali ishin duetet e këndura (interpretuara – K.B.) me flaut e pikolinë prej z. Prof.Thoma Nassi bashkë me zonjën e tij në piano. Ishin ca pjesë nga më të rëndat dhe janë shumë të rrallë ata që i këndojnë…Përgëzimet tona zotit dhe zonjës Nassi që nderojnë gjithë kombin.”
Ndoshta më shumë se sa evente muzikore (s’ka dyshim edhe të tilla) impakti kryesor social i Olimpia Nassit me prezencën si instrumentiste protagoniste në aktivitetet muzikore, bashkë me bukurinë, simpatinë, lirshmërinë dhe dëlirësinë, feminitetin e sensitetin e vet jo të zakonshëm, ishte krijimi i një shembulli të ri, i një modeli admirues, një mikrokozmosi respekti, dashamirësie e adhurues, pse jo edhe zilie tek çdo vajzë e grua të re për ta vrojtuar, vlerësuar e jetuar jetën edhe nga një këndvështrim më shoqëror, jashtë kornizave strikte të kodit etik patriarkal, që thuajse e përjashtonin gjininë femërore nga omniprezenca dhe kontributi i saj në aktivitetet e jetës shoqërore, sidomos asaj kulturore, artistike e sportive të kohës. Nga ana tjetër Korça e kishte të fermentuar frymën liberale qytetare e do të mjaftonte vetëm shkaku për ta aktivizuar atë. Modeli feminist i Olimpia Nassit e kapërxeu mendësinë sociale të mënjanimit dhe pasivitetit femëror. Dy fakte të thjeshta do të ishin të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë: së pari, veç formacioneve insrumentale, vokale e teatrore “mashkullore” që ishin të konsoliduara, “mbresa” që magnetizoi shpirtrat e vajzave, prezantimi publik i Olimpia Nassit, shpejtoi niciativën e themelimit të një kori vajzash me zëra nga shkolla e “Normales së Vajzave” po nga Th. Nassi; së dyti nëpërmjet një kori të tillë u zbuluan dhe u promovuan talente gjeniale femërore, sopranot kombëtare Tefta Tashko (1910-1947) dhe Jorgjia Firçe (1909-1994) që atëhere ishin vajza adoleshente dhe se edhe me ndihmën e Zotit dhe Zonjës Nassi ato u edukuan, u evidencuan dhe u përgatitën për shkollimin e mëtejshëm profesional jashtë shtetit. “Zonja Nassi lavdërohet për kurajon civile që tregoi duke luajtur në piano. Për Z. Th Nassi dhe pjesëtarët e tjerë të bandës…edhe sot s’mundim t’i shterojmë bashkë me përgëzimet e shumta, edhe lëvdatat e parreshtura të popullit” (Gazeta “Koha” 25 Shkurt, 1922)
Ndërkohë që Banda Vatra vijonte aktivitetin e saj intensiv koncertal dhe kishte krijuar programin e vet javor kryesisht në platformën e Lulishtes së Çezmave të Arave, ëndrra e Thoma Nassit ishte krijimi i orkestrës simfonike, si formacioni më superior dhe më i kompletuar instrumenal, i cili mund të superonte të gjitha format e zhanret e tjera muzikore nga më të thjeshtat e deri më të komplikuarat, nga më të voglat në më të mëdhatë. I vetëdijshëm e i ethshëm se krijimi i orkestrës simfonike, si një ndërmarrje e madhe dhe e vështirë, do të vinte në mënyrë të natyrshme, graduale, por edhe duke shfrytëzuar një strategji organizuese të zhdërvjellët, ai shpesh i konceptoi kocertet e Bandës Vatra si veprimtari muzikore e teatrore të Shoqërisë së Arteve të Bukura në formë shfaqjesh miks, festivali, koncertesh bamirësie, suaresh (party), piknikësh, ballosh publike, koncerte familiare, apo koncerte zyrtare, interpretime te përbashkëta korale e instrumentale në salla e ambiente të mbyllura si kazinoja, kopshti i Mitropolisë, Cinematografi Modern, salla e Bashkisë, etj., të cilat jo vetëm plotësonin kuadrin e një aktiviteti të mirëfilltë koncertal, por meqë në to vinte zakonisht elita e familjeve intelektuale e më të kamura ekonomikisht, ato paguanin, apo darovitnin për blerjen kryesisht të instrumentave. Njëheresh, në këtë formë, gjithashtu, kishte mundësi të evidencohej profesioalisht individualiteti artistik, talenti më i spikatur, protagonisti që, në dallim nga masiviteti bënte diferencën, cilësinë dhe i jepte shfaqjes edhe karakterin e një “gare” profesioniste, prej nga veçoheshin solistët. Koncerte të këtij konceptimi të përzier muzikor, kultivonin edhe nevojën e një organizimi më gjithëpërfshirës më profesional dhe më impenjativ për strukturat publike, pra jo vetëm konsolidimi i formacioneve ekzistuese, por edhe perfeksionimi dhe ripërtëritja e tyre në formacione të reja më të kompletuara, më bashkëkohore. Dhe në përpjekje për të realizuar këtë ide, në fakt disi utopike për vitet ’20, diçka u bë, sidomos në blerjen me konribute qytetare të shumë instrumenteve muzikore, ku veçohet pianoja e madhe, për të cilën u bë një fushatë e mëveçme financiare. Me këtë rast drejtori i arsimit Sotir Papahristo, në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, dt. 13 Maj 1924 konfirmon: “…Me zellin e aktivtetin e Z. Nassi dhe të Shoqërisë së Arteve të Bukura u formua orkestra e dëshiruar, u mblodhën ndihma për plotësimin e orkestrës me një piano dhe më 6 Prill u dha koncerti i parë në sallën e Kopshtores së Mitropolisë…” Sigurisht nuk bëhet fjalë për një orkestër të mirëfilltë simfonike, por për një bërthamë të saj, që edhe aq, për atë kohë as që mund të imagjinohej në Shqipëri. Fundja ishte minimum i mundur e i duhur për organizimin e koncerteve me një larmi instrumentesh, ku instrumenti kryesor ishte, pa dyshim, pianoja, në të cilën ka luajtur kryesisht Olimpia.
Prezenca dhe interpretimi i Olimpia Nassit në formacionet orkestrore të shfaqjeve të shumta të Shoqërisë së Arteve të Bukura dukej si lule pranvere në dëborë. Ajo i zbukuronte dhe i ndizte mjediset. Ajo jo vetëm që theu një tabu të vegullt, por krijoi edhe një fenomen të ri, të paimagjinuar deri atëhere që hapi horizonte progresi shpirtëror, së epërmi tek vajzat e gratë e etura për dritare emancipimi e qytetërimi. Njerëzit, publiku apo spektatorët, sidomos vajzat e gratë mezi prisnin të shfaqej në skenë Olimpia, të interpretojë vetë, apo me instrumentistë e këngëtarë të tjerë, ta duartrokisnin atë gjatë e fort, ta kthenin në skenë për një interpretim të ri, ta përshëndesnin me përzemërsi e të mos e linin pa luajtur sërish me dashurinë dhe pasionin e saj shpirtëror për t’i kënaqur ata me muzikën dhe praninë fizike të saj, që në ato kohë jehonte në çdo mjedis me një akord alegorik maxhor.
“Inaugurimi i pianos u bë me një koncert të Shoqërisë së Arteve të Bukura për nder të “Ndihmëtarëve të Fondit Piano…”, një buqetë familjesh të zgjedhura të cilët i kënaqi përkujdesja e të palodhurit, z. Thoma Nassi me një program të shkurtër, por të rafinuar (Gazeta e Korçës, 18 Tetor 1924)”… “Zonja Th. Nassi, një prej shtyllave më të çmuara të shoqërisë (së Arteve të Bukura-K.B), e pa lodhur dhe e pa përtuar hapi koncertin me pianon e re në ora 8 e gjysmë me Prelud nga Shopen (solo) dhe si gjithënjë lojti me një mjeshtëri të pakontestuar… “Serenata e engjëjve” (Shubert) dhe “Minuetta” (Bocherini) u ekzekutuan prej trios: Zonja Nassi-piano, z. Nassi-flaut dhe z. Anesti Ballauri-violi…Ajo (Olimpia) shoqëroi, gjithashtu z.Mihal Ciko, baritonin shqiptar, lulja e djalërisë korçare në ideal dhe në art në “Kredo nga opera “Othello” të Verdit”…(Po aty).
Pjesëmarrja e Olimpias në koncertet e Shoqërisë së Arteve të Bukura ka qenë e shpeshtë dhe e vijueshme. Shtypi i kohës, sa herë që bën fjalë për koncerte të tilla, nuk e lë pa përmendur rolin muzikor por edhe atë shoqëror të Olimpias, apo të çiftit Nassi, së bashku, si një kurorë, që mbante peshën kryesore të programit dhe i jepte koncertit fizionominë e një aktiviteti serioz e profesional, ku pjesët orkestrale shqiptare, këngët patriotike e lirike, si dhe pjesët e huaja orkestrale nga kompozitorët klasikë, apo ariet i jepnin koncertit vlera të spikatura artistike e sidomos kënaqësi të thellë shpirtërore. Interpretimi i çiftit Nassi ka mbetur i pashlyer në shumë raste, por bashkëkohësit e tyre kujtojnë veçmas tre koncerte: ballon për nder të Kryetarit të Komisionit të Kufijve Justin Gotard më 15.02.1922 (F.S.Tërpini: “Korça, vatër e artit dhe kulturës shqiptare”, 2002, f.17-18), koncertin “suaré” për nder të Avni Rustemit më 23 Shkurt 1923. (K.Ll.Jorgji: Veprimtaria atdhetare dhe patriotike e Th.Nassit, Revista ”Tempulli 1, 2000, f.87), si dhe Ballon Familjare të Tetorit 1923, të cilën gazeta “Shqiptari i Amerikës” (“Ballo – Koncert Familjar i Shoqërisë t’Arteve të Bukura”, 13 Tetor 1923) e përshkruan kështu: “Vallen (vallzimin –K.B.) e hapi Profesor Nassi, duke patur “damë” zonjën e tij. Banda Vatra luajti me radhë “Vals”, “One Step”, “Foxtrot” dhe kadrillë…U lojtnë edhe polka, mazurka, etj…” Sepse, në Korçë funksiononte që në vitin 1921 …” një shkollë dansi, për kërcime moderne si vals, polkë, mazurkë etj. Instruktori i këtij kursi është Sotir Sugari…”. Vallen kombëtare e hoqi zonja Nassi me “Beratçen”, etj.
Por Olimpia ishte njëheresh edhe një nënë, madje në vitin 1923, në Korçë, ajo lindi edhe fëmijën e tretë, vajzën Karmen, kësisoj angazhimeve të saj artistike iu shtua preokupimi e kujdesi për tre fëmijët e tyre të vegjël, për të cilët nëna mbetet “matka”, qënja më e afërt, më e nevojshme. Në rritje e sipër, ajo nuk la mënjanë dëshirën që edhe fëmijët e saj të merrnin mësime në instrumente muzikore, kështu me vullnet e durim ajo i futi edhe ata në botën e muzikës.
Me rikthimin e Ahmet Zogut në fronin kryeministror në Dhjetor 1924 e më pas si president i Republikës Shqiptare (1925-1928) Banda “Vatra” u zhvendos në Tiranë. Ashtu si Fan S. Noli, Thoma Nassi deklaron se edhe Ahmet Zogu kishte etje të pashuar për muzikën, sidomos për Vagnerin. Ata ishin takuar së bashku disa herë dhe ishin shprehur pozitivisht për të ardhmen e bandës, si edhe për zhvillimin e të ardhmen e muzikës në Shqipëri. Banda u formalizua si një formacion instrumental shtetëror e më pas u quajt “Banda Presidenciale” duke marrë atributet e një formacioni ceremonial, i cili zhvilloi disa aktivitete në Tiranë dhe disa qytete të tjera.
Por, për disa arsye historike, politike e familiare, të cilat Thoma Nassi i qartëson vite më vonë, më 1960 në ligjëratën në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass., 1960, ai vendos të kthehet përfundimisht në SHBA. Ai kishte filluar të ndjente intuitivisht se Zogu kishte filluar ta shihte veten si një mbret superambicioz. Thoma Nassi pësoi kështu një dekurajim ”…me këtë të ri brilant, i cili kishte drejtuar mirë demokratikisht, por që, më pas, u bë, fillimisht, një president ekstravagant i republikës dhe pastaj, më vonë, projektoi shenjat e bërjes mbret… Me zemër të thyer, ju dhashë lamtumirën shumë e shumë miqve, anëtarëve të bandës Vatra dhe Zogut (i cili nuk donte të më linte të shkoja). Unë e dija fare mirë që misioni im ishte ende në Shqipëri, por unë parapriva pasoja të këqija për familjen time, nëse unë qëndroja. Re të zeza po mblidheshin. Musolini kish hartuar programin e tij ambicioz të pushtimit dhe Shqipëria ishte një nga vendet e para që do të sulmohej pa mëshirë dhe do të pushtohej prej tij…Një arsye e dytë konsistonte në faktin që tre fëmijët e mi ishin rritur dhe kërkonin atë mënyrë shkollimi që nuk mund të sigurohej në Shqipëri”
Periudha passhqiptare (Maj 1926) në SHBA e gjen familjen Nassi si një ansambël muzikantësh, synimi i së cilës do të ishte angazhimi në zhvillimet muzikore proshqiptare dhe amerikane. Pjesëtarët e saj i japin ngjyrimin e lartë profesional çdo koncerti ku ata marrin pjesë. Loja e tyre është epiqendra e suksesit të çdo formacioni. Veprimtarive koncertore bamirëse kryesisht ndaj fshatit të lindjes, Dardhës, pro Federatës ”Vatra”, apo Kryqit të Kuq Amerikan u bënë aktivitete të shpeshta e të pëlqyera. Kështu, në përpjekje për shtimin e fondeve për ndërtimin e rrugës Dardhë-Korçë, Shoqëria Dardhare “Bleta”, në Nëntor të vitit 1926 organizonte një koncert, ku interpretoi trioja instrumentale Olimpia Nassi-piano, Thoma Nassi-flaut dhe Thomas Mitchell-violi. Veçmas përmendet edhe violinisti i vogël Albert Th. Nassi, “…djalë 7 vjetësh nga vërsa…, por me ndjenjë dhe talent muzikanti dhe një ditë do të bëhet një virtuoso i vërtetë në violi, në të cilën merr mësime” (Gazeta “Zëri i Korçës, 20 Nëntor 1926).
Nga gazeta “Dielli”, me rastin e një koncerti muzikor, informohemi se më 16 Qershor 1928 në Nju Jork është bërë një ballo e madhe, ku ajo që i ka bërë më shumë përshtypje autorit të shkrimit, është qytetaria e shqiptarëve pjesëmarrës. Por,mbi të gjitha, ai vlerëson muzikën e interpretuar me art nga shqiptarët, posaçërisht nga familja Nassi: “Kjo pjesë e programit do të mbahet mend dhe, paradoksalisht, nuk mund të harrohet lehtazi…Shkaku duket mjaft çeltazi…” (Nelo Dizdari: 19 Qrshor, 1928.)
Gjatë festimeve të ditës së Pavarësisë, më 1928, në Boston, ndër të tjera, orkestra “Tomorri” e ringritur me të rinj nga Th. Nassi, surprizën e vet pati dirigjentin e saj, Albert Nassi, birin i Thomait e Olimpias “…një djalë i vogël nga mosha, por i madh nga dija e artit muzikor, ishte veshur me petka shqiptare, me qylaf të bardhë, me mintan prej sërmaje, me tirqe me dizga të zeza dhe me opinga shqiptare. (Gazeta “Shekulli i Ri”, Durrës, 8.12.1928) “…Djali 8 vjeç Albert Nassi dhe motra 7 vjeçare Madalena Nassi luajtën solo me aq mjeshtëri sa i çuan mëkëmbë të gjithë dëgjuesit.” (Gazeta “Prudenec I Land Beacon, cituar sipas Iliaz Gogaj). “…Më pas profesor Nassi luajti me flaut “Fantazinë shqiptare”, të cilën e shoqëronte në piano zonja e tij Olympia dhe të dy mbushë sallën plot me melodi shqiptare…Për profesor Thoma Nassin dhe birin e tij Albert, zonjën e tij Olympia dhe e bija e vogël që lojti në piano, kur Albert Nassi lojti violin, për të gjitha këto shërbime u deyrohemi shumë falenderime dhe shpresojmë se një ditë kjo familje muzikore do të sjellë shërbime të mëdha për Shqipërinë” (Gazeta “Shekulli i Ri”, Durrës, 19.12.1928)
Sipas studiuesit rus Youry Arbatsky (“The Music in Albania”, 1930) , i cili është marrë seriozisht me muzikën shqiptare të viteve ‘30: “Më i frytshëm ka qënë Thoma Nassi, një dirigjent dhe kompozitor ekselent. Ai shkoi në Amerikë me gruan dhe vajzën e tij, të cilat janë muzikante të klasit të parë.,,”
Veprimi muzikor i Thoma dhe Olimpia Nassit, si dhe e dy prej fëmijëve të tyre, Albertit dhe Madalenës në ShBA ishte ai i përkushtimit të plotë e të përbashkët profesional në disa fusha duke mbetur akoma edhe për një kohë të gjatë si personazhet kryesore të muzikës në mjediset shqiptare. Në atë të ekzekutimit solistik, ku veçohen festivalet muzikore të kombeve të organizuara nga Klubi Kozmopolitan i Brocton-it (Cosmopolitan Club of Brocton), drejtuesi të cilit ishte Th. Nassi e ku është përfaqësuar me formacion orkestral edhe kombi shqiptar (1929 dhe 1930). Në festivalin e vitit 1930 Albert Nassi ishte drejtues i formacionit shqiptar, Thoma Nassi luante në flaut, Olimpia Nassi në piano dhe kitarë, Madalena Nassi në piano dhe tambur, etj., Pjesët muzikore që interpretuan ata ishin “Ushtarët e Lirisë” (marsh nga Odell), “Minuetë në F” nga Mozart, “Minuetë në G” nga Bet’hoven, “Vajtim shqiptar”, “Barkarola” nga Offenbah dhe “Ylberi i Bukur” nga Odell. Thoma Nassi dhe familja e tij kontribuan në botimin për të parën herë të një sërë pllakash gramafoni me muzikë shqiptare të interpretuar nga një formacion, bërthamën e të cilit e përbënte vetë familja Nassi. Për disa dhjetra vite çifti Nassi ka punuar në sistemin e edukimit muzikor të SHBA-ve, madje kanë themeluar për këtë qëllim edhe “Shkollën Muzikore Nassi” në Brocton, Mass, ku Th. Nassi ka qenë edhe drejtuesi Orkestrës simfonike. Olimpia të shumtën e herëve së bashku me Thomanë kanë dhënë mësim, apo kanë formuar orkestra në shumë shkolla të qyteteve Harwich, Chatham, Orleans, Eastham, Truro dhe Provincetown.
Por, fatkeqësisht, një tragjedi tronditi themelet shpirtërore familiare. Më 17 Korrik 1944, djali i tyre Albert Nassi u vra gjatë Luftës II Botërore. Pjesëtar i euipazhit të flotës ajrore amerikane që kryente veprime luftarake në Suffolk të Anglisë si pilot radio-operator në skuadrën e bombarduesve të rëndë të Grupit 487, humbi jetën pas shpërthimit aksidental të avionit të tij gjatë kthimit në bazë nga një mision luftarak në Gion të Francës. Vetëm 25 vjeç, ai dhe kujtimi i tij mbeti dhimbja e përjetshme e prindërve e motrave të tij, që sado pak mbart edhe pengun e ardhmërisë së tij si muzikant, që u shua bashkë me frymën e tij. Për kujtim dhe nderim të aktit të tij sublim, një shesh i vogël në Main Street dhe Locust Road të Orleansit mban emrin e tij.
Humbja e Albert Nassit, padyshim ishte një goditje edhe në mikrobotën muzikore të famljes Nassi, e cila influencoi në planet e mëtejshme artistike të përbashkëta familjare edhe pse kemi të drejtë të konfirmojmë me shumë fakte që aktiviteti muzikor i Thoma dhe Olimpia Nassit vijon edhe për më se dy dekada të tjera, kryesisht në krijimin e formacioneve të reja dhe edukimin publik muzikor të brezit të ri të emigrantëve shqiptarë dhe të rinjve amerikanë.
Më 1964 Thoma Nassi ndërron jetë në moshën 72 vjeçare. Mbyllet kështu sipari human e artistik i një bote me kontribute e vlera të paçmuara kulturore, artistike e kryesisht muzikore për zhvillimin dhe modernizimin e jetës muzikore shqiptare të viteve ’20 e më pas, të cilat mbajnë firmën e muzikantit dhe patriotit të shquar e protagonist Th. Nassi.
Të dhënat familjare pohojnë se edhe Olimpia, pas humbjes të bashkëshortit ka përfunduar misionin e saj profesional, por ka jetuar gjatë, deri në vitin 1999 (pra 97 vjeç) kur është shuar edhe ylli i jetës së saj në Falmouth, Orleans, Mass. , SHBA.
Ja, pra, çdo jetë njerëzore ka historinë e saj personale, individuale, por ka edhe një histori shoqërore, që ju përket simblikisht edhe vetes edhe të tjerëve, kur bëmat e ideali i saj vihen në funksion të shoqërisë humane. Olimpia Nassi, edhe pse “e eklipsuar nga hija e rëndë” e autoritetit dhe personalitetit superior artistik e intelektual të bashkëshortit të saj në zhvillimet e kapërximet intensive muzikore qytetare shqiptare, është një rreze drite që guxoi të sfidojë kohën dhe mjedisin shoqëror me një lloj protagonizmi, apo individualizmi tjetër. Ajo u shfaq e do të mbetet e para Artiste e talentuar shqiptare “me A të madhe” që me paraqitjen dhe interpretimin e saj të admirueshëm pianistik në publikun e gjerë të muzikës shqiptare e botërore theu mitin e frustimit e anonimatit femëror, duke krijuar kështu një atmosferë progresi e emancipimi të paprovuar ndonjëherë e që do t’i hapte një dritare e një erë të re afirmimit të vlerave e idealeve qytetare, sociale, intelektuale e artistike femërore, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë.
₪₪₪₪
Fotot:
- Prof. Thoma Nassi
- Banda Kombëtare “Vatra”
- Olympia Nassi
- Olympia me djalin e saj Albert.
- Thomai dhe Olympia me vajzën Madeline
- Thomai dhe Olympia me orkestrën e një shjkolle muzike në SHBA, 1930
- Albert Nassi
- Thoma dhe Olympia Nassi, 1960