Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Duke u gdhirë 7 nëntor, mediat në Tiranë lajmëruan tragjedinë e rradhës në minierat e Shqipërisë. Kësaj here pranë Pogradecit dhe Librazhdit humbën jetën 7 vetë. Pesë djem të rinj nga 23-28 vjeç nga Familja Hamolli duke kërkuar skrap për të mbijetuar, ndërsa dy bij, prindër e bashkëshortë ikën prej kësaj bote nga kushtet mizerabël të punës.
Brenda ditës në Shqipëri u shuan njëherësh jetët e tre vëllezërve, të pesë kushërinjve – të shtatë shqiptarëve, kot së koti, pa patur shkak ndonjë sëmundje apo katastrofë, por sepse shteti nuk u siguroi asnjë kusht minimal për ta fituar bukën e gojës përmes punës me dinjitet.
Merreni me mend, djem të rinj të mbushur me plot ëndërra, të cilëve shteti nuk u jep asnjë alternativë dhe u mbetet ose të emigrojnë, ose të kërkojnë skrap në miniera vrastare ose të bëhen trafikantë droge.
Në një vend normal, humbja e jetës e shtatë djemve e burrave do të mjaftonte që të uleshin flamujt në gjysmë shtize, sepse këta njerëz humbën jetën për faj të mungesës së shtetit. Ata nuk u vranë në Siri, as nëpër sheshet e Kajros, as në Irak apo Afganistan. Ata u vranë në Shqipëri, në një vend që rrezikon të degradojë plotësisht nëse nuk ulërijnë sirenat e alarmit për të ndërtuar shtetin ligjor, i cili ka si prioritet ndihmën për shtresën më në nevojë dhe vulnerabile, të atyre 400 mijë shqiptarë, të cilët sipas statistikave të INSTAT-it për 2013 mbijetuan me 59 $ në muaj!
Ndërtoni një paralele midis kësaj shtrese që vdes për bukën e gojës apo që mban frymën gjallë me 59 $ dhe ktheni kokën për të parë klasën politike. Përpara 23 vitesh, ata e filluan me hiç, shihni sot pasuritë që kanë, ndërsa shtatë njerëz, djem të rinj, vdesin sepse nuk kanë bukë të ngopin barkun e uritur. Në një vend normal, kaq do të duhej që të ngriheshin më këmbë elitat, mediat, shoqëria civile për t’i shkundur politikanët, sepse fajtorë të kësaj gjendjeje të mjerë janë pikërisht ata. Ata që e patën pushtetin për këta 8 vitet e fundit, ata që e kanë patur pushtetin këta 23 vjet tranzicion.
Por asgjë. Askush nuk u shqetësua prej kësaj gjëme të rradhës. Nuk u ndryshuan axhendat, dita e tyre vijoi sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë. Opinionistët dhe anchormenët vazhduan sipas planifikimit, në orën e caktuar me politikanët e rradhës, të cilët i pyetën për gjithçka por jo rreth tragjedisë ku humbën jetën 7 njerëz, faji i të cilëve është vetëm sepse votojnë për një klasë politike të tillë mizerabël që nuk meriton assesi të drejtojë.
Sot deri në mesditë bëra një hulumtim në rrjetin social të Facebook-ut për të parë se si është reflektuar tragjedia e 7 shqiptarëve. U fokusova në Facebook për të parë përgjegjshmërinë e opozitës shqiptare, sepse këtu është vendi ideal ku ata shprehin hipokrizinë e rradhës. Aq më tepër, edhe për faktin se e kanë drejtuar vendin prej shtatorit 2005 deri në shtator 2013.
Së pari, shkova tek ish-kryeministri i Shqipërisë. Aty gjeta asnjë rradhë për shtatë viktimat që humbën jetën në minierat në rrethinat e Pogradecit dhe Librazhdit. Gjeta vetëm heshtje. Më datën 7 Nëntor kur ndodhi tragjedia, në faqen e tij, Sali Berisha ka vetëm një përshëndetje për vendimin e Gjykatës Administrative për pallatin e Vlorës, të ashtuquajtur „pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës“ . Ky ishte mesazhi që u dha më 7 nëntor mbi 700 mijë friendsave të tij ish-lideri i PD-së.
Në profilin e ish-kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Çoba Topalli – asnjë rresht për shtatë viktimat, të shuar prej kushteve të mjerueshme të jetës, pa mundësi punësimi dhe pa mundësi për ta përballuar jetën në mënyrë të denjë, pa asnjë mbështetje sociale për të bërë një jetë që do t’i mbante larg tmerrit ku gjenden sot minierat shqiptare, që i përpijnë jetët e shqiptarëve si kuçedrat e legjendave. Asnjë ngushëllim nuk ka shkruar Jozefina Topalli për viktimat e minierës, që humbën jetën sepse shteti nuk u krijoi asnjë kusht jete. Në faqen e saj të Facebook-ut ka vendosur„fjalimin“ që mbajti dje në Kuvend, ku i bën jehonë „kryeministrit të 20 mijë lekëshit“ – ashtu si ka vepruar edhe më 5 dhe 6 nëntor, kur do të duhej t’i bënte jehonë vdekjes tragjike të atyre djemve që u shuan si qirinj sepse s’ka shtet, ndërsa ka shtetarë që jetojnë në një lluks të shfrenuar.
Shkova tek faqja zyrtare e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edi Palokës me background gazetar. Edhe tek ai asnjë fjalë, asnjë dhimbje, asnjë ndjesë, asnjë pikë e presje për shtatë viktimat – djem të rinj që e humbën jetën pa e nisur – sepse qeveritë i vjedhin votat e popullit për t’u vetëpasuruar. Më 7 nëntor në faqen e tij zyrtare, Edi Paloka kopjon statusin që ka vendosur Sali Berisha në lidhje me vendimin e gjykatës administrative për pallatin buzë detit në Vlorë, duke shprehur kënaqësinë. Por për shprehur dhimbje nuk ka vend.
Edhe shqetësimi i deputetit të PD Sokol Olldashit lidhet me 20 mijë lekëshin, por nuk analizon faktin se përse shiten shqiptarët për një shumë kaq të mjerë, ndërsa për shtatë viktimat e minierave reagimi është vetëm indiferencë. I njëjti reagim edhe nga Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit te Integrimit, e cila në faqen e saj zyrtare në Facebook vazhdon e shpreh shqetësimin për kryeministrin e 20 mijë lekëshit. Ashtu si veprojnë Eduard Halimi, Gent Strazimiri etj. Ose u dhemb shpirti për 20 mijë lekëshin, ose shprehin lumturinë për vendimin e gjykatës administrative për pallatin në Vlorë, por për shtatë viktimat nuk e shprehin as mëshirën më të vogël.
Vetëm kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe deputeja Albana Vokshi, e cila është ndërkohë Kryetare e Komisionit te Shendetesise, Punës dhe Çeshtjeve Sociale në Parlamentin e Shqipërisë, kanë gjetur hapësirë në faqet e tyre zyrtare në Facebook për të përfshirë tragjedinë dhe ndjenjën e mëshirës. Tragjedia e ditës të djeshme do të duhej ta kishte bërë zonjën Vokshi të ndryshonte axhendën e punës në Komisionin që ajo drejton, për ta kthyer në një prioritet emergjent mbështetjen që duhet t’u jepen familjeve shqiptare që të mos vdesin për bukën e gojës. Por jo, Albana Vokshi i devijoi edhe axhendës të ditës, por ndërkohë është nga të vetmet deputete të PD-së që ka shprehur ngushëllim për viktimat: „Sot, dy ngjarje tragjike dhe tronditese, njera ne minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe tjetra ne minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Bilanci: 7 viktima. Dua te shpreh ngushellimet e mija per familjaret e te afermit. Zoti i prehte ne paqe!“, shprehet në Facebook Albana Vokshi.
Të njëjtën gjë bën në faqen e tij zyrtare në Facebook edhe kryetari i PD-së. Ja ngushëllimi integral i Lulzim Bashës: „Dua të ndaj sot dhimbjen me familjarët, të afërmit dhe miqtë e 7 personave që humbën jetën në minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Ende pa u nxjerrë trupat e 5 të rinjve nga miniera e Beragozhdit, u tronditëm nga lajmi i humbjes së jetës së dy personave në minierën e fshatit Gurrë. Dhimbja është e madhe dhe fjalët të pamjaftueshme, për të ngushëlluar familjet e Edisonit, Ledjonit, Nertilit, Sazanit dhe Arjan Hamollit si dhe të inxhinier Drini Bogdanit dhe minatorit Haki Danga. Bilanci tragjik i shënuar sot në komunën Dardhas të Pogradecit dhe Komunën Qukës të Librazhdit është një tronditje e madhe për mua dhe jam i bindur për çdo shqiptarë. Ngushëllime familjeve dhe Zoti ua lehtësoftë dhimbjen.“
Por lideri i opozitës nuk analizon shkaqet e humbjes të shtatë jetëve. Nuk guxon. Nuk guxon të thotë se „faji është joni“! Në një vend ku jeta e njeriut – nga dhuratë e Zotit – kthehet në gjënë më të pavlerë të kësaj bote. Në Shqipëri jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk ka asnjë vlerë. Ashtu si konstaton me të drejtë Frank Shkreli publicisti i shquar shqiptaro-amerikan, ish shefi i Zërit të Amerikës dhe drejtor i Divizionit të Euro-Azisë përmes pyetjes retorike „ A ka vlerë jeta e njeriut në Shqipëri!“ Jo nuk ka asnjë vlerë. Shihini këta shtatë viktima, që e humbën jetën për bukën e gojës ose sepse kushtet e punës sjellin vdekjen. Vetëm në Shqipëri, në një vend në zemër të Europës, që Zoti i ka dhënë të gjitha mrekullitë natyrore për të qënë vendi më i begatë për të punuar e jetuar, jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk kushton asnjë cent.
E pra, nuk mund të vazhdohet kështu, ka ardhur koha të zgjohemi, të kuptojmë realitetin dhe ta ndryshojmë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ne si qytetarë europianë meritojmë një jetë të denjë, që ta fitojmë me dinjitet. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s jo për t’i siguruar kushte lluksi klasë politike, por për t’i siguruar kushte normale jetese qytetarëve të këtij vendi, duke nisur prej atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë dhe mbëshetje. Por shikoni se çfarë politikanësh kemi, me çfarë zemër të pamëshirëshme, kur nuk gjejnë forcë as të derdhin lot krokodili dhe as të shkruajnë dy rradhë ngushëllim për ato familje që sot janë në tragjedi. Sepse shteti që kanë krijuar ata vetë ka dështuar. Parlamenti i Shqipërisë duhet ta kthejë në prioritet të prioriteteve mbijetesën e shqiptarëve, të krijimit të kushteve për të ekzistuar si qytetarë të denjë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë në mbrojtje jetën e shqiptarëve, të cilët po fiken, kur në Shqipëri faleminderit Zotit nuk ka luftë, nuk ka kriza, nuk ka katastrofa natyrore! Por mjerisht nuk ka as shtet!
Hajro Çini says
Sa keq qe nuk lexojne shkrimet e tua gjithe ide ata te opozites?!!!!