


Sokol Paja/
Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” hapi fushatën elektorale për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023. Një festë spektakolare e demokracisë e qytetarisë kundër monizmit partiak institucional që keqqeveris brutalisht Shqipërinë prej 10 vitesh. Me një pjesëmarrje masive të demokratëve shqiptarë në Air Albania, në fjalimet e kandidatëve të opozitës u dhanë mesazhe të fitores, shpresës e bashkimit të shqiptarëve kundër të keqes në pushtet që po varfëron e shkatërron çdo ditë Shqipërinë. Lideri i demokratëve të Shqipërisë Doktor Berisha në fjalën e tij ndër të tjera deklaroi se: “Ky start i madh, i paparë në 32 vite, ka tmerruar Edi Ramën dhe lolon e tij, Erion Veliaj dhe lolot e tjera…Ne do fitojmë! Edi Rama, siç konstatoni, ndjehet tmerrësisht i tmerruar. Është i tmerruar nga ju sepse ai e di se jeni misionarët e ndryshimit. Është i tmerruar se ai e di që do humbasë në mënyrë të turpshme më 14 maj. Atë e pret në mënyrë të pashmangshme, fati i mikut të tij, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal. Ai e di se nuk ka gjykatës në botë që të dënojë ryshfetmarrësit dhe të mos dënojë ryshfetdhënësin. Nuk shpëton as se i vodhe vulën PD-së, nuk të shpëton as Soros, ky armik i egër i demokracisë shqiptare. Je krejtësisht i pashpresë. Edi Ramës dhe rilindjes i themi këtu: jemi shqiptarë, ne o budallenj. Besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë do fitojmë! Thirrjen që ndjeva unë e keni ndjeri edhe ju. Sot jeni pishtarë shprese që ndriçoni të ardhmen e Shqipërisë. Zoti e bekoftë opozitën shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë…Ne nuk jemi njëlloj, por të ndalemi te këto zgjedhje lokale. Kandidatët tanë janë shëmbëlltyra e moralit, virtyti i qytetarëve. Nuk ka si të jetë ndryshe se i zgjodhët ju me votën e lirë, i zgjodhët me primare. Ata janë kandidatët e lirisë, kandidatët e vullnetit tuaj, dinjitetit tuaj. Po kandidatët e bodrumeve të Edi Ramës, që përzuri votën nga partia e tij, çfarë janë? Thuhet se djalli ka shumë emra, po ashtu janë edhe kandidatët e Edi Ramës. Njerëz me shumë emra, sepse fshehin krime, mbulojnë të shkuarën e zezë. Shqiptarët nga 14 maji do përfaqësohen nga njerëz të ndershëm, punëtorë. Nga specialistë dhe ekspertë. Familjarë të ndershëm dhe patriotë të devotshëm që i zgjodhën vetë ata. Ne nuk jemi njëlloj, dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Për ne, familja është themeli i shoqërisë. Kurse për këta, familja është prindi me numra dhe asgjësimi i saj. Ne besojmë te qytetari ndaj vendosim të parin qytetarin, barazinë para ligjit, dinjitetin e tij. Kurse për këta sot, vota, dinjiteti i qytetarëve nuk kanë asnjë vlerë. Ne besojmë te taksat e ulëta dhe iniciativa e lirë. Këta bazohen te taksat e larta, klientelizmi. Ne nuk jemi njëlloj, interesi kombëtar është i pari. Kurse këta me zbrazjen e Shqipërisë dhe Ballkanin e Hapur kanë të parë interesin serbo-rus” tha ndër të tjera lideri i demokratëve të Shqipërisë Doktor Berisha. Në fjalën e tij kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ndër të tjera deklaroi në çeljen e fushatës se: “Është koha të vrapojmë! Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetit vendor. Pyes veten, pas 4 vitesh do shkallmojmë atë që askush nuk e mendonte ndonjëherë në Shqipëri, që ky vend anëtar i NATO, 100 përqind pro evropian, të jetë një vend ku në mënyrë të paligjshme një klikë kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor. Asnjë këshilltar opozitar në 4 vite në Shqipëri. Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut siç është e gjithë Rilindja. Koha e ndryshimit ka kaluar me kohë, është koha për revolucion. Për revolucionin me votë që do sjellë përmbysjen e korrupsionit absolut, dhe do të sjellë njëherë e përgjithmonë transparencë absolute, llogaridhënie absolute, për çdo kryebashkiak që do të zgjidhet dhe për këshillat bashkiake që do të mbrojnë interesin e qytetarëve” citoi ndër të tjera z.Meta.