Tirane, 24 Prill 2017- Protesta e opozitës me bllokimin për 1 orë të transportit kombëtar u zhvillua një ditë përpara mbërritjes në Tiranë të negociatorëve europianë për krizën politike. Basha nuk e ka fshehur se përshkallëzimi i protestës të hënën është vetëm një paralajmërim.
Me himnin kombëtar, është mbyllur paqësisht protesta e PD-së e cila për 1 orë bllokoi lëvizjen e automjeteve në akset kryesore të vendit.Mbështetës të PD-së nën drejtimin e deputetëve demokratë u vendosën në rrethrrotullimin “Shqiponja”, Kryqëzimi i teknologjikut në Tiranë, rrethrrotullimi i Plugut, (Lushnje), rrethrrotullimi i Rrugës së Kombit në Milot, Rrethrrotullimi i Bradasheshit (Elbasan) duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve.Për demokratët ky aksion është fillimi i përshkallëzimit të protestës së nisur më 18 shkurt dhe që vijon në para kryeministrisë.Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se protesta ishte shenjë e vendosmërisë së opozitës për realizimin e kërkesës për qeveri teknike që do të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Protesta e opozitës nisi në orën 11:00 dhe përfundoi në orën 12:00.
E gjitha ndodhi sot, e hene 24 Prill 2017, kur negociatori për zgjidhjen e ngërçit politik David McAllister pritet të mbërrijë në Tiranë. Në këtë vizitë, zyrtari gjerman do të shoqërohet nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Ora News ndoqi me grupe xhirimi në të gjitha pikat ku është parashikuar të mbahet protesta si dhe përcolli live përmes platformave facebook dhe youtube të gjithë protestën.
Fjala e kryetarit PD, Basha: S’heqim dore nga qeveria teknike
Zonja dhe zotërinj të rinj dhe të reja, qytetarë të lirë të republikës së re që po afron. Qindra mijëra shqiptare i janë bashkuar sot në paqe dhe me kulturën më të thellë kombëtare dhe europiane në këtë akt patriotik që dëshmon vendosmërinë tonë për të mos e dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës por të bashkohemi siç jemi bashkuar qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që do të largojë kriminelët nga institucionet sipas ligjit të dekriminalizimit; që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës; që do të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme përfshi votimin biometrik, elektronik dhe dhe numërimin elektronik të votës dhe votimin e zbatimin menjëherë të vettingut dhe reformës në drejtësi sipas kushtetutës dhe marrëveshjes së korrikut. Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë qendrës. Ku është një paralajmërin se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ju ftoj ta përmbyllim këtë proteste në paqe pa asnjë provokim dhe pa iu përgjigjur asnjë provokimi.
Edmond Spaho: Bllokuam edhe superstradën Elbasan-Durrës
Deputeti i PD, Edmond Spaho tha nga Elbasani se protesta u përqëndrua në dy nyje kryesore dhe kjo për shkak se trafiku filloi të devijohej në rrugë sekondare.
Spaho: Pjesëmarrja është masive, falenderojmë qytetetarët që iu bashkuan protestës. Është faza e dytë e protestës, pas 66 ditë në çadër protesta u përshkallëzua me bllokimin e rrugës.Protesta është paqësore dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Deri tani nuk kemi pasur provokimi dhe shpresojmë që do vazhdojnë të jenë kështu. Për ta bërë efektive bllokimin e trafikut u detyruam të modifikojmë pozicionimin tonë për shkak se po devijohej trafiku në rrugë sekondare dhe një bllokim e bëmë në hyrje të autostradrës Elbasan-Tiranë dhe një në hyrjë të superstradës Elbasan-Durrës.
Ku u zhvilluan protestat dhe kush ishin pergjegjesit
-Rrethrrotullimi i Shqiponjës – Përgjegjës Edi Paloka.
-Kryqëzimi i teknologjikut në Tiranë – Përgjegjës Flamur Noka
-Rrethrrotullimi i Plugut – Përgjegjës Arben Ristani
– Rrethrrotullimi i Rrugës së Kombit në Milot – Përgjegjës Aldo Bumçi
-Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Përgjegjës Edmond Spaho