

Nga Rafael Floqi/
Ditën e shtunë me 24 shkurt në sallën Gjergj Kastriot Skënderbeu të Kishës së Shën Palit në Michigan, Organizata Studentore Shqiptaro Amerikane organizoi eventin e saj të 4-t Global të Bamirësisë, kësaj here fondet e bamirësisë të kësaj shoqate do të shkojnë në ndihmë të Motrave të Nënës Terezë të vendosura në Pukë.
Sipas kryetares të shoqatës dhe Kryetare e degës së Universitetit të Oakland në Michigan, Floriana Palushaj, çdo vit ata kanë organizuar një event të tillë gala dhe kanë caktuar një shoqatë shqiptare të cilës do t’u dërgojnë ndihmat e tyre humanitare. “Ne këtë vit ne zgjodhëm Pukën, tha ajo dhe qendrën e Motrave të nënës Terezë, pasi Puka është një nga krahinat e varfëra të Shqipërisë dhe motrat e Nënës Terezë i shërbejnë të gjithëve, aty pa dallime fetare, pasi dhe Puka në masën 70 % është me përkatësi fetare myslimane.
AASO (AASO Global) (shqip: Organizata e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë) është një organizatë jofitimprurëse e krijuar nga studentë shqiptaro-amerikanë në Detroit, Miçigan me mision e përkushtuar për të nxitur midis anëtarëve ndjenjën e miqësisë dhe mbështetjes, promovimin e ndërgjegjësimit dhe vlerësimit kulturor dhe për t’i shërbyer komunitetit shqiptar pa dallime duke promovuar arsimin e lartë në komunitetin tonë. Ajo ka kapitujt e saj në Wayne (AASO) University of Michigan – Dearborn (AASO) Michigan State University (AASO) Oakland University (AASO) University of Michigan – Ann Arbor (AASO) Grand Valley State University (AASO) University of Detroit Mercy (AASO).
Sipas studentes Kristina Bzhetaj nga University of Detroit Mercy organizatore e këtij eventi dhe një këngëtare e shquar që këndoi me mjaft profesionalizëm himnet kombëtare në hyrje të mbrëmjes, por edhe organizoi programin e shkurtër të fjalimeve mbi këtë rast, shtoi se këto ndihma financiare janë mbledhur me mbështetjen e familjeve të studentëve dhe të donacioneve të bizneseve shqiptare.
Është interesant fakti në këtë mbrëmje gëzimi të të rinjve shqiptaro amerikanë të shohësh brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë të përkushtuar arsimin në një sallë mbi 400 vendesh ku sheh vajza të reja, studente me rininë e tyre, me bukurinë karakteristike shqiptare dhe djem të veshur me taxido pasi që të gjithë e respektojnë këtë event, respektojnë rrënjët e tyre shqiptare, respektojnë vetveten dhe njeri tjetrin. Ata do të jenë inteligjenca e jonë e ardhshme e komunitetit, ata do te jenë mjekët avokatët, psikologët, ekonomistët dhe inxhinierët e shpikësit e ardhshëm.
Ja, një student që studionte për kompjuterë na tregonte se dashuria e tij me kompjuterët kish filluar, si sfidë me babain në moshën 10 vjeçare kur ai kishte ndërtuar kompjuterin e tij të pare, natyrisht për lojë.
Pak fjalime dhe përshëndetje nga Xheni Alibashi dhe Floriana Palushaj dhe një bekim pasionant i mbrëmjes nga i zoti i shtëpisë dom Fred Kalaj i cili i frymëzuar nga gjithë ajo rini e bukur, kujtoi rininë e tij dhe kur gjeti bekimin e vërtetë tek zoti në moshën 24 vjeçare.
“AASO Global është themeluar në Detroit, Michigan në vitin 1998. Organizimi u iniciua nga studentët shqiptaro-amerikanë në Universitetin Shtetëror Wayne. Objektivi i tyre kryesor ishte të promovonin shoqërinë mes studentëve shqiptaro-amerikanë, së bashku me studentët e tjerë përreth kampusit dhe të promovonin ruajtjen e trashëgimisë shqiptare. “ kujton Uillson Sinishaj një nga organizatorët e parë dhe sot një nga drejtuesit e shoqatës “Jehona e Malësisë”. Pas suksesit të këtij kapitulli, universitete të tjera shpejt vijon ai filluan të krijojnë kapituj të rinj në kampuset e tyre të kolegjit. Dhe më vjen mirë që kjo traditë vazhdon dhe sot”, shtoi ai.
Dhe pas këtij momenti vrulli rinor pushtoi sallën, ku djem e vajza shqiptar si yje e ngritën sallën në këmbë në një valle pogonishte e kënduar dhe kërcyer nga të gjithë të rinjtë në një kërcim sa emocional sa rinor edhe shqiptar nën tingujt e muzikantëve lokalë.
“Jemi racë e lashtë por dhe racë e bukur”- them me vete i përfshirë e kësaj dalldie të kërcimit të rinjve tanë. Sa domethënës fjalët e himnit kombëtar them me vete “ Se zoti vetë e tha me gojë se kombet shuhet për mbi dhe por Shqipëria do të rrojë për të luftojmë ne.” Po shqiptari do të mbetet shqiptar dhe në këtë “ meltin pot “ lirie që të krijon Amerika, ndërsa gëzimi dhe hovi rinor merrte udhë.