Nga Fatmir Lekaj (politolog)
Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) më pastaj i njohur (i ri-emëruar) si Grupi për Ballkanin në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH) ka qenë organizator i programit të vizitës së parë të delegacionit të kuvendit të Kosovës në perëndim, menjëherë pas deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990. Në vijim, faksimilja e fragmentit të Buletinit të GKKNH-s, KOSOVA – info, ku përveç të tjerash thuhet: “Tre anëtarët e parlamentit të Kosovës janë aktualisht në një turne në Evropë. Filloi më 16 korrik në Austri dhe vazhdoi të Norvegji, Suedi, Danimarkë, Gjermani, Holandë, Britani të Madhe dhe Belgjikë. Ata synojnë të vizitojnë edhe vende të tjera evropiane. Ata janë pritur nga zyrtarë qeveritarë, deputetë, gazetarë dhe OJQ-t, si dhe radio dhe televizionet. Programi është organizuar nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe ata mirëpriten nga Komitetet Kombëtare të Helsinkit në të gjitha vendet ku udhëtojnë. Delegatët kërkojnë mbështetjen evropiane për zgjidhjen e problemeve të Kosovës në mënyrë paqësore, kushtetuese dhe ligjore”.
Asokohe, pas deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990, pjesa më aktive e delegatëve të kuvendit të Kosovës u shpërngulen në egzil në Slloveni, ku për vendosjen/akomodimin e tyre u përkujdes Shoqata Migjeni në Lubjanë. Delegatët zgjodhën Muharem Shabanin, Skënder Skënderin dhe Bujar Gjurgjealen ti përfaqësojnë si delegacion i kuvendit të Kosovës në takimet me ndërkombëtaret gjatë vizitave të tyre në shtetet perëndimore. Programin e organizimit të këtyre vizitave e realizoi Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), në koordinim me komitetet e Helsinkit në shtet perëndimore. Për më tepër, me ndihmën e koordinatores së GKKNH-s, Berit Backer, u realizuan takime në mes delegacionit të kuvendit të Kosovës dhe zyrtarëve qeveritar, parlamentarëve etj., në shtetet perëndimore. Delegacioni i kuvendit të Kosovës u shoqërua nga Sllovenia nga aktivisti i Shoqatës Migjeni, Fadil Demiri.
PS
Buletini i GKKNH-s (KOSOVA – info), shpërndahej si informacion në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (përkatësisht në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s etj.), dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (përkatësisht delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadrin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-s etj.).
II
Idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve, njëherësh koordinatorja e Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), Berit Backer, përveçse ishte kryeorganizatore e programit të vizitës së parë të delegacionit të kuvendit të Kosovës në perëndim, gjithashtu loboi me vetiniciativë nëpërmes takimeve fizike, komunikimit telefonik, dhe korrespondencës së ndërsjellë me letra, që vizita e delegacioni të kuvendit të Kosovës në perëndim të jetë sa më e suksesshme. Madje edhe paraprakisht ka lobuar me kërkesën për dërgimin e observatorëve ndërkombëtar në Kosovë më 2 korrik 1990. Në vijim po sjelli si shembull disa nga faksimilet e korrespondencës së ndërsjellë me letra të Berit Backerit me ministrinë e jashtme të Britanisë së Madhe, Parlamentin Evropian, Federatën e Helsinkit dhe përfaqësuesin e Helsinki Watch Amerikan, Kenneth Anderson:
III
Në vijim një nga shkrimet e Berit Backerit në lidhje me situatën në Kosovë, i sapo përkthyer në gjuhën shqipe, i vitit 1990, i botuar në gazetën zyrtare APEL të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-s). Përkatësisht në vijim është fillimisht përkthimi i këtij shkrimi në gjuhën shqipe, dhe më pastaj në vijim është edhe faksimilja e këtij shkrimi në origjinal në gjuhën norvegjeze. Në foton e këtij shkrimi në origjinal shihen 3 përfaqësuesit e kuvendit të Kosovës Muharem Shabani, Skënder Skënderi Bujar Gjurgjeala dhe shoqëruesi i tyre Fadil Demiri, aktivist i Shoqatës Migjeni në Lubjanë, gjatë vizitës së tyre jashtë shtetit (në Norvegji etj.), menjëherë pas shpalljes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.
GAZETA ZYRTARE E KOMITETIT NORVEGJEZ TË HELSINKIT, APEL, NR. 3/4, 1990
Publikuar nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit
Kosova nën kontrollin total të policisë
Nga Berit Backer, KNH
Situata në Kosovë është përkeqësuar në mënyrë drastike në muajt e fundit pasi Republika e Serbisë i hoqi Kosovës plotësisht autonominë me 5 korrik 1990. Krahina Autonome është nën kontrollin total të policisë dhe ka shumë që kanë frikë se çfarë do të ndodhë tutje me parlamentarët, anëtarët e qeverisë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut që janë burgosur. Janë ngritur akuza të cilat mund të rezultojë deri në 10 vjet burg kundër politikanëve dhe të tjerëve që janë në arrati në pjesë të ndryshme të vendit dhe jashtë vendit. Për këtë arsye, Komiteti Norvegjez i Helsinkit ka intensifikuar punën e vet për të drejtat e njeriut në Jugosllavi.
Që nga nëntori i vitit 1988, situata politike në Kosovë gradualisht është përkeqësuar. Më pas u ndruan kryetarët e partisë vendore Azem Vllasi dhe Kaqusha Jashari, sepse i rezistuan ndryshimeve kushtetuese që do të vinin. Një pjesë e madhe e popullsisë së Krahinës u mblodh në tubime proteste në Prishtinë.
Nga protestat masive në gjendjen e jashtëzakonshme
Në shkurt – mars 1989, minatorët e minierës së madhe Stan Tërg në qytetin e Mitrovicës hynë në grevë urie e cila ishte preludi i gjendjes së jashtëzakonshme, e cila u hoq vetëm formalisht për një kohë. Kosova u rrethua nga automjete të blinduara dhe forca speciale të armatosura me pushkë automatike.
Rinia demonstroi në pranverën e vitit 1989 dhe 1990 kundër heqjes se autonomisë dhe kërkoi reforma demokratike, dihen emrat e rreth 80 të vrarëve nga forca të ndryshme të armatosura në periudhën mars 1989 deri në shtator 1990. 300 të plagosur janë regjistruar nga organizata të ndryshme të drejtave të njeriut që veprojnë në krahinë.
Më herët në vitet tetëdhjetë, ishin kryesisht të rinjtë e rebeluar ata që prekeshin nga seksionet politike të kodit penal jugosllav, të cilat japin kompetenca shumë të gjera për të burgosur dhe gjykuar figurat e opozitës. Në parim, çdo gjë nga bisedat private deri tek organizimi politik mund të çojë në burgim deri në 10-15 vjet.
Paragrafët janë aplikuar pothuajse ekskluzivisht për shqiptarët në Kosovë vitet e fundit. Tani e gjithë popullata është e prekur nga forcat brutale të udhëzuara nga ana e autoriteteve serbe. Forcat policore të Serbisë kanë marrë kontrollin e plotë pasi parlamenti i Serbisë i hoqi autonominë krahinës më 5 korrik të këtij viti. Pas kësaj, duket sikur duan krejtësisht të varfërojnë dhe nënshtrojnë popullsinë shqiptare të Kosovës. Shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 për qind të popullsisë së Kosovës, po hiqen nga puna me mijëra. Deri më sot, të paktën 35,000 kanë humbur punën e tyre, sepse, në një mënyrë ose në një tjetër, ata nuk donin të pranonin pushtetarët e rinj.
Mjekët nën sulm
Grupe të caktuara janë veçanërisht të prekura. Kjo vlen për ish-zyrtarët qeveritar që kanë mbështetur kërkesën për mbrojtjen e autonomisë. Dhe kjo vlen po ashtu për personelin mjekësor. Vendet e punës që u sulmuan fillimisht ishte Spitali Universitar në kryeqytetin e Krahinës, Prishtinë.
Etika mjekësore në rrezik
Tanimë janë shkarkuar nga pozitat e tyre rreth 200 mjekë dhe 800 infermierë dhe personel tjetër mjekësor. Veçanërisht kirurgët janë sulmuar përveç të tjerash, se kanë ndihmuar protestuesit e plagosur. Mbledhjet e partisë dhe komisionet nga autoritetet qendrore u përpoqën që herët ti shkarkonin ata qe ishin aktivist, por nuk kishin bazë ligjore për aplikimin e ligjeve të veçanta serbe. Klinikat e tjera ku janë shkarkuar të gjithë mjekët shqiptarë janë gjinekologjia dhe mjekësia interne. Po ashtu mjekët në Institutin e Shëndetit Publik janë hequr nga puna. Këto ditë ka nisur i njëjti proces edhe në klinikën për fëmijë, me shkarkimin e drejtorit.
Spitali universitar ishte spitali që mund të trajtonte sëmundje më të komplikuara dhe të rënda. Infermieret dhe spitalet e mbetura kanë shumë pak staf dhe pajisje. Rezultati është se popullata nuk ka mbrojtje të duhur mjekësore, pasi i mungon besimi tek mjekët serbë që kanë mbetur.
Një teori për arsyen e sanksioneve të ashpra ndaj personelit mjekësor më kompetent është se ata u përfshinë aktivisht kur ndodhi ajo që duket të jenë helmimet masive të nxënësve shqiptarë. Mjekët ishin aktiv në lidhje me ofrimin e ndihmës për pacientët dhe ata morën mostra gjaku të cilat më vonë do të analizoheshin.
Autoritetet serbe i larguan shpejt nga puna duke deklaruar se mijëra konvulsione, të përziera dhe vështirësi në frymëmarrje të fëmijëve të shkollës janë aktrim dhe histeri masive. Mostrat e gjakut janë konfiskuar nga policia dhe derisa të dalin rezultatet nga ekipet ndërkombëtare që kanë mbërritur, nuk do të ketë analiza përfundimtare laboratorike për atë që ka ndodhur.
Njëkohësisht, nga disa vëzhgues të huaj janë shprehur dyshime të forta në lidhje me interpretimin zyrtar. Shumica e tyre e përjashtojnë mundësinë se kemi të bëjmë me aktrim. Është e vështirë të besohet se kaq shumë fëmijë në të njëjtën kohë dhe në vende të ndryshme do të koordinonin një aktrim të tillë. Disa prej tyre ishin vetëm gjashtë vjeçar.
Një sfidë për Evropën
Si mjekët ashtu edhe aktivistët e të drejtave të njeriut po kërkojnë nga vendet evropiane që të dërgojnë komisione dhe ekipe në Kosovë për të raportuar për situatën. Është e rëndësishme që autoritetet norvegjeze të adresojnë abuzimet në forumet ndërkombëtare në të cilat vendi merr pjesë.
PS
Disa nga shkrimet për Kosovën në gazetën zyrtare APEL të KNH-s, përktheheshin në gjuhën angleze dhe shpërndaheshin si informacion në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (përkatësisht në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s etj.), dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (përkatësisht delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadrin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-s etj.).
IV
Paraprakisht (para shembjes së murrit të Berlinit) GKKNH, përveç të tjerash ka iniciuar shkuarjen e një delegacioni me kompetencë për të vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, të ashtuquajtur “first fact-finding mission to Kosovo”
Fillimisht vlen të theksohet se Grupi për Kosovën si sektor në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), nga viti 1988, dhe nga viti 1990 si sektor me status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (njëherësh si veprimtari integrale në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) ka dhënë një kontribut të çmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Në fakt, informatat dhe sugjerimet në lidhje me çështjen e Kosovës, që GKKNH, i dërgonte në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH -s) dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (Delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE -s), e kishin peshën e vet të padiskutueshme si në aspektin e besueshmërisë, si në aspektin e të kuptuarit më objektiv të situatës politike në Kosovë dhe si në aspektin e prishjes së imazhit të rrejshëm të serbo-Jugosllavisë. Sepse këto informata dhe sugjerime në lidhje me çështjen e Kosovës, dërgoheshin nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit si organizatë gjysmë shtetërore dhe këshilluese për Ministrinë e jashtme të shtetit norvegjez, si shtet shumë aktiv dhe me kredibilitet moral në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Njëherësh vlen të theksohet se përfaqësuesve të GKKNH-s, gjithashtu ju jepej mundësia që si delegat nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH), të takojnë nëpër konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, edhe personalitete me influencë politike, ku e shfrytëzonin rastin në maksimum edhe gjatë bisedave joformale, duke i informuar më hollësisht për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke dhënë argumente për kërkesën “Kosova Republikë” si zgjidhje kompromisi dhe si zgjidhje që stabilizon politikisht Ballkanin. Fillimisht ky Grup u quajt Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), por me insistimin e Berit Backerit e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), në mënyrë që informacioni dhe veprimtaria e këtij sektori të mos paragjykoheshin krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore.
Protagonist i rëndësishëm i GBKNH-s ka qenë edhe Profesor Kristoffer Gjøtterud, fizikan dhe aktivist i shquar për të drejtat e njeriut (ish- bashkëpunëtor i Andrej Sakharovit etj.), njëkohësisht nënkryetar i Kryesisë së Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-s), duke përfshirë edhe disa personalitete të rëndësishme në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, që mbështetën veprimtarinë e GBKNH-s, madje në mesin e tyre kishte edhe veprimtarë të profilizuar të “Solidarnostit” polak, siç është shembulli i disidentit polak Aleksander Gleichegewicht. Gjithashtu, vlen të potencohet se gjatë kësaj periudhe, përveçse Kryesia dhe Sekretariati i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, udhëhiqej nga personalitete me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, edhe Këshilli i Komitetit Norvegjez të Helsinkit përbëhej nga disa personalitete politike me shumë ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar, përveç të tjerëve: kryetari i Këshillit Reiulf Steen (i cili gjatë karrierës së tij politike ka shërbyer si lider i partisë socialdemokrate norvegjeze – AP në periudhën 1975-1981, parlamentar në periudhën 1977-1992, dy herë ministër etj.), nënkryetari i Këshillit Jan Petersen (i cili gjatë karrierës së tij politike ka shërbyer si lider i partisë konservatore norvegjeze – Høyre, parlamentar, ministër i Jashtëm etj.). Gjatë kësaj periudhe, Jens Stoltenberg (aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s) ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit.
Berit Backer përveçse gjatë udhëtimeve të saja në Kosovë gjatë viteve `70 – `80 kishte mbledhur informata të rëndësishme për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, pas themelimit të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), angazhonte edhe profesionist të tjerë që të udhëtojnë në Kosovë me këtë qëllim. Në vitin 1988, me instruksionet dhe këshillat e Berit Backerit dhe Nufri Lekës (dhe me ndihmën e bashkëfamiljarëve të Nufriut në Kosovë), ka udhëtuar dhe është pritur në mënyrë të fshehtë në Kosovë, nje gazetare norvegjeze. Gjatë qëndrimit në Kosovë ajo ka mbledhur informata në lidhje me përpilimin e një raporti për gjendjen e jashtëzakonshme sociopolitike në Kosovë. Për më tepër, vlen të theksohet se GBKNH ka inkurajuar (para shembjes së murit të Berlinit), veçanërisht me ndihmën e Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit ka arritur ta bindë Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), që një delegacion i përbashkët të udhëtojë me misionin për ta vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Duke insistuar se te shtetet perëndimore ishte një përshtypje e gabuar për Jugosllavinë, që e dallonin “si më e mira ndër më të këqijat” krahasuar me shtetet e tjera autoritare dhe totalitare në Evropën Lindore kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut, në veçanti kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut në Kosovë. Rrjedhimisht, një delegacion i përbërë nga kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Karl von Schwarzenberg etj., nga përfaqësuesi i Helsinki Watch Amerikan, Kenneth Andersson, dhe nga përfaqësuesi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Kristtoffer Gjøtterud, të drejtuar nga Berit Backer, udhëtuan në të ashtuquajturin first fact – finding mission në Kosovë në shtator 1989 (para shembjes së murit të Berlinit), ndërsa në janar të 1990-s botohet raporti i parë për situatën në Kosovë nga ky delegacion i përbashkët, përkatësisht nga autori Kenneth Andersson, me titull “…Crisis in Kosovo”. Vlen të përmendet se një ndihmesë të rëndësishme brenda vendit për ketë delegacion e ka bërë Shkëlzen Kukleci (mik i hershëm i Berites, e cila kishte banuar tek familja e Shkëlzen Kuklecit në Kosovë, në fillimvitet `70, gjatë periudhës së studimeve të saja për shqiptarët, në fushën e socialantropoligjisë).
Sipas mikes së ngushtë të Berit Backerit, Ann Christine Eek, raporti “….Crisis in Kosovo” u bazua në një masë të madhe në informacionin e mbledhur dhe sugjerimet nga Berit Backer. Njëherësh vlen të theksohet se mendimet dhe sugjerimet e Berit Backerit, për situatën në Kosovë dhe në përgjithësi për situatën në Jugosllavi nuk vlerësoheshin vetëm nga ekspert të fushës si Harry Hodginson etj., por edhe nga personalitete me ndikim në fushën e të drejtave të njeriut, politikës dhe diplomacisë (të cilët gjatë viteve `80, kishin shfaqur interesim për situatën në Kosovë dhe në përgjithësi për situatën në Jugosllavi), përveç të tjerëve: Karl von Schwarzenberg (kryetari i parë në periudhën 1984 – 1991, i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s), Warren Zimmermann (udhëheqës i delegacionit të ShBA-së, në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE, në periudhën 1986 – 1989) etj. Për shembull, në raportin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit “…Crisis in Kosovo” përveç të tjerash, është marr parasysh sugjerimi i Berit Backerit, për rëndësinë e hapjes së konsullatës amerikane në Prishtinë shikuar nga pikëpamja e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo ide ishte iniciuar edhe paraprakisht nga veprimtari i shquar Sami Repishti etj., por tashmë kjo ide zinte vend në një raport të përbashkët të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch – Amerikan. Rrjedhimisht kjo e kishte një rëndësi të veçantë, ngase Helsinki Watch Amerikan (si pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) e kishte një rrol të rëndësishëm këshillues për politiken e jashtme amerikane. Gjithashtu Berit Backer, duke qenë në dijeni për udhëtimin dhe sfidën e qëndrimit në Kosovë të delegacionit të parlamentit Evropian në muajin maj 1989, ka insistuar që në raportin “…Crisis in Kosovo”, në kuadër të sugjerimeve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për Këshillin e Evropës (KE), që KE përveç të tjerash ti kërkojë llogari Jugosllavisë për delegacionin parlamentar Evropian, i cili u dërgua në Kosovë për të hetuar çështjet në maj 1989, por u detyrua të largohej dhe iu pamundësua të përmbush mandatin hetues që kishte, dhe se KE e ka obligim t’i kërkojë Jugosllavisë që të përmbushë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, standarde të cilat Jugosllavia është zotuar prej kohësh t’i ndjekë, edhe si nënshkruese e Deklaratës së Helsinkit (1975) dhe pjesëmarrëse e rregullt në kuadër të KSBE-s.
Në vijim janë gjashtë faksimile. Faksimilja e parë është dokumenti (lista e emrave dhe adresave) të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), i themeluar në vitin 1988, më pastaj i quajtur Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH). Në këtë dokument janë të listuar emrat dhe adresat e kryesisë së Grupit për Kosovën, bashkërisht me disa nga anëtarët e Kryesisë dhe Sekretariatit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-s), të cilët bashkërisht e mbështetën veprimtarinë e GBKNH-s për Kosovën, ndër të tjerë në radhë në listë janë: Berit Backer, kordinatore e GKKNH-s. Kristoffer Gjøtterud, zëvëndëskordinator i GKKNH-s, njëherësh nënkryetar i Kryesisë së Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Nufri Lekaj, përgjegjës për GBKNH etj. Faksimilja e dytë është fragmenti nga gazeta zyrtare “Apel” e Komitetit Norvegjez të Helsinkit që përfshin gjithë emrat e anëtarëve të Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, duke përfshirë të sipërcekurit Reiulf Steen, Jan Petersen dhe Jens Stoltenberg. Faksimilja e tretë dhe katërt është fotografia e kopertinës së raportit të pjesëtarëve të delegacionit të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (përfshirë pjesëtarët e Helsinki Watch Amerikan dhe të Komitetit Norvegjez të Helsinkit), dhe një pjesë të falënderimit për Berit Backerin, Kristoffer Gjøtterudin, Karl von Schwarzenberg etj., në hyrje të këtij raporti (acknowledgements). Faksimilja e pestë dhe e gjashtë janë fotot e dy fragmenteve të raportit…”Crisis in Kosovo”, të sipërcekura në lidhje me disa nga sugjerimet në këtë raport për politiken e jashtme amerikane dhe për këshillin e Evropës në lidhje me çështjen e Kosovës:
V
Pas shembjes së murrit të Berlinit, GKKNH, organizoi vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14 – 18 shkurt 1990.
Duke marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të “Procesit Civil të Helsinkit” ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse, koordinatorja e GBKNH-s, Berit Backer me bashkëpunëtorë e organizoi (menjëherë pas themelimit të LDK-së), vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me sugjerim të Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit (që të pasqyrohet pluralizmi politiko-demokratik i Kosovës) ky delegacioni i Kosovës ishte në përbërje nga Ibrahim Rugova, kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Maliqi, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës, dhe Nufri Lekaj në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, të cilët u takuan me disa personalitete të rëndësishme shtetërore dhe kulturore norvegjeze. Në vazhdën e kësaj vizite të delegacionit të Kosovës në Oslo dhe me nisje nga Oslo, GBKNH, nëpërmes kontakteve që kishte Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., ka lobuar që t’i hapen dyert Ibrahim Rugovës, nga politikanët perëndimorë, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar. Madje Berit Backer, paraprakisht më 12. 09. 1989, ishte e pranishme në cilësinë e inkurajueses dhe observatores, gjatë diskutimeve të para në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, që më pastaj rezultuan me themelimin e LDK-s. Kjo ndodhi konkretisht kur Berit Backer drejtoi vizitën e delegacionit të përbashkët në Kosovë të përfaqësuesve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Helsinki Watch Amerikan dhe Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Ky rrol inkurajues dhe ndihmues i Berit Backerit ishte një katalizator i rëndësishëm për kyçjen e çështjes së Kosovës për diskutim jo vetëm në kuadër të “Procesit Civil të Helsinkit”, përkatësisht në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit e themeluar në vitin 1982, bazuar në apelin e Andrej Sakharovit. Por edhe në kuadër të “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit”, përkatësisht në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-s, si një arene të konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit – 1975, që në ndërlidhje me shembjen e murrit të Berlinit rezultoi me fitoren e shteteve perëndimore ndaj shteteve totalitare dhe autoritare të lindjes. Në këtë vazhdë KSBE në vitin 1995 u institucionalizua në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, dhe të njëjtin vit (1995), shtetet anëtare të OSBE-s, nënshkruan të ashtuquajturin Pakt të Stabilitetit për Evropën, me synimin për një zgjidhje paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve në lidhje me çështjet e kufijve dhe pakicave kombëtare. Madje në këtë vazhdë, për operacionet e saj paqeruajtëse, OSBE-ja mund të kërkonte mbështetje ushtarake nga NATO ose BE, siç ishte më pastaj edhe shembulli më tipik i OSBE-s në rastin e Kosovës, përkatësisht inkurajimi për intervenimin ajror ushtarak të NATO-s, për mbrojtjen e popullatës në Kosovë në vitin 1999.
Njëherësh vlen të theksohet se (pas shembjes së murrit të Berlinit), GBKNH inkurajoi dhe mbështeti themelimin dhe veprimtarinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ) dhe të Komitetit Kosovar të Helsinkit (KKH-s) nëpërmes bashkëpunimit konkret në mes të Berit Backerit dhe Gazmend Pulës. Komiteti Kosovar i Helsinkit u themelua në muajin prill 1990 në krye me Gazmend Pulën (kryetar) dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë (Shkëlzen Maliqi, Arbër Xhaferi, Muhamedin Kullashi, Veton Surroi, Drita Mekuli, Agni Dika, Ekrem Beqiri etj). Ndërsa KMDLNJ u themelua në fundvitin 1989 (ku anëtar themelues ishte edhe Gazmend Pula) dhe u udhëhoq, fillimisht nga Bajram Kelmendi, Zekeria Cana, Zenun Qelaj etj. Më pastaj u shtua veprimtaria e këtij këshilli nën udhëheqjen e Adem Demaçit, i cili u lirua nga burgu më 21 prill 1990. Në fakt, themelimi i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe i Komitetit Kosovar të Helsinkit (duke përfshirë themelimin e Shoqatës Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë” (1990) dhe organizatës për të drejtat e grave dhe grupeve të margjinalizuara, “Motrat Qiriazi” (1990) etj., përveçse e përbënin bërthamën e Shoqërisë Civile në Kosovë, njëkohësisht ndikuan (sidomos fillimisht) edhe për afirmimin dhe për përkrahjen e rezistencës paqësore në Kosovë në krye me Ibrahim Rugovën.
Në këtë vazhdë, Adem Demaçi lidhi bashkëpunim të ngushtë me koordinatoren dhe zëvendëskordinatorin e GBKNH-s, Berit Backerin dhe Kristoffer Gjøtterudin. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, Adem Demaçi, ndërsa Berit Backeri dhe Kristoffer Gjøtterudi me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të tyre kudo në Evropë, ndikuan që ky “realitet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, si simbol i të drejtave dhe lirive të njeriut, që rezultoi edhe me mirënjohjen e tij me çmimin Sakharov (1991), në këtë vazhdë me mirënjohje të tjera, duke përfshirë çmimin Leo Eitinger për të drejtat e njeriut nga Universiteti i Oslos, dhe nominimet në shkurt dhe shtator të vitit 1994 për Çmimin Nobel për literatur dhe për Çmimin Nobel për paqe. Për më tepër, që në vitin 1878, Berit Backerin e ka kontaktuar Amnesty International për Adem Demaçin si i burgosuri politik numër një në Jugosllavi, dhe nga kjo periudhë Berit Backer është përpjekur të informon për rastin Demaçi dhe të promovon figurën e tij opozitare në kuadër të “Procesit Civil të Helsinkit” fillimisht në kuadër të komiteteve të Helsinkit në shtetet perëndimore dhe me pastaj nga viti 1982, edhe në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit.
Këshillat e Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit, si për përfaqësuesit e caktuar të LPK-s, si për Ibrahim Rugovën dhe si për Adem Demaçin, kanë qenë këshilla shumë të vyeshme, në kuptimin e sugjerimeve dhe insistimeve të tyre se çështja e Kosovës duhet dhe mund të ndërkombëtarizohet vetëm nëpërmes rezistencës civile me kërkesat për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, dhe se kjo me zhvillimin e ngjarjeve mundet gradualisht të legjitimoj kërkesën politike dhe përpjekjet tjera eventuale të shqiptarëve të Kosovës, për realizimin e Republikës së Kosovës. Vlen të theksohet se gjatë vizitës së parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në perëndim, përkatësisht në Oslo dhe me nisje nga Oslo (më 14 – 18 shkurt 1990), në një takim të hapur në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, më 17 shkurt 1990, (ku ishte i pranishëm edhe autori i këtij shkrimi), Ibrahim Rugova gjatë fjalimit të tij, shprehi respektin më të lartë për Berit Backerin dhe Kristoffer Gjøtterudin dhe këshillat e marra prej tyre. Ndërsa Adem Demaçi, me të drejtë e quante Beriten, Merita, dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me këtë emër, siç zakonisht e thërriste Baca Adem: Merita e shqiptarëve.
Pas shembjes së murit të Berlinit, ndikimi dhe ndihma e GBKNH-s nuk mungoi as për Shqipërinë. Kjo ndihmë u realizua në kuadër të një projekti shtesë të GBKNH-s, i ashtuquajturi projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh), i mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Jashtme Norvegjeze (MPJN). Ky projekt u udhëhoq nga Berit Backer (përgjegjëse e projektit) dhe nga Nufri Lekaj (koordinator i projektit). Fillimisht, nëpërmes këtij projekti u realizuan ndihmat emergjente nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë për në Shqipëri dhe, në këtë vazhdë, me ndihmën e këtij projekti, u etablua OJQ-ja e parë në Shqipëri në vitin 1991, si bërthama e parë nga jashtë për të drejtat e njeriut dhe demokratizim në Shqipëri, përkatësisht Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar. Në fakt, kjo është OJQja e parë e regjistruar në Shqipëri, e cila vazhdoi të funksionojë edhe pas vitit 1994 nën udhëheqjen e Kozara Katit etj. Gjithashtu, nëpërmes këtij projekti (ANSh-së) u ndihmua themelimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHN-s) në vitin 1991, nëpërmes bashkëpunimit konkret në mes Berit Backerit dhe Arben Putos, Kujtim Çashkut etj. Madje në kuadër të kësaj veprimtarie, Berit Backer, përveç të tjerash, ndihmoi që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-s). Gjithashtu në kuadër të kësaj veprimtarie, koordinatori i ANSh-së, Nufri Lekaj, si pjesë e koordinimit të Qendrës për Rehabilitimin e të Burgosurve Politikë në Tiranë me Qendrat Ballkanike, merr iniciativën në takimin në Greqi në vitin 1993, për etablimin e Qendrës në Kosovë për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë shqiptarë, e cila qendër u jetësua në vitin 2000 nga Feride Rushiti.
Për një orientim më konkret, në vijim janë gjashtë faksimile. Faksimilja e parë është një fragment nga shënimet e Berit Backerit më 12.09.1989, në cilësinë e inkurajueses dhe observatores, gjatë diskutimeve të para në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, që më pastaj rezultuan me themelimin e LDK-s. Faksimilja e dytë është dokumenti i agjendës që dëshmon se GKKNH, në kuadër të veprimtarisë së vet, përveç të tjerash, e organizoi edhe vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, më 14-18 shkurt 1990, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo. Faksimilja e tretë, është një shkrim në Gazetën Ekskluzive nr. 7/2000, që përshkruan këtë vizitë të parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo. Ndërsa faksimilja e katërt, është një dokument nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, që dëshmon se Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit nga viti 1990 arriti të ketë edhe status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, i riemëruar si Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), me përgjegjësin e Grupit, Nufri Lekën, dhe koordinatoren e Grupit, Berit Backerin. Njëherësh kjo faksimile/dokument dëshmon se edhe projekti shtesë i GBKNH-s, përkatësisht projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh) kishte status zyrtar si pjesë integrale e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, me përgjegjësen e këtij projekti, Berit Backerin, dhe koordinatorin e këtij projekti, Nufri Lekën. Faksimilja e pestë dhe gjashtë është kopja në lidhje me hapjen e workshopit të parë rajonal më 8 – 10 dhjetor 2000, në Tiranë (organizuar nga Qendra e Rehabilitimit për të Mbijetuarit e Torturës, në bashkëpunim me Rehabiltation and Research Center for Torture Victims), ku u shprehen fjalët mirënjohëse për Berit Backerin dhe për Nufri Lekën për kontributin e tyre paraprak në lidhje me këtë çështje:
VI
Shkurtimisht për prapavijën e themelimit të GKKNH-s
Themelimi i Grupit për Kosovën në kuadër të një organizate – Komitetit Norvegjez të Helsinkit (pothuajse organizatë gjysmështetërore dhe këshillëdhënëse për Ministrinë e Jashtme Norvegjeze – MPJN), nuk ka qenë aspak projekt i lehtë, sidomos duke e marrë parasysh lidhjen e fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe ish-Jugosllavisë. Përkatësisht propaganda serbo-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore kishte arritur gradualisht të ketë ndikim të madh në Norvegji, duke e shtrirë këtë ndikim propagandistik edhe në shtetet e tjera nordike. Fillimisht propaganda serbo-jugosllave e kishte arritur suksesin, duke e përdorur si mjet propagandistik historinë e të burgosurve jugosllavë të luftës në Norvegji (gjatë Luftës së Dytë Botërore) në kuptimin se vetëm serbët kanë qenë anti-nazifashistë të devotshëm: nga njëra anë duke i bashkëlidhur nocionet serb-partizan-antinazifashist-jugosllav, nga ana tjetër duke aluduar se popujt e tjerë në Jugosllavi, sidomos shqiptarët dhe kroatët, kanë qenë më shumë bashkëpunëtorë të nazifashistëve sesa kundërshtarë të nazifashistëve. Në bazë të kësaj propagande Serbia e stimulonte miqësinë me Norvegjinë edhe për arsyen se Norvegjia pas Luftës së Dytë Botërore rezultoi si shteti nordik më proaktiv në politikën e jashtme (krahasuar me shtetet e tjera nordike) dhe me shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shkak të kësaj lidhjeje në mes të Norvegjisë dhe Jugosllavisë, kolegët norvegjezë në kuadër të Grupit për Kosovën të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., e propozuan Nufri Lekën përgjegjës të GKKNH-s, i cili veçse kishte krijuar profil në mediat norvegjeze si shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi jugosllav, si ish-i burgosur dhe i përndjekur politik. Rrjedhimisht, në këtë mënyrë kolegët norvegjezë të GBKNH-s nuk mund të akuzoheshin drejtpërdrejt nga diplomacia jugosllave si anti-jugosllavë (dhe të vënin në siklet të madh marrëdhëniet shtetërore norvegjeze-jugosllave), ndërsa përkrahjen e tyre për GKKNH-n e legjitimonin bazuar në njërin ndër parimet e rëndësishme të Deklaratës së Helsinkit, përkatësisht parimin për respektimin e të drejtave të njeriut ngaqë edhe Jugosllavia, si një ndër shtetet nënshkruese, obligohej moralisht dhe politikisht ta respektonte Deklaratën e Helsinkit (1975). Madje që në periudhën e viteve 1976 – `77, në Beograd ishin mbajtur mbledhjet e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-s (me takimet pasuese) të bazuara në Deklaratën e Helsinkit, dhe regjimi i Beogradit në vazhdimësi bënte përpjekje ta ruante imazhin e rrejshëm të Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare, përveç tjerash duke e paraqitur Jugosllavinë si shtet që (kinse për dallim të shteteve autoritare dhe totalitare në Evropën lindore) e respekton parimin e drejtave të njeriut të bazuar në Deklaratën e Helsinkit.
Me fjalë të tjera, Nufriu, pas lirimit nga burgu në Kosovë, përveçse refuzohet t’i vazhdojë studimet në Universitetin e Prishtinës, i ngritët një aktakuzë e dytë për burgosje nga regjimi jugosllav, por arrin të arratiset dhe, me sugjerim të shokëve të organizuar, emigron në Norvegji, ku kishte nevojë për organizim të emigracionit shqiptar në këtë shtet dhe në përgjithësi në Skandinavi. Kështututje, nga viti 1987 ka qenë një ndër drejtuesit në emigracion i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-së), dhe bashkëthemelues dhe përgjegjës i Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH). Koordinatore e GKKNH-s, ishte Berit Backer e cila nga vjeshta e vitit 1987 ishte bërë këshilltare dhe simpatizante e LPRK-s, njëherësh aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut, studiuese e kulturës shqiptare dhe Mikja më e madhe idealiste e shqiptarëve që kanë pasur në historinë moderne. Përveç Nufriut, Berit Backer kishte njohje – bashkëpunimi edhe me pjesëtar të tjerë të LPRK-s, Ibrahim Kelmendin dhe Xhavit Halitin, por për hir të ruajtjes se rolit që kishte GKKNH e posaçërisht Berit Backer, këto mbaheshin si sekret se paku në publik, edhe pse perceptimi publik ishte se Berit Backer ishte bërë pjesë e LPRK-s. Madje Berit Backer ka pasur dëshirë të përbashkojë dhe koordinojë sa më shumë veprimtarinë lobiste dhe të diplomacisë joformale të emigracionit politik shqiptar për Kosovën, madje edhe duke treguar interesim që të lidhë një bashkëpunim në mes të GKKNH-s dhe Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror (KKIOB), që rezultoi nga strukturat e LPRK-së dhe merrej me veprimtari të ngjashme, në krye me Xhafer Shatrin etj. Edhe pse rrethanat e atëhershme (para shembjes së murit të Berlinit) për lidhjen e bashkëpunimeve të tilla ishin të ndërlikuara megjithëkëtë më pastaj pati një lloj bashkëpunimi edhe në mes të KKIOB-it dhe GBKNH-s, në fushën e shkëmbimit të informacionit në lidhje me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Në vijim si orientim më konkret janë të paraqitura/radhitura disa nga faksimilet/artikujt e gazetave norvegjeze dhe serbe për periudhën e viteve 1987-1989, që përshkruajnë organizimin e demonstratave në Oslo dhe në qendrat e tjera skandinave me kërkesën Kosova Republikë, dhe paraqitjet e Nufriut në mediat norvegjeze etj., i cili, më 29 shtator 1987, në cilësinë e njërit ndër drejtuesit e LPRK-së në emigracion (me banim në Oslo), dha një deklaratë në shtypin norvegjez, që e sfidoi shumë miqësinë në mes të shtetit norvegjez dhe Jugosllavisë, sepse nëpërmjet kësaj deklarate u informua opinioni norvegjez për përdorimin e torturës ndaj të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi për përndjekjet politike ndaj shqiptarëve, për kërkesën Kosova Republikë dhe për një rezyme historike të popullit shqiptar si popull me prejardhje ilire. Ambasada Jugosllave në Norvegji, si reagim ndaj kësaj deklarate, duke e përdorur si mjet miqësinë jugosllave-norvegjeze të formuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndikoi që organet shtetërore norvegjeze ta nënvlerësojnë në shtypin norvegjez vërtetësinë e kësaj deklarate. Në veçanti këtë nënvlerësim e bëri zëvendës ministrja e Jashtme e Norvegjisë në atë kohë, Helga Hernes, e cila, në emër të Ministrisë së Jashtme norvegjeze deklaroi se nuk ndodh përdorimi i torturës dhe shkelja e të drejtave nga pushteti jugosllav në Kosovë. Në këtë vazhdë, Nufriu insistoi edhe më shumë, nëpërmjet mediave norvegjeze, për ndërkombëtarizimin e dhunës nga regjimi serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos duke e marrë përkrahjen publike nga Amnesty në shtypin norvegjez dhe nga avokati Arild Farstadvoll, u arrit nga njëra anë një fillesë për dobësimin e ndikimit të propagandës së Ambasadës Jugosllave në Norvegji (e cila kishte si synim kryesor që shteti norvegjez ta dëboj Nufriun, në mënyrë që autoritetet jugosllave ta burgosnin përsëri), nga ana tjetër ky aktivitet në medie i bëri presion edhe Ministrisë së Jashtme norvegjeze ta rivlerësojë vërtetësinë e deklaratave të Nufriut në mediat norvegjeze në lidhje me shkeljet e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi serbo-jugosllav në Kosovë. Rrjedhimisht, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, në atë kohë njëherësh diplomat me përvojë, Thorvald Stoltenberg, e korrigjoi zëvendësministren e tij, Helga Hernes, në deklaratën e tij publike në shtypin norvegjez ku, përveç të tjerash, thuhet: “Ministri i Jashtëm Thorvald Stoltenberg në gazetën “VG”ka korrigjuar deklaratat e zëvendësministres së Jashtme Helga Hernes në lidhje me rrethanat në krahinën e Kosovës në Jugosllavi. Precizon: natyrisht nuk mund ta përjashtojmë mundësinë se ndodh persekutimi politik në Jugosllavi. Unë e pranoj me kënaqësi se ne kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Jugosllavinë dhe ne e përdorim pikërisht këtë marrëdhënie të mirë në bisedat tona me jugosllavët. Kështu që, është e mundur për t’u shprehur me saktësi dhe drejtpërdrejt miqve. Rrethanat në Kosovë janë shumë të komplikuara. Neve na kanë ardhur të dhëna për raste të veçanta, për persona të arrestuar me emër dhe mbiemër. Por, as Norvegjia e as ndonjë nga shtetet e tjera nordike nuk kanë mundur ta vërtetojnë këtë..” E me një rast Nufriu u kërcënua hapur nga Ambasada Jugosllave duke i thënë “mos luaj me zjarr”. Kjo ndodhi pas një përplasjeje në debat në një emision të radiotelevizionit norvegjez në mes të Nufriut dhe përfaqësuesit të Ambasadës Jugosllave. Ky kërcënim në njëfarë mënyre u përsërit edhe nëpërmjet gazetës serbe “NIN” më 23.04.1989 ku, përveç të tjerash, shkruan: “Separatistët shqiptarë gëzojnë një dozë përkrahje nga redaksitë norvegjeze…, por është dëgjuar edhe pala tjetër. Demonstratat e janarit (numër 4) nuk kishin aq bujë te gazetarët norvegjezë… u bënë me rastin e “përvjetorit të vrasjes së tre intelektualëve të njohur shqiptarë më 17 janar 1982 në Shtutgard nga ana e policisë jugosllave, duke i bindur kalimtarët sikur Gjermania të ishte bërë terren gjahu privat për shtetin e RSFJ-së. Demonstratat e pesta në vendin mik ishin masive… kanë tërhequr vëmendjen me forcën dhe masivitetin. Ka vazhduar prezantimi në televizion dhe radio. Kush prezanton të vërtetën dhe falsifikimin. Kësaj radhe është dëgjuar edhe pala tjetër. Programi i dytë i radios ka emituar fjalën e arsyeshme të sekretarit të parë të ambasadës, Milorad Djuroviq. Menjëherë me replikën e tij paraqitet refugjati politik Nufri Lekaj, i cili, duke mos menduar se po luan me bumerang, i është drejtuar me “kundërargument”, duke ofenduar publikisht diplomatin jugosllav me: gënjen, gënjen, gënjen. Menjëherë ndaj kësaj kanë reaguar disa qytetarë jugosllavë me përkatësi jugosllave…”. Vlen të precizohet se këtyre personave që gazeta serbe “NIN” iu referohet si qytetarë jugosllav me përkatësi jugosllave që kanë reaguar kundër Nufriut, në mesin e tyre kishte persona të lidhur me kryekriminelin e nëntokës serbe në Stokholm të Suedisë, i ashtuquajturi “Jokso”, i cili ishte mik i ngushtë i Arkanit, madje një nga bashkëpunëtorët e tyre i ashtuquajturi “Čenta” (sipas dëshmitarëve) e kishte vizituar Oslon që në vitin 1987, kur sapo kishte marrë hov organizimi i demonstratave etj. në Oslo, me kërkesën Kosova Republikë e, gjithashtu, (sipas dëshmitarëve që i kishin identifikuar) në vjeshtën e vitit 1987, dy inspektorë të lartë shqipfolës të UDB-së në Pejë, kishin vizituar Norvegjinë “për të mbledhur informacion”. Dihet tanimë botërisht se kriminelët e nëntokës serbe kanë punuar ngushtë me shërbimin sekret serbojugosllav (UDB-në) kundër veprimtarisë së emigracionit politik shqiptar dhe kroat, njëherësh edhe njerëz të caktuar të redaksive të gazetave serbe kanë qenë të sinkronizuar me këtë veprimtari të UDB-së, për më tepër që në vitin 1987, konkretisht me datën 24.11.1987, në gazetën serbe “Ilustrovana Politika”, përveç të tjerash, shkruan: Kanë organizuar demonstrata antijugosllave në Norvegji, por edhe në Suedi… Ne jemi të interesuar të dimë se a ka ndër ta edhe të tillë që kanë mbajtur dënime për ngjarjet kundërrevolucionare të vitit 1981. Pasi që dy nga bashkëfamiljarët e Nufriut, me ndihmën e një kroati identifikuan nga kishin ardhur kërcënimet në kuadër të çerdhes së këtyre “qytetarëve jugosllavë me përkatësi jugosllave” në Norvegji, që disa prej tyre mbanin lidhje me nëntokën serbe të Stokholmit në Suedi, u shpartallua kjo çerdhe dhe u shkurtua fuqia e saj kërcënuese. Qëllimi i UDB-s ishte që nëpërmes veglave të saj dhe kërcënimeve të dekurajohet dhe të ndalet veprimtaria për Kosovën e shqiptarëve në Norvegji, sidomos të dekurajohet dhe të ndalet veprimtaria e prishjes së imazhit të Serbo – Jugosllavisë në Norvegji në shtetet nordike, dhe në kuadër të “Procesit të Helsinkit” në përgjithësi.
Rrjedhimisht, në vijim janë 5 faksimilet e artikujve të gazetave të sipërcituara (sipërcekura) në periudhën 1987 – 1989. Përkatësisht faksimilja e parë, e dytë dhe e tretë janë artikujt e gazetave norvegjeze. Faksimilja e katërt dhe e pestë janë artikujt e gazetave serbe :
VII
Në vijim një nga shkrimet e Nufri Lekës, i përkthyer në gjuhën shqipe, i vitit 1991, i botuar në gazetën zyrtare APEL të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-s), që përveç të tjerash dëshmon se GKKNH e ka mbështetur politiken paqësore të Kosovës dhe se ka apeluar që të merret seriozisht politika paqësore e Kosovës në krye me misionarin e paqës Ibrahim Rugovën, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare mos të neglizhoj Republikën e Kosovës me mos-ftesë në negociata kur fton në negociata Republikat e tjera të Jugosllavisë. Në fakt, GKKNH e ka mbështetur politiken paqësore të Kosovës deri në vitin 1993-1994, përkatësisht deri me sinjalizimin për mospërfshirje të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, konkretisht deri me sinjalizimin për mospërfshirje të çështjes së Kosovës në kuadër të Konferencës së Dejtonit. Gjithashtu vitet 1993-1994, korrespondonin edhe me vendimet e shtuara dhe më konkrete të LPK-së, për kryengritjen e armatosur dhe me vendimin e themelimit formal / emërimit të UÇK-së. Pas këtij shkrimi të përkthyer në gjuhën shqipe në vijim, është edhe faksimilja e këtij shkrimi në origjinal në gjuhën norvegjeze.
GAZETA ZYRTARE E KOMITETIT NORVEGJEZ TË HELSINKIT, APEL, NR. 2, 1991
Publikuar nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit
Kosova dhe shqiptarët, të harruar nga Evropa
Nga Nufri R. Lekaj
Kohët e fundit mediet e ndryshme kanë raportuar dhe sjell pamje të shumta nga zonat e konfliktit në Jugosllavi, duke fokusuar veçanërisht në Kroaci dhe Slloveni dhe duke vënë në dukje se ky konflikt është një kërcënim për sigurinë në zonën e Ballkanit dhe për sigurinë e Evropës në përgjithësi.
Sa i përket situatës në Kosovë, vazhdojnë të ndodhin ato që tashmë i kemi lexuar dhe dëgjuar: dhuna, terrori dhe vrasjet, dhe siç Profesori nga Beogradi, Vojin Dimitrievic, rishtazi në një mbledhje të hapur në Oslo, deklaroi: “Në Kosovë tani kemi një qëndrim të ashpër racist nga ana serbe kundër shqiptarëve”. Në media kemi shumë pak informacion rreth situatës në Kosovë, sepse Kosova është lënë nën hije për shkak të luftës në Kroaci. Perëndimi, sidomos BE-ja, janë të angazhuara për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Jugosllavi, por një zgjidhje e tillë nuk është e mundshme përderisa nuk merret seriozisht situata në Kosovë dhe përderisa nënvlerësohet dëshira e shqiptarëve për të qenë të pranishëm në negociata. Një zgjidhje paqësore e konfliktit në Jugosllavi nuk do të ketë sukses në qoftë se nuk merren parasysh kërkesat e shqiptarëve në Kosovë. Kërkesat e shqiptarëve të Kosovës janë të moderuara, sepse qëllimi i shqiptarëve nuk është shkatërrimi i Jugosllavisë, por barazia me popujt e tjerë në një union të lirë – jugosllav, i përbërë nga shtetet sovrane që janë të pavarura në politikat e tyre të brendshme dhe të jashtme.
Marrëveshja për unionin do t’i sigurojë kufijtë e unionit dhe do ta krijojë bazën për një treg të përbashkët ekonomik. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se në situatën që gjenden sot, e kanë të pamundur të formojnë një shtet që përfshin tërë popullin shqiptar në Jugosllavi. Pakicat në Jugosllavi janë të kurdisura të vazhdojnë të jetojnë në republikat e Jugosllavisë. Prandaj, një marrëveshje e unionit e ngulitur në të drejtën ndërkombëtare e krijon bazën për sigurinë e të drejtave të minoriteteve.
Si shembull për këtë mund t’i referohemi Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës e miratuar nga Parlamenti i Kosovës më 15.09.90, e cila nuk njihet nga forcat okupuese serbe: “Kosova është republikë demokratike e përbërë nga shqiptarët (90 %), serbët dhe pakicat e tjera kombëtare (10 %) si bartës të sovranitetit të Republikës”. Duhet ripërsëritur se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë qenë kurrë të drejtuara për ta shkatërruar Jugosllavinë, por gjithnjë kanë qenë përpjekje për pavarësinë dhe barazinë e shqiptarëve në raport me republikat e tjera. Këto përpjekje u kanë kushtuar shqiptarëve shumë, në veçanti në 10 vjetët e fundit. Disa qindra janë vrarë gjatë demonstratave dhe protestave, qindra të tjerë janë plagosur dhe mijëra të tjerë janë burgosur dhe internuar për veprimtari politike. Përafërsisht 100 000 shqiptarë janë përjashtuar nga vendet e tyre të punës (nga sistemi gjyqësor, administrata, shëndetësia, policia, posta, universiteti, shkollat etj.) për shkak të bindjeve të tyre politike. Tani në këto vende të punës, në vend të shqiptarëve, janë kyçur kolonialistët serbë, të cilët marrin paga të dyfishuara krahasuar me pagat që kishin shqiptarët në këto vende të punës. Rrjedhimisht, Kosova është një “Territor Autonom” i okupuar nga një fuqi koloniale me emrin “Shteti i Serbisë”. Republikat e tjera në Jugosllavi e kanë ekskluduar Kosovën dhe shqiptarët në përpjekjet për një zgjidhje të konfliktit në Kosovë. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë qëndrim të republikave të tjera jugosllave (të populluara kryesisht me banorë me origjinë sllave) që nënkupton se nuk dëshirojnë t’i pranojnë shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë në një Jugosllavi të re, duke i lënë kështu shqiptarët të mbesin një koloni e Serbisë. Mbas një përpjekje nga ana e Perëndimit, shqiptarët filluan të shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Këshilli i Evropës i ka dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Të njëjtën gjë e ka bërë Kongresi Amerikan, gjithashtu edhe partitë politike dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Shqiptarët me udhëheqjen e tyre demokratike dhe “Gandin e shqiptarëve”, Dr. Ibrahim Rugovën, kanë krijuar simpati në vijën e tyre politike kundër regjimit shtypës serb.
Pavarësisht provokimeve dhe represioneve nga ana serbe, asnjë serb në Kosovë nuk është dëmtuar, plagosur ose vrarë nga shqiptarët. Kjo tregon se me çfarë lloj konflikti kemi të bëjmë: një luftë e pastër çlirimtare me mjete demokratike kundër një pushtuesi kolonialist. Shpresat e shqiptarëve për ndihmë nga Perëndimi kanë filluar të zbehen. BE-ja i ka ftuar të gjitha republikat jugosllave në negociatat në Hagë, por ka harruar ta ftojë edhe republikën e shtatë, Republikën e Kosovës. Pse? A duhet Kosova të sakrifikohet për interesat serbe dhe kroate? A do ta përsëritë Evropa, Londrën dhe marrëveshjen e Versajës për Jugosllavinë, e përsëri t’i sakrifikojë shqiptarët për Serbinë?
Ky neglizhim ndaj shqiptarëve në Jugosllavi tregon se BE-ja po e përgatit një marrëveshje të re për Jugosllavinë, që nuk merr parasysh interesat e shqiptarëve. Në Londër dhe Versajë ka qenë më e lehtë për të bërë këtë. Por tani situata është krejtësisht ndryshe në Evropë, ku demokracia dhe liria janë fjalët më të dashura të kombeve të shtypura dhe do të jetë e vështirë për çdo shtet tjetër dhe për BE-në për të luajtur me fatin popujve të shtypur. Në veçanti kur është fjala për shqiptarët, kjo është një lojë e rrezikshme. S’duhet të harrohet se shqiptarët në Jugosllavi janë populli i tretë për nga madhësia demografike (3 milionë) sa e gjithë popullsia në Shqipëri. Nëse vazhdohet të shpërfillen shqiptarët, ata do të detyrohen për atë që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta parandalojmë, për një konflikt të armatosur me pushtetin kolonial serb. Një situatë e tillë mund të çojë edhe në ndërhyrjen nga Shqipëria për t’i ndaluar krimet e luftës ndaj shqiptarëve në Kosovë (çfarë teknologjie ushtarake ka Serbia tregohet edhe nëpërmes eksportit të armëve të Serbisë në Irak). Është e qartë se nuk dëshirojmë të ndodhë një zhvillim i tillë në Ballkan. Prandaj është shumë e rëndësishme për të gjitha palët në tryezën e bisedimeve të mos i harrojnë shqiptarët të cilët kanë vullnet për bashkëpunim dhe duan të marrin pjesë në negociata.
PS
Disa nga shkrimet për Kosovën në gazetën zyrtare APEL të KNH-s, përktheheshin në gjuhën angleze dhe shpërndaheshin si informacion në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (përkatësisht në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s etj.), dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (përkatësisht delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadrin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-s etj.).
VIII
Vlen të theksohet se përfaqësuesve të GKKNH-s, përkatësisht koordinatores Berit Backer, zëvëndëskordinatorit Kristoffer Gjøtterud dhe përgjegjësit të GKKNH, Nufri Lekës, ju jepej mundësia që si delegat nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH), të takojnë nëpër konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, edhe personalitete me influencë politike, ku e shfrytëzonin rastin në maksimum edhe gjatë bisedave joformale, duke i informuar më hollësisht për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke dhënë argumente për kërkesën “Kosova Republikë” si zgjidhje kompromisi dhe si zgjidhje që stabilizon politikisht Ballkanin. Në këtë kuadër, Nufriu përveç të tjerash, prej datës 18 deri më 21 tetor 1990, në cilësinë e delegatit nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, u ftua të marrë pjesë edhe në mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë, e cila mbledhje ishte e sponsoruar nga një ndër iniciuesit e saj, Vaclav Havel, i cili, gjithashtu sikurse disidenti tjetër çek Jarosllav Shabata, në mënyrë implicite ishin për krijimin e strukturave të reja panevropiane, që nënkuptonte një riorganizim panevropian, duke filluar nëpërmes Asamblesë Qytetare të Helsinkit. Edhe GKKNH e përkrahte këtë ide, ngaqë shpresohej se Kosova do të mund të faktorizohej politikisht nëpërmes konceptit të të drejtave të njeriut, duke u anëtarësuar në një ristrukturim të ri organizativ panevropian në përpjekjet për t’u dekolonizuar nga Serbia në bazë të parimit për vetëvendosje. Por, ideja e sllovenit Tomazh Mastnak përkrahej më shumë, që Asambleja Qytetare e Helsinkit të mbetet një organizatë e asociacioneve të ndryshme joqeveritare të qytetarëve. Në kuadër të kësaj mbledhje, më 20 tetor u mbajt një tribunë e veçantë për Kosovën, Irlandën veriore dhe Transilvaninë, ku përgjegjësi i GBKNH-s, Nufri Lekaj, i bëri një kritikë qasjes që dominonte në diskursin e politikës perëndimore që, duke u thirrur në emër të një Evrope të bashkuar dhe të integruar, njëkohësisht ndërkomunikohej e drejta për vetëvendosje për shqiptarët në Jugosllavi. Rrjedhimisht, shpresën për një Evropë të bashkuar dhe të integruar, që parashihte ta përfshinte edhe Ballkanin dhe që nuk merrte parasysh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, në fjalimin e tij në këtë tribunë, përgjegjësi i GBKNH-s, Nufri Lekaj, e cilësoi si: një eufori utopike që vetëm zëvendëson euforinë utopike të socializmit nga e cila mezi kishim dalë dhe se nuk guxojmë të mashtrohemi prapë, sidomos ne shqiptarët, sepse pa u zgjidhur çështjet e pazgjidhura nacionale në Evropë, në veçanti çështja shqiptare në Jugosllavi, nuk mund të shpresojmë për një Evropë të bashkuar dhe të integruar. I pranishëm ishte edhe delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Shkëlzen Maliqi, i cili, në lidhje me këtë mbledhje themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë (duke e përfshirë edhe këtë fjalim të përgjegjësit të GBKNH-s), ka shkruar dhe botuar një shkrim në gazetën “Koha” më 3 nëntor 1990.
Krahas veprimtarisë në cilësinë përgjegjësit të GKKNH-s dhe njërit ndër drejtuesit e LPK-s, në emigracion, Nufriu ka vazhduar studimet, përkatësisht përveç studimeve të elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, ka studiuar për sociologji në Universitetin e Oslos dhe për gazetari në shkollën e lartë të gazetarisë në Oslo. Njëherësh ka zhvilluar edhe përvojë hulumtuese si bashkautor i raporteve hulumtuese, të shkruar enkas për ministritë norvegjeze, duke përfshirë angazhimin në Amnesty Internacional në Londër, dhe si bashkautor i raportit hulumtues për ish-të burgosurit politikë gjatë regjimit totalitar në Shqipëri, i realizuar në kuadër të projektit shtesë të GBKNHs, i ashtuquajturi projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh), i sponsorizuar nga Ministria e Jashtme Norvegjeze (MPJN). Në ndërkohë, nga fundvitet ’80, është angazhuar edhe si përkthyes i autorizuar në Norvegji. Ndërsa për veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut etj., është mirënjohur, përveç të tjerash: në shtator të vitit 1991, me propozim të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, është ftuar, së bashku me bashkëveprimtarin e tij Ole Drolsum në darkën solemne (në Kështjellën e Oslos) të organizuar nga ish-kryeministrja e Norvegjisë, Gro Harlem Brundtland, ku ishin të ftuar (pjesëmarrës) edhe një numër i konsiderueshëm i ekspertëve ndërkombëtarë, si shenjë mirënjohje për të pranishmit për kontributin e tyre për të drejtat e njeriut në nivel botëror. Pas propozimit të Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë në Norvegji (me arsyetimin se ka pasur rol të rëndësishëm për krijimin e opinioneve për dhjetëvjeçarin e fundit) i jepet mirënjohje nga Organizata Ndërkombëtare Who’s Who për Profesionalistët për vitin 2000. Në vitin 2015 është shpallur veteran i UÇK-së (njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm), për kontributin e tij për mbështetjen e UÇK-së në teren dhe në cilësinë e përfaqësuesit politik të UÇK-së për Skandinavi.
Si orientim më konkret në vijim janë të faqosura dy faksimile, përkatësisht shkrimi i sipërcekur i Shkelzen Maliqit (më 3 nëntor 1990) në lidhje me mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë. Gjithashtu janë të faqosura dy mirënjohje të sipërcekura, njëra ndërkombëtare dhe njëra kombëtare, duke përfshirë dy foto në kuadër të kontributit për UÇK-në. Njëra foto ( (korrik 1998): Nufri Lekaj dhe Esat Kadrijaj në mbështetje të UÇK-së në terren, përfshirë asistimin në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkësisë Shqiptare në Norvegji për të ndihmuar në vendosjen e Spitalit Fushor nga Norvegjia në zonën e kufirit Shqipëri – Kosovë. Foto tjetër, Nufriu në njërin nga debatet televizive në cilësinë e përfaqësuesit politik të UÇK-së për Skandinavi, njëherësh zëdhënës i Bashkësisë Shqiptare në Norvegji (BShN-së), konkretisht debat në lidhje me argumentime pro et contra intervenimit ajror të NATOs për mbrojtjen e popullit në Kosovë, ku pjesëmarrës në debat, përveç Nufriut, ishte edhe ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg (aktualisht sekretar i NATOs), gjithashtu politikani i mirënjohur norvegjez Erik Solheim, duke përfshirë një debatues serb etj.