Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, me mbështetjen e Bashkisë organizoi “Ditën vlonjate të poezisë”, një aktivitet që organizatorët synojnë ta shndërrojnë në një traditë.
Në këtë veprimtari, e para e dimensioneve të tilla që zhvillohet në qytetin e Vlorës ishin të pranishëm poetë e shkrimtarë nga rrethe të ndryshme të vendit, nga Kosova, apo edhe krijues që jetojnë e punojnë jashtë vendit, si në Greqi etj. Aktiviteti hodhi bazat e analizës për krijimtarinë e autorëve vlonjatë në vite, duke evidentuar emrat e spikatur, apo ata që kanë hedhur hapat e para në rrugën e letërsisë.
Të pranishmit theksuan se, poezia vlonjate i ka bazat e saj në traditën e krijuar nga emra të tillë sikurse Ali Asllani, apo autorë të tjerë, të njohur apo më pak të njohur, për shkaqe e faktorë të ndryshëm. Kjo traditë, që ka mbijetuar në dekada, ka mbërritur deri në brezat e sotëm, për të shërbyer si referencë në krijimtarinë e mëtejshme. Poetët dhe shkrimtarët janë përballur e po përballen me vështirësi, por kjo, sipas të pranishmëve, e bën edhe më të bukur artin.
Të pranishmit ndoqën me interes ligjëratat nga Myrteza Mara, Idajet Jahaj e Ilir Mborja.
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, Myrteza Mara, falënderoi Bashkinë e Vlorës dhe Kryetarin Shpëtim Gjika për mbështetjen për artin dhe letërsinë në qytetin e Vlorës.
Me këtë rast nënkryetari i Bashkisë Arben Beqiraj dorëzoi titullin “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës”, akorduar nga kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, për tre emra të njohur në fushën e krijimtarisë letrare e të publicistikës, mes të cilëve Duro Mustafaj, Luan Çipi e Andrea Petromilo.
Po ashtu, Ilir Mborja u vlerësua me Çmimin “Mirënjohje e Klubit” Petro Marko”.
Në këtë atmosferë u zhvillua edhe konkurrimi për interpretimin e poezisë më të bukur nga të pranishmit.
Juria e përbërë nga aktori Ilirjan Ali, poeti Nase Jani dhe gazetare Marjeta Mërkuri njëkohësisht moderatore, bëri vlerësimet përkatëse. Çmimi i Karrierës u akordua për poetët Qerim Skënderaj dhe Thodhori Baba-Vlorë, çmimi special për Riza Haziri-Mitrovcë dhe Beatriçe Balliçi-Elbasan, ndërsa çmimi i tretë në poezi për Zamira Agalliu-Vlorë, Eriselda Prifti-Fier. Çmimi i dytë në poezi u nda për Idajet Jahaj dhe Laureta Petoshati-Vlorë, ndërkohë që çmimi i parë ju dha poetes Anila Toto-Vlorë dhe Sabit Idrizi-Mitrovicë.
Në këtë aktivitet u nderua kujtimi i krijuesve vlonjatë që janë ndarë nga jeta vitet e fundit, mes të cilëve Ferhat Çakërri, Anastas Bita, Fadil Zeqiri, Miliano Stefa, Petrit Qejvani dhe Jonida Osmani.( Harilla Koçi)