* Shqiptaret duhet t’i luten Zotit t’i ruaje nga vetevetja/
*Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan…/
* Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim./
Nga Ilir Levonja/
Nëse nuk fitojmë sot me Serbinë, nuk është faji i ekipit. Biles përgatituni të mos u shkumosni duke i sharë. Eshtë faji i juaji. I këtij publiku apo populli që mbeti me brohorima entuziazmi. Aq sa duket sikur është forcë vullnetare e përjetshme. Më vjen keq që shprehem kështu. Unë jam pjesë e juaja. Por me keqardhje zbuloj se jemi më shumë se sa duhet. Më shumë se sa duhet për zhurmë, për fjalë patriotike, për dukshmëri, për të bërtitur etj. Dhe me sa duket, as që kemi për të vënë mend. Më shumë se sa duhet të dehur. Më shumë …
Nuk e di nga i gjejmë këto energji çoroditëse. Këto shfryma që një njeri i urtë i përmbledh me thelbin e mbrojtjes brenda psikologjisë tonë. Zot na ruaj? Por nëse të tjerët, ata jashtë sojit shqiptar.
I luten Zotit t’i ruaj nga gjithçka. Shqiptarët duhet t’i luten t’i ruaj nga vetvetja. Pra jemi më shumë se normalja. Jemi sa për t’u dukur. Sa për t’u treguar esnaf me fjalë, jo si burrat që pretendojmë se i kemi dhe se i respektojmë. Nuk jemi të tillë… Dhe për më tepër tani, në liri.
Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan. Përse? Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim.
Patriotizëm? Për Gorën, apo goranët…? Të cilët edhe aty ku janë sot, flasin akoma sllavisht. Dhe ndihen serbë, bullgarë apo maqedonas? Pra në mes të Shqipërisë. Kurse një i rritur në mes të Beogradit, vetëm pse ka emër mysliam, duhet të ndihet shqiptar. Ndryshe është tradhtar dhe Elbasani do e fërshëllejë?! Ndërkohë që kemi shqiptarë që çfarë nuk po bëjnë të ndihen deri kinezë. Mjaft që të ikin prej asaj Shqipërie.
Dhe nuk e di pse duhet të kënaqesh kaq me ekzaltim, deri frenetisht sikur do ringjallim gjithë çfarë kemi humbur nga politikat shfarosëse të Serbisë. Madje ngelëm duke kujtuar genocidet, barbaritë, luftrat nga mesjeta e këtëj. Se kush ka të drejtë, serbët apo shqiptarët? Dhe sepse atyre u pëlqen të mashtrojnë historinë në sytë e njerëzimit, ne duhet ta zhbëjmë atë. Njerëzimi e di më mirë nga ne historinë. Por si nga tradita, nga vitet që palosen, e keqja e vetvetes i ka mbajtur në barazpeshë anët e kandarit. Nuk ka qënë vetëm i huaji, por edhe me ne njëritjetrin. Ndaj sot na ka kapur marrëzia.
Ndaj jemi edhe kaq të shfrenuar. Na ngjan se na ka ardhur shanci në derë që ata njëmbëdhjetë njerëz në fushë t’i dërrmojnë deri sa të na kënaqet shpirti ynë prej vullnetari të përjetshëm. Pa e kuptuar aspak se po i përgjigjemi, vulgaritetit historik me të njëjtën monellë. Jo për liri, jo për lavdi, jo për patriotizëm por thjesht se kemi rënë në grackën e vulgarizmit. Sidomos, së pari studiot e Kosovës. Një vrull i shfrenuar, të gjorët viktima, lufta, liria, vatani. Autobuzi i ekipit serb me flamur shqiptar. Si u ka shpëtuar serbëve? Si u a hodhëm?! Gorani Miralem Sulejmani etj. Ai ambasadori atje, që refuzoi notën e protestës etj. Bravo, bravo i qoftë. Këto janë përralla.
Ideollogji. Pasi sa kohë që nuk respektoni njëritjetrin dhe mbetët duke u zënë me domate e tranguj në Kuvend. Nuk ka komb kështu. Por ka njerëz që për komb kanë dëshirën e shfrenuar. Së dyti, mjaft i ratë më qafë gjoksit dhe dëshmorëve të luftës. Kosovën e çliroi NATO dhe Amerika. Po, kështu është. Ata e çliruan. E çliruan por jo për të themeluar 57 parti, jo për të rrahur gjoksin, jo për t’u vulgarizuar si armiku i juaj, jo për tu ekzaltuar dhe bërë qiellin e Ballkanit të barbarizuar nga një lloj reshje benzine sikur kemi kapur dhe çliruar botën.
Së treti këta tipa që përgjërohen me drone e që politikanët tanë dritëshkurtër i publikojnë pamjet e tij me mjekërr talebani, për heroin e stërrët të fushës së zezë. Ja morën shpirtin së kuqes.
Shqiponjës, etj. Që nuk ngopen dhe i shtojnë dozat deri në histeri. Ballistin po e përmend edhe bota. Po, po…, por nuk ka përse të jetë e habitshme, që pas disa ditëve të na thuhet se e kanë pompuar qëllimisht me sponsorizim të serbëve. Ata qytetarë që mallkojnë një qeveri kur ndalon.
Dhe që janë gati të shkelin me mijra ligje vetëm e vetëm që ”patrioti” ballist, të dali e të ndezi qiellin e benzinë.
Së katërti, shqiptarët brenda shtetit të kafshuar amë. Që edhe pse kanë një grup të mrekullueshëm profesionistësh, duan si e si t’i bëjnë talebanë xhihadistë.
Webe, statute me patriotizëm. Poza pa fund politikanësh. Dhe e keni vënë re, që këta shtetarët tanë mbushen plot statute e foto, me lojtarë me emër, me këngëtarë e aktorë. Dhe policë apo ushtarakë të vrarë. Vetëm në adete e mysybete. Jo në të përditshmen. Statute të tilla…, Mbytini, vritini etj.
Një komb një atdhe. Edhe pse ia mbajmë njëritjetrit traun tek hunda. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë.Kthjellohuni se, qytetarisë së një vendi të lashtë i ka ardhur koha të dëshmojë. Për prapësitë e historisë që mundet edhe jo, të të duan ndëshkimin prej Zotit. Por jo prej shqiptarëve.
E sotshmja është një ndeshje futbolli që duhet të justifikojë edhe drejtësinë europiane karshi burokracisë dhe marrëdhënieve mes tarafeve dhe miqve të interesit. Që çuditërisht mëshirohen deri në intelektualë të tipit Mishel Platini. Shqiptarët e kanë brohoritur, adhuruar, dashurar.
Por puna është se ai u bë pjesë e pikërisht, kësaj vulgarizme globale që vuan prej shekujsh edhe qytetaria në Ballkanin perëndimor. Jepuni serbëve ujë bujarisht dhe lërini të qetë djemtë tanë.
Jepuni serbëve mesazhe paqeje. Po ashtu dhe njerëzimit nëpër botë. Jo tipat e ballistave që vdesin të duken talebane. Jepuni lule, jepuni brohoritje dhe tregojuni se klasit të respektit i erdhi shanci në historinë ballkanase të tregohet prej lashtësisë shqiptare. Ajo ka kohë që ka triumfuar.
I druhem kësaj shfryme, kolektive. Qoftë e afërt dita kur edhe të ndërrojmë.