Shkruan: Astrit Lulushi/Dielli
Kur Roma u themelua, sipas Plutarkut, Romuli solli etruskë nga Toskana, të cilët përhapën mes banorëve zakone e shkrime të shenjta, dhe i mësuan romakët t’i respektonin si të shenjta. Fillimisht, ata hapën një gropë depo në formë rrethi në qëndër të Romës. . . ku depozituan frytet e para të të gjitha prodhimeve që mund të përdoreshin sipas nevojës; çdo romak solli një pjesë të vogël të sendeve a prodhimeve të vendit nga kishte ardhur. Këtë llogore me rezerva të çfarëdollojshme, romakët e quajtën me fjalën etruske “mundus”, sepse u jepte njerëzve mundësi në rast nevoje. Rreth ‘mundus’ romakët ndërtuan Romën që ndikoi gjithë Botën (Mondo). Mundus, në qendër të çdo qyteti Etrusk, hapej thellë në tokë, dhe mbulohej me kapak nga një gur i madh, i quajtur “guri i shpirtrave”, i cili hapej vetëm në ditët kur të vdekurit lejoheshin të ngjiteshin mes të gjallëve, ose në kohën kur frutat e parë depozitoheshin për perënditë si ofertë korrjesh. Dy rrugët kryesore të qytetit kalonin në këtë vend, duke e ndarë zonën në lagje. Ky plan i rrjetit të rrugëve kishte një kuptim fetar; pasqyronte pamjen se si etruskët e shihnin universin. Etruskët besonin se qielli ishte i ndarë në katrorë. Sipas Etruskëve, shpjegon Plotarku, në veri, në pjesën më të lartë të qiellit ose në majën e qiellit, banonte kryeperëndia, Tinia ose i Tij. Ana lindore e qiellit ishte mirësia. Ana perëndimore ishte më pak e favorshme, këndi veriperëndimor i qiellit ishte më pak me fat nga të gjithë. Etruskët i konsideronin të domosdoshme kërkimet në qiell për planet e tyre. Kështu, qielli ndahej në 16 pjesë me një kuptim akulti për secilën.
Etruskë e bëjnë njeriun të mendojë. Aq shumë i dhanë njerëzimit sa edhe vetë u shuan. Me përjashtim të disa mbishkrimeve, fizikisht asgjë prej tyre s’ka mbetur. Për origjinën e qytetërimit etrusk që përfshiu Italinë perëndimore në periudhën e herëshme të kulturës së hekurit ekzistojnë tre hipoteza;
Ata ishin autoktonë a indigjenë që kishin jetuar gjithmonë në Etruria; etruskët u shpërngulën nga brigjet e Egjeut si grup emigrantësh nga Lydia e Anadollit; etruskët ishin pellazgë nga Thesalia, që kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Itali. Kjo besohet të ketë ndodhur kur rajoni u mbush me të ardhur të rinj helenë e ilirë dhe pellazgët që mbetën u asimiluan.
Romakët mësuan, huazuan dhe trashëguan shumë nga etruskët, përpara se t’i zhduknin si entitet kulturor e politik.
Ndër të tjera, elementët etruske mbijetuan në gjurmë e simbole; Toga romake filloi si veshje ceremoniale etruske, shufrat e lidhura të argjendit ishin për pastrim, dhe sëpata ishte një simbol i fuqisë mbretërore. Veshja zyrtare e pushtetarëve etruskë ishte e kuqe, ngjyrë që romakët e përvetësuan; ndërsa mes shqiptarëve është edhe sot një emblemë mbretërore e flamur. Romakët trashëguan edhe “triumfet” a parakalimet a paradat që pasonin një fitore, dhe betejat e gladiatorëve që kënaqnin etjen për gjak të njerëzve.
Bota e etruskëve është më shumë misterioze dhe e paarritshme se ajo e Egjiptit, Mesopotamisë, Kretës ose Mikenës. Fatkeqësisht, Etruskët nuk mund të na flasin drejtpërdrejt. Livy, historian, thotë se Romakët studiuan letërsinë etruske, duke marrë gjithça prej saj. Mbishkrimet me shkronja të ngjashme me greqishten, edhe mund të lexohen dhe shqiptohen, por ato vështirë se kuptohen. Romakët janë më shumë fajtorë, sepse pasi mësuan shumë nga Etruskët, praktikisht i zhdukën si entitet, dhe në fund e fshinë kujtesën e tyre. Etruskët vazhdojnë të jenë popull enigmatik. Pothuajse të gjithë historianët e lashtë besonin se ata erdhën nga Lydia, në Azinë e Vogël, dhe shumica e studiuesve ndoqën Herodotin. Në shekullin V pes, ati i historisë, shkroi se rreth vitit 1200 pes, Lydia u prek nga një uri e madhe, dhe pasi e duroi krizën për shumë vite, mbreti Lydian (qē baba kishte Atyin) e ndau popullin në dy grupe dhe hodhi short se cili grup të qëndronte dhe cili të emigronte. Grupit që udhëhiqej nga djali i tij, Tyrrhenus i ra shorti për të emigruar. Kështu ai zbriti në bregdet në Smyrna, ndërtoi anije, dhe lundroi në kërkim të jetës më të mirë diku tjetër. Tyrrhenus në krye të njerëzve të tij kaloi në më shumë vende, gjurmët e ndalesave mund të duken sot në emra vendbanimesh të lashta si Tyrrenei, Tiranë e Toskë, e ndoshta Teheran. Më në fund ata mbrritën në Umbria në veri të Italisë. Herodoti, i saktë në aq shumë raste, këtë histori e tregon si legjendë.
Dionisi i Halikarnasit, i cili jetoi në shekullin I të erës sone, rreth 500 vjet pas Herodotit, e vuri në dyshim këtë shpjegim, dhe prej asaj kohe deri sot studiuesit janë përçarë, disa thonë se Etruskët janë pasardhësit e një populli lindor që zgjodhi Italinë perëndimore për të jetuar, dhe ata që thonë se Etruskët mund të jenë një racë indigjene por me influencë nga lindja. Mosmarrëveshja vazhdon; historianët sot e kanë bërë çështjen edhe më rrëmujë, duke thënë se, Etruskët nuk ishin as grekë e as romakë, ata ishin lindorë në ndjenjë, por jo në origjinë.