Kosova, drejt krizës paszgjedhore?/
-Nuk vijon nga ora e paraparë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit dhe 5 nënkryetarëve/

-Paralajmërohet nga kryesuesi thirrja e një takimi konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare për të biseduar rreth vijimit të seancës konstituive/

Gazetari Behlul Jashari ne sallen e Kuvendit te Kosoves(Dielli-arkiv)
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 4 Gusht 2017/ Kosova duket se po shkon drejt një krize paszgjedhore të moskrijimit me kohë të institucioneve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Nuk vijon sot nga ora e paraparë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, në mungesë të deputetëve nga koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma e të tjerë. Ndërkohë njoftohet se Kryesia e PDK-së është mbledhur në selinë e saj në orën kur ishte e paraparë vijimi i seancës së Kuvendit.
Deputeti më i vjetër, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, konstatoi se “janë 60 deputetë në sallë”, që është vetëm gjysma, po edhe në këtë përbërje u bënë disa deklarata në foltoren e sallës plenare. Kryesuesi ndërpreu këto deklarime dhe paralajmëroi thirrjen e një takimi konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare për sot në orën 12:00 për të biseduar rreth vijimit të seancës konstituive.
Me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës ishte paralajmëruar për sot në orën 10:00 vazhdimi i seancës konstituive, e nisur dje paradite me vonesë, e zhvilluar me tre pushime dhe e ndërprerë në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.
Vetëm ky koalicion, si fitues i zgjedhjeve, sipas një vendimi të para tre viteve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, por për ta zgjedhur me 39 mandatet që i ka dhe përkrahjen e siguruar nga deputetë e subjekte tjera parlamentare duket nuk ka numrin e duhur të votave, së paku 61 nga 120 anëtarët e parlamentit.
Mungesa, të paktën edhe e një vote, u pa gjatë zhvillimeve të djeshme të seancës konstituive. Pas betimit të deputetëve, koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, i cili erdhi me vonesë në seancë, kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të axhendës që është zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim votash, pro 60 edhe kundër 60. “Kur është rezutati i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk aprovohet”, tha kryesuesi i seancës, deputeti më i vijetër, Adem Mikullovci, nga Lëvizja Vetëvendosje që po ndihmohej nga deputetja më e re, Teuta Rugova e LDK-së, e cila votoi pro propozimit të koalicionit PDK-AAK-Nisma, e vetmja nga 61 deputetët e VV-së (32) dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa (29).
Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës, më pas edhe të tjerët dhe mbeti e paqartë se kur do vijonte seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e papërfunduar.
Gjatë punimeve të djeshme, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila nisi me vetëm 73 deputetë të pranishëm, pas pushimit të tretë u konstatua se janë të gjithë 120 deputetët në sallë, e më pas u paraqit raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, i cili u miratua unanimisht. Seanca vijoi me dhënin e betimit të deputetëve, që ishte pikë e dytë e axhendës trepikëshe.
Pika e tretë është “zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit” dhe me këtë përmbyllet konstituimi i legjislaturës së gjashtë në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të tretë pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
Kushtetua përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët, 3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit.