-Pandeli Majko në Kosovë: Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë. Ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata/-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Nëntor 2015/ Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ishte në krye të qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99, sot në Prishtinë dha mesazhin se, Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë, ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.Në prag të 28 Nëntorit, Veseli dhe Majko përcollën mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët, me porosinë që ajo të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar.Në takim zyrtar, njëkohësisht edhe midis miqsh, u evokuan kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyen ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.Kryetari Veseli falënderoi ish-kryeministrin Majko për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën nga të gjitha pozitat e tij drejtuese, në kohë dhe rrethana të ndryshme, që nga Lufta çlirimtare, kur Majko ishte në krye të ekzekutivit shqiptar.Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon. Kreu i Kuvendit shfaqi interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën zyrtare në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht lëmin parlamentar.
Lidhur me zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, ishte dakordim i përbashkët nevoja e komunikimit midis subjekteve politike, i cili do t’i hapte rrugë arritjes së një konsensusi të përbashkët, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimit të jetës sociale e ekonomike të tyre, zhvillimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare.
Ish-kryeministri Majko, nga ana e tij, tha se çdo vizitë në shtëpinë e tij të dytë, siç e konsideroi ai Kosovën, përcillet me emocion të veçantë, ndërsa këtë radhë, edhe me shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh herë, sipas tij, eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare. Por, ai u shpreh i bindur se gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur.
“Ne kemi një varg shumë të bukur te Himni Kombëtar, ‘Rreth flamurit të përbashkuar’. Mendoj se 28 nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata, sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin edhe gjakun, e jo më të tejkalojnë inatet politike të natyrave të ndryshme, nga më të drejtat, deri në më të gabuarat. Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë”, theksoi Majko.
Ai shprehu optimizmin se të gjithë ata që janë pjesë e kujtimeve të tij, e që sot veprojnë nëpër parti të ndryshme politike, kanë mundësitë që në prag të Festës së Flamurit të gjejnë një gjuhë të përbashkët, me qëllim që t’i japin Kosovës atë që meriton, një ëndërr për të nesërmen, për të vazhduar rrugën e cila ka të bëjë jo vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët.
Ndërsa, pas takimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’:
“Në takim me mikun tim, ish kryeministrin dhe tash deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majkon, evokuam kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyem ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, së bashku, ua uruam shqiptarëve kudo që janë, Ditën e Flamurit, që kjo festë të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar”.