
SI E NDRYSHOI PANDEMIA MARRËDHËNIEN E NJERIUT ME LIBRIN-
Albert Gjoka, administrator i platformës më të madhe online të librit shqip “Bukinisti”, në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka analizuar situatën e librit në Shqipëri dhe shpjegon se si ka ndryshuar raporti i librit me lexuesin veçanërisht gjatë pandemisë. Albert Gjoka, ka përfunduar studimet doktorale në fushën e studimeve letrare dhe ka një përvojë mbi 15 vjeçare në fushën e medias dhe komunikimit. Z. Gjoka shprehet se pandemia ktheu lexuesin te letërsia e vlerave.

PANDEMIA NXITI LEXUESIN TË SHKOJË TEK LETËRSIA E VLERAVE
Periudha e pandemisë i mbylli njerëzit brenda katër mureve të shtëpisë dhe një ndër gjërat më me vlerë që bënë ata për ti dhënë kuptim kohës së tyre, ishin të uleshin dhe të lexonin libra. Kjo u shoqërua me rritje drastike të punës së platformave online si Bukinist. Muajit mars, prill dhe maj shënuan kërkesa rekord nëse do t’i krahasonim me muajt e tjerë apo periudhat e tjera të mëparshme. Çuditërisht, lexuesit e përqendruan vëmendjen e tyre tek ato libra që kanë si tematikë apo që flasin për epidemitë; ku ndër titujt më të kërkuar ishin “Murtaja” e Alber Kamysë, “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it, “Dekameroni” i Bokaçios, “Sytë e errësirës” të Dean Koontz, etj. Por, pati një rikthim edhe tek letërsia klasike, pa lënë mënjanë librat bestseller që janë më të kërkuarit në tregjet e librit kudo në botë. Fatmirësisht, kjo pandemi e ka nxitur lexuesin të shkojë tek letërsia e vlerave, e ka afruar më shumë pranë librit dhe e ka bërë që të reflektojë më tepër për vlerat e lirisë në një botë të sëmurë ku je i privuar nga shumë gjëra.

NJERIU DHE LIBRI, MARRËDHËNIE QË PO KRIJON TRADITË APO RASTËSI?
Lexuesi është më i zgjuar se botuesi apo librari. Ai e zgjedh sot librin për tu informuar, për të kuptuar më tepër apo për tu zbavitur. Këto nevoja ndikojnë edhe në ecurinë e tregut dhe shijet e lexuesve. Këto kohë ka pasur një rritje të kërkesës për librat e zhvillimit personal, librat e motivimit, biznesit, të natyrës psikologjie apo leadershipit. Këto botime konsiderohen si “pilula euforie” në një botë të ngarkuar emocionalisht, plot pasiguri dhe sfida. Libri është një mjet për të kuptuar më shumë rreth asaj që po ndodh në Shqipëri dhe kudo në botë. Po ashtu, dua të ndaj me ju edhe një fenomen tjetër pozitiv në tregun e librit. Shtëpitë botuese po sjellin në shqip libra, të cilët sapo kanë dalë edhe në tregun botëror. Gjatë kësaj kohe është shkurtuar koha e botimit të veprës origjinale me ato të përkthyera në gjuhën shqipe. Lexuesi shqiptar tashmë përdor më shumë se më parë edhe literaturën në gjuhë të huaj, kryesisht atë angleze, italiane franceze, etj.. Kjo po ndikon në ndryshime radikale të shijeve estetike të lexuesit dhe orientimin e tij drejt zhanreve dhe kategorive të reja. Këtu ka edhe përplasje mes brezave të lexuesve, ku ata në moshë mbi 50 vjeç janë më të pasionuar pas letërsisë klasike, qoftë e huaj apo shqiptare. Gjithësesi, në horizont është shfaqur prej kohësh një lexues i ri, i cili ka shije të reja estetike dhe qasje të re ndaj tekstit. Ky lexues e pasuron mendërisht dhe shpirtërisht mjedisin dhe krijon premisa për mënyra të reja të menduari dhe të shijuari të librit apo letërsisë.
AFRIMIN E LIBRIT TEK SHQIPTARËT E DIASPORËS

Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë mendoj se kanë të njëjtin raport si edhe një apo dy dekada më parë; nuk ka rënie të numrit të lexuesve, përtej asaj që flitet në media, por nuk konstatohet as rritje e tyre. Nëse flitet më shumë për librin, nëse hapësirat mediatike dhe publike e bëjnë librin pjesë të diskursit të tyre, atëherë ka rritje të interesit. Mjafton të përmendim një fakt të thjeshtë: Në Panairin vjetor të librit shitjet rriten në mënyrë të rrufeshme sepse ka vëmendje të shtuar. Por, nëse do të ketë përgjatë vitit edhe 2-3 evente të tjera të ngjashme apo përafërta, dhe nëse do të promovohen autorët dhe librat më tepër, unë mendoj se do të ketë përmirësime. Tregu është potencialisht 2-3 herë më i madh, por kërkon marketing më të mirë, menaxhim më cilësor dhe punë më të mira në të gjitha hallkat e sistemit të edukimit në shkollë dhe familje. Problemi më i madh është për afrimin e librit tek shqiptarët e diasporës. Kanë nisur disa përpjekje në fushën e edukimit përmes disa projekteve institucionale, por jemi ende shumë larg. Ne nuk kemi qenë të aftë për ti mbajtur bashkëatdhetarët tanë të lidhur me gjuhën dhe kulturën përmes librit. Por, konstatojmë se gjatë 2-3 viteve të fundit ka rritje të kërkesave për libra në platformën tonë, sidomos nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Kanada, SHBA, Suedi, Francë dhe ndonjë vend tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm për kostot në transportin e librit, por po bëjmë ç’është e mundur që të ofrojmë shërbimin më të mirë, që ata të cilët e duan librin shqip, t’ia çojmë aty ku ndodhen. Këto kohë kemi shtuar opsionet me pagesave me kartë krediti, pay pal, transfertë bankare, etj. Një ndër shqetësimet më të mëdha për ne është edhe kostoja e lartë e marketingut të librit jashtë Shqipërisë. Por, përmes jush dua t’i ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë që ta ta bëjnë pjesë të jetës së tyre librin shqip, ta mbajnë të gjallë gjuhën tonë përmes librit, të kontribuojnë me përkthime në shqip të autorëve cilësorë që njohin aty ku jetojnë dhe të mbajnë të gjallë traditën dhe origjinën e tyre me botimet shqip. I ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë që të ndjekin hapësirën virtuale të Bukinist.al, duke iu premtuar se do të ketë një shërbim gjithnjë e më të mirë ndaj tyre. Ne i mirëpresim propozimet e tyre dhe jemi të angazhuar për të futur shërbime të reja më inovative në tregun e librit online.
“BUKINISTI” SI PJESË E MARKETINGUT DHE SHITJES SË LIBRIT ONLINE
Bukinist.al e ka nisur rrugëtimin e tij në tregun e librit në muajin korrik të vitit 2016, si pjesë e Nettrade Albania, kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri. Përvoja e gjatë që kishte kjo kompani në fushën e e-commerce në disa tregje; stafi që ka, me të rinj plot ide, inovatorë dhe ambiciozë, shoqëruar me filozofinë e punës së Bukinist ishin garancia për një rrugë me sukses. Para se të nisnim punën tregu i librit në përgjithësi dukej i vakët: Dy subjekte që shisnin online në platforma gjysmëprofesionale e-commerci ishin thuajse në agoninë e tyre. Pas gjithë këtyre viteve konstatojmë se Bukinist i dha shpresë shitjes së librit online dhe revolucionarizoi marketingun e librit në përgjithësi. Sot ne jemi platforma më e madhe online e librit shqip dhe një nga tre operatorët më të mëdhenj të tregut të librit në Shqipëri. Janë mbi 10 mijë libra të kategorive të ndryshme që aksesohen për blerje online, të hedhura në qarkullim nga botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj. Po ashtu, ne kemi komunitetin më të madh të lexuesve aktivë që jo vetëm porosisin libra, por edhe shkruajnë revieë dhe ndajnë përvoja leximesh.
FORMAT E MARKETINGUT NË INDUSTRINË E SHITJES “BUKINIST”
Në fokusin tonë ka qenë dhe mbetet marketingu digjital (online), i përqendruar kryesisht në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram, ku shqiptarët edhe shpenzojnë një kohë relativisht të konsiderueshme. Po ashtu, kemi përdorur edhe Google apo Youtube. Buxheti më i madh shpenzohet në këto kanale, por ne kemi organizuar edhe evente fizike në qendrat e mëdha tregtare si TEG dhe QTU, si “Pazari i librit” dhe “Magjia e librit” me fokus oferta masive për lexuesit në ditë të tilla si Dita Botërore e Librit në prill apo muaji i librit në tetor dhe nëntor. Krahas tyre, kemi bashkëpunuar me partnerë si Ministria e Kulturës, kompani të mëdha të telefonisë celulare, organizata, etj., në fushatat për promovimin e librit dhe leximit. Pjesë e punës tonë është edhe mbështetja e klubeve të librit dhe organizimi i një konkursi vjetor për librat më të mirë në kategoritë; libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe librat e zhvillimit personal. Duke parë rëndësinë që kanë revieë-të për lexuesit dhe promovimin e librit, prej kohësh kemi hapur blogun Leximtari, ku publikojmë përshtypjet e lexuesve dhe bëjmë rekomandimet tona.
KOMUNIKIMI I LIBRIT PËRMES FORMAVE DIGJITALE SI NJË DOMOSDOSHMËRI
Shqipëria është ende në fazat fillestare të përdorimit masiv të teknologjisë për të lexuar apo tregtuar librin. Unë e kam fjalën këtu për e-book apo forma të tjera. Ka disa përpjekje modeste, – jo për qëllime tregu, – me audiobook-un, por duhet thënë se jemi ende shumë larg. Komunikimi i librit në shumë forma është sfida më e madhe për tregun e librit shqip, ku të humburit e mëdhenj janë përgjithësisht shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët kanë kosto shtesë për të siguruar librin shqip në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Të drejtat e autorit, mbrojtja e pronësë intelektuale, mungesa e standardeve të sigurisë për shitjen e produkteve online, një zhvillim i vonuar i formave të pagesës online me kosto të ulët dhe skepticizmi i botuesve ka bërë që ky treg të mbetet fatkeqësisht tej mase prapa, nëse e krahasojmë me vende të tjera, qoftë në rajon, Europë dhe më gjerë. Komunikimi i librit përmes formave digjitale është domosdoshmëri, në kohën kur kostot e transportit të librit fizik (hardcopy) janë të larta, apo në situata të tilla si kjo e pandemisë, kur ka shkaktuar një kaos të vërtetë me dërgesat e librit jashtë Shqipërisë. Në këtë treg ka shumë rrisqe, të cilat duhet ti sfidojmëë bashkërisht, si botuesit, autorët dhe librarët.