Papa Françesku shkoi te shtunen me 26 Shtator në Filadelfia ku do të mbyllë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara. Pas fjalimeve në Kongres dhe në Kombet e Bashkuara këtë javë që synuan nxitjen e udhëheqësve botërorë për veprime të guximshme mbi imigracionin dhe mjedisin, Papa pritet të përqëndrohet më shumë tek katolikët e zakonshëm gjatë dy ditëve të tij në Filadelfia. Në Filadelfia, Papa drejtoi edhe një meshë në Katedralen e Shën Pjetrit dhe Palit.
Ai mbërriti nga Nju Jorku, ku të premten u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në OKB të drejtojnë përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike, varfërisë dhe të mbrojnë refugjatët që po largohen nga zonat me konflikte.
“Po kështu, qeveritarët duhet të bëjnë gjithçka të mundur për t’u siguruar se të gjithë do të kenë minimumin material dhe shpirtëror për të jetuar me dinjitet dhe për të krijuar dhe mbajtur një familje, e cila është qeliza bazë e çdo zhvillimi shoqëror. E thënë më thjesht, nevojiten tre gjëra: strehim, punësim, dhe tokë.”
Në Nju Jork, Papa drejtoi meshën për mijëra vetë në sheshin Madison dhe vizitoi një shkollë në Harlem.
Reagimi ka qenë i gjithanshëm ndaj kësaj vizite që filloi me Uashingtonin. Njerëz nga besime të ndryshme e përkrahin dhe e njohin me dashuri si “Papa i njerëzve”.
“Mendoj se ai ja del të na bashkojë të gjithëve, pavarësisht besimit fetar. Më pëlqen që ka një fuqi që shtrihet përtej fesë.”
Papa e mbyll nesër vizitën e tij në SHBA me pjesëmarrjen në “Takimin Botëror të Familjeve” dhe me një meshë në qiell të hapur që pritet të mbledhë 2 milionë njerëz.