Vizita e parë shtetërore e presidentit amerikan, Donald Trump, tek Papa Françesku. Do të kujtohet edhe për transmetimin e drejtpërdrejtë nga Qendra Televizive e Vatikanit, ashtu siç ndodhi për vizitën e paraardhësit të tij, Barck Obama. Në orën 8.32, Ati i Shenjtë i shtrëngoi dorën presidentit Trump në Sallën e Fronit e pas fotografive për shtypin, u ul për një bisedë gjysëm orëshe me të, në bibliotekën private.
Gruaja e presidentit amerikan, Melania, pavarësisht se ishte në Vatikan, së bashku me të shoqin, nuk mori pjesë në bisedë dhe u takua më pas me Papën, të cilit i kërkoi bekimin për një Rruzare, që kishte në dorë. Në orën 11.15, ajo shkoi për vizitë në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” në Romë, ndërsa e bija, Ivanka (edhe ajo pjesë e delegacionit), në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku u takua me gratë, viktima të trafikut të njerëzve, që strehohen nga kjo Bashkësi.
Pas bisedës private, Donald Trump i paraqiti Papës delegacionin amerikan, prej 11 vetësh. Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Ndër të tjera, Ati i Shenjtë i dha presidentit tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium”, “Amoris laetitia” e “Laudato sii”, si edhe një kpje të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2017, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Papa Bergoglio bekoi edhe disa rruzare të tjera e, së fundi, u dhuroi të pranishmëve medaljen e papnisë. “Nuk do të harroj ç’me thatë” duket se ka thënë Donald Trump në përfundim të audiencës para se të shkonte në takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.
E ndërsa presidenti shoqërohej për takimin me autoritetet e tjera të Vatikanit, e shoqja, Melania, vizitonte Kapelën Paoline. Në përfundim të bisedës, Trump dhe familja e tij vizituan Kapelën Sikstine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit. Po sot, presidenti amerikan u takua me homologun e tij italian, Mattarella, në Quirinale dhe me kryeministrin italian Gentiloni, në Vilën Taverna, për të diskutuar mbi temat e mbledhjes së G7-ës, që do të mbahet të premten, në Taormina të Italisë. Rreth orës 13.40 presidenti amerikan niset për në Bruksel.
Paqja në botë dhe gjendja e të krishterëve, në qendër të takimit Papë-Trump/
Në përfundim të takimit të Papës Françesku me presidentin amerikan, Donald Trump, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri deklaratën e mëposhtme:
“Sot paradite, e mërkurë 24 maj 2017, Shkëlqesia e Tij, z. Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë Françesku dhe, më pas, u takua me Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë bisedës së përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dyplaëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve, si edhe u vu në dukje impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. U urua një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA-të, e impenjuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, të edukimit dhe të asistencës për emigrantët. Bisedimet mundësuan shkëmbimin e pikpamjeve për disa tema, që kanë të bëjnë me aktualitetin ndërkombëtar dhe me promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike dhe dialogut ndërfetar, duke iu referuar veçanërisht gjendjes në Lindjen e Mesme dhe kujdesit për bashkësitë e krishtera”.(Radio Vatikani)