Nga Frank Shkreli/
Të djelën, në mbyllje të Sinodit të Jashtzakonshëm mbi Familjen që u mbajtë në Vatikan, Papa Françesku celebroi meshën me këtë rast në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë meshës, Papa Françesku beatifikoi paraardhësin e tij Papa Palin e VI, duke e shpallur atë të lumtur. Me këtë njoftim, Papa Françesku e cilësoi Palin e VI si një “Papë të madh”, si një të “krishtër guximtar” dhe një “apostull të palodhshëm”. Kardinali italian Giovanni Battista Re u citua të ketë thënë për Papa Palin VI, se ai ishte “një mendimtar i madh” dhe “shumë i ndjeshëm ndaj sfidave të botës moderne”. Ai tha gjithashtu se Pali i VI ishte i vetdijshëm se shumica e njerëzve në këtë botë nuk ishin katolikë, fakt ky që e bënte atë një “burrë të madh të dialogut”, jo vetëm me përfaqsues të besimeve të tjera, por edhe me ata që nuk i përkisnin asnjë besimi. Kardinali Battista Re u citua nga media të këtë thënë se Papa Pali VI, “ishte shembull i dialogut duke treguar respekt për të tjerët, si njëri që dëgjonte dhe respektonte pikëpamjet e tyre dhe si i tillë besonte se çdo njeri ka vlerë….”
Papa Pali i VI është njëri prej papëve që nuk njihet aq mirë nga shqiptarët, pasi jetoi dhe veproi gjatë luftës së ftohtë dhe kur feja ishte e ndalur me ligj në Shqpëri dhe ishte edhe koha e ndjekjeve dhe persekutimeve të klerit katolik në Shqipëri, në një kohë kur regjimi komunist i Enver Hoxhës e quante Vatikanin si “qëndrën e obskurantizmit botëror”. Megjithkëtë, besimi i Papa Palit VI në vlerat dhe në traditat dhe vetitë cilësuese të shqiptarëve, si dhe respekti i tij ndaj historisë së shqiptarëve dhe të vuajtjeve të tyre në përgjithësi, e sidomos respekti ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skendërbe, u tregua me pritjen që ai u bëri shqiptarëve në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar.
Shqiptarët kishin shkuar në Romë për të festuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit nga të gjitha anët e botës së lirë, përveç nga Shqipëria komuniste. Kishin vajtur atje arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova,mërgimtarë nga Europa dhe Australia, madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Organizata Pan-shqiptare Vatra ishte e pranishme në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, që i printe i ndjeri Anthony Athanas. Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan më 1968, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20 u bashkuan me arbëreshët që ishin detyruar të largoheshin nga trojet e tyre nga otomanët pesë shekuj më pare. U bashkuan në Romë dhe në Vatikanpër një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje as krahine — ashtu si ishte dikurë dhe si duhet të jetë edhe sot. Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi, në një përshkrim të gjatë të festimeve, shkruante se emëri i Shqipërisë dhe i Fatosit të saj Gjergj Kastrioti -Skënderbeu gjatë festimeve të 500-vjetorit, bëri jehonë anë e mbanë botës si asnjë herë më parë, falë edhe fjalimit të mbajti me atë rast para shqiptarëve Papa Pali i VI. Në fjalimin e transmetuar nga media ndërkombëtare e kohës, Papa Pali i VIiu drejtua shqiptarëve të pranishëm dhe “gjakut të shprishur” të përhapur anëe mbanë botës me këto fjalë:
“Bijë fort të dashur Shqiptarë,
Po ju sjellim një mirëseardhje të veçantë në këtë ditë që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, fatosit tuaj të emërit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atnore.
Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë (fjalë këto që Papa Pali i VI i tha në gjuhën shqipe).
Fatosi Skandërbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtënë Atdhe dhe në mërgim.
Dhe nëqoftse se historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka premtuar që ju, me të gjitha të mirat e gjakut tuaj të shprishur, (edhe këto fjalë Papa Pali i VI i tha në shqip) me veprimtarinë e gjallë që e kini në shpirt dhe me njohuri të fituara, u bëtë urë miqësishë e bashkpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni bërë para-ardhësit e ekumenizmit modern.
Urimi ynë në këtë rast pra për ju, për të gjithë Shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti i juaj kreshnik që kini trashëguar nga të Parët tuaj. Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.
Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skandërbegut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atnore.”
Shqiptarët e shpërndarë në të gjitha anët e botës së lirë kishin vajtur në Romë për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbe — i cili në 500-vjetorin e vdekjes i mblodhi ata ashtu siç i pat bashkuar princat shqiptarë më 1444 kundër armikut të përbashkët. Kishin vajtur aty gjithashtu për tu takuar me Papën me këtë rast nga dhe per të dëgjuar fjalët përshëndetse dhe tepër miqësore ndaj kombit shiqptar dhe për të marrë bekimin e tij.
Megjithëse me 1968 dhe në raste të tjera, Papa Pali i VI ishte shprehur me një fjalor superlativ për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për heroin e tyre Gjergj Kastriotin – Skënderbe, regjimi komunist i Enver Hoxhës i shikonte ndryshe rrjedhat e historisë së Vatikanit me Shqiptarët.Tre vjetë më heret në tetor të vitit 1965, Papa Pali i VI ishte Papa i parë në histori që vizitoi Shtetet e Bashkuara dhe i pari udhëheqës i Kishës Katolike që ishte ftuar të mbante një fjalim para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Bota priste me ankth mesazhin e parë të një Pape para OKB-së, në të cilin ai bëri thirrje për paqë duke deklaruar, “Kurrë më luftë, kurrrë më….” Në atë fjalim, ai i bëri gjithashtu apel ndërgjegjes morale të njeriut duke thënë, se “Ka ardhur koha për një moment reflektimi shpirtëror, pothuaj për një moment lutjeje, për një moment për të menduar rishtas për origjinën tonë të përbashkët. Sot më shumë se kurrë, në një periudhë që dallohet nga përparimi njerzor, ekziston nevoja për të bërë një apel ndaj ndërgjegjës morale të njeriut.Sepse rreziku nuk vjen nga progresi, as nga shkenca, përkundrazi po të përdoren ato ashtu siç duhet, këto mund të zgjidhin shumë prej problemeve me të cilat përballet sot bota. Rreziku i vërtetë vjen nga vet njeriu….Me pak fjalë, qytetërimi modern duhet të ndërtohet mbi parime shpirtërore…..”,tha ai në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Si fjalimi i parë nga një Papë në OKB,sipas shtypit vendas të kohës, u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të ngrohta nga të gjitha 117 delegacionet e atëhershme, vende anëtare të OKB, me përjashtim të diplomatëve të Shqipërisë komuniste. Por paraqitja e Papa palit të VI në foltoren e OKB-së kishte zemëruar pa masë regjimin komunist të Enver Hoxhës. Shtypi amerikan, përfshirë edhe televizionin, njoftoi se njëri prej vendeve anëtare të OKB-ës, përfaqsuesit pra të Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës, kishin dalur nga salla e Asamblesë së Përgjithshme, në protestë kundër pranisë së Papës Palit të VI në podiumin e OKB-së dhe kundër fjalimit të tij për paqë, para organizatës botërore. Kamerat e televizionit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, tregonin karrigat bosh të delegacionit të Shqipërisë enveriste. Bojkoti i Shqipërisë komuniste ndaj fjalimit të Papa Palit të VI, në bazë të lajmeve të kohës, shkaktoi një indinjatë të thellë jo vetëm në Kombet e Bashkuara por edhe në radhët e publikut amerikan. Por nuk mjaftoi bojkoti.Dalja jashtë në protesë kundër Papës nga salla e OKB-ës e delegacionit të Shqipërisë komuniste u pasua nga një fushatë me kritika të ashpëra kundër Papës dhe Vatikanit, të urdhëruara nga Enver Hoxha dhe të shpërndara nga mjetet e propgandës së tij me radio dhe me shtyp. Në një prononcim të ish-diktatorit shqiptar në lidhje me vizitën e Papa Palit VI në OKB, thuhet se, “Misioni i papës është një ndihmë që ai i jep agresionit amerikan dhe revizionizmit sovjetik.Papa e hoqi maskën e tij spirtiuale.Udhëtimi në UNO u vendos nga vetë Papa, në përgjigje të kërkesës qëtu vintenë ndihmë dhe të mbështesteimperilaizmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik që janë duke humbur terren.” Ndër të tjera, Enver Hoxha deklaroi me atë rast se, “Këthimi i Vatikanit në akcionet dhe metodat mesjetare ka për të prurë një katastrofë të pashmangshme….”
Gazeta Shiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, shkruante për indinjatën e madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan për ato që ai cilësonte si “sjellje të panjerzishme e delegacionit komunist të Tiranës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ndaj Papa Palit të VI duke qenë të vetmit që nuk ishin të pranishëm në Sallën e Madhe të Asaamblesë së UNO-s, kur Shënjtëria e Tij mbajti fjalimin e lartë me 4 Tetor 1965.” Gazeta Shqiptari i Lirë, si zëdhënse e njoftonte gjithashtu komunitetin shqiptaro-amerikan edhe për telegramet protestë që kishte dërguar Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Dr. Rexhep Krasniqi, dërguar autoriteteve botërore duke kritikuar bojkotin e Papës nga delegacioni shqiptar, përfshirë edhe një telegram dërguar Ministrit të Jashtëm të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Ciccognani,në të cilin thoshte: “Komiteti Shqipëria e Lirë, zëdhënës i popullit shqiptar — i venë sot në heshtje — dhe anëtar i Kuvndit të Kombeve të Robëruara Europiane, i lutet Shkëlqesisë tuaj të bëheni ndërmjetës pranë Atit të Shënjtë, Palit VI duke i shfaqur atij indinjatën e thellë të Komitetit Shqipëria e Lirë, për sjelljen e urrejtshme të delegacaionit të qeverisë komuniste të Tiranës me rastin e mbajtjes së fjalimit të Papa Palit të VI në favor të paqës në Kombet e Bashkuara.” Dr. Rexhep Krasniqi vazhdon telegramin e tij drejtuar Ministrit të Vatikanit, duke e siguruar atë se, “Ajo sjellje e urrejtshme është plotësisht në kundërshtim me ndjenjat e respektit të thellë dhe dashurisë që populli shqiptar ushqen ndaj Kryetarit të Kishës Katolike”, përfundon, Dr. Rexhep Krasniqi njërin prej telegrameve që ai kishte dërguar personalitetve botërore, për t’i siguruar ata se përfaqsuesit e regjimit komunist të Tiranës, me bojkotin e tyre, nuk përfaqsonin ndjenjat e popullit shqiptar për Papën ose për Vatikanin, por theksonte ai, në vend që të shikojnë interesat e kombit shqiptar, ata janë promovoues të revolucionit Bolshevik ndërkombëtar dhe si të tillë, me largimin e tyre nga salla e OKB-së, nuk mund të përfaqsonin ndjenjat dhe respektin e popullit shqiptar ndaj Selisë Apostolike.
Dr. Rexhep Krasniqi kishte të drejtë! Historia e provoi se populli shqiptar, pa marrë parasyshë se ç’pretendonte regjimi i Enver Hoxhës, ruan ndjenja miqësore, dashurie dhe respekti për Papët gjatë historisë, dhe ansjelltas. Kombi shqiptar këtë respekt dhe dashuri e tregoi qartë sidomos gjatë vizitës muajin e kaluar në Tiranë të Papa Françeskut dhe gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II pas shëmbjes së komunizmit me 1993. Pritjet madhështore nga shqiptarët dhe deklaratat e tyre gjatë vizitave në Shqipëri, por edhe fjalimi i Papa Palit të VI me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut ku ai i deklaroi botës, cilësitë dhe vetitë dalluese të kombit shqiptar, besa nderi e burrënia, fjalë këto që ai i tha në gjuhën shqipe, venë në dukje historinë e ndjenjave të respektit dhe dashurisë midis Vatikanit dhe kombit shqiptar ç’prej kohës së Skënderbeut. Fjalimet dhe deklaratat e këtyre papëve dhe të tjerëve gjatë historisë, mund të jenë bërë në periudha të ndryshme historike, por në thelb, përbëjnë vazhdimësinë e marrëdhënjeve miqësore dhe përmbajnë kujdesin, dashurinë dhe respektin e Vatikanit për kombin shqiptar dhe për mirëqenjen e tij, por reflektojnë gjithashtu edhe respektin që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë për Papët e Romës.