-Kalendar, Gazeta DIELLI/
PRISHTINË, 6 Shkurt 2019/ Para 20 viteve, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 shkurt 1999 nisi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak.
Konferenca u ndërpre në 23 shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 mars në Paris. Në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovs nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën. Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.
Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.
Në 24 mars filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë, në vendin që në 2019-tën feston 20 vjetorin e lirisë e 11 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin historik 2008. /b.j/