Nga Eugjen Merlika/
“Ndërkaq këtë vit është parashikuar Shqipëria, për dy arsye të rëndësishme. E para, sepse kanë arritur të bëjnë një qeveri të bashkimit kombëtar – po bëhet fjalë për Ballkanin, ë? – ndërmjet myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve, me një këshill ndërfetar që ndihmon mjaft, i ekuilibruar e harmonik, kjo është gjë e mirë. Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku. Nëse mendojmë pastaj për historinë e Shqipërisë, ka qenë i vetmi nga vëndet komuniste që kishte ateizmin të vendosur në kushtetutë : shkuarja në meshë ishte antikushtetuese ! Janë shkatërruar 1820 kisha, të tjera të kthyera në kinema, teatro, salla vallzimi…. “
Këto ishin fjalët që Papa Françesku, duke u kthyer nga udhëtimi i tij i tretë në botë, që nga shkurti i vitit të kaluar, kur u zgjodh, pothuajse njëzëri, në fronin e Shën Pjetrit, u tha gazetarëve në aeroplanin me të cilin fluturonte drejt Romës. Ishte vizita e parë në kontinentin aziatik dhe u zhvillua në Kore, në pjesën qëndrore të saj, në faltoren e Solmoes ku Kreu i Krishterimit pati takim me 6000 të rinj e të reja nga gjithë Azia.
Udhëtimi i tij i katërt do të jetë në Shqipëri. Është sihariqi më i mirë që mund të kishin shqiptarët në këtë fazë të trazuar të jetës ndërkombëtare e, do të thosha, edhe të jetës së Vendit. Është një sukses i politikës shqiptare, një nga të paktit, në këto 23 vjet të pas komunizmit, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në NATO e në BE. Në hapësirën e kohës prej 21 vjetësh Shqipëria vizitohet nga dy vikarë të Krishtit. Vizitat kryhen në dy çaste historike të ndryshme. E para u krye më 25 prill 1993 nga Papa Vojtila, i ngjitur në drejtimin e Vatikanit nga toka martire polake, njeriu që ndikoi në planin vetiak, më shumë se kushdo tjetër në shembjen e komunizmit. Ulja në gjunjë e puthja e tokës arbërore nga ana e Tij ishte nderimi më i madh që i bëhej një Vendi të varfër, që dilte nga përvoja më e keqe e komunizmit evropian, por që kishte dhënë edhe shëmbullin e qëndresës ndaj së keqes në pushtet, me martirizimin e klerit të tre besimeve, kryesisht me atë katolik. Duke puthur “tokën e fshikulluar nga përndjekja” e duke thirrur “Evropa nuk duhet të harrojë”, Papa polak i jepte një përkrahje të hapur, në nivel botëror, atdheut të Skënderbeut, për të cilin të tjerë parardhës të hershëm të Tij ishin shprehur me fjalët më të ngrohta e me ndihma. Nëse “porosia” e Gjon Palit II nuk pati rezultatet e pritura, arsyet duhet t’i kërkojmë në veten tonë, në klasën politike, që gënjente veten duke dashur të ndërtonte shoqërinë e tregut të lirë me metodat e mendësinë e socializmit ramizist. Sot Papa Françesku, “i ardhur nga fundi i botës”, pranon ftesën e Qeverisë shqiptare, duke i dhënë asaj përparësi në gjithë kontinentin. E bën këtë për të ngritur, para botës, një shembull harmonie të bashkëjetesës dhe bashkëqeverimit të tre besimeve fetare më të përhapura : të islamizmit, të krishterimit ortodoks e të atij katolik. Ai e quan atë dukuri si shfaqje të krijimit “të një qeverie të bashkimit kombëtar”. Është i qartë objekti në mendimin e Papës, edhe se nuk i përgjigjet së vërtetës në planin institucional, por kjo tregon një mangësi të këshilltarëve të tij, që nuk janë të njoftuar mirë për gjëndjen shqiptare.
Vlerësimi i Françeskut vjen në një çast të vështirë të gjëndjes ndërkombëtare, kur pakica myslimane në vende të ndryshme, nëpërmjet terrorit ushtarak po shpallin “kalifate”, duke shfarosur e dhunuar të gjitha pakicat e besimeve të tjera, madje dhe të atyre islame jo sunite. Shembulli i Shqipërisë është ndër të paktit në botë, në të cilin ndryshimi i besimeve, nuk ka ndikuar për keq jetën politike.
Duhet theksuar se kjo meritë nuk është veçanti e klasës politike pas komuniste, të lindur, rritur e formuar me ateizmin në kushtetutë, të ideuar nga Enver Hoxha e pasuesit e tij për të garuar me Mao Ce Dunin dhe revolucionin e tij kultural, por të “Etërve të Kombit”, që nga krijimi i Shtetit shqiptar e deri në ardhjen në fuqi të komunistëve. Të gjitha qeveritë shqiptare të para 29 nëndorit 1944, ruanin barazpeshën e përfaqësimeve fetare e krahinore. Shqipëria e Rilindjes kombëtare, duke lënë liri të plotë ushtrimi të besimeve fetare, kishte vënë në qendër të filozofisë së saj politike vargun madhor të Vaso Pashës “feja e shqiptarit asht shqiptarija”. Nuk ishte një prirje për të kufizuar apo ndaluar veprimtaritë e besimtarëve e klerikëve të tyre, mjaft prej të cilëve ishin aktorë të rëndësishëm të jetës politike, por e vetëdijes se duhej të ndërtohej një shtet laik, në shembullin e demokracive të Evropës, e se nxitja e dasive fetare do të ishte dukuria më shkatërruese për vetë Kombin. Enver Hoxha e komunistët shqiptarë e bënë “flamur” vargun e poetit e shtetarit shkodran, për të shkatërruar institucionet fetare dhe jetët shpirtërore të shqiptarëve. Kësaj tragjedie, të markës staliniane, të paparë në historinë bashkëkohore të botës, deri në ditët e sotme, kur po i a kalojnë nga përmasat e cilësia e dhunës, vetëm pasuesit aziatikë, afrikanë e evropianë të Bin Ladenit dhe Al Bagdatit, vjen t’i bëjë nderimin e tij dhe të Kishës që përfaqëson Papa i Romës, Françesku, figura më karizmatike e botës së sotme.
“Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku.” A është Shqipëria e sotme politike një model i këtij parimi thelbësor për qytetërimin tonë ? Me keqardhje të thellë mund të them se jemi në të kundërtën e tij. Fatmirësisht, prania e tre besimeve fetare, deri tani, nuk ka penguar zhvillimin normal të jetës politike, e cila ka mbetur robe e mendësisë komuniste në një anë dhe e makutërisë së importuar kapitaliste, nga ana tjetër. Larg çdo parimi të respektimit të interesit të përgjithshëm mbi atë vetiak e të vlerësimit si mision të përkohshëm në dobi të Kombit, pjesëmarrjen në jetën politike, aktorët e asaj skene në Shqipëri shquhen për dasitë, jo të besimeve fetare apo bindjeve politike e morale, por për ndarjen në klane e grupe të interesit, që kanë të gjithë të njëjtin synim : pasurimin skajor të secilit.
Jeta politike e kësaj periudhe të pas komunizmit, duke përjashtuar deri diku vitet e para të ndërrimit të sistemit, është një luftë pa caqe për të zotëruar pushtetin, në të cilën nuk kanë munguar përpjekjet e çdo lloji për të tjetërsuar edhe përfundimet e votimeve. Sot marredhëniet mes shumicës qeverisëse dhe pakicës kundërshtuese në Kuvend janë një zinnxhir i gjatë mosmarrëveshjesh, grindjesh, fyerjesh, banalitetesh, deri në përdorimin e një gjuhe triviale, të padenjë jo për njerëz të institucioneve apo të politikës, por as edhe për sarahoshë mejhanesh. Në politikë kundërshtia është fiziologjike, por ajo duhet të jetë e varur dhe kontrolluar nga motive bindëse programore, jo teka njëshash, qofshin këta edhe kryetarë, të servirura si “interesa të atdheut”. Interesat e vërteta të Atdheut, për ata që i kanë ata jetike në qenien e tyre, imponojnë, kur është rasti, edhe qëndrime e marrëveshje në kundërshtim me bindjet, për më tepër me dobitë vetiake të çastit. Ishin ata interesa të Atdheut që shtynin Xhevat Korçën, në prag të 7 prillit 1939, t’i drejtohej Mbretit Zog për bashkëpunim, deri në luftë të përbashkët me armë kundër italianëve, e Mustafa Krujën, më 1943, t’i kumtonte atij, nëpërmjet Sali Myftisë, gatishmërinë për t’u vënë nën drejtimin e tij, si “ushtar i thjeshtë”. Kjo ndodhte mbas një jete të tërë mërgimi si kundërshtarë të Mbretit Zog. Rastet e “koalicioneve të mëdha” në Evropë janë të shumta e mësimdhënëse.
Ka vite që jemi të pranishëm në padi të ndërsjellta mes socialistëve e demokratëve për korrupsionin politik, por deri më sot nuk kemi parë asnjë të dënuar, për ato motive, në rradhët e drejtuesve kryesorë, sepse askush nuk ka interes t’a bëjë konkrete atë betejë. Ka vite që shohim një parregullsi të theksuar në jetën e Kuvendit, ligje e “reforma” që miratohen pa pjesëmarrjen e Opozitës në votime. Ndodhte ashtu kur qeveriste koalicioni PD – LSI, ndodh kështu tani, kur qeveris PS – LSI. Socialistët dilnin jashtë Kuvendit, kur bëhej fjalë për të dënuar krimet e komunizmit e për t’i dhënë dëmshpërblimet ish të dënuarve politikë, demokratët nuk marrin pjesë as në diskutime, as në komisione, as në votimin e një akti të rëndësishëm të shtetit, siç është reforma administrative. Për të mos u zgjatur, shëmbujt janë të shumtë e nxjerrin në pah papërgjegjshmërinë e politikës në përgjithësi.
Para një ngjarjeje madhore për historinë tonë bashkëkohore, siç është vizita e Papës Françesku, më 21 shtator, një ditë kur një pjesë e mirë e vëmëndjes së botës do të jetë e përqëndruar në Tiranë, është e arsyeshme dhe e urueshme që mosmarrëveshjet e pazarit të politikës të lihen mënjanë, që t’i jepet, qoftë edhe për një ditë, ideja botës se “dijmë të punojmë së bashku”. Le t’i lemë ca ditë në pushim “zëdhënësit” e partive që, çdo mbrëmje recitojnë përmendësh paditë e ndërsjellta, le të tërhiqemi për disa ditë nga veprimet e pushtimit të institucioneve të pavarura, funksionimi i të cilëve çon në çrregullime të mëdha për jetën e qytetarëve e të Shtetit, përfshirë këtu dhe vendime vetiake, në kundërshtim me interesat e tyre, siç është rasti i mos emërimit të prof. Ardian Ndrecës në funksionin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vatikan.
Le të japim përshtypjen, qoftë edhe të rreme, se besimit që na jepet nga bota dijmë t’i përgjigjemi me veprime të dobishme, le të vemë në pah vlerat tona e, pse jo, të japim një mësim qytetërimi, në pohimin e marredhënieve vëllazërore mes njerëzve të besimeve të ndryshme, kësaj trashëgimie morale kulturore të Kombit tonë, që merr vlera të jashtzakonshme në kontekstin konfliktual të botës së sotme. Le t’i lemë mënjanë shemëritë politike e t’i japim mbështetjen e përgjithëshme Kryeministrit tonë që, në mbledhjen e Berlinit, do të flasë në krah të Kancelares Merkel, jo vetëm në emrin tonë, por edhe të Ballkanit.
Kjo nuk do të thotë të njëjtësohemi me pushtetin, por të jemi t’arsyeshëm në betejën politike, duke dhënë përfytyresën e një Vendi që ka hyrë në rrugën e qytetërimit, që është i vendosur të respektojë parimet e tij në të gjitha fushat, edhe në atë të mbarështimit të Shtetit, edhe në rregullat e ballafaqimit të ideve e projekteve politike.
Le të jemi të gjithë në lartësinë e detyrës së një dite të shënuar për Kombin tonë. Mikut shumë të lartë, që na nderon me praninë e Tij në kryeqytetin tonë, t’i dëshmojmë jo vetëm mikpritjen tradicionale e respektin e thellë, por edhe vullnetin “për të punuar së bashku”, në dobi t’atyre parimeve që çojnë përpara qytetërimin, duke vënë në dukje, prerë e pa mëdyshje, shkëputjen tonë nga e kaluara komuniste, jo vetëm me fjalë.
Do të jetë shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit tonë e historisë së tij, nëse do të kemi vullnetin e dëshirën për t’a kryer atë.
Gusht 2014
J Rrapi says
I thone nje shprehje “Mos u mburre mos u levdo se neser mbrema do ta shohe” Sado qe te shkruash se kemi nje mbijetes te shkelqyer fetare dhe se komunizmi e shkaterroi plotesishte do te deshiroja qe te ishje me konkrte duke pare se cfare po ndodhe ne realitet ne Shqiperi. Shume shpejt te tjeret do te shkruajne qe edhe ne shqiperi bashkejetesa fetare po tundet fort dhe nuk do jete sic ka qene me pare. Se kush e ka fajin ate ta le ty qe ta analizosh me me qetesi ndoshta ne nje artikull qe mund te shkruash me vone.