
Akad. prof. dr. Valter MEMISHA/
Pjesa e parë…
Para 116 vjetësh, më 14 – 22 nëntor 1908, zhvilloi punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe dhe si Kongresi i Abesë apo Kongresi i Alfabetit të Shqipes, një ngjarje që vlerësohet si një nga gurët shënues më të spikatur në udhëtimin historik kombëtar të popullit shqiptar dhe pazgjidhshëm me të, në udhëtimin historik kombëtar të shqipes. Me këtë kongres, me ecurinë e suksesshme të punimeve dhe me vendimet e rëndësishme që ai mori, lidhet drejtpërdrejt emri i Mid’hat Frashërit, i cili u zgjodh njëzëri kryetar i tij nga 32 delegatë me të drejtë vote, që kishin dalë nga një përfaqësi me 50 personalitete nga të gjithë trojet ku flitej shqip e ku luftohej për shqipen e mëvetësimin kombëtar. Ishte vetëm 28 vjeç atëherë, por kishte mbi shpinë një përvojë 12-vjeçare në luftën për realizimin e programit të Rilindjes Kombëtare, në ballë të së cilës ishin identifikuar si figurat më të shquara të saj dy ungjërit e tij, Samiu, Naimi si dhe vetë i ati, Abdyli (Kujtojmë këtu se i ungji i tij, Sami Frashëri, ishte vetëm 29 vjeç, kur u zgjodh kryetar i Shoqërisë së Stambollit, ndryshe i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” dhe që hartoi alfabetin e kësaj shoqërie dhe që i gdhendi vetë shkronjat e këtij alfabeti në plumb.). Veprimtaria e mëvonshme e M. Frashërit, sidomos ajo e periudhës së Paskongresit dhe e viteve të Pavarësisë, ndjek këtë hulli, duke u zbuluar përmes ndihmesave të çmuara në të gjithë jetën kulturore, shoqërore e politike të vendit. Studiuesi Uran Butka shkruan se “Vepra e Mid’hat Frashërit është në përputhje me formimin intelektual, jetën e tij të jashtëzakonshme dhe çështjet madhore të botës shqiptare, ballkanike e më gjerë, ndaj edhe personaliteti e vepra mid’hatiane për nga vlerat, problematikat, shtrirja dhe vizioni janë të përmasave evropiane. Mid’hati jetoi dhe veproi në katër periudha të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në atë të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës, duke qenë edhe protagonist, edhe kronikan i tyre.”
MID’HAT FASHËRI U RRIT MES LIBRAVE E NJERËZVE TË DITUR
Mid’hat Fashëri u formua qysh herët. Ai u rrit mes librave e njerëzve të ditur dhe pohon vetë se në moshën 12-13 vjeç kishte mësuar histori e gjeografi me të ndjerin babanë e tij, Abdylin, kishte studiuar stilistikë e poetikë nga Naim Frashëri, se ishte thelluar në gramatikë nën kujdesin e Sami Frashërit dhe se ishte njëkohësisht një autodidakt i jashtëzakonshëm: lexonte, studionte dhe përkthente qysh në fëmijëri, në gjuhët persisht, turqisht, arabisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Kurse në moshën 17-vjeçare, ai themelon bibliotekën vetjake me emrin Lumo Skëndo (pseudonim që do të përdorej prej tij gati në të gjithë kontributin shkencor e kulturor), “të cilën e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Librat ishin miqtë e tij, dashuria e tij, gëzimi i tij, pasuria e tij, jeta e tij”. Librat e kësaj, biblioteke, që shkonin në rreth 40.000 vëllime, sot janë pjesë e pasurisë librore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Gjithnjë, sipas Uran Butkës, Mid’hat Frashëri “hynte në portat e Shqipërisë në prag të shekullit të 20-të: si rilindës, misionar dhe shkencëtar. Mandej, për një gjysmë shekulli, ky shërbestar i Shqipërisë shfaqet dukshëm si veprimtar i pavarësisë, burrë shteti, mendimtar elitar, diplomat, politikan, ekonomist, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, publicist, shkrimtar, historian, gjeograf, sociolog, eseist, përkthyes, kritik, psikolog, edukator, biograf, bibliograf, librar, kronikan, antikuar i botimeve të vjetra shqipe, lider i nacionalizmit shqiptar, apostull i shqiptarizmës, kampion i kulturës shqiptare. Një figurë poliedrike me një prodhimtari të jashtëzakonshme në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, në kulturën shqiptare dhe në atë evropiane.”
MID’HAT FRASHËRI PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE
Në kuadrin e një parashtrimi të shkurtër, po ndalemi te një nga komponentet më të rëndësishme të veprës së tij 50-vjeçare, te paradigma e gjuhës shqipe. Theksojmë këtu se, vitet e fundit, studimi i veprës së Mid’hat Frashërit është lehtësuar ndjeshëm. Nga 13 vëllimet e planifikuara për botim më lëndë të përzgjedhur nga vepra dhe ndihmesa e tij e shumëfishtë, janë botuar deri tani (24 tetor 2014, V. M.) 3 vëllimet e para. Janë botuar, gjithashtu, 2 vëllime të revistës “Dituria” (me lëndë nga vitit 1909 -1929), drejtues i së cilës ka qenë ai vetë, si dhe janë botuar katër vëllime të “Kalendarit kombiar”, revistë të cilën e themeloi dhe e drejtoi K. Luarasi e K. Trebicka dhe në të cilën Mid’hat Frashëri botoi shumë shkrime. Lëndë të bollshme nga ndihmesa e këtij personaliteti sjellin edhe 11 vëllime të revistës “Albania” të F. Konicës (botuar kohët e fundit), bashkëpunëtor i së cilës ai qe (në këtë revistë, në moshën 17-vjecare ai boton artikullin e parë “Fe ç’është, komb ç’është?”). Po kështu, mundësitë e kontakteve të tjera me produktin e shkruar mid’hadian (fjala vjen, me materialet në Arkivin Qendror të Shtetit apo me ato në fondin ruajtës të Bibliotekës Kombëtare) sot janë shumë të mëdha. Studiuesi Xh. Lloshi, në ditën e promovimit të dy vëllimeve të revistës “Dituria” shkruan, me të drejtë se “Na është lehtësuar ndjeshëm puna jonë, mund të japim më shumë duke kursyer kohë të çmueshme, na është krijuar mundësia për ta rrokur menjëherë në pamje të plotë një degë të rrjedhës së kulturës sonë dhe jo vetëm t’i kemi edhe më të dokumentuara kërkimet tona, por po ta thosha me fjalë të tjera, na është pakësuar padituria jonë për trashëgiminë e së kaluarës. Për dobinë e veçantë të këtyre ribotimeve të përmbledhura, dëshiroj të vë në dukje, se ato na mundësojnë edhe të bëjmë gjetje të reja.” Kjo shumësi burimesh referimi e kontaktimi bën që Mid’had Frashëri, tashmë, të shihet në plotërinë e vlerave dhe të kapërcehet ajo gjendje, për të cilën studiuesi Emil Lafe thekson se “Për shkak të biografisë së tij politike në vitet e Luftës II Botërore dhe të vështirësisë së gjetjes së shkrimeve të tij, Lumo Skëndoja është përmendur e vlerësuar pak (kryesisht si kryetar i Kongresit të Manastirit, 1908).” Paradigma e gjuhës shqipe është përbërës organik i veprës së Mid’hat Frashërit. Duke iu referuar botimit të Palok Daka, Bibliografi retrospektive e gjuhësisë dhe onomastikës shqiptare 1879–1944. I, II, III (1879–1921). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1984, 926 f., vërejmë se aty përmenden 35 artikuj të M. Frashërit të shkruar në një periudhë prej 41 vjetësh (1897–1938) që lidhen drejtpërdrejt me gjuhën shqipe, si dhe 8 artikuj ku përmendet vepra e veprimtaria gjuhësore e tij.”
MID’HAD FRASHËRI E SHEH GJUHËN SHQIPE PARËSORE PËR EKZSITENCËN E KOMBIT SHQIPTAR
Në këta artikuj trajtohen çështje të ndryshme teorike e praktike të gjuhës amtare apo për gjuhën amtare: 1. Mid’had Frashëri e sheh gjuhën shqipe parësore për ekzsitencën e kombit shqiptar, si tipar themelor të tij. Në moshën 19-vjeçare, në artikullin “Po humbasim”, botuar në Kalendarin kombiar, shkruan se “Të rrojturit e njeriut s’është vetëm me të ngrënë e me të pirë, si e kafshëve; një komb nuk rron si një kope dhensh! Duhet që njerëzia të ketë bashkim, vetëdijë që është një komb, të ketë gjuhën, me një fjalë, që çdo njeri i një kombi, të thotë: jam një copëz nga kombi im! Të gjithë duam dhe dëshirojmë një gjë: të shkojmë vëllazërisht në mes tonë, të jemi gati të vdesim për mëmëdhenë, të përpiqemi për mbrothësitë e mëmëdhetarëve dhe të gjuhës sonë.”
2. Atë e shqetëson qëndrimi i shumë shqiptarëve në Turqi, të cilët kanë harruar gjuhën e nënës, gjuhën e të parëve, shqipen. Dhe pasi analizon gjendjen e vendit (të Shqipërisë) në fund të shekullit XIX po në këtë artikull (Po humbasim), shkruan se “Tani të shohim qysh jemi buzë rripës dhe po humbasim. Një komb duhet të ketë gjuhën e të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsisë dhe pa qytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë. Gjuhën po e humbasim: më çdo vend të Turqisë e të fqinjëve tanë gjejmë me mijëra njerëz, që janë shqiptarë, po s’dinë gjuhën e mëmëdheut. Në tufë shqiptarët dalin jashtë mëmëdheut, martohen në vende të huaja dhe djemtë e tyre, sado që të rrojnë, zihen të vdekur për Shqipërinë! Të mendohemi, pra, a është pun’e mirë kjo që bëjmë? Është punë e pëlqyer të kemi djem, që të mos dinë gjuhën dhe kështu të humbasin vetijat e kombit tonë? Duke vajtur kështu, do të vijë një dit’ e zezë që të harrojmë fare këtë gjuhë të bukur dhe të mos quhemi më shqiptarë; do të humbasim si komb, sado që të jemi të gjallë si njerëz.”
3. M. Frashëri e vlerëson lart “Shoqërinë e Stambollit”, e quajtur ndryshe “Shoqëria e të Shtypurë Shkronja Shqip”, e cila u kthye në institucion kombëtar për të ardhmen e shqipes, për shkrimin e saj me një alfabet të vetëm e në përputhje me veçoritë e saj fonetike e fonologjike. Ai shkruan për misionin e rolin e kësaj shoqërie, krijuar një vit pas Lidhjes Shqipatre të Prizrenit: “Tek bëheshin mbledhjet në Shqipëri dhe Lidhj’ e Prizrendit, më 1879 u bë dhe një shoqëri në Stamboll. Kjo shoqëri e vogëlë, kryesuar prej Sami Frashërit, vëllaj m’i vogël i Naimit, dhe këshillonjët e së cilës’ ishin: Vasa Pasha, Jan Vretua etj., u krijua për të hedhur themelet e mësimit të gjuhës’ sënë, dhe për të gjetur një palë shkronja me të cilat të shkruhet lehtë gjuha shqip.”
MID’HAD FRASHËRI DHE SHKRIMI I SHQIPES
M. Frashëri thekson se shkrimi i shqipes në mesin e dytë të shekullit XIX, nuk ishte nevojë, ishte domosdoshmëri. Nga artikulli “Shoqëria e Stambollit” po shkëputim pjesën hyrëse të Kanonizmës (Kanonizmë e Shoqërisë së të shtypurë shkronja shqip) ku, ndër të tjera thuhet se “xhdo komp, që nukë ka shkruarë gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet, është ndë të errët dhe barbar. Edhe Shqipëtarët, tue me mos shkruarë gjuhën e tyre, dhe tue mos pasurë shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjendenë; edhe pandohma e shpresa këtu e tri mijë vjet më parë (sa që mund të ngjitet istoria) që të ndritoheshinë dhe qytetëroneshinë me gjuhët të fqinjet e të huajve, u dëftye e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë derdhurë gjer mbë sot, fëqinjet e të huajet u kanë vëjejturë, edhe për ata vetë ka vaturë dëm. Andaj ata që mendohenë dhe shohënë këtë të madhe të keqe dhe të madhe nevojë të shkruanjënë gjuhënë edhe të kenë shkronja e të këndonjënë ndë gjuhët të tyre. E kështu bënetë shoqëri Shqypëtarësh për të shtypurë shkronja ndë gjuhët shqip, edhe quhetë: Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip.”
Produkti dhe veprimtaria e kësaj shoqërie ka qenë me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse jo vetëm bëri zgjidhje me vlerë të pamatë për shkrimin e shqipes, por ka një peshë e rol shumë të madh në vetë organizmin e vetë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqipatre. Sipas M. Frashërit në artikullin Naim be Frashëri, Jetëshkrim, “Shoqëri e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe n’atë mot shtypi kanonizmën e saj dhe nj’abetare (Allfabetare e gjuhës shqip, Kostandinopojë 1879, ndë shkronjështypjet të A. Zelicit). Kjo allfabetare, që ka 136 faqe, nga të cilatë vetëm 10 për stërvitje t’abecesë dhe të tjeratë këndonjëtore, është bashkëpunuar prej: I. Vreto, Sh. Sami Frashëri, Pashko Vasa Shkodrani, dhe Koto Hoxhi Qestorati. Këtë abetare nuk mënojmë ta quajmë “e para abetare shqip”, se vërtet është çap i parë q’është hedhur për të shkruar’ e të kënduar gjuhën shqip, dhe për të bërë këtë gjuhë një veglë të gjallë si gjithë të tjerat; veç kësaj, shkronjësit janë përpjekur të shkrojnë në gjuhë fjeshtë shqip, pa përzjerë fjalë të huaja.”
M. Frashëri tregon vështirësitë që haste përhapja e abetares së Shoqërisë së Stambollit. Mjafton të citojmë një pjesë nga artikull Naim be Frashëri, Jetëshkrim, për të parë qëndrimin kontradiktor të vetë sulltanit ndaj kësaj abatereje (Kujtojmë se në të gjithë Perandorinë Otomane, vetëm shqipja ishte ndaluar me ferman sulltanr që të shkruhej.): “N’ata vite qeverija tyrke akoma s’kish thonj të mëdhenj dhe mledhj’ e shoqërisë bëhesh pa nonjë rrezik si dhe të shtypurit e abetaresë. Le mos harrojmë dhe këtë se, një cop abetare lidhur e arosur bukur, j’u dha Sulltanit me anë të një pushkëtari (silahshori) shqiptar. Sulltani pyeti pushkëtarin në dinte t’i këndonte ato shkronja, dhe mbi përgjigjen vërtetonjëse të këti, Për një javë, tha mbreti, të shohim kush e ka për të kënduar më mirë, ti a unë! Shqiptarët u gëzuan tepër kur mësuanë këto fjalë, me të cilat Sulltani rrëfente dashuri për mësimin e gjuhësë shqip. Por pa shkuar shumë ditë mësuan se, ay vetë Sulltan që kish thën’ ato fjalë mjaltore, paskish dhën’ urdhër në postat e në gjymrykët që të mos lenë të shkojë as një libër shqip, po t’i zënë! Gjithënjë kështu është politik’ e Tyrkut.”
Madje jo rrallë M. Frashëri përmend gjendjen e shqipes në kohën e Turqisë. Ai shkruan se “Na ish ndaluar dhe ushqimi i mendjes. Gjuha shqip ish jasak! Pse? Se kështu u donte qejfi! S’na linin të këndonim shqip, s’na linin të shkruanim shqip, s’na linin shkolla shqip! Ai që kish një libër shqip, e fshihte në vrima dhe dridhej se mos ia zinin e ta hidhnin në burg. E shoqja s’guxonte t’i shkruante kartë shqip burrit, se trembej nga valiu a nga mytesarifi. Nja dy shkolla të gjora që mezi i kishim, na i kishin mbyllur dhe mësonjësit na i kishin hedhur në burg! Ky ndalim i gjuhës ish një robëri, një robëri e zezë, që s’është parë kurrë gjetkë. Gjithë këto të këqija dhe shumë të tjera, ngjanin se njerëzit s’ishin të zotë që të mbronin të drejtat e tyre; edhe kështu njerëzia rronte në robëri, në një robëri, q’e pushton njeriun dhe e turpëron.”