13 TETOR 1943ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN/
■503 QYTETARË TË VRAMË… NË TIRANË!?/
■Lufta e Dytë Botnore hapi një kapitull të ri, aq sa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po, edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Europjan.
■I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania. Edhe kur ajo ishte në falimentim të Luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin dhe Europen Lindore. (Dishmi gojore e Regjentit Cafo Beg Ulqini, 1968).
■NË SHTËPINË NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…ORA 13.13’
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”…
***
■14 Tetor 1943, gazeta “Kombi” në Tiranë, fillon me botue listen e të vramëve nga bombardimi i bamë njëditë ma parë në Kryeqytetin e Shqipnisë…Numri i të vdekunve fillon nga shifrat 70… 85… dhe arrinë në 503 vetë. (Shifra asht dishmi i At Pjeter Mëshkallës, Klerik tek Kisha Katolike Tiranë, në Rrugen e Kavajës, që ka vojue Babën tim 30 minuta mbas vdekjes.)
■Bashkë me kufomat e viktimave varroset edhe kjo ngjarje e shemtueme që u ba mbi popullsinë e pafajshme të Tiranës. Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambe tokë të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
■Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943, asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore.
■Atëherë, pse na bombarduen, na gjakosën, na robnuen nga sllavët… dhe heshtën?
Gati para 20 vjetësh z. Rudina Xhunga asht përsoni i parë që ka shkrue për këte ngjarje pothuej të harrueme… dhe kam shkue për me e falnderue. E pyeta nëse ke mujtë me kuptue pse asht lanë në harresë gjithë këto vjetë një tragjedi kaq e madhe e Popullit Shqiptar, që pa kenë Aleat me pushtuesit, bombardohet një rrugë nga aeroporti e deri tek Kisha e Jezuitëve, kur njerëzit ishin tue ngranë drekë, vritet vetëm popullsi civile dhe asnjë ushtar nazist, dhe Shteti Shqiptar për 55 vjetë heshtë?…Edhe ajo e çuditun kishte pyet pak ditë përpara Nexhmije Hoxhën, e cila i asht përgjegjë: “Nuk kishim sesi përderisa né ishim të lidhun me Aleatët, ata e bënë!…”
■Koha vjen tue kjartësue synin dhe mendjen! Pra, Aleatët e lidhun me sllavokomunistët tanë vrasin vetëm me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme, për me e nënshtrue e robnue ate!
■Vazhdojmë me dokumenta të botueme kohët e fundit:
Lexoni tek libri “I dashur Stalin…” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzvelt dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler, Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.
Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006.
■“Ruzvelti – 134 – (Faqe 240)
12 Tetor 1943
Mesazh personal për mareshal Stalinin
Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor.
Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore. RUZVELT
■“Stalini – 135 –
14 tetor 1943
Stalini, drejtuar Ruzveltit
Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.”(Theksimi im F.R.)
***
■Do t’ishte i tepërt komenti! Vazhdojmë me fakte tjera…
Faqe 360: Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj dite (10 tetor 1944), i propozoi troç Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë:
■“Lé të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari… Lé të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së. Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”…
■Më pas sipas pohimeve të Çërçillit, “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”
■Faqe 399: “ Jalta.
6 shkurt 1945.
I dashur mareshali Stalin,
…Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet…
Sinqerisht i juaji FRANKLIN D. RUZVELT”
■Marrëveshja në lidhje me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë:
“….Krerët e Tri Fuqive të Mëdha duhej të pajtoheshin njëzëri që, kërkesat në fjalë të Bashkimit Sovjetik, të plotësoheshin pa diskutim pas kapitullimit të Japonisë.” Faqe 449.
■Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.
■Henry Kissinger “Diplomacia”, Leximi, në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times. Përkthye P.Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT.
■Henry A.Kissinger asht betue me 22 shtator 1973 si Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.
Falemnderës z. Kissinger per këte thesar historik që i keni dhurue Botës Perparimtare!
■“Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.” Fq. 337.
“Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, …mbledhja e parë mbas pesë vjetësh…nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve maparë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të K. Q., sikundër edhe tre nga pesë mareshalët Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80 anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.” fq.339.
■“Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.” fq.343
■“Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.” Fq.370.
Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërrmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire…. ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…Sikundër e përshkruante Isaiah Berlini: Ruzvelti kishte të meta serioze në karakter, midis të cilave paturpësinë, ashpërsinë, cinizmin…”
■Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit….Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit…ai vuri në lojë qellimin e tij…” Fq.396.
■“Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte…në Teheran nga 28 nëntori deri 2 dhjetor 1943, në Jalta nga 4 deri 11 shkurt 1945.(fq. 410) Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”
■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”
***
■“Shpëtimtarët e njerzimit”…kalojnë miljona njerëz nën zgjedhën barbare komuniste për 50 vjet!
Lufta e Dytë Botnore përfundoi me mbi 50 miljon varreza…mbi të cilat, diktatorët ngritën monumentet e tyne rrethue me “lulet” e mbjelluna mbi mjerim të popujve.
U bombardue Moska, Leningradi, Varshava…
U bombardue Berlini, Roma e Tokio…U hodhën edhe bombet atomike në Japoni!
U bombardue edhe Tirana…
Të gjithë popujt filluen rindërtimin e vendit nga rrënimet e luftës…
As sot nuk dihet kush fitoi lirinë dhe të drejtat thëmelore të jetës së njeriut!
Shqipnia,… jo!
Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, me u çkombtarizue…Ndersa, qendrimi i Aleatëve ndaj familjeve të viktimave të të vramëve nga bombardimet e komunizmi që na sollen ata, asht një kapitull në vete që duhet trajtue bashkë me kapitullin e diasporës prokomuniste!
Kur Shqipnia, vazhdon me u plaçkitë nga komunistët kapitalistë të Enverit e stërnipat e Stalinit!
Po, si dikur…Vazhdon me trokitë në dyert’ e Evropës, tue kerkue edhe “Rilindjen komuniste”!..
Melbourne, 12 Tetor 2015.
Arbër Lisi says
Prologu i Aktit të Jaltës 4-11 shkurt 1945 ashtë tema ma e spikatun e historisë botnore e lanun nga tekstet mësimore dhe nga politika si e parandsishme. Autori e sjellë në vemendje pas 70 vjetve Vendimet të Jaltës nga tre njërëz të papërgjegjshëm si Çurrçilli me Stalinin dhe Ruzvelti edhe pse ashtë supërtrajtue nga gjithë bota, por kurrë në Shqipni nuk ashtë diagnostikue si Faqja ma tragjike e Popullit Shqiptar. Të heshtësh para ksaj teme mendoj se ashtë nji frigë apo një dakortsi me tragjedinë shqiptare që ju liçensue politikisht Ushtrimi i Gjenocidit si metodë të Instalimit të Komunizmit në Shqipni e jasht saj më duket puthje prangash. Vendimet e Jaltës duhen kujtue shpesh sepse Jalta të tjera po i pregatiten popujve paqedashës prej mizorve me kollare demokratike, që përfaqsojnë diktatura të reja me forma ma të alambikueme me anë të mjeksisë, industrisë ilaçeve, ushqimeve dhe sistemit të bunkerizimit të Njeriut nëpërmjet artilerisë të kamerave. Ky shkrim i z. F.Radovanit asht alarm për vigjilencë dhe jo Morfinë Gjumit sikurse ju kanë morfinizue leksionet ,,demokratike,,. Mos harroni Jaltën!