Për një Parti Politike/
– Rreziku… është se një Parti, nëse merr fuqi çahet dhe ndahet, por nëse jo, mbetet e dobët. Të arriturit në fuqi zgjon ambicjet dhe inatet; të mbeturit e vogël nuk i premton të bëjë punë.
– Pyetja përmblidhet kështu: Do të mundin një tokicë burra- nuk them të
ndershëm, se gjithë Shqipëtarët janë të ndershëm, s’them as patritotë se çdo
Shqiptar është patriot – po a do të mundin dot burra me ideal, burra me
karakter të fortë, prej atyre që vënë interesin e Shqipërisë përmbi çdo interes
tjatër, prej atyreve që bëjnë theror ambicjeje dhe inatin i vehtes të tyre për
nderin dhe lumturinë e Shqipërisë, a do të mundin të tillë burra, të bashkohen,
të grumbullohen dhe të betohen? Nëqoftëse “po” atëherë le të nisin nga
puna. Nëqoftëse “jo”, atëhere më mirë mos të hidhet hapi i parë.…
Nga Lumo Skendo*/DIELLI
Këndonjësit tanë do të dinë se
“Vatra” ka më tepër se mot-mot që ka vendosur formimin e një partie
politike në Shqipëri. Pak javë më parë, një prej anëtarëve të komisionit të
Federatës, u nis për në zall t’Adriatikut. Tani do të ketë arrirë në atë
Shqipëri kaq të dashur, dhe puna mundet që ka nisur.
“Puna”, themi dhe dua më të japim pak shpjegime ose më mirë, të
rrëfej mendimin tim mbi këtë pikë.
Partitë politike gjenden në çdo vend, që ka një jetë konstitucionale dhe
parlamentare, në çdo shtet ku gjendja dëshiron dhe ka të drejtë që të marrë
pjesë në rregullimin e nomevet në sundimin e vendit, me një fjalë në fatin e
tij. Zgjedhjet e deputetëve si edhe politika e brendshme dhe jashtme janë
bazuar mbi programin e partive. Pa një parti, pa disa parti politike, politika
dhe udha e qeverisë bëhet si në errësirë pa program, pa një udhë të caktuar.
Pra krijesa e një partie politike, lindja e një programi politik në Shqipëri
është një gjë natyrale, vitale.
Po nga ana tjetër s’do harruar se Partia nuk del vetëm nga mendja ose dëshira e
disa njerëzve: del më tepër nga nevoja e vendit, nga shtytka e popullit; kjo
nevojë nëse nuk ndihet, nëse nuk shfaqet dhe imponohet, atëherë Partia mbetet
një grumbull personal, bazuar mbi zotësinë dhe besimin e themeltarëve, dhe jo e
dalë nga forca e sendeve.
Formimi i një partie ka një influencë morale dhe moralizuese mbi gjendjen: e
mëson në disiplinë, i vë fre kotësisë dhe ambicjeve vetiake, e sërtvit në punë
e rregull dhe pjellore. Moralizuese, se e bën njerinë të mendohet, të gjykojë
dhe të kuptojë interesat e vendit, të interesohet në këto interesa, të mos
rrijë i ftohtë dhe i huaj në fatin e Shtetit; me një fjalë, ( e bën) ta ndjejë
veten qytetar të vërtetë, pjesë të gjallë të kombit, pjestar që ndjen, që
mejtohet dhe që gjykon.
Për fat të keq, Partia politike ka edhe faqen tjetër, se është një thikë që
pret në të dy anët. Na moralizon, na stërvit dhe i shton njeriut edukatën
civile. Në anën tjetër i çel edhe rrugën e ambicjes, dëshirën që të arrijë të
hipë mbi perusti, të fitojë nga fuqia e grumbullit për të shtuar fuqinë e tij
për të fshehur dobësinë dhe kotësinë vetiake.
Larg prej meje idea që të qortojë ambicjen dhe dëshirën e të arriturit. E di se
ato janë shtytkat më të forta dhe më veprimtare, që e bëjnë njerinë të
përpiqet, të punojë, të durojë. Po në çështje të një kombi kur është puna për
parti dhe politika duhet që këto ndjenja të jenë të harmonizuara me interesin e
përgjithshëm. Nëse nuk do jenë në interes të kombit dhe të shtetit, ahere më
mirë të mos jenë fare.
Me një fjalë partia dhe fuqia morale ose lëndore e saj duhet që të na shërbejë
për të mirën e përbotshme dhe jo për të mirën e vetes sonë.
Këtu, më kujtohet një ngjarje e motit 1913- 1914. Isha i bindur se duhej
formuar një trup i vogël, një parti të themi, që të zgjonte interesin e botës,
jo vetëm në jetën politike por edhe në rrojtjen, në mbajtjen e në forcimin e
kësaj Shqipërie. Thoshim se gjer më tani fati dhe fuqia e sendeve, na kanë
mësuar që cilido prej nesh të mendojë më parë si individ (vetëm për veten e
tij) dhe pastaj si qytetar, si pjesë e një kombi. Edhe, me qëllim që të
formonim një trup, një grumbull patriotik, thamë, të fillojmë Partinë.
N’atë kohë ishte Ismail Qemali dhe Esat Tirana. Përnjëherë, partia jonë u
pandeh kundra Ismail Qemalit. Po kur panë, se, jo që s’qemë kundra qeverisë
Vlorës, po që ishim anëtarët të saj, atëhere një tok miqsh zunë të na ndahen.
M’anë tjatër u hoqnë edhe ata që na pandehnin anëtar të Esat Tiranës dhe që
panë se ishin gabuar në shtresat e tyre, po me kaqë s’u mbarua. Me qenë se
Partia që do të bënin në Elbasan – se atëhere ishim në Elbasan- shikohesh si
një vepër kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë, anëtarët e tij nisnë të formojnë
një parti në Vlorë.
Është e tepërt të them se mbi këtë hoqëm dorë dhe ne.
Ja pra një nga rreziqet e Partisë. Rreziku tjatër është se një Parti, nëse merr
fuqi çahet dhe ndahet, por nëse jo, mbetet e dobët. Të arriturit në fuqi zgjon
ambicjet dhe inatet; të mbeturit e vogël nuk i premton të bëjë punë.
Pyetja pra përmblidhet kështu: Do të mundin pra një tokicë burra- nuk them të
ndershëm, se gjithë Shqipëtarët janë të ndershëm, s’them as patritotë se çdo
Shqiptar është patriot – po a do të mundin dot burra me ideal, burra me
karakter të fortë, prej atyre që vënë interesin e Shqipërisë përmbi çdo interes
tjatër, prej atyreve që bëjnë theror ambicjeje dhe inatin i vehtes të tyre për
nderin dhe lumturinë e Shqipërisë, a do të mundin të tillë burra, të bashkohen,
të grumbullohen dhe të betohen? Nëqoftëse “po” atëherë le të nisin nga
puna. Nëqoftëse “jo”, atëhere më mirë mos të hidhet hapi i parë.
Botoi “Dielli” – LUMO SKËNDO
mars 1921