
PAS 100 DITËVE NËN LËNGATË, QYTETI I NEW YORKUT PËRJETON RIHAPJEN E FAZËS SË PARË/
-Rreth 400 mijë punonjës nisën punën me kufizime dhe nën masa mbrojtëse…Qyteti e arriti këtë moment me një kosto të lartë, duke humbur mijëra jetë njerëzore.
-Treshtetshi: New York, New Jersey dhe Connecticut kanë shënuar 46 mijë e 892 vdekje të konfirmuara të COVID-19, ndërsa në shkallë kombëtare janë shënuar 113 mijë viktima.
-Edhe pse nisi rihapja, shumë lagje në NYC mbeten problematike me infeksion deri në 50 % nga 19,9 % që është mesatarja e qytetit.
-Kryebashkiaku De Blasio paralajmëron se faza e dytë mund të ndodhë në fillim të korrikut
Përgatiti: Dalip Greca
E hëna e 8 Qershorit, siç e kishte paralajmëruar Guvernatori Andrew Cuomo në konferencën e përditshme informative të së Dielës 7 qershor, do të ishte një ditë e gëzuar sepse qyteti do të rihapej, duke respektuar fazat. Dhe e Hëna erdhi me një rihapje të kujdeshme të fazës së parë, ku u rihapën disa biznese, përfshirë prodhimin, ndërtimin dhe shitjet me shumicë dhe pakicë.
Rihapja erdhi ekzaktësisht 100 ditë pas ekzaminimit të rastit të parë të pacientit ZERO. Të hënën, Cuomo deklaroi me një ndjenjë triumfi: Ne jemi përsëri këtu!
Ai uroi njujorkezët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të ulur shkallën e infeksionit në përballjen me virusin e padukshëm.
Natyrisht që rihapja erdhi, por masat e sigurisë mbeten të pandryshueshme: distanca sociale, maska dhe masa të tjera paraprake mbrojtëse, do të jenë pjesë e përditshmërisë për njujorkezët. Nuk dihet shifra e saktë e punonjësve që u rikthyen në punë gjatë së hënës, por shifrat paraprake u njoftuan për rreth 400 mijë punonjës.
-Është dita kur ne fillojmë të çlirohemi nga kjo sëmundje, ditë kur nisim rifillimin tonë në qytet, tha kryetari i bashkise Bill de Blasio të hënën nga Brooklyn Navy Yard, që u shndërrua në një prodhues i madh i maskave, të uniformave të personelit dhe të tjera pajisje jetike për përballimin e krizës. “Të gjithë njujrokezët duhet të jenë krenarë për Ju”, tha de Blasio.
Në më pak se tre muaj, New York City ka humbur të paktën 15.937 qytetarë nga COVID-19. Por media komenton se numri real mund të jetë deri në 25,000. Shifra me rreth 10 mije viktima shtese argumentohet me faktin se shumë persona vdiqën para se të testoheshin ose të merrnin ndihmën mjeksore, kështu që nuk janë raportuar të vdekur prej koronavirusit. Nderkohë që shteti I New York-ut ka raportuar se ka humbur 30 mije e 516 jetë njerëzore, ndërsa numri i të infektuarëve deri mbrëmjen e së hënës ishte 399 mijë e 892.
Sot, vdekjet e përditshme të COVID në New York janë në shifra dyshifrore(74), të dielën 41… Nuk mund të krahasohet me ditë-netët tragjike të prillit kur vdisnin mbi 800 vetë në ditë.Dhjetëra miliona punë janë humbur së bashku me dhjetëra mijëra jetë; numri i vërtetë i COVID-19 në psikikën Amerikane mund të jetë përgjithmonë i pallogaritshëm, komentojnë analistët.
Ende mbeten pa përgjigje shumë pyetje – sa janë me të vërtetë të sëmurët? A do të rikthet virusi në një fazë të dytë dhe sa forcë goditëse do të ketë ai? Kur do ta kemi vaksinën?
A do të jetë e sigurt që fëmijët do të shkojnë në shkollë në vjeshtë? etj…
E sigurtë është se të hënën, 8 qershor, ndërtimi, prodhimi, shitësit me shumicë dhe shitësit me pakicë, “jo-thelbësorë” rifilluan punën me kufizime. Shitësit me pakicë rihapën dyqanet dhe magazinat për dorëzim dhe marrje malli, megjithëse klientët janë përballë me masa kufizuse. Teatrot e Broadway-t dhe vendet e tjera të mëdha mbeten të mbyllura, dhe njujorkezëve ende u kërkohet të mbajnë maska për fytyrën kur janë në publik. Ngrënia në natyrë akoma nuk lejohet, gjë që mund të ndodhë kur New York City të hyjë në fazën II, që de Blasio paralajmëron se mund të ndodhë në fillim të korrikut.
Progresi në NYC ka ardhur me një çmim tragjik. New York, New Jersey dhe Connecticut kanë raportuar së bashku 46 mijë e 892 vdekje të konfirmuara të COVID, ndërsa numri i viktimave në rang kombëtar i ka tejkaluar 113,000 dhe parashikohet që afër fundit të qershorit të shkojë 127 mijë.
Duke komentuar rihapjen e qytetit, guvernatori Andrew Cuomo tha se “Kjo nuk është rihapje e pakuptimtë”. Ai , ndërsa deklaroi rihapjen, paralajmëroi për vëmendje dhe kujdes të veçantë. “Nëse shihni ndonjë rritje të shkallës së infeksionit, reagoni menjëherë….Ju e dini se çfarë do të thotë të qëndrosh i zgjuar “, tërhoqi vëmendjen Cuomo.
Guvernatori Andew Cuomo tha të hënën se ai dhe stafi I tij do të mbajnë nën vëzhgim lagje të caktuara, ku shkalla e infeksionit është ende jashtëzakonisht e lartë në krahasim me mesataren në të gjithë qytetin.
Gjatë konferencës së tij të përditshme të koronavirusit, ditën e Hënë,Cuomo njoftoi se shteti do të vazhdojë të përqendrojë përpjekjet e tij në testimin dhe sigurimin e informacionit në lagjet me infeksion të lartë të New York City-t.
Pikat e nxehta ndodhen në Bronx, Queens dhe Brooklyn. Ja lagjet problematike: -Bathgate (Bronx), e cila ka një shkallë infeksioni prej 51 përqind; Bronx Park South dhe Jerome Park (Bronx), të dy kanë një shkallë infeksioni 50 përqind;
Flatbush (Brooklyn) dhe Queens Village (Queens), të dy kanë një përqindje infeksioni prej 45 përqind;
Morrisania (Bronx), e cila ka një normë 43 përqind;
Brownsville dhe Williamsburg (të dy në Brooklyn), të cilët kanë përkatësisht 41 përqind dhe 40 përqind infeksion; dhe,
lagjet Highbridge dhe Pelham në Bronx – të dyja kanë një infeksion prej 38 përqind.
Shkalla e infeksionit në këto lagje është jashtëzakonisht e lartë, në krahasim me nivelin 19.9 përqind të të gjithë New York City.