-Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës: Situata e sigurisë në vend e qetë dhe stabile/
–LDK: Nuk do lejojmë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës/
PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend është vlerësuar e qetë dhe stabile. Ky ishte konstatimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili u mbajt sot pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, për të shqyrtuar situatën në vend, me theks të posaçëm pas zhvillimeve të fundit në veri dhe arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriç.
Poashtu, kryeministri në një konferencë për media tha se institucionet e rendit dhe të ligjit janë në nivel të përgjegjësisë, të punës së vet në gjithë territorin.“Veprimi i djeshëm i arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriç nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyer nga ne, por ishte zbatim i ligjit, i pa alternativë. Meqenëse hyrja ka qenë ilegale, në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha kryeministri pas takimit.Në komunikatë thekohet se arrestimi dhe deportimi i Marko Gjuriç është procedurë standarde në zbatim të rendit dhe ligjit dhe se është e pashmangshme dhe e aplikueshme çdo herë në rast të veprimeve të ngjashme.
***
Lista Serbe del nga qeveria e Kosovës
-Rakiç: në 20 prill formohet Bashkësia e 10 komunave serbe në Kosovë-
PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Lista Serbe del nga qeveria e Kosovës, ndërsa 10 komunat me shumicë serbe do formojnë në 20 prill Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, paralajmëroi sot kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas takimit në Beogard me presidentin e Serbisë Alaksandar Vuçiç.
***
Kosovë-Haradinaj: Dorëheqje s’e kam plan të jap
-Deklaratë pas njoftimeve për vendimin e Listës Serbe për largimin nga qeveria e Kosovës/
PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/“Dorëheqje s’e kam plan të jap”, tha pak më parë kryeministri Ramush Haradinaj, pas njoftimeve për vendimin e Listës Serbe për largimin nga qeveria e Kosovës.“Punën e kam në plan ta vazhdojë seriozisht, atyre që e përkarhin punën e qeverisë iu shpreh partneritet, për ata që shkojnë, hyjnë e dalin, nuk kam ndonjë mendim tjetër për ta”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.Haradinaj është pytur në një konferencë shtypi për hapat e ardhshëm tash kur me largimin nga qeveria të Listës Serbe me grup parlamenatar prej 10 deputetësh koalicioni qeverisës me 61 deputetë ka humbur shumicën në Parlamentin 120 anëtarësh.Kryeministri Haradinaj deklaroi kështu në një konferencë shtypi pas mbledhjes sëë Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili ka diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend./b.j/
***
LDK: Nuk do lejojmë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës
-LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës/
PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka grupin më të madh parlamentar me 27 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, deklaroi sot se në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.“Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe”, thekson LDK.Më tej shton se, asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës”, siguron deklarata.Përfundohet se, qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës.