
Nga Astrit Lulushi/
Çdo gjë ka një shpjegim. Origjina e një fenomeni, po të kërkohet, është brenda tij. Ngjarjet e sotme në Shqipëri rrjedhin nga sistemi i prishur që politikanët përpiqen ta reformojnë, ta ndreqin, kështu që njerëzit të mos dalin kurrë nga errësira e djallit dhe e mosdijes.
Filozofë të antikitetit janë marrë me çështjen e besueshmërisë së dijes. Ata e shpjegonin origjinën dhe natyrën e botës nëpërmjet miteve. Fenomene të tilla si rrufeja dhe tërmete ishin veprime që i atribiboheshin perëndive.
Të tjerë që nuk u besonin perëndive kishin shpjegimet e veta. Për shembull, në lidhje me tërmetet ata argumentonin se Toka qëndronte mbi ujë dhe kur tronditej nga valët, shkaktonte tërmete. Madje disa mendonin se bota u krijua nga uji.
Sipas filozofëve modernë, qytetërimi perëndimor filloi me Thalesin. Pas tij, Sokrati mbështeti kërkimin e njohurive nëpërmjet arsyetimit. Ai thoshte se ka tre kategori të dijes; ndjesia, besimi dhe njohja. Kjo reflektohet në thënien e tij se besimi i mbështetur nga arsyetimi është njohuri.
Platoni i besonte logjikës si mjet për të kërkuar të vërtetën. Dija varet nga mënyra me të cilën është fituar, thoshte ai. Nëse dija vjen nga përvoja, është e thjeshtuar; nëse vjen nga logjika, është e besueshme. Lidhur me njohuritë e përvojës, edhe Sokrati thoshte se njeriu me përvojë është e mundur të dijë diçka që të tjerët kurrë nuk do ta kishin mësuar. Ai e arsyeton këtë me idenë e rimishërimit, që shpirti ekziston dhe njohuria transferohet. Pra, se njerëzit kanë një pasuri të madhe edhe para se ta meritojnë atë.