Drejtuesja e Lidhjes Shqiptare Europiane dhe Autorja e librave dygjuhesh për fëmijë znj.Merita Isufi vizitoi Vatrën. Ajo u mikprit prej bashkatdhetarëve të Amerikës te Vatra e Dielli në New York në “Nëntorin e letërsisë” aktivitet patriotik e kulturor që Vatra organizon çdo vit me rastin e festës së Flamurit Kombëtar. Zonja Merita Isufi dhuroi 2 libra e 2 katalogje për Bibliotekën e Vatrës. “Më flamurin e Shqipërisë” është Katalogu i Ekspozitës “Ngjyrat e Atdheut” mbajtur në Prishtinë me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë vjet në Nëntor. Për nder të Ditës së Flamurit dhe festave të nëntorit, në Muzeun Kombëtar të Kosovës u hap ekspozita kolektive “Ngjyrat e Atdheut” e cila shfaqi veprat e krijuesve shqiptare që për temë kanë ngjarjet, figurat dhe personalitetet më të rëndësishme në historinë shqiptare. Katalogu i dytë është “Ngjyrat Dardane” nga expozita mbajtur në Shkurt të vitit 2024 në Prishtinë me rastin e pavarësisë së Kosovës. Ekspozita “Ngjyrat Dardane” organizuar në Prishtinë më 15 Shkurt 2024 nga Lidhja Shiptare Europiane ishte një sukses dhe u mirëprit nga qytetarët me rastin e pavarësisë së Kosovës. Ajo shënoi një moment të rëndësishëm për kulturën shqiptare dhe përkatësinë kombëtare, duke e promovuar artin dhe talentet e artistëve shqiptarë nga të gjitha trevat.
Libri “Dea fillon shkollën” është libri i parë i autores Merita Isufi e cila ua ka dedikuar këtë libër fëmijëve që përballen me ndjenjën e ndarjes nga prindërit apo kujdestarët në fillimin e shkollës. Gjuha amtare është gjuha që fëmija fillon ta dëgjojë pasi lind, dhe si rrjedhojë, ajo gjithashtu ndihmon në dhënien e një forme të caktuar emocioneve dhe mendimeve tona.
Leximi me një fëmijë që në moshë të vogël nxit zhvillimin e gjuhës, aftësitë njohëse dhe forcon lidhjen prind-fëmijë. Gjatë leximit fëmija shton fjalorin, stimulon imagjinatën dhe hedh themelet për suksesin akademik. Autorja me librin e dytë për fëmijë “Eja Dea” ka si qëllim që përmes librave dy gjuhësh të kujdeset për botën e brendshme të fëmijëve, e cila ndihmon në krijimin e rrenjëve të forta për formimin e personalitetit të shëndetshëm, dhe mendjes së artikuluar. Ky libër më figurat tërheqëse plot entuziasëm për marrdhënien e mrekullueshme mes gjyshit dhe DEA’s është një lexim i këndshëm. Kjo vizitë vëllazërore dhe ky moment dhurimi i librave nënvizon rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve mes diasporës dhe rrënjëve shqiptare, duke dëshmuar se librat nuk janë thjesht fjalë të shkruara, por ura që lidhin zemrat dhe mendjet e njerëzve, pavarësisht distancës.