
Prof. Romeo Gurakuqi/
Me 26 mars 2024 ne Akademia e Shkencave e Shqipërisë u zhvillua tryeza shkencore me rastin e 110 vjetorit te Mbretnise se Pare Shqiptare në epokën moderne dhe Mbretnimit te Wilhelm Wied-it.
Në këtë konferencë kam referuar temën e titulluar :
PAVARËSIA E PARË E SHQIPËRISË DHE VENDI I PRINCIPATËS SË PRINCIT WILHELM WIED (7 MARS 1914 – 3 SHTATOR 1914) NË LINDJEN E SHTETIT MODERN
Në këtë paraqitje jam perpjekur të propozoj një përkufizim, përmbajtjet dhe kronologjinë e dhjetëvjeçarit që fillon nga Shpallja e Pavarësisë më, 28 nëntor 1912 deri në Rinjohjen Ndërkombëtare të Shqipërisë dhe Kufijve, më, 9 nëntor 1921, në aspektin e ekzistencës shtetërore, politiko-institucionale dhe njohjes nderkombëtare;
Tre janë ndarjet themelore të dekadës 1912-1921:
1. Pavarësimi i Parë dhe Njohja e Parë Ndërkombëtare e Shtetit;
28 nëntor 1912 – 3 shtator 1914;
2 Shqipëria në Luftën e Madhe – Dezintegrimi i Shtetit Nacional, Kushtetues, Laik dhe Europianist,
5 shtator 1914 – 30 tetor 1918;
3 Pavarësimi i Dytë dhe Njohja e Dytë Ndërkombëtare e Shtetit, Kufijve,
25 dhjetor 1918 – 9 nëntor 1921.
Secila periudhë është lexuar në planin e brendshëm, sipas veprës se kryer për një Shqipëri Nacionale, Kushtetuese, Laike dhe Gjithpërfshirëse nga njëra anë, dhe të kundërtës së saj, Shqipërisë si zgjatim i Perandorisë Osmane, për rrjedhojë, otomaniste, esadiste, e vogël, jo vitale, jo e të gjithëve.
Periudha e Principatës së Shqipërisë mars-shtator 1914, nuk mund të shkëputet, nga i gjithë procesi i ngritjes dhe rënies së Shqipërisë, nga 28 nëntori 1912 drejt 3 shtatorit 1914, para Luftës së Parë Botërore.
Nuk është një proces i pilotuar dhe artificial, madje edhe protagonistët e Vlorës nuk e kanë konsideruar të tillë dhe kanë qenë pjesëmarrës aktivë në procesin e jetëzimit të shtetit.
Ajo Principatë është pjesë e procesit të implementimit të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (29 korrik 1913, data e njohjes së ekzistencës së shtetit shqiptar si subjekt i të drejtës ndërkombëtare). Vendimi është pranuar nga të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe ka qene i detyrueshëm të pranohej edhe nga pjesët përbërëse të Shqipërisë.
Duke qenë se ky entitet shtetërorë ka qenë i njohur ndërkombëtarisht për Fuqive, i monitoruar me kujdestari të posaçme prej KNK, ka qenë po ashtu referenca themelore ku janë mbështetur patriotët e rrymës rilindase, pro europiane, edhe në Periudhën e Pavarësimit të Dytë, për të kërkuar rinjohjen e shtetit pas Luftës së Madhe, në Konferencën e Paqes dhe konferencat vijuese të ambasadorëve, deri me 9 nëntor 1921.
Nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, Wilhelm von Wied është konsideruar edhe më tutje, si sovrani i ligjshëm i Shqipërisë, i njohur nga e drejta e brendshme e vendit dhe nga ajo ndërkombëtare.
Pra, Principata e Shqipërisë nuk ishte sipërmarrje individuale dhe as një organizëm artificial i implantuar nga “fuqitë imperialiste”, siç është pretenduar, por ishte pjesë integrale e procesit të shtetformimit, materializim i vendimit të Fuqive mbi shtetin, kushtetutën e brendshme, pozicionin ndërkombëtar të tij.
Edhe pse Fuqitë e Mëdha, për arsye të balancave ndërkombëtare, rivaliteteve mes njëra-tjetrës dhe nevojës për të angazhuar faktorin Essad Pashë Toptani, në stabilizimin e shtetit, nuk e njohën qeverinë e Vlorës, elita kombëtariste nga ana e vet, për hir të interesave madhore shtetformuese, u kanalizua tërësisht në zhvendosjen e shtetit në Durrës, në mbrojtjen e Mbretnisë, njohjen dhe nderimin e Wilhelm Wied-it;
Rruga e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë ishte e njëjta që ishte ndjekur pas çdo revolucioni nacional në Ballkan, për të stabilizuar shtetërisht nacionet e reja të rilindura nga shtypja otomane: Greqi, Rumani dhe Bullgari: Principatë me princ europian nën monitorimin e garantëve (KNK), deri sa pjekja shtetërore të jetë e mjaftueshme, vitale dhe kombi të ecë vetë mbi boshte dhe parime të një vendi serioz europian.
Mbretërimi i Wied-it duhet të vendoset në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës, kur fuqitë europiane që ishin marrë vesht për krijimin e Shqipërisë, u përfshinë në një pështjellim të pangjashëm dhe pas fillimit të luftës, i gjithë themeli mbi të cilin ishte arritur konsensusi për Shqipërinë dhe Princ Wied-in, u shpërbë për të mos u rikthyer më kurrë mes tyre.
Faktorët që vepruan kundër krijimit e konsolidimit të tij, kanë qenë një kombinim i qartë mes forcave të brendshme konservatore dhe subjekteve të jashtme fqinje, të cilët vepruan me mjaft lehtësi në terrenin e ç’organizuar shqiptar, në injorancën dhe prapambetjen e theksuar kulturore të këtij vendi, në segmente të gjëra të të cilit gjurmët e shekujve të errët të sundimit aziatik ishin të dukshme, të gjalla dhe vepruese ndaj ringjizjes si Arberi.
Përndryshe, forcat në të mirë të stabilizimit të principatës ishin të kufizuara, në një elitë të emancipuar dhe në pasues të përhapur anëkënd vendit, pa unitet mes tyre, të dobët në pikëpamje financiare dhe me suport konstruktiv gati të munguar.
Me 3 shtator 1914, KNK mori pushtetet e besuar nga Princi, në emër të Fuqive të Mëdha të Europës, por kjo ishte një masë formale përballë kryengritësve pro-otomanistë për të shmangur vështirësitë dhe synimet e tyre akaparuese dhe shkatërruese të qenies shtetërore.
Shteti i parë shqiptar i njohur ndërkombëtarisht u rrëzua: Shqipëria e atëhershme vuante nga shkëputja me të kaluarën, vuante nga mospasja e një grupimi të gjërë shoqëror të emancipuar, vuante nga ekzistenca e një klasë drejtuese që e kishte pak të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe rendte ende me fantazmat e ruajtjes së çifligjeve të dhuruara personale.
Janë edhe dy faktorë të drejtpërdrejtë që çuan në destabilizimin dhe rënien e shtetit shqiptar:
1. -hapja e frontit lindor dhe juglindor të luftës që e detyroi Austro-Hungarinë të tërhiqej përkohesisht nga Shqipëria, persa i perket fokusit e aktivitetit politiko-diplomatik dhe ushtarak, duke ia lënë fushën e lirë Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi;
2 -Italia, klasa e saj politike e asaj kohe, me egoizmin e vet te shfrenuar nacional që zhdukte çdo gjurmë të sjelljes fisnike, për fat të keq, vendosi përdorimin si plaçkë shkëmbimi dhe ndarjeje të Shqipërisë:
Qe pikërisht Markezi di San Giuliano ai që propozoi në negociatat e para për aderimin e Italisë me Antantën, ndarjen e Shqipërisë me përjashtim të Vlorës në mes Serbisë dhe Greqisë.
Dhe kjo nuk ka qenë rastësore, mbasi ai nuk kishte qenë edhe ma përpara se sa në vitin 1914, një mbështetës i bindur i pavarësisë dhe tërësisë territoriale shqiptare, mbasi nuk besonte se ky popull kishte arritur fazën e mjaftueshme të pjekurisë dhe të ndërgjegjes së vet nacionale.
Pikënisja e negociatave që përfunduan me nënshkrimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, është një projekt marrëveshje që Ministri i Jashtëm Markezi di San Giuliano përgatiti me 9 gusht 1914, në bazë të të cilit, për të t’ia dalë me marrë nga Perandoria Dualiste, krahinat e Trentino-s dhe Alto Adige-s, Trieshtes, Istrias, Italia nuk do t’i kundërvihej përpjekjeve të vendeve ballkanike, që Shqipëria të ndahej mes Greqisë dhe Serbisë, në qoftë se Franca dhe Anglia e dëshironin; E gjitha kjo me kushtin që bregdeti nga Kepi Stylos deri në kufirin me Malin e Zi të neutralizohej, Vlora dhe hinterlandi i saj, do të duhej po ashtu të vendosej nën kontrollin ushtarak të Italisë. Projekti i San Giulianos, mbasi u aprovua nga Kryeministri Salandra dhe Viktor Emanueli III, iu përcollën, më 11 gusht 1914, në mënyrë shumë sekrete Ambasadorit Imperiali në Londër, për t’ia paraqitur Sir Edward Grey. Mbi këtë bazë u nënshkrua më pas Traktati i Fshehtë i Londrës, 26 prill 1915.
Në vend që të mbështeste Mbreterine e Parë Shqiptare, shtetin dhe nacionin e vogël, në Romë, para rënies së Wied-it, ishte vendosur copëtimi.
Heqja e mbështetjes italiane, Fuqisë së Madhe Mesdhetare dhe Adriatikase ende të papërfshirë në luftë, e dëmtoi rëndë interesin nacional të Shqipërisë, hapi për diskutimin copëtimin e saj, tregoi se Akti i 29 korrikut 1913 mund të abrogohej dhe për rrjedhojë, e gjitha kjo skenë e tratativave të fshehta, parapergatiti rrezimin e shtetit të parë shqiptar.
Sikur rrjedha e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk do të shkonte drejt ballafaqimit të armatosur, zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues brenda shtetit shqiptar, nën ombrellën e garancisë së KNK dhe Mbretit Wied, mendojmë se do të kishte qenë në parametra tejet të ndryshëm: Shqipëria do të bëhej shtet, fillimisht një Principatë autonome nën garanci ndërkombëtare e më pas Mbretëri e pavarur dhe sovrane, me në krye një mbret europian; ndasitë e brendshme do të vinin gradualisht duke u shuar; strukturat administrative e institucionale të shtetit do të bëheshin funksionuese; trupat greke, serbe e malazeze do të tërhiqeshin dhe mbrojtja e trojeve etnike shqiptare jashtë kufijve të Londres 1913, do të ishte një realitet veprues; Turqia do të shkurajohej nga ëndrra e saj për rikthim; Italia e diskretituar para forcave kombëtariste do të zhvendosej e turpëruar dhe e humbur nga bregu shqiptar i Adriatikut dhe Jonit; Austro-Hungaria do të vazhdonte të mbështeste rrugën e konsolidimit të projektit të saj të kahershëm për themelimin e shtetit ilirik, tashmë jo në kundërshti me Anglinë, por në aleance me atë; Fuqitë së bashku do të detyroheshin të garantonin me vepra jetën e shtetit të ri ballkanik që krijuan vetë.
Por kjo e gjitha ishte një ëndërr e gjysmës së mirë të shqiptarëve. Realiteti i brendshëm dhe i jashtëm, në koalicion të çuditshëm, funksiononte përkundër Kauzës Rilindase.
Trashegimia:
Pas Luftës së Parë Botërore, përfaqësuesit e popullit shqiptar të mbledhur fillimisht në Durrës në dhjetor 1918 dhe më pas në Lushnjë në janar 1920, rindërtuan një Shqipëri nga pikpamja institucionale që të ishte trashëgim i Principatës së Wilhelm von Wied:
1.Më 1918: udhëheqësit shqiptarë të elitës, që u rimblodhën në Durrës ne Kuvendin Kombetar, kanë menduar për të ndjekur, me ose pa princ Wied-in, legalitetin kushtetues të vitit 1914.
Rivendosja e Turhan Pashës në krye të qeverisjes së re në dhjetor 1918 ka qenë pjesë e përpjekjeve për të vendosur spektrin e kthimit të legalitetit të përiudhës së para Luftës së Parë Botërore.
2. Në janar 1920: Meqenëse Princ Wied-i nuk kishte abdikuar, nga pikpamja kushtetuese Shqipëria e Kongresit të Lushnjë konsiderohej edhe më tutje një Principatë. Prandaj delegatët zgjodhën një Këshill të Regjencës, të përbërë prej katër anëtarësh, nga secili prej katër komuniteteve fetare në Shqipëri, një bektashi, një sunit, një katolik dhe një orthodoks: Aqif Pashë Elbasani, Ipeshkvi Luigj Bumçi, Abdi Toptani dhe Dr. Mihal Turtulli.
Forcat më të rëndësishme politike shqiptare që ishin pro kthimit të Princ Wiedit kanë qenë: Aqif Pashë Elbasani, partia e kosovarëve, Mirdita, pjesa më e madhe e Shqipërisë së Jugut, Shkodra e Malësia.
Ndryshe nga përiudha e para LPB, edhe Italia, në bazë të deklaratave të ministrit të saj në Shqipëri, ishte e përgatitur të mbështeste një rikthim të Wied-it. Por ka qenë Ahmet Zogu njeriu që luftoi në mënyrë të spikatur kundër Princ Wiedit dhe opozita e tij ka qenë serioze dhe mendoj, më e rëndësishmja në planin e brendshëm kundër rikthimit në fron dhe në krye të punëve të Shqipërise.