Dr. Elmi Berisha*/
Më lejoni që përzemërsisht në emrin tim personal dhe të Federatës Panshqiptare VATRA të ju dëshiroj mirëseardhje në këtë ditë të madhe për kombin tonë, ditën e bekuar të flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar. Urime 112 vjetori, dita e madhe e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit kombëtar.
Jam shumë krenar që sot në këtë festë të madhe të shqiptarëve që festohet anembanë globit ku frymohet shqip, të ju informoj për angazhimet dhe veprimtarinë e organizatës më të vjetër dhe më prestigjioze shqiptare në Amerikë – VATRA, tani në rrethanat e reja kohore për kombin tonë dhe në zhvillimet e trendeve bashkëkohore politike, socio-ekonomike dhe transformimeve të mëdha shoqërore dhe teknologjike që na imponojnë angazhime dhe koncepte rë reja menaxhimi dhe veprimi por edhe qasje të re dhe proaktive që të jemi në hap me trendet e kohës.
Edhe në këtë vit një nga angazhimet mw serioze të VATRËS ishte çështja e Kosovës në aspekt politik dhe diplomatik në situatën e re politike dhe gjeopolitike në të cilën ndodhet bota, krizat globale dhe impakti i tyre në trevat shqiptare, vecanërisht në Kosovë. Kemi rritur intensitetin dhe angazhimet tona si VATËR në avansimin kualitativ me përfaqësuesit e institucioneve të shtetit amerikan dhe qarqet e tjera me ndikim si ato mediale, publicistike dhe akademike në funksion të avansimit dhe promovimit të vlerave tona kombëtare dhe interesit nacional.
Vizitat që kishim në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe takimet me institucionet e sigurisë të shtetit amerikan ishin në këtë funksion. Kam përcjellur mesazhet e bashkpunimit dhe koordinimit te institucionet relevante në Kosovë përfshirë edhe ato të sigurisë gjatë vizitës sime të fundit të vetëm para disa ditëve. Nga kjo ditë e shënuar, dua ta falënderoj ambasadorin tonë në Prishtinë z. Jeffry Hovenier për punën, përkushtimin dhe angazhimin profesional dhe të sinqertë në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë si dhe bashkëpunimin tejet të ngushtë me organizatën tonë. Së bashku me bashkpunëtorët e mij kemi realizuar për këtë kohë të shkurtër vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare në funksion të afirmimit të interesave të bashkëkombasve tonë.
Kemi vazhduar me intensitet të shtuar angazhimet tona të gjithanshme në afirmimin dhe mbështetjen për të gjitha trojet etnike shqiptare. Kemi zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të shtetit amerikan, jemi koordinuar me udhëheqjen e Kosovës në mbështetje të procesit të përmbylljes së dialogut me Serbinë, kam nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me pajtim të gjitha grupeve politike, jemi në në proces që një memorandum të tillë ta nënshkruajm edhe me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pritur në selinë e VATRËS President, Kryeministra, Ministra, Deputet dhe Kryetar Komunash, shkenctar, krijues, klerik dhe njerëz të tjerë më ndikim nga të gjitha trojet etnike shqiptare. VATRA kurrë nuk ka qenë më e vizituar dhe më e frekuentuar nga të gjitha profilet se sa në këto 5 vitet e fundit. Nuk ka ditë që në VATRËN tonë nuk organizohet një aktivitet.
Këtyre angazhimeve, sukseseve dhe afirmimit të vlerave tona kombëtare jo të gjithë ju gëzohen. Ka zëra ndryshe, pengesa dhe obstruksione në angazhimin dhe punën tonë. Unë jam i hapur dhe i gatshëm për mendime dhe ide ndryshe, por jo edhe obstruksione e shantazhe të mentalitetit të vjetër. Por ne nuk do të ndalemi së punuari dhe do të vazhdojmë me vendosmëri misionin tonë. Ne jemi në shekullin 21 dhe do vazhdojmë me punë, reforma, të inkurajojmë brezin e ri dhe të krijojmë hapsirë për ta që të jenë pjesë e veprimtarisë së organizatës sonë. Kjo organizatë e madhe dhe me traditë ka vend për të gjithë shqiptarët, andaj nga ky event festiv i ftoj të rinjtë dhe të rejat të na bashkohen në rrugën e bashkimit, prespektivës, triumfit dhe afirmimin të vlerave dhe interesit tonë nacional.
Me krenari mund të deklaroj se lidershipi aktual i VATRËS është shumë i përkushtuar në angazhimet dhe aktivitetet e ndryshme që organizohen pothuajse çdo ditë në VATËR. Vetëm në këtë vit janë formuar dhjetra degë të organizatës sonë, janë në përfundim pregaditjet për formimin edhe të degëve të tjera, njerëz që kanë vullnet dhe energji pozitive dhe që e duan kombin tonë. Janë gra dhe burra të përkushtuar, me integritet dhe kredibilitet moral dhe profesional si dhe pjestarë të familjeve të shquara dhe me traditë atdhetare, me kontribute të jashtëzakonshme, në trojet etnike dhe vendi i tyre i origjinës. Jam i nderuar të jem në krye të një ekipi të tillë, i falënderoj publikisht të gjithë që ndajnë kohën e çmuar por edhe mjete financiare që VATRA të jetë ajo që duhet të jetë.
Jam i lumtur të deklaroj solemnisht që premtimin tim që VATRA ta ketë një seli të veten dinjitoze që i plotëson të gjitha kriteret dhe nevojat e komunitetit tonë, po bëhët realitet. Nga vizita ime e para disa ditëve në Shqipëri dhe Kosovë, kemi zotimin e parë nga afaristi dhe bamirësi i shquar z. Kadri Morinaj që do i dhuron për këtë projekt të rëndësishëm një milion dollar. Dua ta falënderoj nga zemra në emrin tim dhe të VATRËS publikisht edhe nga ky manifestim madhështor. Jam duke punuar bashkë me ekipin tim, që në pranverën e vitit të ardhshëm, ta fillojmë këtë projekt që do e trashëgojnë breza me radhë të bashkëkombasve tanë në këtë vend të bekuar.
Të nderuar zonja dhe zotërinjë,
Rruga e ime si kryetar dhe i VATRËS si organizatë vetëm se po forcohet çdo ditë e më shumë drejt Vashingtonit, institucioneve të shtetit amerikan në të gjitha instancat. Me knaqësi mund të konkludoj se lidhja e VATRËS me Vahingtonin – Tiranën – Prishtinën – Shkupin – Podgoricën – Preshevën nuk ka qenë kurrë më e fortë dhe më e lidhur në aspektin politik, të bashkëpunimit dhe koordinimit në interes të afirmimit dhe progresit të interesit tonë nacional.
Në shtator të këtij viti kam vizituar edhe trevat etnike në Qamërinë martire. Kam takuar dhjetra motra e vëllëzër të asaj treve, kam bërë një deklaratë publike në emrin e VATRËS dhe zotohem se do e ngris në Kongres dhe Senat të drejtën themelore për qasje në pronë dhe konform kartës së OKB-së dhe Konventave ndërkombëtare për te drejtat elementare njerëzore, VATRA dhe unë do avokojmë fuqishëm për bashkëkombasit tonë në Qamëri që ti gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore dhe qytetare.
Ju zotohem se nuk do të ndalem dhe do të vazhdojmë fuqishëm ta zhvillojmë dhe trasojmë këtë lidhje dhe traditë në interes të prespektivës dhe prosperimit të kombit tonë. Më lejoni që nga kjo ngjarje e vecantë për kombin tonë, ti uroj rizgjedhjen Presidentit Trump, ti dëshirojmë shumë shëndet dhe suksese në realizimin e vizionit të tij për këtë vend të bekuar. Zotohemi se do të punojmë ngushtë me administratën e re të SHBA-ve, me miqtë e shumtë të VATRËS që tani vetëm se janë emeruar në pozita të rëndësishme në funksion të forcimit, avansimit dhe afirmimit të cështjes shqiptare dhe interesit tonë kombëtar.
Urime 112 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe dita e flamurit kombëtar,
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë,
Zoti e bekoftë Amerikën,
Ju faleminderit.
* Fjala e kryetarit të Vatrës Dr Elmi Berisha në festën e Flamurit Kombëtar mbajtur në New York më 22 Nëntor 2024.