TIRANË, 13 Mars/ Partia Demokratike akuzoi të enjten kryeministrin Edi Rama se po shkel vendimin e qeverisë për Ditën e Verës, duke urdhëruar shkollat në Tiranë që të thërrasin nxënësit nesër në aktivitetin e planifikuar, edhe pse është pushim zyrtar.
“Dita e Verës është pushim zyrtar, por dhe pse ka në fuqi një vendim të tillë, Edi Rama u ka kërkuar shkollave, që tashmë i ka të gjitha nën kontroll partiak, që të mbushin nesër radhët e eventit të tij. Me këtë përpjekje të dëshpëruar, në kohën kur ai vetë dhe qeveria e tij kanë humbur mbështetjen e publikut, kur pakënaqësia dhe protesta kanë zënë vend në gjithë Shqipërinë, Edi Rama kërkon të shfrytëzojë nxënësit e shkollave në Ditën e Verës, për t’u dukur se gëzon mbështetje”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Sipas saj, me këtë vendim, kryeministri Rama po shkel një nga premtimet e tij elektorale, më të zëshmin nga ato, kur përbetohej se nxënësit dhe shkollat nën qeverisjen e tij nuk do të shfrytëzoheshin politikisht.
Sadik Elshani says
Po perse Dita e Veres duhet te jete feste zyrtare dhe perse te mos shkojne femijet ne shkolle dhe punetoret ne pune?Probleme te tjera nuk paska Shqiperia?!Festa te tilla mund te festohen shume me mire te shtunave,apo te dielave.Gezuar Diten e Veres!