Partia Demokratike duket se ka pranuar në mënyrë zyrtare pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh në punimet e Asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, në Bruksel, se 21 qershori do të jetë një referendum popullor edhe kundër reformës territoriale.
Me deklaratën e tij, Basha iu jep fund dilemave nëse opozita do të marrë pjesë apo jo në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Duke qenë se referendumet nuk i hynë në punë për kundërshtimin e ndarjes së re, Basha ka thënë se demokratët do të kthejnë në një referendum të madh pikërisht 21 qershorin.
Deklarata e Bashës
“Partia Demokratike ka qenë dhe është e vendosur që sovranit, qytetarëve shqiptarë të mos u mohohet kurrë e drejta për të vendosur për hartën territoriale. Harta aktuale ka qenë, është dhe do të mbetet e papranueshme për Partine Demokratike .
Ajo bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar, për tu shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre.
Kërkova monitorim të plotë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh që qeveria Rama-Meta e ka dhënë provën e saj të përgjithshme të shitblerjes së votës në 23 qershor dhe e ka përsëritur para kamerave në zgjedhjet e Korçës, duke amnistuar nga ndjekja penale keqbërësit e këtij krimi penal dhe mora garanci se jo vetëm Partia Popullore Europiane por të gjitha institucionet e BE do të jenë tërësisht të angazhuara për këtë kauzë madhore që është kauza e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.