Migena Andoni/
Shqipëria po shpopullohet çdo ditë e më shumë. Instat jep të dhëna alarmante për largim masiv të shqiptarëve nga vendi. Sipas të dhëneva zyrtare të Instat, struktura e popullsisë po pëson ndryshime thelbësore. Në 1 janar 2022 raportohet se Shqipëria banohet nga 2. 793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1.3% krahasuar me 1 Janarin e vitit 2021. Shqetësues është fakti se janë të rinjtë ata që po braktisin masivisht Shqipërinë. Në vigjilie të vitit të ri akademik përllogariten 2 mijë studentë më pak krahasur me një vit më parë. Pamundësia financiare për të ndjekur arsimin e lartë në vend, kushtëzon të rinjtë të bëjnë të gjitha përpjekjet për t‘u arsimuar në vende të ndryshme te botës, me shpresën se pas studimeve, ata do të lidhin një kontratë pune në vendet ku u arsimuan, me synimin për të mos u kthyer më kurrë në Shqipëri. Sipas Instat emigracioni i të rinjve 20-24 vjeç dhe ulja e lindjeve shënon rënien më të fortë të popullsisë. Ky është viti i pestë, sipas të dhënave zyrtare që vendit i ikin 41 mijë banorë, ose e thënë ndryshe 1 qytet çdo vit. Eshtë e trishtueshme të shohësh se si auditoret e univesiteteve boshatisen.Çdo ditë takon miq, profesionistë të fushave të ndryshme që artikulojnë vetëm një shqetësim:
Si të largohen nga Shqipëria? Në pamundësi për të siguruar kontrata pune dhe për t‘u larguar në mënyrë te ligjshme nga vendi, disa kanë zgjedhur të çajnë detet me gomone, ashtu sikundër vepronin para 32 vitesh, kur sapo vendi kishte rrëzuar diktaturën komuniste dhe kur Shqiperia hyri në statistikat ndërkombëtare si vendi më i varfër në botë pas Ugandës. Ky fenomen tragjik është bërë problem serioz për kancelaritë ndërkombëtare, ndërsa shtypi i huaj çdo ditë referon fakte të emigracionit të shqiptarëve shoqëruar me shqetësimin se ky alarm vjen nga një vend si Shqipëria, anëtare e Natos dhe kandidate për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Eshtë tragjike pohimi i shumicës së shqiptarëve se vendi i tyre nuk i ofron asnjë mundësi për të garantuar minimumin jetik. Mungesa e punësimit, pagat dhe pensionet e ulëta, mungesa e investimeve të huaja si pasojë e pasigurisë juridike dhe klimës armiqësore ndaj biznesit, shëndetësia dhe arsimi pa sistem, është tabloja e realitetit që nxit shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen me çdo kusht dhe mjet. Ndërsa varferia është ulur në çdo familje Kryeministri Rama tha se Qeveria do të blejë dy satelitë me vlerën e 6 milionë dollarëve, për të mbikëqyrur sikundër tha ndërtimet pa leje. Eshtë qesharake të besosh këtë justifikim, kur ndërtimet pa leje janë ngritur në 9 vite në sytë e qeveritarëve tanë, ku “betoni“ është parë si alternativë e larjes së parave të drogës dhe krimit. Trishtim për fatin tragjik te shqiptarëve, të cilët kanë vetëm një mundësi për t‘u ushqyer, “EMIGRIMIN”.