
Mimoza Dajçi/
Të gjithë ne si shqiptarë krenohemi me Nobelisten dhe Shenjtoren Nënë Tereza, e kush më shumë e kush më pak përpiqemi të dukemi paksa si Ajo, përsa i përket humanizmit dhe bamirësive të saj. Mirë deri këtu.
Këtë fenomen do ta lidh si padashur me rritjen e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri. Kur pallatet nuk ndërtohen për shqiptarët në Shqipëri, për kë vallë ndërtohen, pasi sipas statistikave shqiptarët janë më të pakët në numër si konsumatorë të tyre. Këtë nuk e shpika unë, por e deklarojnë vetë disa përfaqësues të Real Estate në vend, apo agjentët imobiliarë, që kështu quhen kohëve të fundit edhe në Shqipëri.
Ata deklarojnë gjithashtu, se ata që blejnë më së shumti apartamente në Shqipëri, janë të huaj. Nuk po them t’i japin falë, por me llogjikën e ftohtë, mendoj se në ndërgjegjen e tyre e njohin shumë mirë varfërinë e popullit tonë, ku për afro gjysëm shekulli e la diktatura më e egër në Europë, mos strehimin, dhunën e persekucionin komunist si dhe papunësinë. Atëherë përse këto çmime kaq të lartë për shitjen e apartamenteve në vend.
Vërtetë ndërtuesit së pari shikojnë pasurimin e xhepave të tyre, e nuk i intereson varfëria e njerëzimit, por mos të na japin leksione nëpër studiot televizive duke “justifikuar” veten se çmimet e shitjeve të banesave përqark rajonit janë më të larta se në Shqipëri, kështu që detyrimisht duhet edhe ne (dmth ata) t’i bashkohemi atyre, e në vitet në vijim çmimet për shitjet e apartamenteve do të jenë akoma më të lartë.
Po patriotizmi ku shkoi, ndërkohë që Shqipëria është mbushur me të huaj, apo kush pyet për atë. Sigurisht nuk ka asgjë të keqe që shumë të huaj po jetojnë tashmë në vendin tonë, e janë kurdoherë të mirëpritur. Po shqiptarët; Aha s’keni për ti parë më. Ata po largohen nga varfëria, papunësia, korrupsioni e krimi i organizuar që ka mbuluar vendin. Ndërsa ne të tjerët që kemi vite që jetojmë jashtë sa herë që kthehemi në atdhe e ndjejmë veten të huaj në vendin tonë…
Nëse ju rastis të shikoni websitin e shitjeve të apartamenteve në Tiranë, Durrës, Vlorë e Sarandë, menjëherë të verbohen sytë nga eurot e larta të çmimeve që janë të paarritshme në blerje nga shqiptarët krahasuar me të ardhurat. Siç kemi dëgjuar pas bisedës që të interesuar të ndryshëm zhvillojnë direkt me një apo dy pronarë të këtij biznesi, këta të fundit thonë: “Unë vërtetë e shes 135 mijë euro, por kur të shkojmë tek noteri do të deklaroj që e shes 30 apo 40 mijë euro, aq sa e ka caktuar shteti shitjen e këtij apo atij apartamenti dhe pjesën tjetër duhet të ma jepni para në dorë”.
Këtij i thonë biznes, jo shaka. Çfarë tregon se pronari do që të bëhet apo është bërë milioner brenda dy sekondash me këtë lloj krimi të hapur. Të më falin noterët, por besoj ata nuk kanë informacion se çfarë ka në kokë e mendje pronari. Pse po ndodh kjo, apo që i-mobiliarët të justifikojnë deklarimet e tyre se çmimet e rajonit janë më të larta se sa në Shqipëri.
Dhe neve thonë ata, pasi i paska “zënë turpi” duhet të jemi në të njëjtin nivel me rajonin në këtë lloj biznesi. Kur shteti mor zotëri e përcakton qartë se x – apartament kushton 30 mijë euro, nuk i shikon agjenti i-mobiliar dokumentet për këtë çmim që e vendos në websitin e tij për shitje 135 mijë euro? Vërtetë rajoni përqark i ka çmimet e apartamenteve më të lartë se sa Shqipëria, por ndryshe standarti i jetesës në Shqipëri e ndryshe nëpër botë.
Do të kalojnë vite e Shqipëria nuk do të njihet më si Shqipëri, pra ju “takon” edhe juve ndërtues dhe i-mobiliarë të dashur të lodhni pak trurin për një emërtim të ri të vendit tonë, sepse dashur pa dashur jeni edhe ju shkaktarë të largimit të rinisë e popullit tonë nga toka mëmë.