Diplomati duhet të jetë një vizioner për të parashikuar të mirat dhe të këqijat që i vijnë atdheut. Ai, që t’a bëjë atë duhet të zotërojë artin e fjalës, por që t’a zotërojë artin e fjalës, ai duhet të dijë shumë e më shumë për kombin, kulturën dhe traditën; duke shtuar si vlerë profesionin, gjeopolitikën, politikën dhe ekonominë. Në se zotëron dijen, ai është apo bëhet një diplomat i mirë, i besueshëm. Në se është i besueshëm, ai di të menaxhojë lehtësisht politikën që të mos bëjë hapa të nxituara në fushën diplomacisë dhe të sigurisë./
Nga kolonel (R) Zaim Kuçi/
Ish Atashe i Mbrojtjes në Paris/
Fjala diplomat përbën një kompleksitet sjelljesh nga më të thjeshtat deri në ato në nivel strategjik. Ajo prezantohet sa e thjeshtë në paraqitje aq dhe e ndërlikuar në veprim, sa naive aq edhe e zhdërvjellët, sa e nënkuptuar aq edhe e sinqertë, sa si pa vlerë aq edhe e rëndësishme dhe e domosdoshme për interesa kombëtare.Për të arritur zgjidhjen e këtij ekuacioni me shumë të panjohura, të bërit diplomaci fillon herët nga rekrutimi i tejkujdesshëm, i të diturve, i të përkushtuarve dhe përfunduar tek vlerësimi i punës së diplomatit si etapa më delikate që duhet të bëjnë përfaqësitë eprore, për çka është bërë dhe çka nuk është bërë nga përfaqësuesit tanë në botë. Kjo praktikë vlerësimi nuk kufizohet vetëm me diplomatët tanë, do të thoja se kjo praktikë vlerësimi dhe njohje shtrihet dhe për ata të huaj, rezident në Tiranë. Të vlerësuarit, është momenti ndoshta më rezultativ për të përftuar dhe prodhuar diplomaci, duke analizuar dhe ndarë të mirat nga të këqijat, për të ndërtuar të ardhmen me një diplomaci më pragmatiste, më reale, më pranë Shqipërisë. Kjo është e vështirë, prandaj kërkon vëmendje dhe duhet të bëhet me ekipe të mirëpërgatitura.
Sprovë teorike dhe praktike në diplomacibërje: me marrjen e detyrës është e rëndësishme që, puna e çdo diplomati të fillojë me homologun e vet të ambasadës në Tiranë, me qëllim prezantimin, njohjen dhe koordinimin e mëtejshëm të veprimeve për të bashkërenduar punën, për një projekt/plan bashkëpunimi dy palësh. Pikërisht këtu fillon dhe ka vlerë diplomacia nëse je bindës dhe ke aftësi komunikimi për të bërë për vete/mik diplomatin, përfaqësues në RSH.
Nga eksperienca e punës në mision, vlerësoj tepër të domosdoshme lidhjen/të qënurit në kontakt me diplomatin e vendit ku je i akredituar. Duhet punuar për të qënë në një vektor të përbashkët me homologun për të kërkuar dhe propozuar fusha me interes bashkëpunimi, për më tepër bërje “lobing” ku RSH ka nevojë më shumë se kurrë. Bashkëpunimi me diplomatin në Tiranë duhet të jetë reciprok, për të realizuar qëllimin e përbashkët, duke gjetur gjuhën e komunikimit. Por puna “disi” e përbashkët midis diplomatëve të akredituar në vendet respektive në përgjithësi nuk funksionon edhe aq mirë, madje herë herë mjafton vetëm me njohje emrash, ka dhe një distancë lidhjesh në forma të dukshme apo të padukshme midis ambasadave…. Kujtoj se në këtë bashkëpunim ka dhe rivalitet për t’u vlerësuar, sipas interesit personal të diplomatit…edhe mbeten disa enigma diplomatike.
Është e kuptueshme se, diplomati në vendin ku akreditohet ka rol, por ai i mat marrëdhëniet me kutin se sa i shërben politikës së vendit të vet. Në përgjithësi të gjithë diplomatët, të çfarëdolloj shteti, janë konstant në politikën e tyre. Ajo që ndryshon është vetëm forma; paraqitja e mirë deri dhe në, sadopak “shtirje” për të bërë detyrën si diplomat; ceremoniali i kujdesshëm, të cilëve nuk u mungon pasi është edhe në traditën e shteteve të tyre. Ata punojnë me vijimësi në ekip “me bllok xhepi”, me cliché të mirëstudjuara.
Detyra në vendin ku u akreditova më shtyu kuriozitetin të zgjeroja informacionin për diplomacinë tonë në përgjithësi dhe në reflektim të asaj që mblodha kuptova se diplomacia shqiptare edhe pse ka progres, ka nevojë në përgjithësi për rivlerësim të asaj që duhet bërë, me një tjetër vizion, që fillon me përzgjedhjen dhe trajnimin e diplomatëve të vet duke vijuar me kërkesën për mbajtje në gjendje “alarmi” të punës së stafit diplomatik.
Po çfarë ndodh? Në këtë shërbim ndjehet më tepër se kudo influenca për emërime të sforcuara partiake, ato vlerësohen si fushë e të privilegjuarve. Në këtë ambient diplomatësh, sigurisht edhe eprorët janë të paaftë të ndërtojnë punën me këtë kontingjent të “zgjedhurish”. Kjo praktike të çon në atë që, politika shqiptare në përgjithësi anon në një politike disi servile. Ne besojmë më shumë tek të huajt se sa tek vehtja jonë dhe se ky mosbesim është kthyer në një normalitet në fushën e diplomacisë, kjo nga prezantimi ynë rutinë, pa format dhe vizion.
Ajo që duhet bërë në vazhdimësi është analiza e detajuar nga Përfaqësia, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila do të jetë “CV” e ardhshme për diplomatin dhe ish-diplomatin dhe në vartësi të saj do të përcaktohet strategjia e punës në diplomaci, si dhe ardhshmëria e diplomatit të përftuar gjatë misionit.
*Është bërë si traditë e jona mbivlerësimi, madje dekorohen diplomatë të huaj me medalje të motivacioneve më të larta (kjo dhe për garadat e ulëta). Në pamje të parë dikush mund të thotë: shumë mirë, Ministri e ka në mision të bëj politike-diplomacie. Por nga ana tjetër, çdo medalje ka motivacionin dhe sidomos për ushtarakët, të cilët e dinë se kur e fitojnë këtë medalje. Ajo përfaqëson një akt sublim, një ndihmë dhe punë specifike konkrete, të matshme, një risi të sjellë në të mirë të vendit ku kryen misionin diplomatik etj. Nuk mund të dekorosh çdo diplomat që bën thjesht detyrën, për të cilën ai paguhet. Më tepër se kaq unë kam rezervat e mia për të akredituarit në vendin tim, për të cilët, vështirësisht, mundem t’i paraqes sipas mënyrës dhe njohjes sime në këtë shkrim gazetaresk.
Për të qënë më pranë asaj që dua të shprehem, risjell në këtë shkrim një takim diku në një vend që diplomacinë e ka art zhvillimi. …në një tavolinë miqsh, përgjatë një darke, me të drejtë homologu im fliste për ngarkesën e punës së misionit të vet në Tiranë. Fillimisht u ndjeva mirë që diplomati po “shiste” punën e një Atasheu të Mbrojtjes (AM), kjo më shumë për të kuptuar pala jonë. Por… eprorët e mi vijonin dhe i thurrnin gjithfarë lloje lëvdatash për punën dhe ngarkesën e misionit të tij, e cila më shkonte për shtat edhe mua dhe isha në pritje për pjesën e dytë: dy fjalë për atasheun e tyre, pasi sapo ishte hapur misioni në Paris dhe unë vërtet e prisja një vlerësim të tillë.
I ndodhur në këtë heshtje të stërzgjatur mendoja se, të shesësh lëvdata me tepricë është humbje, madje thoja me vete se, sa servilë jemi ne….theva heshtjen duke iu drejtuar homologut tim si me humor: detyra e AM nuk është e lehtë, për më keq ngarkesa nuk kuptohet edhe aq nga eprorët. Sigurisht ka matshmëri, por më shumë jo, eprorët e kujdesshëm edhe mund t’a zbulojnë atë… dhe rezultati: pashë zemërimin e eprorëve të mi, madje më pas feedback –u i ligjëratës sime ishte jo i këndshëm : …….po përse ku informacion?
**Në një bisedë të lirë në zyrën time me një përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Francës midis të tjerash i tregova disa shkrime ku cilësohej në shqip fjala Francë (armatim, logjistikë, teknologji, koncepte). Kurioziteti i tij u shtua kur pa në shtypin tonë gjerësisht analizën mbi dokumentin “Libri i Bardhë”, shkrime për personalitetet ushtarake franceze të shoqëruar me fotot e tyre,etj . Shprehu interesim dhe kompliment…gjatë misionit të Atasheve të Mbrojtjes në Paris, vijoi ai, ministria jonë në përgjithësi nuk praktikon dekorimin e atasheve të mbrojtjes…e të tjera konsideracione …, po përse ky informacion?
Sot dhe në të kaluarën, në dekadat e marrëdhenieve diplomatike, do të nxitoj të gjykoj se, në diplomacinë shqiptare shumë pak ka vlerësime, shumë pak ka bilance punë, shumë pak ka transparencë, shumë pak ka dëshirë për përmirësim, por më tepër ka: rrethanë, mbyllje -diskret,miqësi dhe interes. Sigurisht, RSH ka prodhuar figura diplomatësh; ka rastësira dhe spontanitete progresiste në diplomacibërjen shqiptare që unë i respektoj. Nga ana tjetër të zësh vendin e specialistëve të fushës përkatëse është humbje kohe dhe kosto e lartë financiare, është një mëkat për popullin. Më mirë për vendin tonë do të ishte mospërfaqësim se sa emerim “n’importe quoi”.
Në librin e Berridge “Diplomacia”, shkëputa si të domosdoshme për të mësuar, tre momente që mendoj se janë kruciale për shërbimin diplomatik në tërësi: “….rekrutim/trajnim të personelit, vlerësim periodik të personelit, …duke luftuar prirjet për largimin e specialistëve më të mirë …çka përfaqëson rrezik të madh për shërbimin e jashtëm në përgjithësi”.
Le t’i kthehemi praktikës së ministrisë sonë të mbrojtjes, tashmë e kthyer në traditë dekorimi i Atasheut të Mbrojtjes të akredituar në Tiranë, edhe pse deri më sot nuk është ruajtur reciprociteti diplomatik. As dhe një shqiptar nuk është vlerësuar nga homologët tanë. Nëse dekorohet diplomati i akredituar në Tiranë për punë të mirë sigurisht dhe homologu i tij shqiptar ka pjesën e medaljes të kësaj pune të përbashkët. Diferencimi në sjellje nuk është rezultat. Në se dekorimi është i merituar ai është një forcë morale, shtytëse për rritjen e konkurrencës diplomatike në përfaqësi. E rëndësishme për një diplomat është vlerësimi real i punës së bërë gjatë misionit, minimalisht çdo 6 muaj. Kjo është një formë për të nxitur punën në fushën e diplomacisë.
Gjatë misionit tim në Paris nuk u “informova” nga transparenca franceze për dekorime të diplomatëve amerikane, anglezë, hollandezë, rusë dhe portugezë, për të cilët dhe me të cilët unë isha pjesë aktive e trupit diplomatik.
*Për sa më lart, do të ndalem, përse vendi im është vlerësuar deri vonë nga të “dekoruarit tanë” “vend me siguri të kufizuar”?
Për post tejsjelljes miqësore shqiptare me diplomatët e akredituar në vendin tonë, do dëshiroja të sjell si argument faktin se, si ish diplomat më ka shqetësuar çështja që diplomatët e akredituar në Tiranë deri vonë e kanë vlerësuar (apo e kanë prezantuar) në vendin e tyre, situatën e vendit tonë “vend me siguri të kufizuar”. Si vijim të këtij vlerësimi, artificialisht rriten muret mbrojtëse të ambasadave të tyre, të cilët më kujtojnë epokën e bunkerëve të kohës së diktaturës të cilët e humbën funksionin që në themel të ngritjes së tyre. Le të pranojmë që, më shumë frika atyre ju vjen nga terroristët e importuar nga jashtë se sa nga shqiptarët.
Gjithkush ka të drejtë të shtrojë një pyetje:Përse ky vlerësim?Sipas meje, pamjaftueshmëri diplomatike, por duke shkuar dhe më larg, gjithëpërfshirje shqiptare e vakët, pa nerf kombëtar. Diplomacia e jashtme shqiptare duhej t’a kishte prioritet strategjik heqjen e këtij vlerësimi të dyshimtë, madje këtu do të duhej të fillonte “plani i punës i çdo ambasadori”. MJ duhej të vinte në lëvizje të gjitha mekanizmat vepruese (mediat, konferencat, debatet në Tiranë dhe në ambasadat e akredituara, si burim informacioni për vendet e tyre) me informacionin kundër argument në këtë drejtim, edhe pse ndoshta kjo nuk do të ishte e pranueshme nga “miqtë” tanë diplomatë të Tiranës. Në diplomaci bëhet edhe zhurmë në interes të sigurisë së vendit.
Argumente: Së pari, informacionet e dërguara nga këta të akredituar në vendet e tyre për pasigurinë në Tiranë, nuk kanë qënë të vlerësuara nga ekspertë të sigurisë qofshin këto në kohë, në statistikë të memories diplomatike, por as edhe me elementët e sigurisë të evoluar pas viteve 90-të. Edhe në kohën e komunizmit asnjë ambasadë apo diplomat në Tiranë nuk u dhunua nga ndonjë “komunist” apo person me të meta “mendore”, siç ndodh rëndom në vende të klasifikuar me “siguri të lartë”.
Për më keq, sjell si kuriozitet edhe faktin se, ambasadat e atij regjimi të padëshirueshëm, maksimalisht ishin të rrethuara me kangjella hekuri, por oborret ishin të dukshme dhe në vend të mureve rrethuese ishin mbjellë lule. Edhe pse kohët e fundit Shqipëria ka kaluar trazira lufte deri në rënien e shtetit, as dhe një diplomat apo ambasadë nuk u sulmua nga shqiptarët e irrituar.
Opinionin tim për fenomenin miqësor shqiptar do ta ilustroj me një ndodhi gjatë trazirave të ‘97 tës me një diplomat të huaj. Edhe pse shëtitëm gjatë dy ditëve në qytetin bregdetar të jugut të trazuar (kulmi i trazirave), herë me veturën me targë CD dhe herë me veturën time, jo vetëm që nuk u veprua ndaj nesh por u ndihmuam. Të spostuar diku afër Himarës, mbasdite vonë, patëm një defekt ne veturë, u afruan për ndihmë disa djem të armatosur me pamje dhe veshje jo të zakontë (u friksuam). Fikja e motorit kishte ardhur si rezultat i mbarimit të karburantit, pasi treguesi i tij ishte me defekt. Djemtë e armatosur filluan të kërkonin me bidona të vegjël karburant nga mjetet e rastit që kalonin në këtë orë disi vonë, dhe më pas na shoqëruan deri në Vlorë. Me ndjenjën e frikës të asaj situate të zezë, AM kaloi natën në familjen time dhe jo në hotelin ku kishte rezervuar. Të nesërmen rrugës për në Tiranë, atasheu diplomat, i çliruar nga ankthi i një dite më parë, komentonte me pasion ndihmën e dhënë nga këta djem që bënin “luftën” dhe padyshim për këtë diplomat ushtarak ky gjest ka qënë, përse jo, një reflektim për ndryshim të imazhit apo dhënie informacioni, që zor ndodh në një vend tjetër në krize, ky humanizëm njerëzor. Kam bindjen si ushtarak se, AM ka informuar eprorët e vet për këtë ditë në qytetin e “luftës”, më shumë se kaq për të prezantuar punën e tij. Ai padyshim ka lënë gjurmë vlerësimi pranë ambasadës së tij si informacion të detyrës së vet.
Flitet që ka grupe kriminelësh apo terroristë në Shqipëri, por ndaj të huajve çuditërisht nuk ka pasur as dhe një tendencë aksidenti, pra edhe ky fenomen negativ i zgjatur në kohë flet shumë për këta diplomatë që kane stimuluar frikën tek eprorët e tyre.
Këtë siguri të atëhershme dhe për më tepër sot e bazoj në analizën personale të këtij fenomeni të rrallë, në traditën e bukur të vendit tim që vjen prej shekujsh: Respekt për Mikun që të vjen në shtëpi. Pra ky virtyt nuk ka prapaskenë regjimet që kanë drejtuar këtë vend, por kulturën e respektit që ka mbizotëruar me kohë në shqiptarët e atëhershëm dhe të sotshëm. Këtë virtyt të popullit shqiptar e plotëson edhe sjellja e politikës sonë në vlerësimin dhe respektimin maksimal të diplomatëve të akredituar në Tiranë, herë herë e panevojshme deri edhe servile.
Në këtë mjedis, sigurinë e konsideruar “e disfavorshme”(edhe përse dalin shëtitje në orë të vona) për punë të diplomatëve në vendin tim, e shoh në një plan tjetër dhe shpesh pyes veten: Mos vallë vjen dhe për një kërkesë dublim vlerësimesh nga eprorët e tyre në vendet që i kanë dërguar me mision “në vendin problematik”[1]…?
Lipset që me ambasadat reciproke duhet të bashkëpunojmë dhe të rrahin tema të tilla edhe pse kanë pavarësinë për të punuar dhe gjykuar më vete, e drejtë kjo që u jep statusi “diplomat”. Të jesh diplomat, sidomos të përfaqësosh një vend të vogël, do të thotë: vështirësi. Puna fillon në Tiranë dhe vijon në vendin e akreditimit.
Diplomati duhet të jetë një vizioner për të parashikuar të mirat dhe të këqijat që i vijnë atdheut. Ai, që t’a bëjë atë duhet të zotërojë artin e fjalës, por që t’a zotërojë artin e fjalës, ai duhet të dijë shumë e më shumë për kombin, kulturën dhe traditën; duke shtuar si vlerë profesionin, gjeopolitikën, politikën dhe ekonominë. Në se zotëron dijen, ai është apo bëhet një diplomat i mirë, i besueshëm. Në se është i besueshëm, ai di të menaxhojë lehtësisht politikën që të mos bëjë hapa të nxituara në fushën diplomacisë dhe të sigurisë.
Fusha e veprimit është e gjerë. Na duhet të thyejmë imazhin e gabuar që të tjerët kanë për vendin tonë, të ndryshojmë fatin e hidhur të opinioneve, por edhe të shtrembëruar nga ne. Në këto lëkundje të dhimbshme të kohës që kalojmë, personalisht e kërkoj punën si “negociator lobingu”, për të kapur e ndryshuar ato që humbasim përditë në këtë fushë kaq të rëndësishme të zhvillimit dhe prezantimit të shoqërisë shqiptare, dinjitetin e integrimit tonë në fushën e diplomacisë.
Po përse ky shkrim? Përballë këtij realiteti ndjehesha keq për atë që nuk e bëja vet edhe për atë që nuk e bënin dhe kolegët e mi me/pa uniformë, dhe se ishte kjo ndjesi që më çoi të formuloja idetë për përmbajtjen e këtij teksti duke marrë si personazh dhe analizuar atë që di por edhe vehveten: Për çfarë nuk isha i informuar para fillimit të misionit; çfarë pashë dhe mësova nga francezët dhe homologet e mi të huaj të akredituar në këtë vend; çfarë duhet të bëja gjatë misionit; dhe së fundmi, çfarë kërkohet të bëhet në të ardhmen nga diplomatët?Do të përfundoja se diplomatët me punën e kujdesshme të tyre duhet të gjejnë aleatë dhe të bëjnë aleanca në interes të vendit. Në se e kanë këtë aftësi diplomatike, ata duhet të vlerësohen në prioritet për vijushmëri të eksperincës së tyre nga struktura shtet.
Shumë herë jam ndalur tek thënia lapidar e Gëtes: “Bota, edhe, pse ecën përpara, duhet nisur nga fillimi”, që për mua përkthehet se edhe në diplomacinë tonë kërkohet një lëvizje, një rivlerësim apo një rifillim për ndryshim, kjo është e nevojshme të bëhet.
[1] Shënim personal : edhe në qytetin e Parisit, nje nga qytetet më të sigurt në botë, ç’faqen sjellje kundër të huajve ndoshta në njësi “javë/muaj” ndërsa ky fenomen në vendin tonë matet me njësine « ndoshta vite ».
SAMI says
INDERUARI ZO Z KUçI KENI SHUM TËDREJT POR FATKEQ KREU POLITIK APO DEPUTETËT SOD KçYRIN VETUM SE SI ME VJEDH .ATHER KTYRE DUHET MEJAU SHTËRGURR FREJT DHE TANI MUDEMI ME ZGJEDH POLITIKAJ SIç IKA HIJE KOMBIT.