Nga Arjan Th. Kallço/
Si gjithmonë pjesëmarrja në takimet e ndryshme, konferencat shkencore ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit, është një prej detyrave më të domosdoshme të një studiuesi, për më tepër shqiptar, nëse ai do të jetë në këtë pozicion, në se dëshiron që ta bashkojë zërin me studiuesit e shumtë në botë. Të mjaftohesh me një apo dy konferenca sa për formë, është një prej problemeve që Ministria jonë e Arsimit duhet ta shohë me shumë seriozitet. Tre konferencat e para të këtij viti midis Tiranës dhe Romës kanë qënë një skenë e jashtëzakonshme dhe me shumë dobi, të paktëm për mua, pasi njihesh me kumte dinjitoze tepër shkencore të kolegëve tanë italianë, si të Barit, ashtu dhe të La Sapienza-s. Prandja ftesës së zonjës Ana Mana për të qënë mes tyre në Romë, iu përgjigja me shumë entusiazëm dhe vërtet nuk ishte nxitim apo thjesht për hobi. Kishte edhe motive të tjera që lidhet me letërsinë dhe që farë lehtë mund të gjenin zgjidhje tjetër.
Njerëzimi sot më shumë se kurrë ndodhet përballë problemeve të shumta që e kanë përfshirë të gjithë globin. Jo se më parë këto probleme nuk kanë ekzistuar, por ka përmasa më të mëdha sidomos për shkak të krizës që përfshiu vendet e mëdha të zhvilluara dhe fuqitë e djeshme dhe të sotme. Nëse problemet do të kishin vetëm karakter ekonomik, ndoshta do të ishte më e lehtë të rimëkëmbeshim, po e futim edhe veten tonë si vend që synon të futet në një ekonomi europiane, këtë po ta marrim të bashkuar, e dyta në botë për nga fuqia, atëherë do të ishte gjysma e së keqes. Por kriza reflektohet dhe bie edhe mbi drejtime të tjera dhe kultura është e para që paguan gabimet e planifikimeve ekonomike të bëra të rregullta ose jo në fillim të çdo programi qeveritar kur vijnë në pushtet. Në të gjithë këtë vorbull që të duket e pazgjidhëshme në plan të parë përfshihen edhe shumë drejtime të tjera vendimatre ose jo për shoqërinë. Në qendër të saj sado të hiqemi anti, është përsëri ai, i urryeri dhe i dashuri, ai që i rregullon apo prish disa plane qiellore apo tokësore, njeriu. Bota tashmë e ka kuptuar që gjërat siç janë, nuk janë mirë, do të duhet ndonjë rregullim tjetër asesti që krizat të mos bëhen cikle dëshpërimi për pjesën më të madhe të shoqërisë. Njeriu mund të jetë sa human, po aq kafshë në situata të ndryshme në të cilat gjendet bota. Dhe teksa shohim se katastrofat ndeshen menjëherë me përgjigjen e faktorit njeri, humanizmin e vet, si shenja tipike dalluese e tij në një komunitet, në kriza ekonomike, ai transformohet në antin e vet. Pra duket se kjo natyrë e tillë e dyfishtë ka ngecur në vend prej kohësh dhe me dashje apo jo, nuk po shfaq një anë tjetër pozitive, që edhe ata që e pësojnë nga kriza, të mund të dalin me dinjitet prej saj, për veten, familjen dhe shoqërinë. Po t’i referohemi pak historisë së shkuar, Humanizmi i ndritur, ishte një lëvizje ideologjike dhe kulturore, të tilla bota ka patur dhe do të ketë përherë, duhet kuptuar se kur një lëvizje triumfon, dhe që në qendër kishte dinjitetin e njeriut, rizbulimin e tij, përmes studimeve dhe letërsisë klasike, pas një Mesjete tepër të errët. Pra NJERIU ishte objekti i lëvizjes atëherë, NJERIU është objekt edhe tani. NJERIU do të jetë gjithmonë nismëtari dhe realizuesi i të gjitha lëvizjeve në të mirë të vetë atij. Filozofia është mëse e qartë, jeta, njeriu, epoka më të cilën po jeton dhe e ardhmja. Sa më pak probleme të ketë një shoqëri, aq më mirë për të, do ta ketë më shumë vëmendjen të drejtuar nga komoditetet për të gjithë dhe jo për disa. Këtë ide kanë patur në mendje edhe organizatorët e konferencës me temë, A kemi nevojë për një humanizëm të ri?, që u mbajt në selinë italiane të Parlamentit Europian në Romë më datën 31 janar 2014, me pjesëmarrjen e profesorëve të Universitetit La Sapienza, të studiuesve të tjerë edhe nga Europa, të njerëzve të kulturës e të tjerë. Poeti Elio Pekora në kumtin e vet theksoi se e shkruara ia kthen lexuesit atë që autori percepton, por duhet gjetur lexuesi, i cili duket se po humb në këtë konfuzion botëror. Humanizmi nuk mund të kuptohet ndryshe, kërkon nga shoqëria fuqi dhe cilësi që të ngrihet në normë për të gjithë. Botën e ndryshojnë fjalët, mjafton të përmendim emra të shquar të së shkuarës. Njeriu nuk duhet të jetë detyrimisht në qendër të botës. Koha e sotme shtron para të gjithëve të formohet gjithçka, jo nga koka, por nga poshtë.
Prof. Gabriela Sika në fjalën e vet vuri në dukje se sot njeriu në Europën që synojmë ta bëjmë më të madhe është i fshehur, i arratisur diku, që nuk shfaqet më, prandja duhet t’i drejtohemi përsëri atij në këto situata, si i vetmi që mund ta ndryshojë atë. Nëse njëriu është i arratisur, atëherë edhe arti është i tillë dhe poezia në harresë.
Por këto fenomene kërkojnë një shpjegim shkencor se ku po shkon shoqëria dhe cila është rrugëdalja dhe disa shkenca që sot po kërkojnë më forcë që t’i zhdukin, na flasin qartë për faktorin njeri dhe mundësitë e tij. Sociologia Mariza Okionero i bëri një analizë tepër të hollësishme situatës në Perëndimin demokratik ku po shfaqen shtysa antikulturore për njeriun në lidhje me lirinë dhe atë që kërkon. Sipas Veberit ka një etikë e përgjegjësisë që të respektohet liria e të tjerëve. Individi beson se është i gjithëfuqishëm dhe ka etje për liri, aspiron të jetë aktor i rëndësishëm në sferat e politikës, fesë, familjes. Por problemet e sotme ekonomike pjellin destabilizim që më pas kërkojnë transformim, por në këtë proces elita politike mbetet e përherëshme dhe nuk është e drejtë. Goditje kanë marrë raportet intelektuale janë bërë sipërfaqësore, të varfëra, zakonet shoqërore janë bërë më barbare, prandaj një humanizëm i ri është detyrë e kohës, por që të shkojë në rrugën e duhur.
Dekani i Fakultteit të shkencave ripërsëriti edhe një herë një thënie tepër fyese për kulturën se ajo nuk të jep bukë që doli disa kohë më parë nga goja e një ministri për të thënë se fjalët kanë forcë mbi ne dhe janë mjet mistifikimi. Gjithçka matet me njeriun është motoja që vazhdon të ketë jehonë edhe sot. Klasicizëm në vetvete do të përjashtim, pra kemi një klasë të parë autorësh dhe të gjithë të tjetër të aneksuar. Shoqëria duket se ka hequr dorë nga edukimi bazë, por shkolla duhet të transmettojë kompetencat e duhura, si mjet për edukim. Sipas Sokratit i bëhet thirrje njeirut që të mos bëhet peshë për të tjerët. Për rreth 2400 vjet mjet kanë qënë tekstet letrare, ndërsa pas Luftës së Dytë është teknologjia dhe teknika që po përdorebn si mjet edukimi.
Fabio Shalpi që në fillim iu drejtua thënies së filozofit të madh në kërkim të njeriut, sepse sot kemi një njeri të mabruar në një pafundësi. Është folur shumë për dritën nga lart, por nuk po shfaqet. Njeriu brenda meje – është hyjnori i çdo njeriu, i pafundësisë, brenda dhe jashte nesh, drita që ndriçon shoqërinë.
Në fjalën time theksova se kultura ka qënë, është dhe do të jetë, përderisa edhe vetë shoqëria do të ekzistojë. Janë dy motra binjake të pandashme dhe që pa njëra-tjetrën nuk do të kishin më kuptim. Kultura është pema që mund të përparojë dhe lulëzojë vetëm prej saj, por nëse shoqëria është e fortë, kultura do të zhvillohet dhe pasurohet, ndërsa nëse shoqëria është e dobët, kultura do të thahet. Shembulli shqiptar është një nyjë në koshiencën e politikës së sotme. Siç thotë dhe Nobelisti Llosa kultura nuk duhet të jetë një zbavitje e thjeshtë, pasi do të humbë shpirtin kritik. Kultura italiane dhe Italia është drita që ka magjepsur botën, edhe vetë shqiptarë, prandaj edhe sot ajo mbetet një dritë për ne.